Kristo Frashëri: Përplasjet, kush e themeloi Ballin Mithat Frashëri apo Faik Quku

0
946

(Vijon nga numri i djeshëm)

Tezën më të guximshme dhe më keq të sajuar e ka mbrojtur Hasan Dosti, një nga themeluesit e BK. Që në kongresin e pestë që Balli Kombëtar pas largimit nga Shqipëria vajti në emigracion, në Napoli në nëntor 1949 për të zgjedhur pasardhësin e Mithat Frashërit që kishte vdekur, Hasan Dosti pa asnjë dokumentacion shpalli me një kurajo të habitshme se organizatën nacionaliste ai e kishte themeluar disa ditë pas pushtimit më 7 prill 1939 të Shqipërisë nga Italia fashiste. Kjo ishte një përpjekje e Hasan Dostit për të rifituar postin e humbur të anëtarit të Komitetit Qendror të Ballit, nga i cili Kongresi i Beratit më 3 janar 1944, sikurse do të shihet, e kishte shkarkuar, me motivacionin se nuk ishte i përshtatshëm për të drejtuar organizatën nacionaliste një njeri i cili kishte shërbyer si ministër i Drejtësisë në qeverinë kolaboracioniste të Mustafa Krujës. Në të vërtetë, Hasan Dosti nuk u pranua jo më kryetar i Ballit Kombëtar, por as anëtar i Komitetit Qendror të tij. Siç dihet, kryetar i BK u zgjodh Kadri Cakrani.
Megjithatë, Hasan Dosti nuk hoqi dorë nga sajesa e tij absurde. Në vëllimin e botuar nga pasardhësit e tij – Hasan Dosti “Një jetë për çështjen shqiptare”, Tiranë, Botart 2008 – në kreun kushtuar organizatës Balli Kombëtar ai e përsërit sajesën e tij absurde. Ai shkruan:
“Balli Kombëtar u themelua si organizatë e fshehtë në muajin prill 1939, vetëm pak ditë pas okupacionit të 7 prillit 1939” (H. Dosti. Një jetë për çështjen shqiptare. Tiranë 2008, f. 78). Ai thotë se idenë për themelimin e saj e pati vetë Hasan Dosti, kurse vendimin e mori Mithat Frashëri.
Bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Sejfi Protopapa, emigrant në ShBA, ka pohuar të kundërtën. Në fjalimin e përmortshëm që mbajti ditën e vdekjes së H. Dostit, S. Protopapa thotë se ideja ishte e Mithat Frashërit, kurse H. Dostin ai e zgjodhi për ta vënë në zbatim. Sipas H. Dostit, anëtarët e parë të komitetit të BK qenë pesë: Mithat Frashëri, Fuat Dibra, Nuredin Vlora, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Pastaj shton se në fund të muajit maj 1939 pasi u kthyen në Shqipëri shumë të mërguar politikë, ish-anëtarë të “Bashkimit Kombëtar”, dy prej tyre, Kol Tromara dhe Ali Këlcyra, hynë si anëtarë efektivë të Komitetit Qendror të BK (Po aty, f. 78). Ndërkohë, Hasan Dosti njofton se Ali Këlcyra para se të kthehej në Shqipëri kishte hyrë në prill të vitit 1939 në marrëdhënie të fshehta me shefin e kabinetit ushtarak të kryeministrit frëng Eduard Daladier. Gjithnjë sipas tij, shefi frëng e kishte njoftuar A. Këlcyrën se Franca dhe Britania do të hapnin më 1939 frontin ballkanik dhe se shqiptarët do të merrnin organizimin e kryengritjes antifashiste (Po aty, f. 79). Hasan Dosti njofton më në fund se në korrik të vitit 1943, pra katër vjet më vonë, u përfshinë si anëtarë të Komitetit Qendror të BK edhe dy personalitete të tjerë – Thoma Orollogai dhe Bahri Omari.
Tezën më të sajuar, njëkohësisht më absurden e ka gatuar Faik Quku, gjithashtu një nga themeluesit e BK, i cili më vonë u caktua sekretari i përgjithshëm i organizatës nacionaliste. Faik Quku e çon themelimin e Ballit Kombëtar në mënyrë akoma më të habitshme jo pas, por para 7 prillit 1939, pra para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në punimin e tij me titull “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Vëllimi I, Tiranë 2006, f. 197, F. Quku shkruan: “Gjatë dimrit të vitit 1939 (pra para 7 prillit 1939 – K.F.), unë mendova për formimin e një Komiteti Revolucionar bashkë me Fuat Dibrën, Nuredin Vlorën dhe Ali Këlcyrën”. Më tej ai vazhdon: “Për krijimin e Komitetit në fjalë, më parë kam biseduar dhe i kam propozuar, veç e veç Fuat Dibrës, Nuredin Vlorës dhe Ali Këlcyrës dhe kemi qenë të një mendimi. Takimi i parë ka qenë me Fuat Dibrën; mandej kam njoftë Nuredin Vlorën me Fuat Dibrën dhe, më vonë, kam sjellë e pajtue Ali Këlcyrën me Fuat Dibrën… Më në fund, mbas këtyre takimeve, kam organizuar një mbledhje të të katërve, tek Fuat Dibra, në shtëpinë e Shefki Turkeshit, në një rrugicë në rrugën e Bamit (sot rruga Qemal Stafa – K. F.) ku ai banonte. Këtu, mbasi kemi qenë të gjithë të një mendimi, kemi shpallë krijimin e Komitetit Qendror Nacionalist dhe kemi filluar punën”. Sikurse shihet, F. Quku e përjashton kategorikisht pjesëmarrjen e Mithat Frashërit në themelimin e BK. Më tej ai vazhdon:
“Mbas disa ditësh, me propozimin e Ali Këlcyrës, janë pranuar me marr pjesë në Komitet edhe Mithat Frashëri dhe Hasan Dosti, më vonë edhe Kol Tromara”. (F. Quku. Po aty, f. 198).
Faik Quku bën disa vërejtje për tre anëtarët e rinj të Komitetit Qendror. Thotë se: “Me gjithë miqësinë e ngushtë që më lidhte me Hasan Dostin dhe me gjithë takimet që kisha pasë me Mithat Frashërin, unë nuk e kisha menduar se këta mund të merrnin pjesë në një komitet revanshist e luftarak”. Ai i mbyll njoftimet me këto fjalë: “Komiteti i organizatës së nacionalistëve, i formuar në dimrin e vitit 1939, më vonë do të marrë emrin organizata e Ballit Kombëtar. Komiteti i formuar në këtë mënyrë, – shkruan ai, – do të funksionojë deri në vitin 1944, pa ndonjë ndryshim e pa ndonjë shtesë personash”. (F. Quku. Po aty, f. 200). Pra, ai mohon përfshirjen e Th. Orollogait dhe të B. Omarit në Komitetin Qendror të BK në korrik 1943, kur dihet se të paktën i pari ishte një nga përfaqësuesit kryesorë të organizatës nacionaliste në Mbledhjen e Mukjes, e cila u mbajt në fillim të gushtit 1943.
Ashtu si H. Dosti, edhe F. Quku nuk e vërtetojnë ekzistencën e një komiteti të organizatës së nacionalistëve qoftë para, qoftë pas 7 prillit 1939. Veç kësaj, as njëri as tjetri nuk na sjellin dëshmi që të provojnë se kur kjo organizatë fillestare nacionaliste mori emrin BK.
Është e tepërt të thuhet se në këtë tregim ka në radhë të parë disa mospërputhje kronologjike. Në dimrin e vitit 1939 kur Shqipëria nuk ishte ende e pushtuar nga Italia fashiste vetëm Faik Quku, Hasan Dosti dhe Mithat Frashëri ndodheshin në Shqipëri. Katër anëtarët e tjerë: Fuat Dibra, Nuredin Vlora, Ali Këlcyra, Kol Tromara ndodheshin në mërgim, pra jashtë Shqipërisë. Veç kësaj, autori i këtij trilli historik nuk shpjegon arsyen se cila ishte detyra e krijimit të këtij komiteti të organizatës së nacionalistëve, në një kohë kur Shqipëria nuk ishte ende e pushtuar nga Italia fashiste.
Kontaktin e Ali Këlcyrës me qeverinë frënge, Faik Quku e përshkruan krejt ndryshe nga kolegu i tij Hasan Dosti. Ai shkruan: “Mbas 7 prillit, Ali Këlcyra iu drejtua qeverisë frënge dhe i kërkoi ndihmë financiare për të botuar një gazetë kundër Italisë, në Paris. Gjeneral Aleksandri, kryetar i kabinetit të kryeministrit Daladier dhe ministër i Luftës, i përgjigjet kështu: “Këtë ndihmë ne mund ta japim me lehtësi, por ju kishit me i shërbye ma mirë Shqipërisë e çështjes aleate tue shkue në Shqipëri për me përgatitë popullin për luftë. Lufta kundër Boshtit asht e afërme. Sipas planit të aleatëve, grushti vendimtar do t’i jepet armikut me anën e ushtrisë së gjeneral Vajgandit, të përgatitur në Siri, i cili do të zbarkojë në Selanik. Në këtë kohë popullit shqiptar i duhet të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e luftës”. (F. Quku. Po aty, Vëllimi I, f. 184).
Faik Quku vazhdon: “Po ashtu, majori britanik Morthon Eden, i cili i ndihmoi shqiptarët në kohën e Kongresit të Lushnjës në vitin 1920, në takimin që pati në Paris me Ali Këlcyrën, pas 7 prillit, i tha se: Ajo që ju (është fjala për organizatën nacionaliste “Bashkimi Kombëtar” – K.F.) e parashikuat dhe e trumbetuat në të gjithë botën, gjatë 15 vjetëve të mërgimit, ngjau. Tani që Italia fashiste me bajonetë e pushtoi aleaten e saj të vogël, nuk kini çfarë bëni më në emigracion. A nuk e shihni, – theksoi ai, – se bota ju la në fatin tuaj? Duhet të ktheheni të gjithë në atdheun tuaj dhe të përgatiteni për çdo eventualitet, duke pritur zhvillimin e ngjarjeve. Në qoftë se Shqipëria do të shpëtojë përsëri, kjo do të ndodhë si në vitin 1920, ndër malet e saj dhe prej djemve të saj. Me këto fjalë, unë nuk shfaq vetëm mendimet dhe ndjenjat e mia, por besoj se interpretoj edhe atë të disa qarqeve politike të Londrës, që merren me çështjet politike të Shqipërisë e të Ballkanit” (F. Quku. Po aty, f. 184).
Përveç sajesave të Hasan Dostit dhe të Faik Qukut, kemi dhe një pohim të tretë që ka dalë nga ambientet e Zef Palit, i cili u pranua si anëtar i Komitetit Qendror të BK në Kongresin e parë të organizatës nacionaliste që u mbajt në Berat më 3 janar 1944. Në një artikull, i cili ngjet si një hartim filloresk, të botuar nga pasuesit e Zef Palit në Shkodër në revistën “Robni o liri”, në mars 1944, thuhej se BK u themelua më 31 gusht 1939. Me përjashtim të Uran Butkës, i cili është përpjekur të grumbullojë çdo sajesë që ka ndeshur në faqet e shtypit të viteve të okupacionit hitlerian – askush deri sot nuk i ka dhënë rëndësi këtij shënimi, pasi ai nuk përmban asnjë dëshmi se ku janë mbështetur autorët e saj.
Një nga anëtarët e hershëm të Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji, i cili në janar të vitit 1944 u zgjodh një nga pesë anëtarët e kryesisë së tij, flet ndryshe nga H. Dosti dhe F. Quku për themelimin e organizatës nacionaliste. Ai i mohon kategorikisht sajesat e tyre se organizata nacionaliste ishte themeluar në vitin 1939. Madje, ai e ka përjashtuar gjithashtu kategorikisht mundësinë që Ballin Kombëtar e kishin themeluar përfaqësuesit e brezit të vjetër të politikës shqiptare, me të cilët nënkupton anëtarët e Bashkimit Kombëtar, themeluar në mërgim në vitin 1925. Nga ana tjetër ai thotë: “Nuk ka rëndësi se në çfarë date BK u shfaq me këtë emër. Puna është se ai përbëhej prej atdhetarësh që e kishin kundërshtuar pushtuesin fashist që në vitin 1939” (Albania, Romë, 1968, f. 363). Në punimin e tij ai shkruan se kur u pushtua Shqipëria nga Italia fashiste doli në shesh se “ata që e kishin udhëhequr gjer në atë ditë popullin shqiptar (është fjala për qeveritarët zogistë – K.F.), e gënjyen, e tallën dhe e lanë në baltë. Të tjerë politikanë që ishin mbajtur gjer atëherë si burra më të mirë (fjala është për anëtarët e “Bashkimit Kombëtar” – K.F.), u kthyen me këmishën e zezë (si kolaboracionistë fashistë – K.F.) dhe kërkonin t’i mbushnin mendjen gjithkujt se pushtimi i huaj ishte çlirim. Këto tregonin se klasa e politikanëve të vjetër, besnikë apo kundërshtarë të ish-mbretit Zog, kishte mbaruar përgjithmonë”. (Po aty, f. 451).
Megjithatë, edhe Abaz Ermenji nuk i ka shpëtuar sëmundjes së protagonizmit politik. Në veprën e tij ai shkruan se ideja e formimit të BK lindi në radhët e nacionalistëve të internuar në ishullin Ventottene të Italisë, atje ku vuanin dënimin, midis të tjerëve, edhe Abaz Ermenji dhe Safet Butka. Në një vend tjetër të punimit të vet ai shkruan: Në vjeshtën e vitit 1941 “qëndresa kundër pushtimit fashist ishte përgjithësuar dhe gjatë luftës italo-greke gati u kthye në kryengritje (sic!). Në çdo kënd të Shqipërisë, ishte shfaqur shpirti kombëtar me demonstrata, hedhje traktesh e veprime të tjera. Kjo lëvizje kombëtare u lidh në një organizatë të përgjithshme që u quajt Balli Kombëtar”. (A. Ermenji. Po aty, f. 451). Siç dihet, lufta italo-greke filloi në fund të tetorit të vitit 1940 dhe mori fund në fillim të muajit prill 1941. Abaz Ermenji nuk e përcakton qartë nëse Balli Kombëtar u formua gjatë apo pas luftës italo-greke. Në një vend të punimit të tij ai lë të kuptohet se BK u formua pasi u liruan nga internimi patriotët shqiptarë, midis tyre edhe Abaz Ermenji me Safet Butkën. Dihet se Abaz Ermenji u lirua nga ishulli i Ventottenes në shtatorin e vitit 1941, kurse Safet Butka në shtatorin e vitit 1942.
Në intervistën që Abaz Ermenji i ka dhënë gazetës “Republika” (Slloveni) në lidhje me kohën kur u formua BK, shkruan: “Unë dhe Safet Butka që ktheheshin nga ishulli i Ventottenes (shtator 1941) mbasi biseduam dhe me patriotë të tjerë, sidomos me Skënder Muçon dhe Hysni Lepenicën (të cilët nuk kishin qenë të internuar në Itali), vendosëm të dilnim maleve për të krijuar çetat e para me armë kundër pushtimit fashist”. Më tej: “Për t’i dhënë një formë të organizuar kësaj përpjekje u krijua Balli Kombëtar nën kryesinë e Mithat Frashërit, i biri i Abdyl Frashërit”. (Gazeta “Republika”, Nr. 6-7, Lubjanë, 30 tetor 1991). Me këto llogaritje po i afrohemi me hir apo me pahir datës tashmë të sigurtë se BK u formua në nëntorin e vitit 1942.
Kemi dhe një dëshmi të habitshme. Në deponimet që pater Anton Harapi kur ishte i arrestuar (1945) ka bërë para hetuesisë, thotë ndër të tjera se “Mithati takohej një herë në javë me Mehdiun, kryetar i Regjencës… Një herë në një takim Mehdiu i tha Mithatit të mos harronte që BK e kishte themeluar ai, që më 1941.
Për ta plotësuar vargun e dëshmitarëve kryesorë, ne do të pyesim edhe krerë të tjerë të BK. Dy prej tyre, Kol Tromara dhe Bahri Omari, duket se nuk patën guxim të pajtoheshin me sajesat e kolegëve të tyre. Në të njëjtën kohë, ata duket se nuk patën as guximin që të pohonin të vërtetën – se organizata e tyre u themelua pas Konferencës së Pezës. Kur në marsin e vitit 1945, kryetari i Gjyqit Special, para të cilit kaluan disa nga kolaboracionistët e arrestuar, e pyeti për shembull Kol Tromarën, një nga themeluesit e Ballit Kombëtar dhe anëtarin e Komitetit Qendror të tij, se kur ishte formuar organizata nacionaliste që ai themeloi, para apo pas Konferencës së Pezës, ai u përgjigj: “Nuk e mbaj mend!” (Gazeta “Bashkimi”, 18 mars 1945). Po kështu, kur kryetari i gjyqit e pyeti Bahri Omarin se kur u formua Balli Kombëtar, para apo pas Konferencës së Pezës, e cila ishte mbledhur dy vjet e gjysmë më parë, ai u përgjigj gjithashtu se nuk e mbante mend (Gazeta “Bashkimi”, 16 mars 1945). Po ashtu Ismail Golemi, një nga personalitetet balliste, komandant i xhandarmërisë të qarkut Gjirokastër në kohën e qeverisë kuislinge të Rexhep Mitrovicës, dha të njëjtën përgjigje se nuk e mbante mend. (Gazeta “Bashkimi”, 15 mars 1945).
Në këtë hulli sajesash vazhdojnë edhe udhëheqësit e organizatës të rimëkëmbur pas vitit 1991 të Ballit Kombëtar dhe pseudohistorianët ballistë të ditëve tona.
Nga të parët po sjellim si shembull Adriatik Alimadhin, kryetarin e njërës prej dy organizatave që mban emrin “Balli Kombëtar”. Në një artikull të botuar në të përditshmen “Tirana Observer”, më 11 prill 2007 dhe të ribotuar në gazetën “Ballkan”, 15 prill 2007, me titull “68 vjet Balli Kombëtar”, në apologjinë që ai i bën organizatës së partisë dështake të Mithat Frashërit, pretendon, pa na sjellë asnjë dokumentacion historik, se Balli Kombëtar është themeluar në muajin prill të vitit 1939, fill pasi Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Duket sheshit se ai është mbështetur te sajesa e Hasan Dostit, i cili sikurse do të shihet, gati pesëmbëdhjetë muaj pas themelimit të BK, në Kongresin e Beratit ai u përjashtua nga kryesia e organizatës me motivacionin se si kolaboracionist nuk ishte i përshtatshëm për të qenë në krye të një organizate nacionaliste. Ne nuk i kemi vënë rëndësi pohimit të A. Alimadhit se BK u themelua në prill të vitit 1939, mbasi duke mos u mbështetur në dokumentacion historik, e kemi konsideruar një theshethem kafenesh.
Thashethem kafenesh është edhe pohimi i pseudohistorianit ballist Uran Butka, i cili ka njëzet vjet që po përpiqet të bindë opinionin se sajesa e H. Dostit mbi krijimin e BK në prill 1939 është, sipas tij, një e vërtetë që nuk mund të vihet në dyshim.
Në mbështetje të sajesës së themelimit të organizatës BK në prillin e vitit 1939, Hasan Dosti me shokë pretendojnë se programin e saj e kishte hartuar që në atë kohë Mithat Frashëri. Si dëshmi ai na sjell një shkrim me titull “Nacionalizma Shqiptare”, i cili në të vërtetë nuk u shpall asnjëherë publikisht gjatë luftës.
Hasan Dosti thotë tekstualisht se disa muaj pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, domethënë disa muaj pas themelimit në prill të vitit 1939 të organizatës nacionaliste, e cila më vonë mori, sipas tij, emrin Balli Kombëtar, qarkulloi “fshehurazi” një fletë me titull “Nacionalizma Shqiptare” hartuar nga Mithat Frashëri. “Në këtë fletë, nënvizon ai, pasqyrohen qëllimet e larta dhe dëshirat e pastra të Organizatës Balli Kombëtar. Kjo pllakë (në kuptimin medalion – K.F.), – vazhdon ai, – e skalitur në kohën e robërisë me dorën e Lumo Skëndos (alias Mithat Frashërit – K.F.) qëndron e mbërthyer mirë ndër zemra dhe frymëzon gjithnjë: patriotizmë, liri, vëllazëri, përpjekje, besim, urti, dinjitet, përparim dhe mëson që të vihen interesat e Atdheut përmbi çdo parti, çdo ideologji” (Hasan Dosti. Një jetë për çështjen shqiptare. Pa vend botimi. Viti 2008, f. 65).
Në shkrimin e Mithat Frashërit “Nacionalizma Shqiptare” theksohet se qëllimi i nacionalizmit është: 1. Të ketë një Shqipëri të lirë e të pavarur. 2. Të sigurojë një Shqipëri të përparuar, të zgjuar, të zonjën të jetojë e nderuar dhe e vëllazëruar. 3. Të ruajë kufijtë e saj etnikë dhe të mbështjellë në një atdhe djemtë e saj. 4. Të jenë gati djemtë e këtij kombi për çdo sakrificë për të arritur qëllimin e përbashkët. 5. Realizimin e këtyre detyrave ta mbështesim te forcat tona, mbasi veten tonë do ta shpëtojmë ne vetë, me sakrificat tona, me përpjekjen tonë, me vullnetin tonë, me dëshirën tonë. 6. Nacionalizma shqiptare dëshiron që me kombet dhe me shtetet fqinje të ketë marrëdhënie miqësore, të rrojë në harmoni me ta; më në fund, nacionalizma shqiptare nuk bën asnjë luftë ideologjish.
Këtë shkrim të Mithat Frashërit, Hasan Dosti me shokë e prezantojnë si programin politik dhe ideologjik që kishte Balli Kombëtar më 1939. Për fat të keq, edhe këtu ka pasaktësi në fushën e interpretimit. Nga fraza që ka teksti në hyrje se “Bota anë e mbanë gjendet në flakë”, do të thotë pa pikë dyshimi se ky pamflet është shkruar pasi ka filluar Lufta e Dytë Botërore, madje pas qershorit të vitit 1940, kur gjithë Evropa ishte përfshirë në vllagën e saj dhe jo siç pretendon H. Dosti se është shkruar fill pas pushtimit të 7 prillit 1939. E dyta, shkrimi i Mithatit nuk ka karakterin e një programi politik të një partie që merr përsipër të udhëheqë luftën patriotike, por të një klubi të zakonshëm që shpjegon se ç’është nacionalizma shqiptare. Në të nuk zihet fare në gojë se Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste. Gjithashtu në të as nuk flitet fare për rrugën që populli shqiptar duhet të ndjekë për të realizuar pavarësinë e atdheut. Natyrisht, që këto të meta nuk e zhvlerësojnë përmbajtjen e pamfletit, i cili ka dalë nga dora e Mithat Frashërit. Dobësitë janë vënë në dukje për të rrëzuar spekullimin që ka bërë H. Dosti për të “shitur sapunin për djathë”, sikur kemi të bëjmë me një program politik të Ballit Kombëtar.
Si përfundim, themelimi i BK në nëntor të vitit 1942, vazhdon të jetë historikisht data më e sigurtë.


(Vijon nesër)

Nga Kristo Frasheri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu