Kristo Frasheri: Përplasjet e Konicës me vëllezërit Frashëri për Greqinë e xhonturqit

0
803

Pas një zbatice të përkohshme që pësoi lëvizja kombëtare shqiptare nga shtypja me dhunë e Lidhjes së Prizrenit më 1881, ajo pati në vitet e fundit të shekullit XIX një ringritje e cila paralajmëronte fillimin e një faze të re të saj. Në të vërtetë vrulli i saj nuk ra nga goditja brutale që i dha operacioni ushtarak osman i Dervish Pashës në pranverën e vitit 1881, por nga politika që ndoqën fuqitë e mëdha për ruajtjen e statu quo-së në Evropën juglindore, në dobi të Perandorisë Osmane. Politika e ruajtjes së statu quo-së do të thoshte për fuqitë e mëdha se ato nuk do të lejonin ndryshimin e kufijve të Perandorisë Osmane, me fjalë të tjera, as shkëputjen e provincave të saj, as lindjen e shteteve të reja në Gadishullin Ballkanik mbi territoret e saj. Për sa kohë fuqitë e mëdha ndoqën politikën e statu quo-së në Evropën juglindore, rilindësit shqiptarë e përqendruan veprimtarinë e tyre në zhvillimin e lëvizjes kulturore, e cila nuk e prekte integritetin tokësor të Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, lëvizja kombëtare u përqendrua kryesisht në hapjen e shkollave në gjuhën amtare, në botimin e veprave letrare shqipe dhe në organizimin e klubeve kulturore. Meqenëse Perandoria Osmane u tregua tepër kokëfortë edhe ndaj lëvizjes kulturore brenda në Shqipëri, lëvizja kombëtare u zhvillua haptas më tepër në kolonitë shqiptare që ndodheshin jashtë perandorisë, si në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali.
Por ngjarjet që ndodhën në vitin 1896 në të ashtuquajturën “Çështje maqedone” e vunë në dyshim ruajtjen e statu quo-së. Me “çështje maqedone” u quajtën orvatjet që ndërmorën disa qarqe bullgaro-maqedone për të zbatuar reformën administrative në favor të popullsive lokale në viset e emërtuara prej tyre “Maqedoni”. Prapa kërkesave për reforma nuk ishin vështirë të lexoheshin synimet për të krijuar një shtet autonom maqedon brenda Perandorisë Osmane. Ajo që i shqetësoi shqiptarët ishte se me emërtimin Maqedoni autorët e reformave përfshinin edhe vise të banuara nga popullsi shqiptare, të cilat cilësoheshin si popullsi sllave. “Çështja maqedone” vuri në lëvizje edhe qarqet nacionaliste greke e serbe, të cilat pretenduan se Maqedonia ishte një provincë me karakter etnik, për të parët grek, për të dytët serb. Të tri monarkitë ballkanike përfshinë gjithashtu në projektet e tyre edhe vise të banuara nga popullsi shqiptare. Shfaqja e lakmive nacionaliste në dëm të Shqipërisë nga tri monarkitë ballkanike i shqetësoi në kulm shqiptarët, kurse mundësia e prishjes së statu quo-së i vuri ata në lëvizje për të kërkuar të drejtat e tyre. Pikërisht ky shqetësim ndezi dhe vrullin e ri që pati lëvizja kombëtare shqiptare në vitet e fundit të shekullit XIX. Megjithatë jo të gjitha rrethet shqiptare qenë në unison në lidhje me përmbajtjen e reformave që duheshin kërkuar, me tonin që duhej të përmbanin kërkesat, me mjetet që duheshin përdorur për realizimin e tyre dhe ajo që ka rëndësi të veçantë, me përkrahësin ndërkombëtar të çështjes kombëtare. Në këtë valë të re të lëvizjes kombëtare u shquan për nga përmbajtja e kërkesave tri personalitete, të cilët përfaqësonin tri vatra kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare: Sami Frashëri, ambientet shqiptare të Stambollit; Faik Konica, kolonitë shqiptare të mërgimit dhe Murat Toptani, shqiptarët që banonin në atdhe.
* * *
Sami Frashëri në vitet e fundit të shekullit XIX banonte në Stamboll si funksionar i Perandorisë Osmane. Në atë kohë ai ishte një nga personalitetet shqiptarë më të shquar që banonin brenda dhe jashtë atdheut. Samiu mbante me vete eksperiencën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Si publicist i spikatur ai njihte mirë zhvillimin e politikës ndërkombëtare. Në ambientet perandorake ai njihej si personalitet i kulturës turke, kurse në ambientet shqiptare brenda dhe jashtë atdheut ai shquhej si një ideolog i lëvizjes kombëtare shqiptare. Gjatë Lidhjes së Prizrenit ai kishte qenë anëtar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i cili pati për kryetar Abdyl Frashërin. Për shkak të censurës sulltanore ai pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u detyrua të punonte për çështjen kombëtare në klandestinitet, kurse veprimtarinë e tij për hapjen e shkollave shqipe e ushtroi haptas. Kur u shfaq “çështja maqedone” ai formoi në Stamboll në rrethana klandestiniteti një komitet me emrin e shkurtuar “Komiteti Shqiptar”. Nga anëtarët e komitetit dimë vetëm dy emra – Riza Kryeziu dhe Molla Zeka, që të dy nga Gjakova. Synimi i komitetit ishte të rimëkëmbte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe të ndiqte shembullin e përpjekjeve të saj. Në vitin 1897 “Komiteti Shqiptar” me një manifest të titulluar “Çfarë duan shqiptarët!”, shpalosi për opinionin publik programin e vet, që tani duhej të zbatonin shqiptarët për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare. Manifesti u botua dhe në shtypin e kohës. Në manifest thuhet se shqiptarët duan të drejtat e tyre. Thotë se ata nuk do ta lenë kurrë vendin e tyre që të shitet, se nuk kanë nevojë për kujdestar. Ata kërkojnë bashkimin e katër vilajeteve (Janina, Manastiri, Shkodra, Kosova), në një vilajet të vetëm. Shqipëria ka dhënë prova se mund të qeveriset vetë, pa kujdestarë të huaj.
Është një nga manifestet më të rëndësishme që kanë dalë nga qarqet shqiptare në vitet e fundit të shekullit XIX. Tashmë nuk ka dyshim se manifesti ka dalë nga pena e Sami Frashërit. Është një nga manifestet që la gjurmë edhe në vitet e mëvonshme. Pikat që përmban manifesti janë pak a shumë po ato që ka trajtuar Sami Frashëri në manifestin e njohur politik dhe ideologjik që botoi dy vjet më vonë pa emrin e autorit në veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?” (Bukuresht, 1899). Për rëndësinë që ka nuk është pa vend të riprodhohet këtu pjesa kryesore e përmbajtjes së manifestit. Aty thuhet:
“… Turqit u përpoqën pastaj t’i nënshtrojnë shqiptarët dhe, si me thënë, t’i asimilojnë duke u përpjekur që të shuajnë tek ata çdo ndjenjë kombëtare. Ata filluan duke e copëtuar vendin e tyre në katër vilajete, duke mos i njohur si kombësi më vete dhe, duket e pabesueshme, duke ua ndaluar atyre mësimin e gjuhës amtare… Turqit që ndalojnë gjuhën shqipe, u lënë fushë të lirë intrigave të ulta të grekëve dhe të sllavëve, u lenë fushë të lirë shkollave të tyre dhe në harmoni me ta mbjellin përçarje midis vëllezërve shqiptarë, myslimanë e të krishterë…”. Dielli i lirisë, “ky diell kaq i dashur dhe i pritur me kaq ankth është duke lindur dhe Shqipëria vogëlushe deri më sot, duke arritur në moshën madhore, një shekull para o një shekull pas – kjo nuk ka rëndësi në historinë e kombeve, – kërkon me zë të lartë të drejtat e veta dhe po i kupton me zemërim gabimet dhe padrejtësitë çnjerëzore që i janë bërë nga kujdestarët e saj të paturpshëm.
Shqipëria kërkon
të drejtat e saj…
Shqiptarët nuk kanë asnjë pretendim absurd ose të padrejtë. Ata nuk duan gjë tjetër veçse të drejtat e tyre, ato të drejta që çdo njeri i urtë dhe me ndërgjegje nuk do të ngurrojë t’ua japë. Dhe në ballë të çdo kërkese ata duan të mbrojnë me këmbëngulje tërësinë e atdheut të tyre të dashur, të asaj Shqipërie, e cila deri më sot ka ruajtur kurdoherë një gjysmë pavarësi dhe nuk u është nënshtruar asnjëherë plotësisht as romakëve, as turqve, as kërrkujt tjetër…
Nëse Evropa dëshiron të respektojë tërësinë e Turqisë, të kësaj perandorie që gërryhet përbrenda, Shqipëria do të përpiqet me çdo mjet të fitojë një farë autonomie, domethënë:
Bashkimin e katër vilajeteve (Janina, Manastiri, Shkodra dhe Kosova) në një vilajet të vetëm autonom; me një rregullim të veçantë për të; me shqipen si gjuhë lokale; me në krye një guvernator të përgjithshëm të dërguar nga Porta që të qeverisë nën kontrollin e një asambleje kombëtare. Të gjithë funksionarët e tjerë të jenë shqiptarë, sepse deri sot kemi patur shumë nga ata hajdutë dhe nga ata xhahila të dekoruar që vinë për të plaçkitur vendin tonë. Të ardhurat nga taksat, doganat etj., të shpenzohen në vend dhe Turqia të marrë që këtej vetëm një tribut vjetor…
Nëse Evropa do t’i japë fund kësaj perandorie që është prej shekujsh në agoni, nuk është e nevojshme t’i themi tjetër gjë veçse atë që Shqipëria duhet të formojë një shtet të lirë. Ne s’duam as princ mysliman, as princ evropian. Në vend të një monarku Shqipëria do të ketë një pleqësi të përbërë prej aq anëtarësh sa do të jenë departamentet e saj. Këta anëtarë do të zgjedhin një president nga gjiri i tyre sepse kjo është forma e qeverisjes që Shqipëria kishte në kohën e lashtë.
Nuk dihet se ku, disa njerëz e kanë psonisur pa menduar mirë idenë e një protektorati për Shqipërinë. Ne s’duam gjë tjetër veçse të jemi të lirë dhe t’i gëzojmë vetë të drejtat tona të shenjta. Ne nuk kemi nevojë për kujdestarë. Por nëse nuk kemi nevojë për kujdestarë, përkundrazi kemi nevojë për miq…”.
Një vit më vonë në një manifest që shpëndau në muajin gusht (1898) Komiteti Shqiptar theksoi haptazi se synonte të rimëkëmbte një organizatë politike të ngjashme me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Aty thuhej ndër të tjera:
“Abdyl Frashëri, kryetari i Lidhjes së Toskërisë, vajti në Gegëri për të lidhur një marrëveshje me shqiptarët që banonin në malësitë midis Dibrës dhe Gjakovës. Në këtë mënyrë, Prizreni u vu në krye të gjithë Gegërisë, mbasi aty u mblodh Kuvendi dhe u themelua Lidhja Shqiptare. Aty u vendos që çdo armik që të shkelë në cilëndo pjesë të Shqipërisë, toskë dhe gegë, të gjithë sa flasin gjuhën shqipe dhe janë bij shqiptarësh, myslimanë dhe të krishterë pa dallim feje, morën përsipër të luftonin për çlirimin e atdheut. Mund të thuhet se kjo Lidhje ekzistonte dhe më parë, sepse në çdo kohë shqiptarët kanë ruajtur në zemrat e tyre, kultin e lirisë dhe cilido nga ata që zotëron një pushkë, ditë apo natë qoftë, e mban gati për luftë. Lidhja e Prizrenit qëndroi dhe qeverisi vendin me kaq aftësi saqë gjatë ekzistencës së saj kushdo jetonte në qetësi aq sa mund të thuhet se çdo shqiptar flinte me portën e shtëpisë hapur…”. Dhe më tej: “Shqipëria fitoi atëherë vetëdijen për ekzistencën e saj dhe u tregua e aftë se mund të vetëqeverisej pa protektoratin e asnjë fuqie të huaj”.
Thirrja e Komitetit mbyllet me fjalët që mbajti Abdyl Frashëri në një kuvend që dibranët zhvilluan fill pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit. Duke parashtruar programin e Lidhjes së Prizrenit dhe nevojën e mobilizimit të mbarë shqiptarëve për zbatimin e programit të saj, ai tha: “Sot është e domosdoshme që të harrojmë urrejtjet dhe t’i falim gjaqet. Sot që armiku kërkon të pijë gjakun tonë, është e domosdoshme që të luftojmë për lirinë e vendit dhe jo kundër njëri-tjetrit”. Sapo tha këto fjalë të gjithë të pranishmit, rreth dhjetë mijë vetë, u ngritën në këmbë sikur të ishin një njeri i vetëm, i vunë armët në tokë saqë uturinë malet dhe sikur dilte nga një gojë e vetme, u dëgjua vetëm një thirrje: “Gjaqet i falim dhe për këtë po japim besën”.
Abdyl Frashëri u prek shumë kur pa këta gegë malësorë, të fortë si malet, të puthë hasmi-hasmin dhe për të mirën e atdheut të harronin mëritë, të bashkonin zemrat vëllazërisht në një besë dhe kushdo të falte gjakun nga armiku i vet.
Komiteti Shqiptar i Stambollit shpalli një politikë të prerë ndaj monarkive fqinje. Për sa kohë Athina, Beogradi dhe Sofia do të synonin të aneksonin viset shqiptare edhe pse ato deklaronin se nuk pajtoheshin me qeverinë perandorake të Stambollit, nuk pranonte të lidhte asnjë aleancë me to. Madje sipas Sami Frashërit Shqipërisë rreziku më i madh i vinte nga perandoria sulltanore, pasi ajo ua kishte krijuar mundësinë monarkrive ballkanike të punonin në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë.
Ndërkohë, në pragun e lindjes së çështjes maqedone në arenën politikë të Perandorisë Osmane kishte dalë një faktor i ri. Kundërshtarët e rreptë të absolutizmit sulltanor, pasardhësit e organizatës së dikurshme, “Osmanët e Rinj”, formuan në vitin 1894 në mërgim një organizatë të re, e cila u bë e njohur me emrin frëngjisht “Zhën Tyrk” (Jeune Turcs, Turqit e Rinj). Një nga katër themeluesit e organizatës së re, ishte mjeku shqiptar Ibrahim Themo lindur në Strugë me origjinë nga Mati. Detyra themelore që mori përsipër organizata “Turqit e Rinj” ishte të përmbyste me anën e një revolucioni të brendshëm despotizmin feudal sulltanor dhe të vendoste në Perandorinë Osmane një regjim demokratik modern. Mjeku I. Themo, i cili njihej si një patriot shqiptar, i ftoi bashkatdhetarët e vet të bashkoheshin me “Turqit e Rinj”, pasi nga përmbysja e absolutizmit sulltanor, mendonte ai, do të përfitonte edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Një nga patriotët e parë që e refuzoi ftesën e I. Themos ishte Sami Frashëri. Kur lexoi programin e organizatës së re ai vuri re se edhe “Turqit e Rinj” synonin ta ruanin karakterin centralist të pushtetit perandorak, po atë parim të cilin e kishin zbatuar për breza me radhë qeveritarët sulltanistë. Sami Frashëri mendonte me të drejtë se një regjim që zbaton parimin e centralizmit pushtetor nuk mund të lejojë të drejtat autonomiste të kombësive të nënshtruara, të cilat mund të realizohen vetëm me regjimin që zbaton parimin e decentralizimit pushtetor. Si rrjedhim, shqiptarët të cilët kërkonin bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm, të pajisur me një autonomi administrative, nuk kishin se ç’të fitonin nga revolucioni xhonturk. Për këtë arsye, Lëvizja Kombëtare Shqiptare duhej të ndiqte, sipas Sami Frashërit, rrugë të veçantë nga ajo e Turqve të Rinj. Një nga personalitetet e shquara të kohës që e kundërshtoi për të njëjtën arsye bashkëpunimin me Turqit e Rinj ishte edhe Ismail Qemali, i cili e parashikoi që herët se Turqit e Rinj kur të vinin në pushtet do të vendosnin, në emër të parimit të centralizmit perandorak, një despotizëm antishqiptar ashtu siç ndodhi në të vërtetë.
* * *
Truallin më të përshtatshëm për përhapjen e tyre, idetë e Rilindjes Kombëtare e gjetën në kolonitë shqiptare të mërgimit. Kjo për arsye se jashtë kufijve të Perandorisë Osmane idetë kombëtare nuk ndeshën në pengesa nga policia e vendeve ku shqiptarët e mërguar banonin. Për këtë arsye, aty ku kishte komunitete shqiptarësh lindën dhe klubet e para patriotike (në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali). Ndonëse klubet patriotike më të rëndësishme u formuan në Rumani, njeriu që u shqua më tepër se mërgimtarët e tjerë shqiptarë ishte Faik Konica, i cili banonte fill i vetëm në Belgjikë. Në të vërtetë, Faiku kishte lindur më 1875 në Konicë, por edukimin arsimor e mori në vatra të ndryshme kulturore – në Konicë, në Shkodër, në Stamboll, pastaj në Francë. Në Stamboll pasi kreu shkollën unike në gjimnazin e Gallatës vazhdoi studimet e shkollës së mesme në Francë. Atje mori dhe diplomën universitare, në Dijon.
Në jetëshkrimin e tij personal drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Bruksel janar 1899, thotë ndër të tjera se kur më 1895 u vendos në Paris, atëherë dëgjoi të flitej për lëvizje kombëtare shqiptare dhe të merrte dijeni rreth botimeve shqip në Bukuresht. Deri atëherë kishte lexuar vetëm libra të botuara nga albanologë të huaj mbi Shqipërinë. Propaganda në favor të lëvizjes kombëtare ishte për të, sikurse shkruan ai, pothuajse zero. Edhe gjatë pushimeve që kishte kaluar në Shqipëri, kur kishte folur me disa bashkatdhetarë, çështjen kombëtare, thotë ai, disa e kishin pritur ftohtë, disa nuk e kishin kuptuar fare. Jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por as për ata të Stambollit, as për ata të Bukureshtit, shkruan ai, nuk ekzistonte një çështje kombëtare. Sipas tij, përjashtim bënin vetëm qarqet patriotike të Korçës.
Me bashkatdhetarët e parë që ai hyri në kontakt ishin shqiptarët mërgimtarë të Rumanisë. Dëshira e parë e Faikut ishte që me ndihmën e tyre të botonte jashtë Shqipërisë një organ shqip me përmbajtje patriotike. Faiku thotë se nisma për botimin e revistës shqipe u prit me entuziasëm nga qindra shqiptarë të mërguar. Për botimin e revistës mori dhe premtime financiare, kryesisht nga mërgimtarët e Rumanisë. Në bazë të premtimeve ai vendosi në fillim të vitit 1897 të dërgonte në shtyp numrin e parë të revistës, të cilës i vuri emrin “Albania”. Por ndërkohë, shqiptarët e Rumanisë u treguan, siç shkruan Faiku, entuziastë më tepër me fjalë sesa me fakte. Shkak u bë bashkëpunimi i Faik Konicës me dy personalitete shqiptarë që nuk shiheshin me sy të mirë as nga mërgimtarët e Rumanisë, as nga Komiteti i Stambollit – me Nikolla Naçon, për të cilin armiku kryesor për Shqipërinë ishte Greqia dhe jo Turqia dhe me Dr. Ibrahim Themon, i cili kërkonte ta ngushtonte lëvizjen shqiptare vetëm kundër despotizmit sulltanor dhe jo kundër Perandorisë Osmane. Në qëndrimin që mbajtën shqiptarët e Rumanisë ndikuan edhe porositë që ata morën nga Sami Frashëri dhe Naim Frashëri për të mos mbajtur lidhje me Faik Konicën për sa kohë ai do të bashkëpunonte me dy kundërshtarët e platformës së tyre politike – me Nikolla Naçon dhe Ibrahim Themon.
Përsa i përket orientimit politik të revistës, Faik Konica pajtohej vetëm pjesërisht me Sami Frashërin. Ura që i bashkonte ishte gadishmëria e tyre për t’i shërbyer atdheut në fushën e kulturës. Një pikë e përbashkët e ideologjisë së tyre ishte angazhimi i veprimtarisë patriotike në fushën e përhapjes së arsimit shqip dhe të letërsisë shqiptare. Të dy personalitetet e shihnin të dobishme mobilizimin e tyre për të zhvilluar haptas luftën e tyre për të drejtat kulturore shqiptare. Faik Konica shkruante në atë kohë: “Sot për sot kemi vetëm nevojë të hapim shkolla dhe udhë, të zbukurojmë mendjen kombiare, të lidhim gjithë shqiptarët në dashuri të fortë, të rendim drejt qytetërimit. Nuk duhet të përzihemi me punët e politikës”. Megjithatë, në kundërshtim me programin e vet për të mos prekur tema politike, ai nuk i kurseu kritikat ndaj sundimit të Perandorisë Osmane në Shqipëri, të cilat i ushtroi haptas, ndryshe nga Samiu, i cili i shpalli në klandestinitet. Faik Konica mendonte se lëvizjes kombëtare do t’i shërbejnë më mirë bateritë e rrepta me të cilat duhej të sulmohej haptas politika e Perandorisë Osmane.
Por, jashtë tyre Faiku dhe Samiu kishin dhe dallime, madje disa prej tyre të theksuara.

(Vijon nesër)

 

Nga Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu