Kristo Frashëri: Kosova nën Serbinë? Faji i ballistëve kosovarë e komunistëve shqiptarë

0
1059

(Vijon nga numri i djeshëm)

PK shkoi në Mukje me një rrjet organizativ politik të shpërndarë në mbarë Shqipërinë, me një bilanc të pasur fitoresh ushtarake të korrura kundrejt okupatorit, me një kapital moral të ngritur mbi gjakun e qindra dëshmorëve dhe ajo që çonte peshë, me një ushtri të organizuar partizane të pajisur me një shtab të përgjithshëm të formuar në Labinot, i cili edhe pse në gjirin e tij kishte vetëm një ushtarak të denjë për në shtab, Spiro Moisiun, i jepte frontit ndjenjën e epërsisë ushtarake ndaj Ballit Kombëtar. Me këtë kapital politik dhe me këtë forcë ushtarake PK përpiqej ta vinte Ballin Kombëtar në rolin e sekondantit dhe të siguronte për vete epërsinë politike në shtetin e ardhshëm shqiptar. Përkundrazi, Balli Kombëtar i ndërgjegjshëm për inferioritetin e vet ushtarak dhe për deficitin e vet politik, vinte në tryezë dy karta të forta me të cilat shpresonte t’i priste PK vrullin që kishte marrë në rrugën për në pushtet. Dy kartat qenë: Barazia e dy rreshtimeve në aleancën politike që do të lidhej dhe vënia në plan të parë të programit të përbashkët politik: problemi i Kosovës. Vendimet u morën, pasi të dyja organizatat i bënë lëshime njëra-tjetrës.
Vendimi i parë kishte të bënte me aleancën e të dyjave organizatave në luftë kundër okupatorit të huaj për të ripohuar pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Ky vendim, ishte një fitore e vijës politike të PK, në rast se pranojmë tezën se Balli Kombëtar nuk do t’i bënte bisht si në të kaluarën ndeshjeve të armatosura, jo me ushtrinë italiane e cila numëronte çastet e kapitullimit, por do të angazhohej në luftë kundër ushtrive gjermane hitleriane, të cilat ndoshta askush nuk e parashikonte se do të vinin si vetëtimë, sapo u vu nënshkrimi i kapitullimit të Italisë.
Vendimi i dytë pohonte se forma e regjimit që do të kishte Shqipëria pas çlirimit do të vendosej me zgjedhje të lira e të përgjithshme fill pasi të mbaronte lufta. Pavarësisht se PK nuk e kishte mohuar këtë parim, në fakt vendimi ishte një fitore e Ballit Kombëtar, i cili si një partner i barabartë me Frontin Nacional Çlirimtar bëhej garant për vendosjen e një regjimi të vërtetë demokratik në mbarim të luftës në Shqipëri.
Vendimi i tretë kishte të bënte me çështjen e bashkimit përfundimtar të Kosovës me Shqipërinë. Kjo çështje do të kërkohej që të zgjidhej pasi të mbaronte lufta, me zbatimin e parimit të njohur universalisht dhe të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve dhe jo siç kërkonte BK për ta vënë çështjen e Kosovës si përparësi në vend të luftës kundër okupatorit, tani kur Lufta e Dytë Botërore ishte ende në zhvillim të plotë. Ky vendim ishte, për t’i rënë shkurt, një fitore e Frontit Nacional Çlirimtar, në thelb e Partisë Komuniste Shqiptare.
Vendimi i katërt, trajtonte formimin e një organi të përbashkët me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”, i cili do ta drejtonte vendin deri në formimin e një qeverie të rregullt që do të dilte nga zgjedhjet e përgjithshme fill pas mbarimit të luftës. Komiteti do të kishte dymbëdhjetë anëtarë, 6 nga secila palë. Krijimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë ishte rezultati më i rëndësishëm i Mukjes dhe në të njëjtën kohë fitorja më e madhe që korri Balli Kombëtar në kurriz të PKSH-së. Arsyeja nuk është vështirë të kuptohet, po të kemi parasysh se ndër gjashtë delegatët që do të dërgonte Fronti Nacional Çlirimtar në Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë prej 12 anëtarësh, vetëm dy ose tre do të ishin anëtarë të PK, kurse tre ose katër të tjerë do të ishin nacionalistë dhe zogistë të Frontit Nacional Çlirimtar. Si rrjedhim, në Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë, i cili do të drejtonte vendin fill pas Kuvendit të Mukjes deri në Asamblenë Kushtetuese të Pasluftës, PK do të ndodhej në minoritet përballë nacionalistëve demokratë dhe zogistë, të cilët me shumicën e thellë që do të kishin (ndoshta nëntë nacionalistë: tre komunistë), do të gjenin shumë shpejt një gjuhë të përbashkët për të gjunjëzuar me anën e votës PK.
Vendimi i tretë, i cili kishte të bënte, sikurse u tha, me çështjen “etnike”, pra çështja e bashkimit me Shqipërinë të trojeve shqiptare që ndodheshin jashtë kufijve të saj, ndezi debate të zjarrta. Kjo, për arsye se BK kërkonte që çështja etnike të përfshihej si detyrë e ditës për të dyja rreshtimet. Balli Kombëtar ngulte këmbë se detyra kryesore e shqiptarëve ishte të mbronin Kosovën që tani, pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore.
Edhe Balli Kombëtar ka pranuar se çështja etnike, kryesisht ajo e Kosovës, shkaktoi debate të zjarrta. Sipas tyre, krerët e Ballit ngulnin këmbë që Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë “të luftonte” për çlirimin e Kosovës, kurse përfaqësuesit e Nacional Çlirimtares, që fjala “të luftojmë” të zëvendësohej me foljen “të përpiqemi” për çlirimin e Kosovës. (AQSH. Fondi 270/A.P, viti 1943, dosja 11, fl. 32). Në thelbin e vet ky dallim nuk kishte karakter gjuhësor, por krejtësisht politik. Të luftoje për çështjen e Kosovës do të thoshte që Ushtria Nacional Çlirimtare të angazhohej në luftë për të mbrojtur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e vitit 1913 – vepër kjo e realizuar nga blloku nazifashist. Kjo do të thoshte nga ana e saj, që Ushtria NÇL të angazhohej në luftë kundër çetnikëve nacionalistë jugosllavë, natyrisht edhe kundër reparteve partizane jugosllave. Nga pikëpamja e parimeve të shpallura nga koalicioni i madh antifashist, të mbroje Kosovën do të thoshte të mbroje veprën politike të agresorëve hitlerianë. Kjo do të thoshte gjithashtu të luftoje nën ombrellën e ushtrive hitleriane kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë, të cilët pa mbaruar lufta trajtoheshin si aleatë të koalicionit të madh antifashist. Me këtë qëllim, Balli Kombëtar binte në kundërshtim me porositë e aleatëve të mëdhenj antifashistë, të cilët kërkonin mobilizimin e të gjithë demokratëve antifashistë për të luftuar okupatorët nazifashistë dhe jo për të mbrojtur vendimet e tyre.
Qëndrim krejt të kundërt mbajtën në Konferencën e Mukjes përfaqësuesit e Frontit NÇL. Ata pranonin se duheshin bërë përpjekje gjatë luftës, për të siguruar, por jo luftë të armatosur, kundër forcave jugosllave, qoftë mbre-tërore, qoftë federative, mbasi këto trajtoheshin si pjesëtarë të koalicionit të madh antifashist. Për këtë arsye, as Fronti NÇL, as PKSH-ja nuk e përfshinin në programin e tyre si detyrë të ditës bashkimin e Kosovës dhe të Çamërisë me Shqipërinë. Kjo nuk do të thoshte se Fronti NÇL nuk ishte për realizimin e aspiratave etnike. Në këtë çështje Fronti Nacional Çlirimtar mbështetej në parimet e Kartës së Atlantikut të shpallura nga presidenti i SHBA-së, F. Ruzvelt dhe nga kryeministri i Britanisë, W. Churchill më 14 gusht 1941, të cilën e kishte miratuar një muaj më vonë edhe qeveria sovjetike.
Karta e Atlantikut përmbante ndër të tjera dy parime themelore: E para, se koalicioni i madh antifashist nuk njihte asnjë ndryshim të kufijve të imponuar gjatë luftës nga blloku nazifashist. Pra, për ta, Kosova vazhdonte të trajtohej si pjesë e pandarë e Jugosllavisë. E dyta, kërkesat për autonomi ose për pavarësi të kombësive të shtypura do të shqyrtoheshin pas luftës vetëm nëse ato do të kontribuonin në luftën kundër bllokut fashist dhe vetëm nëse pas luftës vullnetin e tyre do ta shprehnin nëpërmjet votës plebishitare. Për këtë qëllim, ndryshe nga BK, i cili u afrua me kolaboracionistët kosovarë, PKSH-ja dhe Fronti Nacional Çlirimtar u përpoqën të ndihmonin kosovarët antifashistë dhe çamët antifashistë që të mobilizoheshin në luftë kundër okupatorëve italo-gjermanë dhe të përgatiteshin që ata vetë të organizonin votën plebishitare për të realizuar aspiratat e tyre nacionale. Udhëheqësit e Frontit mendonin se përfshirja e Kosovës dhe Çamërisë ashtu siç e kërkonte BK, nuk sillte dobi, madje mund të prodhonte dëm. Në fakt, Fronti Nacional Çlirimtar e kishte shpallur disa herë interesin e Shqipërisë për bashkimin me të të viseve të shkëputura prej saj. Madje, vetë PKSH-ja dhe Fronti NÇL po jepnin kontributin e tyre për gjallërimin e lëvizjes nacional-çlirimtare në Kosovë dhe në Çamëri. Shprehje e kësaj politike ishte edhe ndihma që ato dhanë në organizimin më 31 dhjetor 1943 të Konferencës së Bujanit, e cila shpalli nëpërmjet rezolutës së saj, se kosovarët në mbështetje të Kartës së Atlantikut po merrnin pjesë në luftën kundër agresorëve dhe ishin të vendosur të organizonin pas luftës votën plebishitare në favor të pavarësisë së Kosovës.
Nëse duhet kërkuar medoemos se kush është përgjegjës që Kosova pas luftës u rikthye nën zgjedhën serbe, duhet ta pranojmë haptas se nacionalistët kosovarë të shkollës balliste të grumbulluar në organizatën “Lidhja e Dytë e Prizrenit” u shndërruan në kolaboracionistë të okupatorit nazifashist dhe si të tillë, e humbën të drejtën të përfaqësonin zërin patriotik të kosovarëve. Natyrisht edhe Fronti Nacional Çlirimtar i Kosovës me në krye komunistët kosovarë, anëtarë të Partisë Komuniste Serbe dhe të Partisë Komuniste Shqiptare nuk janë pa përgjegjësi. Kjo, për arsye se ata nuk i rezistuan presionit titist, por kur erdhi momenti i organizimit të votës plebishitare, fatkeqësisht kapitulluan.
Le të kthehemi te Mbledhja e Mukjes. Siç dihet, PKSH-ja, në fakt Enver Hoxha e denoncoi menjëherë Marrëveshjen e Mukjes. Madje nuk i la Mbledhjes së Mukjes mundësinë që të zgjidhte anëtarët e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë. Ballistët dhe pseudohistorianët ballistë kanë pretenduar vazhdimisht se autori i vërtetë i denoncimit ishte Enver Hoxha, i cili u ndikua nga përfaqësuesi i Partisë Komuniste Jugosllave, pranë PKSH-së, Miladin Popoviçi. Ndikimi i Miladinit tek E. Hoxha nuk mund të mohohet, por kjo nuk e shpjegon denoncimin e vendimeve të Mukjes. E. Hoxha dinte të bënte, për interesat e partisë së tij llogari më mirë se emisari jugosllav. Këtë e pranon edhe Reginald Hibbert, një nga oficerët e misionit britanik që veproi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, në monografinë e vet thellësisht të dokumentuar, me titull “Fitorja e hidhur”, përkthyer nga Xhevat Lloshi, Tiranë 1993, f. 49. Sikurse u tha, Marrëveshja e Mukjes po të zbatohej do ta vinte PK në minoritet. Nëse përdorim një shprehje popullore, krerëve komunistë do t’u ikte zogu nga dora.
Pavarësisht nga përgjegjësia e denoncimit, vetë denoncimi i Marrëveshjes së Mukjes ishte një veprim i padenjë për Partinë Komuniste Shqiptare. Kjo, për arsye se kur një delegacion shkon për të nënshkruar një marrëveshje, ai duhet t’i ketë të qarta të gjitha shtigjet që mund të shkaktojë për të një boomerang. Pikërisht gabimi i pafalshëm i E. Hoxhës qëndron te llogaritë e tij të gabuara që ai bëri si në përbërjen e delegatëve, ashtu dhe në direktivat me të cilat ata i pajisi. Balli Kombëtar dërgoi në Mukje katër nga kokat më të përgatitura nga pikëpamja politike, juridike dhe diplomatike (Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra, Thoma Orollogai). Përkundrazi, Partia Komuniste ngarkoi për të përfaqësuar veten e saj tre personalitete (Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Gogo Nushi), të cilët në fakt shquheshin më tepër si masovikë sesa për kulturë politike shkencore. Puna e donte që në këtë takim historik duhet të kishte shkuar vetë E. Hoxha, sekretari i parë i Partisë Komuniste Shqiptare, ashtu siç vajti Mithat Frashëri, kryetari i Ballit Kombëtar. Se çfarë i shtyu tre përfaqësuesit e PKSH-së të binin në gabimin në të cilin, sipas E. Hoxhës, ranë, qëndron me sa dimë ne, te bindja që ata kishin se pas luftës komunistët dhe nacionalistët do ta kishin të përbashkët pushtetin. Si rrjedhim, me lëshimet që ata bënë në përbërjen e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, ata kërkonin që Partia Komuniste të siguronte paraprakisht një vend në kupolën e parlamentarizmit shqiptar të pasluftës. Përkundrazi, Enver Hoxha, ishte një ndër anëtarët e paktë komunistë, të cilët kishin shpresa të mëdha, për të mos thënë bindje, që në rrugën që kishte ndërmarrë PKSH-ja do ta siguronin në mbarim të luftës pushtetin politik në Shqipëri.
Sidoqoftë, me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes, në opinionin publik shqiptar përkohësisht doli i fituar Balli Kombëtar. Por kapitalin politik që fitoi BK në Kuvendin e Mukjes qoftë me vendimet që aty u morën, qoftë nga refuzimi i tyre prej PK – ai nuk diti t’i shfrytëzonte në interes të vetin dhe ca më tepër në interes të kombit. Duket se organizata balliste edhe pse shkoi në Mukje nuk ishte e prirur për të hyrë seriozisht në luftë të armatosur kundër okupatorit fashist. Dëshmi është qëndrimi që mbajti Balli Kombëtar pas denoncimit të Marrëveshjes së Mukjes nga PKSH-ja dhe në mënyrë të veçantë pas kapitullimit të Italisë.
Nëse duhet të bëjmë një diagramë të trajektores së veprimtarisë së BK, mund të thuhet se Mukja shënon momentin kulmor të ngjitjes, kurse më pas filloi tatëpjeta e tij.
9. Balli Kombëtar gjatë okupacionit hitlerian
Në Shqipëri, lajmi për kapitullimin pa kushte të Italisë fashiste u mësua më 8 shtator 1943. Atë ditë u duk haptas se Fronti NÇL dhe boshti i tij kurrizor PKSH-ja patën epërsi politike, ushtarake dhe organizative ndaj Ballit Kombëtar. Në sajë të kësaj epërsie Fronti NÇL dhe PKSH-ja vendosën me anën e këshillave nacional-çlirimtare autoritetin e tyre në pjesën më të madhe të vendit. Për hir të kontributit që kishin dhënë në rezistencën antifashiste, ata gëzonin një konsideratë më të madhe se BK edhe në arenën ndërkombëtare.
Dëshmi janë porositë që komanda e forcave anglo-amerikane në Mesdhe i dha qeverisë së re antifashiste italiane të mareshalit Pietro Badoglio në çastin e kapitullimit. Sipas këtyre porosive, divizionet ushtarake italiane që ndodheshin në Shqipëri të hynin në bisedime për dorëzim me misionet ushtarake aleate që vepronin këtu dhe me krerët e formacioneve të rregullta të Ushtrisë Nacional Çlirimtare shqiptare. Njëkohësisht, ato porositeshin që të mos u dorëzoheshin bandave të parregullta të organizatave nacionaliste, me të cilat nënkuptoheshin edhe forcat balliste. Balli Kombëtar e ndjeu veten inferior përballë partizanëve, mbasi ata arritën të vendosnin autoritetin e tyre vetëm në pak zona. Porosia që dha qeveria italiane e P. Badoglio për të mos e trajtuar BK si një faktor aleat ishte një porosi ofenduese për të.
Në fakt, fill pas kapitullimit të Italisë u përhapën lajme se disa reparte të ushtrisë italiane në Shqipëri po u dorëzoheshin forcave partizane. Kështu ndodhi për shembull me divizionin “Firenze”, komanda e të cilit ndodhej në qytetin e Dibrës. Në bazë të porosisë që mori nga Shtabi i vet në Itali, komandanti i divizionit, gjenerali R. Azzi shkoi me të shpejtë në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇL-së në Labinot dhe përfundoi menjëherë marrëveshjen për dorëzimin e divizionit “Firenze” reparteve partizane të UNÇL-së shqiptare.
Kalimi i armëve dhe i materialit ushtarak të reparteve italiane në duart e partizanëve shqiptarë i shqetësoi së tepërmi ballistët dhe forcat e tjera jokomuniste. Me qëllim që të shtinin në dorë një pjesë të këtij materiali, ballistët e Vlorës, pjesëmarrës në çetën e Hysni Lepenicës, morën një nismë të guximshme. Ata u nisën me të shpejtë në Gjirokastër dhe zunë pozicion në Grehot, ku e kishte selinë komanda e divizionit italian “Perugia” dhe ku ndodheshin magazinat e materialit ushtarak të saj. Historianët ballistë pretendojnë se kur Hysni Lepenica me çetën e vet arriti në afërsi të Grehotit, vuri re se komisari i Shtabit të forcave partizane në këtë zonë, Bedri Spahiu me shokët e vet, kishin siguruar marrjen në dorëzim të materialit ushtarak të divizionit. Pastaj, pa dhënë shpjegime sesi rrodhën ngjarjet, thonë se në përfundim të konfliktit të armatosur mbetën të vrarë nga armët e ushtrisë italiane 34 ballistë, të cilët i quajnë “komandantë”, së bashku me kryekomandantin apo me komandantin e përgjithshëm të tyre, siç i quajnë ata, Hysni Lepenicën. Madje, nuk ngurrojnë të padisin si shkaktarë të kësaj masakre shefat komunistë me në krye Bedri Spahiun, të cilët, sipas tyre, ndodheshin në Shtabin e divizionit italian. Sidoqoftë, vrasjen e çetës së H. Lepenicës në Grehot historianët ballistë e konsiderojnë si aksionin më të rëndësishëm që ka kryer BK kundër okupatorit fashist italian. Për këtë ngjarje flet edhe Abaz Ermenji. Por ai nuk i jep aq rëndësi, madje i bie shkurt. Thotë se, në një përpjekje kundër italianëve në Grehot të Gjirokastrës u vra Hysni Lepenica së bashku me “34 kumandarë” çetash. (A. Ermenji. Albania. Romë, 1968, f. 475). Vini re spekulimin që Abaz Ermenji bën nëpërmjet terminologjisë, kur thotë se çeta prej 34 luftëtarësh lebër e udhëhequr nga Hysni Lepenica përbëhej nga “34 kumandarë çetash”, në një kohë kur dihet se në Vlorë ekzistonte vetëm një çetë balliste – ajo e H. Lepenicës. Është një rast unik, që një çetë të përbëhet vetëm nga komandantë. Akuza që u bëhet komunistëve, se provokuan vrasjen e ballistëve në Grehot, është e padrejtë. Ja si rrodhën ngjarjet.
Komandanti i divizionit “Perugia” me seli në Grehot të Gjirokastrës, gjenerali E. Kiminelo, nuk ndoqi shembullin e komandantit të divizionit “Firenze”, R. Azzi. Ai nuk pranoi t’u dorëzohej ballistëve jo se jo, por as partizanëve. Ai shpresonte të përfitonte nga mungesa e ushtrive hitleriane në Gjirokastër dhe të marshonte me divizionin e vet në Sarandë dhe së andejmi të nisej me anije për në Itali. Se çfarë ndodhi në të vërtetë me divizionin “Perugia” që ndodhej në trevën e Gjirokastrës ne kemi dy variante. Njërin e përfaqësojnë komunikatat e shpallura nga BK ditën që ndodhi masakra, tjetrin shënimet që ka dhënë një dëshmitar as ballist, as partizan. Ky është majori anglez Bill Tilman (William Tilman), një nga oficerët e misionit ushtarak britanik të atashuar gjatë Luftës së Dytë Botërore pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL-së shqiptare, i cili ka qenë i pranishëm në afërsi të ngjarjes.
Disa ditë më vonë pas ngjarjes së Grehotit, Balli Kombëtar nxori dy shpallje, ku shpjegon me hollësi rrjedhën e ngjarjeve, e cila në të vërtetë mbështetet në sajesa. Në to thuhet:
Komunikata e Ballit Kombëtar, me të cilën njoftohet aksioni i Hysni Lepenicës më 14 shtator 1943.
“Hysni Lepenica, komandanti i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar në jug (siç!)… ra dëshmor mbi tokën që e desht me zemër, që e mbrojti me gjak. Posa Italia, dhunuesja e lirisë tonë, lajmëron armëpushimin, kryetarët e çetave shqiptare me një ultimatum të njerëzishëm e të arsyeshëm, kërkojnë prej komandantit të divizionit italian të Gjirokastrës dorëzimin e depove të municionit. Komandanti pranon (siç!) dhe Hysni Lepenica në krye të një komisioni prej katër vetësh, duke pasur nji grup të vogël shokësh, hynë në zonën ushtarake. Ndërkohë, papritur dëgjohet një krismë e madhe. Italianët e pabesë kanë minuar tokën e tradhëtisht i kanë vënë zjarrin. Rreth e rrotull 1500 shqiptarë nisin me tërbim pushkën… Shqipot shumohen, bahen 2000, 3000 e luftojnë si dragonj kundër 10.000 italianëve të poshtër. Gjaku i Hysni Lepenicës e i sa shokëve të vlefshëm u muar. Mëse 500 italianë u vranë (sic!), mëse 500 u zunë rob (sic!) e presin shpërblimin e meritueshëm të tradhëtisë. Lufta vazhdon e ashpër kundëra mbeturinave të divizionit që përpiqet me ikë. Shqiptarët janë duke i ndjekë këmba-këmbës “të pabesët” e poshtër të cilët drejtohen kah Saranda me i shpëtue pushkës së burrave” (AQSH. Fondi 270/A.P viti 1943, dosja 11, fl. 46).
Ja çfarë na thotë majori anglez Bill Tilman. Më 8 shtator 1943 kur kapitulloi Italia fashiste, Bill Tilman ndodhej në bazën e vet të ngritur në fshatin Shepër të Zagorisë. Sapo mori vesh lajmin e kapitullimit ai u nis me nxitim drejt Shtabit të zonës operative të ngritur për Shqipërinë Jugore me juridiksion prefekturën e Gjirokastrës dhe të Vlorës. Ai nuk e takoi komandantin e Shtabit, Islam Radovickën, një ushtarak i karrierës, i cili ndodhej në Libohovë. Ai u takua vetëm me komisarin politik Bedri Spahiu, gjithashtu ushtarak, por anëtar i Partisë Komuniste, të cilin e gjeti së bashku me disa oficerë të Shtabit të tij në manastirin e Cepos (jo larg Gjirokastrës). Majori britanik së bashku me Bedri Spahiun zhvilluan bisedimet me gjeneralin italian E. Kiminelo, i cili u kërkoi të prisnin disa ditë deri sa të vinin udhëzimet nga Shtabi i tij madhor. Në të njëjtën kohë, gjenerali italian i njoftoi se ai po bëhej gati që të shkonte me ushtrinë e vet në Sarandë dhe u premtoi se pasi të siguronte lundrimin e divizionit për në Itali, atëherë do t’ua linte në dispozicion materialin ushtarak të divizionit. Pas takimit, ata u kthyen përsëri në manastirin e Cepos. Majori britanik Bill Tilman thotë se divizioni “Perugia” përbëhej gjithsej nga 5000 trupa.

 

(Vijon nesër)

Nga Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu