Kristo Frashëri: Përçarja e Ballit, gjysma kuislingë, gjysma luftë kundër hitlerianëve

0
927

(Vijon nga numri i djeshëm)

Ai thotë se ndërkohë një turmë ballistësh i qenë afruar vendit jashtë Gjirokastrës ku ishte ngritur kampi i ushtrisë italiane. Ballistët i kërkuan gjeneralit italian në emër të qeverisë së përkohshme të Tiranës (pra, të qeverisë kuislinge të Tiranës) që t’ua dorëzonte atyre materialin ushtarak të divizionit. Majori britanik nuk na e thotë emrin e komandantit ballist, por me siguri është fjala për Hysni Lepenicën me çetën e tij të Vlorës. Ai nuk e thotë ndoshta sepse nuk ka dashur ta ngarkojë BK me përgjegjësinë e kësaj kërkese, e cila në vetvete nuk kishte karakterin e luftës çlirimtare, mbasi Italia fashiste kishte 6 ditë që kishte kapitulluar. Pikërisht kjo duhet të jetë arsyeja pse ai së bashku me Bedri Spahiun e pranuan kërkesën e gjeneralit italian për të pritur nisjen e divizionit për në Itali. Më 14 shtator 1943, thotë majori britanik, ndërsa ai me Bedri Spahiun dhe me kuadro të tjerë të ushtrisë partizane prisnin në manastirin e Cepos përgjigjen e fundit të gjeneralit italian, në mënyrë të papritur u dëgjua një furi të shtënash kundër ushtrive italiane, të vendosura në Grehot. Gjithnjë sipas tij, kompania italiane që ndodhej në kodër në mbrojtje të kampit ushtarak u përgjigj me pushkë dhe me mitraloza. Ky dyluftim i armatosur pushoi brenda një kohe të shkurtër. (Uilliam Tilman. Kur takohen njerëzit dhe malet. Në: Kujtime që nuk shlyhen. Tre oficerë anglezë gjatë luftës në Shqipëri dhe në Kosovë. Përkthyer nga Xhevat Lloshi. Tiranë 1997, ff. 23-26). Shkurt, ai nuk flet për mijëra ballistë, por vetëm për disa qindra. Veç kësaj, ai nuk zë në gojë as 500 ushtarë italianë të vrarë, as 500 ushtarë të zënë rob, siç thuhet në komunikatën e Ballit Kombëtar. Madje, majori britanik flet vetëm për një batare pushkësh dhe asgjë më tepër.
Kjo është beteja e famshme e Grehotit, të cilën ballistët e glorifikojnë si betejë heroike.
Natyrisht vrasja e ballistëve në Grehot, përderisa qenë shqiptarë shkakton edhe sot e kësaj dite keqardhje dhe dhembshuri. Megjithatë, vrasja në vetvete nuk duhet të deformohet për motive politike, siç veprojnë sot avokatët e BK. Konflikti në Grehot ndodhi, siç u tha, 6 ditë pasi Italia fashiste kishte kapitulluar dhe pasi divizioni “Perugia” nuk bashkëpunonte me ushtrinë hitleriane, pra tashmë nuk ishte një ushtri armike. Ta lëmë në dorë të vetë ballistëve të na sqarojnë nëse mund të quhet betejë patriotike me përmasa historike, kur një repart i armatosur, siç ishte çeta e Hysni Lepenicës sulmon në emër të qeverisë kolaboracioniste hitleriane ushtrinë italiane, tashmë aleate e kampit antifashist, qoftë edhe neutrale, për t’i marrë materialin ushtarak.
Në lidhje me okupacionin gjerman të Shqipërisë në fillim u duk sikur Balli Kombëtar do të mbante një qëndrim kundra tij. Në një komunikatë të veçantë që BK shpalli në shtator 1943 thuhet se “nga malet dhe nga fushat e Shqipërisë Balli Kombëtar po e bën sot me tërbim dhe me rrëmbim luftën kundra armikut”. Kundër kujt armik? Sigurisht jo kundër okupatorit hitlerian, por kundër Italisë fashiste, e cila kishte kapitulluar. Shpallja vazhdon:
“Komiteti Qendror i BK bashkë me një numër të rëndësishëm anëtarësh ka dalë në male për të drejtuar në një mënyrë edhe më të mirë e përfundimtare luftën që do të na e nxjerrë faqebardhë Atdheun e do t’i sigurojë Shqipërisë sonë kufijtë e saj etnikë”. Më tej thuhet: “Çdo mungesë ose bishtnim do të jetë tradhëti kundër Atdheut. Mendoni për Shqipërinë, për Ballin Kombëtar. Mithat Frashëri (Lumo Skëndo), Thoma Orollogai, Hasan Dosti, sekretar i përgjithshëm prof. Vasil Andoni. Shqipëri e Lirë, shtator 1943”. (AQSh. Fondi 270, viti 1943, dosja 11, fl. 40/1).
Pa kaluar disa ditë vetë Balli Kombëtar bëri një tërheqje së prapthi. E la pas dore luftën e armatosur kundër okupatorit dhe kaloi në politikën e pritmërisë. Në këtë vendim atyre u erdhi në ndihmë vetë okupatori hitlerian.
Në shtatorin e vitit 1943 koha kur ushtritë gjermane kishin shembur pa vështirësi shumicën e shteteve nacionale të Evropës dhe qeveritë e tyre më parë të pavarura i kishte zëvendësuar me administratën hitleriane, kishte kaluar. Tani që Gjermania naziste kishte marrë rrëpirën, synimi i Hitlerit ishte të shtynte sa më tej orën e disfatës. Berlini nuk kishte më interes që të hapte në këtë moment si në mbarë Evropën e pushtuar edhe në Shqipëri një rezistencë të brendshme antihitleriane. Për këtë arsye, ai në vend të brutalitetit të hapur ushtarak përdori demagogjinë politike. Deklaroi se do ta respektonte pavarësinë e Shqipërisë, se vendosja e ushtrive gjermane në trojet shqiptare kishte karakter të përkohshëm, se ato nuk kishin ndërmend të ndërhynin në punët e brendshme të vendit, se forca politike shqiptare të çdo ngjyre që të ishin mund ta ushtronin lirisht veprimtarinë e tyre, madje mund t’i mbanin në këmbë forcat e tyre të armatosura, mjaft që të mos shqetësonin ushtritë e Reichut gjerman.
Fronti Nacional Çlirimtar dhe faktori kryesor i tij Partia Komuniste, e hodhën poshtë demagogjinë hitleriane. Me këtë hap ato treguan se i qëndronin besnik rreshtimit të tyre në krah të koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
Përkohësisht ballistët u ndanë në dy rryma. Një pjesë pranoi të bashkëpunonte me administratën kuislinge shqiptare që u krijua nën hijen e bajonetave gjermane me në krye Regjencën kuislinge me figurë kryesore Mehdi Frashërin dhe me qeverinë kolaboracioniste me në krye Rexhep Mitrovicën. Pjesa tjetër formalisht u distancua nga qeveria kuislinge me qëllim që të ruante qoftë edhe formalisht identitetin e saj patriotik, por pa hyrë në konflikt të armatosur me ushtritë hitleriane.
Pati dhe disa anëtarë të BK, ndonëse tepër të pakët të cilët në kundërshtim me të dy rrymat kërkonin ta vazhdonin njësoj si repartet partizane luftën e armatosur kundër okupatorit hitlerian. Njëri prej tyre ishte Safet Butka, një nga shtyllat e Katërshes së përmendur, të cilin vazhdonte ta tmerronte rrjedha e ngjarjeve që po shpinte jo vetëm në vëllavrasje, por edhe në degradimin e vetë BK. Duke e parë veten të pafuqishëm për të bindur BK-në të ecte në rrugën e arsyes dhe i dëshpëruar nga likujdimi i çetës balliste të shokut të tij Hysni Lepenicës, Safet Butka vrau veten më 19 shtator 1943 në Melçan afër Korçës. Me vrasjen e tij Katërshja u përgjysmua.
Me kalimin e BK përsëri në politikën e “pritmërisë” u ndërpre procesi i afrimit të dy rreshtimeve kryesore politike shqiptare, e cila sikurse u tha, çoi në mbledhjen e Mukjes. Filluan sulmet e të dyja palëve duke akuzuar njëra-tjetrën si shkaktarë të përçarjes. BK e sulmonte PKSh-në me tre argumente – se kërkonte të akaparonte pas luftës pushtetin politik; se e kishte kthyer veten e saj si vegël e Partisë Komuniste Jugosllave; se nuk e vlerësonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si synim të lartë të lëvizjes kombëtare shqiptare. PKSh-ja nga ana e saj e akuzonte BK po ashtu në tre drejtime – se BK, pa shkrehur pushkë kundër okupatorit, kërkonte të siguronte pas luftës pushtetin politik në Shqipëri; se duke ngritur në plan të parë çështjen etnike, pra çështjen e Kosovës kërkonte të anashkalonte detyrën prioritare – luftën kryesore të ditës kundër okupatorit hitlerian që kishte pushtuar Shqipërinë; e treta, se oportunizmi i theksuar i krerëve të BK po e shpinte organizatën drejt bashkëpunimit me okupatorin gjerman. Me ashpërsimin që karakterizuan sulmet kundër njëra-tjetrës të dyja palët parashikuan se polemika e mbyllte mundësinë e marrëveshjes midis tyre. Të dyja palët parashikuan kalimin nga polemika në konflikt të armatosur, të cilin ballistët e stigmatizuan si fillimin e “luftës civile”, pra të luftës për pushtet. Duke ngritur në plan të parë çështjen etnike në kohë krejt të papërshtatshme krerët e BK shkanë përsëri në oportunizëm politik, këtë radhë me kuislingët e administratës së okupatorit hitlerian. Pa frikë teprimi mund të thuhet se miopia politike e krerëve të BK i çoi ata, në fillim të tetorit 1943 drejt bashkëpunimit me administratën kuislinge shqiptare, rrjedhimisht me okupatorin gjerman hitlerian që qëndronte prapa saj. Më 7 tetor 1943 në emër të KQ të BK, Mithat Frashëri lëshoi në adresë të gjithë komiteteve krahinore këtë qarkore:
“Meqenëse vendi ynë sot ka nevojën më të ngutëshme për rregull dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen që me të arritur kjo qarkore, të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash. Më vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera”.
Në të njëjtën kohë në emër të BK në një deklaratë drejtuar opinionit shqiptar përsëri Mithat Frashëri paralajmëronte pasojat e përçarjes:
“Siç duket puna, po përgatitet opinioni publik për vëllavrasjen. Duhet të ndriçohen, pra të gjithë shqiptarët, të mësojnë se cilët janë shkaqet që na ndajnë dhe kështu të dimë se cilin ta akuzojnë nesër për vëllavrasje. S’jemi ne provokatorët: me atë lloj pasivitetin tonë u keqkuptuam… Nëse kemi heshtur, nëse nuk jemi përgjigjur, shkaku është se nuk na pëlqen grindja dhe shkaku i shkaqeve është se nuk duam të vërtetohet ajo që na ka ngjethur mishtë e na ka ngrirë gjakun: vëllavrasja!. Po, o vëllezër të gabuar, – dëgjoni? Ju themi akoma vëllezër, ejani në vete. Kujtohuni se jemi të gjithë shqiptarë dhe kemi të gjithë një hall. Duam të gjithë një Shqipëri të vërtetë, të lirë e demokratike, ku bujku dhe beu të kenë një lloj të drejtë, ku padroni dhe shërbenjësi të jenë baras përpara ligjit. Pse të grindemi? Pse të dehemi nga ideologjitë e paasimiluara? Këto hesape i bëjmë më vonë. Ejani të bashkohemi, të gjejmë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin. Flasim të gjithë, një gjuhë bashkë me kosovarët – shqip, dhe kemi të gjithë një atdhe. Sot për sot të përpiqemi të zbërthejmë problemin numër një të ekzistencës së Shqipërisë. Ndryshe, kënaqim armiqtë dhe lumi që na mori”.
Duke mos i dhënë rëndësi retorikës me të cilat është mbushur deklarata e tij mbasi ajo nuk e ndriçon, por e fsheh prapashpinën e vërtetë të konfliktit midis dy rreshtimeve politike, këtu shtrohet pyetja: Çfarë kërkonte BK nga kundërshtarët e vet për të evituar vëllavrasjen midis shqiptarëve? Me thirrjen “o vëllezër të gabuar, – dëgjoni? Ejani të bashkohemi, të gjejmë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin… Sot për sot të përpiqemi të zbërthejmë problemin numër një të ekzistencës së Shqipërisë!” – çfarë kërkonte konkretisht BK nga kundërshtarët e vet? Nuk ka dyshim se me këtë thirrje patetike, BK kërkonte që Fronti NÇL të ndërpriste rezistencën e armatosur kundër okupatorit hitlerian, sepse Shqipëria në ato momente kishte nevojë, sipas tij, jo për luftë, por për rregull dhe disiplinë. Ai kërkonte që të evitohej “vëllavrasja” duke nënkuptuar se shkaktarë të saj nuk ishin nacionalistët e BK që anonin nga paqja me okupatorin, por krerët e Frontit NÇL që kërkonin luftë kundër okupatorit. Kërkesa që Fronti dhe PKSh-ja të hiqnin dorë nga rezistenca e armatosur ishte absurde, mbasi ishte po ajo që kërkonte okupatori ushtarak hitlerian. Pikërisht kjo logjikë dhe ky qëndrim e çoi BK nga mosangazhimi luftarak kundër okupatorit gjerman në bashkëpunim të hapët me të.
Këtë kthesë e ka vënë në dukje Julian Amery, një nga oficerët më të shquar të misionit ushtarak britanik të atashuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke përshkruar në veprën e vet “Marshi i afrimit” gjendjen e Shqipërisë në kohën e vendosjes së okupacionit hitlerian, ai shkruan: “Balli Kombëtar (ndonëse) proaleat, në këtë mënyrë gjithnjë e më tepër u hodh në krahët e qeverisë progjermane të Tiranës, deri sa u bë e vështirë të bëhej dallimi midis tyre”. Më tej duke folur mbi luftën midis ballistëve dhe partizanëve, ai shton se kjo luftë u vinte shumë mirë për shtat gjermanëve” (J. Amery. Në: Kujtime që nuk shlyhen. Tre oficerë anglezë gjatë luftës në Shqipëri dhe në Kosovë. Përkthyer nga Xhevat Lloshi. Tiranë 1997, f. 82).
Ky konflikt midis dy rreshtimeve kryesore e shqetësoi natyrshëm misionin ushtarak britanik. Me porosinë e Londrës misioni bënte përpjekje jo vetëm për ta parandaluar konfliktin, por edhe për t’i rikthyer të dyja palët në tryezën e bisedimeve. Kryetari i misionit britanik, gjenerali Davis, ndër hapat që ndërmori pyeti fillimisht Enver Hoxhën se çfarë e pengonte PKSh-në që të bashkëpunonte me BK. Enver Hoxha vuri vetëm një kusht: që BK të kalonte nga oportunizmi në luftë kundër okupatorit gjerman. Po BK si u përgjigj? Takimin në Shën Gjergj të malësisë së Tiranës që gjenerali britanik Davis pati në nëntor të vitit 1943 me delegacionin e BK të kryesuar nga Mithat Frashëri dhe të Lëvizjes së Legalitetit me në krye Abaz Kupin – një nga anëtarët e misionit britanik, i pranishëm në atë mbledhje, e përshkruan me këto fjalë:
“Biseda midis tyre mori flakë sapo gjenerali britanik u tha se Enver Hoxha i kishte premtuar atij se ishte gati të ndërpriste luftën nëse Balli do të nënshkruante një marrëveshje për t’i luftuar sinqerisht gjermanët. Kjo, – vazhdon ai, – shkaktoi një zhurmë të madhe dhe atmosferë tepër armiqësore. Folën të gjithë përnjëherë. Osman Mema, i cili ishte i sëmurë, i harroi ethet e tij dhe u bashkua me ta. Sytë e Abaz Kupit flakëritën dhe ai u bë tepër luftarak. Biseda shkoi zvarrë-zvarrë deri në orën tetë. Rrzh. Çizholm (oficer britanik – K.F.) merrte pjesë për herë të parë në bashkëbisedime me shqiptarët, prandaj u shastis. Arritëm kështu në një pikë të vdekur. S’kishte gjë që ta shtynte Mithatin për të pranuar të punonte me LANÇ-in. Unë u dorëzova. U përpoqa me të gjitha mënyrat për ta bindur. E pamundur. Enver Hoxha kishte të drejtë. Balli Kombëtar refuzoi të nënshkruante një marrëveshje për t’i luftuar gjermanët”.
Krerët e BK nuk pranuan të dëgjonin as porosinë që kryeministri britanik Churchill u dha nga Dhoma e Komuneve disa ditë më vonë, në nëntor të vitit 1943 për të hequr dorë nga bashkëpunimi me okupatorin gjerman. Më 3 nëntor 1943 pyetjes që majori Albert i drejtoi kryeministrit W. Churchill në Dhomën e Komuneve nëse mund të bënte ndonjë deklaratë për guerrilet në Shqipëri dhe për politikën e qeverisë britanike ndaj tyre – kryeministri britanik iu përgjigj:
“Po! Mijëra shqiptarë po luftojnë për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Nga përvoja e vendeve të tjera të pushtuara ata kanë mësuar se e ashtuquajtura pavarësi e dhënë prej gjermanëve është një mashtrim i egër. Pak javë më parë, pushtimi fashist të cilin ata mëse katër vjet e kundërshtuan, u zëvendësua nga zgjedha gjermane. Gjermanët po përdorin të gjitha metodat e zakonshme për të nënshtruar popullin luftarak. Ata kanë bombarduar fshatra shqiptarë, kanë vrarë gra, fëmijë të Shqipërisë. Por guerilet shqiptare vazhdojnë ta shqetësojnë ar-mikun dhe të sulmojnë lidhjet e tij të komunikacionit… Oficerët britanikë të ndërlidhjes që janë pranë këtyre guerriljeve i ngrejnë lart cilësitë e tyre luftarake. Ne duam që shqiptarët të luajnë rolin e tyre ashtu siç ua kërkon tradita e tyre e vjetër luftarake në zhvillimin e ardhshëm të ngjarjeve në zonën e Mesdheut”. (Gazeta “Dielli”, Detroit Mich. 6 nëntor 1943).
Kryeministri britanik aludonte për ngjarjet që po zhvilloheshin në vende të shtypura të Evropës. Pa dyshim ai e kishte fjalën për nacionalistët e disa vendeve të shtypura që e kishin shpalosur flamurin e rezistencës më lart se komunistët. Shembullin më klasik e jepte gjenerali De Gol (Gaulle) në Francë, i cili pothuajse përditë i nxiste nga Londra patriotët francezë të rrëmbenin armët çlirimtare. Po kështu qeveria polake e mërgimit, po kështu qeveria greke e mërgimit, po kështu qeveria jugosllave e mërgimit nxisnin për një luftë totale simpatizantët e tyre nacionalistë.
Përkundrazi, nacionalistët shqiptarë të BK jo vetëm nuk e dëgjuan zërin e Churchill-it, njërit prej krerëve kryesorë të koalicionit të madh antifashist, por u futën edhe më thellë në rrugën e tyre të gabuar. Nga gjoja pezullimi i luftës kundër okupatorit gjerman që Mithat Frashëri shpalli më 7 tetor 1943, në nëntor BK kaloi në bashkëpunim të hapët me okupatorin hitlerian.
Ngjarjet që ndodhën gjatë dimrit 1943-1944 treguan se BK hyri më thellë në rrugën e bashkëpunimit me forcat operative hitleriane.
Si dëshmi e këtij bashkëpunimi po riprodhojmë letrën e Rauf Fratarit, anëtar i Komitetit të Ballit Kombëtar në Fier, drejtuar çetës balliste të rrethit me komandant Jakup Asqeriun më 14 nëntor 1943, me të cilën e urdhëron që të marrë pjesë së bashku me repartet hitleriane në sulmin që gjermanët do të ndërmerrnin kundër Beratit më 15 nëntor 1943. Në të njëjtën kohë porositeshin që “të vepronin pa mëshirë në kapjen e elementeve komunistë e të rezistencës”.
Madje, nga mënyra sesi u zbatua marrëveshja e bashkëpunimit u duk haptazi se BK i shndërroi repartet e veta ushtarake në reparte mercenare, të cilat ndihmonin repartet ushtarake hitleriane të shtypnin Lëvizjen NÇL, pra të asgjësonin faktorin shqiptar që ishte rreshtuar në kampin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
Historianët ballistë të ditëve tona e justifikojnë bashkëpunimin e BK me okupatorin hitlerian me argumentin se ballistët nuk ishin në gjendje të zhvillonin një luftë të armatosur në dy fronte – hem kundër gjermanëve, hem kundër komunistëve. Por ky argument nuk qëndron. Dëshmi janë partizanët, të cilët nuk u trembën nga lufta në dy fronte hem kundër ballistëve, hem kundër gjermanëve. Kjo për arsye se lufta kundër gjermanëve hitlerianë i fuqizonte partizanët shqiptarë edhe më tepër jo vetëm ndaj forcave hitleriane, por edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre ballistë. Siç dihet, me këtë luftë në dy fronte ata fituan kundër të dyja palëve.
Nuk ka dyshim se me aleancën që BK lidhi me komandën operative gjermane krerët e tij nuk synonin të kontribuonin në fitoren e Gjermanisë hitleriane. Përkundrazi, ata e urrenin regjimin nazist të Gjermanisë agresore. Simpatitë e tyre politike anonin pa dyshim ndaj koalicionit të madh antifashist, në mënyrë të veçantë ndaj dy shteteve kryesore perëndimore të koalicionit – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Si shpjegohet atëherë ky qëndrim i dyzuar i BK? Përgjigjen e shpjegojnë dy faktorë: nga urrejtja patologjike që krerët e BK kishin kundër regjimit komunist dhe, e dyta, nga shpresa se rrezikun komunist mund ta parandalonin me ndihmën e Gjermanisë hitleriane. Ata ishin zhgënjyer nga Britania e Madhe, më vonë edhe nga ShBA-ja, të cilët po e ndihmonin me të dyja duart Frontin NÇL në luftë kundër okupatorit gjerman. Meqenëse përpjekjet e tyre për ta bindur Londrën që të hiqte dorë nga ndihma që u jepte partizanëve dështuan, ata panë si të vetmen mundësi për ta shkatërruar Frontin NÇL, bashkëpunimin me repartet operative të Gjermanisë hitleriane. Ata shpresuan se po të bashkëpunonin me repartet hitleriane ushtria NÇL do të shkatërrohej para se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore. Si rrjedhim, me shkatërrimin e saj do të realizohej aspirata e tyre për ta marrë në dorë në fund të luftës pushtetin politik në Shqipëri. Ata kishin bindjen se Londra dhe Uashingtoni do ta përkrahnin ardhjen e tyre në pushtet në mbarim të luftës për hir të qëndrimit të tyre antikomunist.
Por, duke i mbështetur llogaritë e tyre politike në urrejtjen patologjike që kishin ndaj doktrinës komuniste krerët e BK u gabuan rëndë.
Ata nuk e kuptuan se po të angazhoheshin në mënyrë aktive qoftë edhe me vonesë në luftën nacionalçlirimtare, rrjedha e ngjarjeve në Shqipëri do të kishte ndryshuar në interes të synimeve të tyre. Me personalitetet e njohura që kishin në radhët e tyre, me kapitalin patriotik që kishin grumbulluar në të kaluarën, me pikëpamjet e tyre demokratike antizogiste, antifashiste dhe antikomuniste, nuk ka dyshim se do të kishin bërë për vete një pjesë të opinionit publik shqiptar, do të kishin tërhequr një masë të konsiderueshme të rinisë shqiptare, e cila tregoi që në fillim se ishte e frymëzuar nga ndjenja patriotike, nga idetë demokratike, nga shpirti i vetëmohimit dhe nga prirja revolucionare.
Për fat të keq, kur repartet hitleriane ndërmorën “Operacionin e Dimrit” në vitet 1943-1944 për të shtypur lëvizjen nacional çlirimtare – BK i ktheu repartet e veta të armatosura në shtojca të reparteve ushtarake hitleriane dhe të forcave të xhandarmërisë kolaboracioniste. Natyrisht jo të gjithë anëtarët ballistë qenë dakord me këtë shkarje fatale të BK, e cila parashihej se do ta çonte organizatën e tyre drejt katastrofës. Faik Quku shënon në kujtimet e veta se zërat e kundërshtimit vinin kryesisht nga ballistët e brezit të ri. Ai shton se pikërisht këto zëra kundërshtimi të cilat nuk mund të anashkaloheshin në atë moment vendimtar historik, e detyruan BK të thërriste mbledhjen e Kongresit të Parë të tij.

 

(Vijon nesër)

 

Nga Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu