Kristo Frasheri: “Grekët, nacionalistët më negativë të Europës”

0
750

Historiani i njohur Kristo Frashëri foli dje kundër regjistrimit të popullsisë në bazë etnie dhe feje. Gjatë një interviste me Rudina Xhunglën në emisionin “Shqip” në Top Channel, Frashëri i cilësoi grekët si nacionalistë të kohës së Mesjetës.
Profesor, me çfarë studimi po punoni tani?
Po merrem me çështjen e Epirit. Një çështje sa historike, aq edhe aktuale. Nuk është se jam marrë tani me këtë çështje, por kam dekada që mbledh materiale. Tani thjesht jam duke i hedhur në letër. Shpresoj që ta mbaroj. Epiri ka një problem themelor, se me Epirin janë marrë grekët dhe grekët kanë ndikuar edhe tek shumë evropianë. Shqiptarët nuk i kanë kushtuar kurrë rëndësi, pasi sigurisht edhe nuk kanë pasur mundësi. Kanë qenë vetëm 2-3 veta që kanë shkruar për Epirin, por kanë shkruar me materiale të tejkaluara, ndërsa tani ne duhet t’u përgjigjemi këtyre falsifikimeve. Literatura greke e ka falsifikuar në mënyrë skandaloze historinë e Epirit. Ka goxha autorë helenë që shkruajnë se për shembull, Herodoti, Tukididi paskan thënë se Epiri ka qenë tokë greke. Ata nuk thonë fare se qe tokë greke. Kjo e mbush tregun me mendime që janë falsifikime. Ose në Mesjetë, Epiri ka pasur pak grekë. U krijua Despotati shqiptar i Epirit. Grekët nuk e zënë fare në gojë këtë ngjarje. E fshijnë nga historia. Çamërinë nuk e zënë në gojë si fjalë, e quajnë Thesproti. Tani, me librin tim të ri, unë po përpiqem të them se Thesprotia është ilire, nuk është greke dhe që deri vonë ishte shqiptare. Edhe sot, në Çamëri ka shqiptarë, të cilët janë shqiptarë të krishterë, prandaj kanë qëndruar aty. Por nuk guxojnë të flasin shqip, sepse kanë frikë nga fqinji grek. Sot, grekët janë nacionalistët me negativë, me obskurantistë që ka Europa. Ata kanë mbetur ende në fazën e vjetër të nacionalizmit mesjetar. Në 2011 kanë mbetur ende në Mesjetë. Ngrihet sot një autor, i cili thotë se shqiptarët e Jugut janë grekë. Pse? Sepse janë të krishterë. Se edhe myslimanët janë grekë, se kanë qenë të krishterë, të cilët Turqia i bëri myslimanë dhe njëkohësisht shqiptarë. Deri këtu ata shkojnë.
Ju nuk jeni shprehur për regjistrimin e popullsisë….
Regjistrimi i popullsisë, nëse bëhet për efekte numerike, siç bëhet kudo në Evropë, është në rregull. Por nuk është në rregull nëse bëhet siç e kërkon Vangjel Dule e shokë. Ata harrojnë se në Greqi nuk bëhet regjistrimi me fe dhe kombësi, sepse ata e kanë në statut që Greqia është shtet ortodoks, pra shteti i grekëve. Kushtetuta jonë thotë që Shqipëria është shtet i banorëve të saj, ndërsa Kushtetuta greke thotë që shteti është i grekëve dhe për më tepër i grekëve të krishterë ortodoksë, feja e tyre zyrtare. Dhe tani, kërkojnë nga ne të themi se ky është grek sepse është i krishterë. Feja është një bindje personale. Mua nuk më thotë njeri kur shkoj të votoj, për cilën parti do votosh. Bindjet politike dhe bindjet fetare janë njëlloj. Por grekët këtë parim në Greqi respektojnë, ndërsa këtu jo.


Cili është rreziku i regjistrimit të popullsisë, po të bëhet në bazë feje dhe etnie?
Po regjistrimi i popullsisë është se në OKB ka një parim që thotë se, në qoftë se në një vend ka një minoritet me peshë që formon një njësi territoriale, pra jo të shpërndara sa andej-këndej, dhe se ka një qytet, ai ka të drejtë të ketë një regjim autonom. Grekët nuk e kanë ketë minoritet këtu. Minoriteti grek këtu është në Dropull, por jo në Gjirokastër, është në Vurg por jo në Sarandë. Ata nuk kanë qytet. Tani iu qepën Himarës dhe e duan atë si qytet. Por, midis Himarës dhe Dropullit është Labëria, Kurveleshi. Për ta kjo nuk ka rëndësi. Ata duan ta bëjnë Kurveleshin minoritet. Duan të bëjnë një numër të madh minoriteti grek dhe t’i thonë pastaj OKB-së, na lejoni tani që Shqipëria të na japë autonominë provinciale të Shqipërisë së Jugut, meqë është tokë me shumicë të popullsisë greke. Këtë synon Greqia, synon të dalë në Otranto, atje në Karaburun.
Kjo është diçka e vjetër, e kërkuar hershëm nga grekët?
Shumë e vjetër është, që në 1913-ën. Kur kryeministri grek e quajti Shqipërinë e Jugut Vorio-Epir, Europa iu përgjigj se nuk ka Vorio-Epir, por Shqipëri të Jugut. Krahina historike, 2000 vjet më parë e Vorio-Epirit shkonte deri në Llogara dhe lumin Vjosë. Por ai (Venizellos) futi edhe Korçën. Po ai shkon deri në Korçë.
Edhe Korça është një histori e vjetër profesor?
Grekët, Korçën e kërkuan qysh në 1913-ën. Korça nuk ka qenë kurrë Vorio-Epir. Kurrë!
Profesor, si ka mundësi që në 2011-ën të ketë në Greqi, përveç nacionalistëve, njerëz me idera të tilla të çmendura? Kush janë ata? Janë politikanët grekë, historianët grekë? Kush?
Në Greqi është si në Serbi. Klasa politike greke kërkonte të krijonte Greqinë e madhe. Nuk e mori dot. Azinë e Vogël e humbi, Stambollin e humbi, Traken nuk e mori dot, Maqedoninë nuk e mori dot, Qipron nuk e mori dot. Tani iu qep Shqipërisë së Jugut. Greqia do ta mbajë gjallë nacionalizmin grek, kështu krijon teorira, gënjeshtra, shpifje për të thënë se Shqipëria e Jugut ka popullsi greke. Minoriteti grek në Shqipëri është vetëm 2%. Greqia nuk mund të kërkojë krahinë autonome vetëm me 2% të popullsisë në minoritet. Që të kërkosh autonomi, nevojiten shumë më tepër. Greqia këtë kërkon pra, të fabrikojë grekë. Ata shqiptarët që bëjnë si grekë janë parafabrikatë. Pra, Greqia kërkon të fabrikojë grekë për të shtuar numrin e minoritetit, në mënyrë që të kërkojë krahinë autonome.
Pra, të përsërisë Kosovën?
Kristo Frashëri: Po.
Gjë që besoj është e pamundur. Nuk ka për të ndodhur.
Nuk ka për të ndodhur. Por, në qoftë se në flemë dhe marrim mendjen e Fatos Lubonjës, do të krijohen probleme dramatike në Shqipëri, sepse do të bëhet 1914-ta. U bë një kongres fantazmë në Gjirokastër atje dhe për të provuar se shumica qenë ortodoksë, i vuri flakën shqiptarëve myslimanë, i zboi ata. Këtë kërkon të bëjë përsëri Greqia. Kreshnik Spahiu ka shumë të drejtë kur thotë se çështja e regjistrimit të popullsisë është çështje sovraniteti, është çështje e shtetit, e themeleve të shtetit. Ka shumë të drejtë!
Po shteti shqiptar e ka të qartë këtë?
Qeveria është ajo që e ka në dorë. Qeveria duhet të vendosë sa më parë ligjin e regjistrimit që ky regjistrim të jetë vetëm numerik e jo regjistrim me fe dhe me kombësi. Kështu duhet të jetë, nuk ka rrugë tjetër. Prandaj duhet ndryshuar ai akt që lejon shqiptarët të vetëdeklarohen. Vetëdeklarimi është një gjë absurde. Një shqiptar kur deklaron se është grek, deklaron se edhe gjyshi e stërgjyshi i tij kanë qenë grekë. Nëse do ishin gjallë këta stërgjyshër, kush e di se çfarë do bënin. Prandaj, ai greku që shkon në Amerikë, ai nuk është më grek por amerikan me origjinë greke. Minoritar është ai që rri historikisht në vendin e tij. Jo ai minoritar grek që vjen në Tiranë, sepse ai nuk quhet minoritar me të drejta minoriteti. Në Tiranë duhet t’u nënshtrohesh ligjeve shqiptare. Nëse atje ka shkollë greke, le të shkojë atje, por jo këtu.
Pse bëhen marrëveshjet profesor, nga injoranca, padituria apo nga interesat?
Ndonjëherë bëhen edhe nga interesat, sepse këtu Greqia po luan me një kartë të ndyrë. Ajo thotë se nëse ju nuk bëni ketë, unë nuk do t’ju mbështes që ju të hyni në Europë dhe shteti shqiptar ka frikë nga ky shantazh. Përse? Greqia nuk ka aq fuqi sa të na pengojë që të hyjmë në Europë. Europa nuk është aq skllave e Greqisë. Është Greqia ajo që ka më tepër nevojë për ne. Ata shqiptarë që punojnë në Greqi, punojnë për afendikonjtë grekë që rrinë gjithë ditën nëpër kafenë. Greqia nuk i përzë dot shqiptarët, pikërisht për këtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu