Kristo Frashëri: Shteti komunist i lejoi vetë shqiptarët të hynin në ambasada

0
639

Ka disa vite që herë pas here zhvillohet debati rreth çështjes se kush e përmbysi regjimin komunist në Shqipëri. Çështja shtrohet edhe në një trajtë figurative: Kush e shembi Murin e Berlinit në Shqipëri? Pavarësisht se të dyja pyetjet nuk kanë të njëjtën përmbajtje – e para ka të bëjë me përmbysjen e regjimit komunist, kurse e dyta me përmbysjen e izolimit politik – ato kanë një lidhje të ngushtë midis tyre, mbasi të dyja nënkuptojnë shembjen e një sistemi, në thelb të një epoke. Si rrjedhim, ato nënkuptojnë afërsisht të njëjtën gjë: kush e përmbysi regjimin komunist në Shqipëri?
Deri sot, analistët tanë politikë zakonisht e lidhin përmbysjen e regjimit komunist me Lëvizjen studentore të Dhjetorit 1990. Sigurisht që Lëvizja studentore e Dhjetorit ishte një ngjarje tronditëse historike. Të gjithë e mbajmë mend se më 8 dhjetor 1990 studentët e Universitetit të Tiranës, të cilët u ngritën në protesta atë ditë, nuk kërkuan përmbysjen e regjimit komunist. Ata kërkuan përmirësimin e kushteve të jetesës në konviktet e tyre: përmirësimin e ushqimit, administrimit, trajtimit e të tjera. Pas suksesit të parë u kalua në kërkesa me karakter politik – të hiqej emri i Enver Hoxhës nga emërtimi i Universitetit të Tiranës. Pas saj, shumë shpejt u kalua haptas në kërkesën për vendosjen e pluralizmit partiak në Shqipëri. Nuk ka dyshim se këto kërkesa u ngjanin lëvizjeve fillestare sizmike, të cilat paralajmërojnë afrimin e një tërmeti. Në fakt, më 12 dhjetor Byroja Politike i pranoi kërkesat e studentëve. Kështu, më 12 dhjetor 1990 u themelua Partia Demokratike. Me themelimin e saj dhe me qëndrimin pasiv të Partisë së Punës, triumfoi pluralizmi partiak.
Kjo tregon se jo vetëm studentët me profesorët e tyre, por edhe regjimi komunist kishte ndryshuar. Në fakt, regjimi komunist kishte ndryshuar më herët. Pesë muaj më parë ndodhi i ashtuquajturi “shpërthim i ambasadave”. Më 2 korrik 1990 mijëra qytetarë të Tiranës duke sfiduar Policinë dhe Sigurimin, kërkuan strehim duke hyrë “pa leje” brenda ambasadave të shteteve perëndimore që ndodheshin në Tiranë. Deri atëherë çdo hap që ndërmerrej në kundërshtim me normat administrative dhe ligjore të regjimit komunist shkaktonte për reagim ndërhyrjen me egërsi të organeve të Policisë dhe Sigurimit të Shtetit. Madje, kushdo që kapërcente ilegalisht kufirin e shtetit në qoftë se nuk arrestohej vritej mbi telat me gjemba. Për habi më 2 korrik 1990 organet e Policisë dhe të Sigurimit, pa dyshim me urdhër nga lart, qëndruan spektatorë përpara lumit të qytetarëve që hynin në ambasada. Çfarë kishte ndodhur? Tërmeti i ngjarjeve ndërkombëtare që po lëkundnin prej një viti Evropën lindore, kishte bindur edhe vetë kupolën e regjimit komunist në Shqipëri se tani përdorimi i dhunës kundër demonstratave antiqeveritare mund të prodhonte atë fenomen që ndodhi me Çausheskun në Rumani. E thënë ndryshe, kemi të bëjmë me një “transferim” të frikës. Frika që kishte pushtuar prej dhjetëra vitesh masën e popullsisë si kolektivitet, ishte larguar prej saj dhe ishte strehuar në zyrat e Byrosë Politike të Partisë së Punës. Ndoshta në vend të fjalës “frikë” do të ishte më mirë të themi se në Byronë Politike kishte hyrë kujdesi për të mos provokuar reagimin e ashpër të qytetarëve. Nga kjo pikëpamje, guximi i studentëve të Dhjetorit, në pamje të parë dukej se ishte ushqyer nga ngjarjet e korrikut. Megjithatë, si guximi i qytetarëve të korrikut, rrjedhimisht dhe i studentëve të dhjetorit, për të sfiduar autoritetin shtetëror, ashtu dhe ngurrimi i kupolës partiake komuniste për të përdorur dhunën policore si në korrik, ashtu dhe në dhjetor, kanë rrënjë më të thella. Me një fjalë, pyetja shtrohet kështu: Cilët qenë ata faktorë që u dhanë kurajo qytetarëve të sfidonin haptas shtetin komunist? Gjithashtu, cilët qenë ata faktorë që ia ndalën dorën Byrosë Politike për të shtypur brutalisht sfidën qytetare të 2 korrikut 1990? Shkurt, a janë këta faktorë më të hershëm apo Lëvizja studentore e Dhjetorit ata që përmbysën regjimin komunist? Të shohim.
* * *
Për të ndriçuar faktorët që përcaktuan shembjen e regjimit komunist në Shqipëri është e nevojshme ta nisim analizën që në rrënjët e tij, pra që kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri. Nga ana e tij, edhe pse regjimi komunist u vendos në Shqipëri fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, rrënjët e fenomenit duhen kërkuar që në fillimet e luftës, madje disa muaj më herët që kur Shqipëria u pushtua më 7 prill 1939 nga Italia fashiste.
Kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste askush qoftë brenda qoftë jashtë vendit nuk e parashikonte, as që mund ta parashikonte, se në fund të Luftës së Dytë Botërore, Partia Komuniste Shqiptare do ta merrte pushtetin në duart e saj. Kjo kishte arsye subjektive dhe objektive. Para së gjithash, kur filloi Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi vend në Gadishullin Ballkanik që nuk kishte Parti Komuniste. Megjithatë, mungesa e Partisë Komuniste ishte kryesisht një faktor subjektiv. Vendosja në Shqipëri e regjimit komunist ishte për arsye objektive një fenomen krejtësisht paradoksal. Shqipëria, shteti më i ri në Evropë, njëkohësisht shteti më i prapambetur i saj, me një popullsi prej një milion e dyzet mijë banorë, nuk kishte industri të zhvilluar, pra as klasë punëtore në vështrimin e proletariatit, siç e konceptonte doktrina marksiste. Shqipëria në atë kohë ishte në stadin e klloçitjes së rendit kapitalist dhe jo të pjekurisë së tij. Ndodhej ende e ngarkuar me mbeturina feudale. Rreth 85% e popullsisë banonte ende në fshat. Në qytet mbisundonte ekonomia e thërrmuar zejtare, me tregtarë të vegjël ku shitës ishin vetë pronarët. Gjithashtu, në fshat mbisundonin fshatarët pronarë të vegjël e të mesëm. Bujqit që punonin në çifligjet e bejlerëve dhe në pronat e shtetit përfaqësonin poshtë-lart 13% të popullsisë fshatare. Në bazë të përkufizimeve marksiste, Shqipëria ishte një vend mikroborgjez, pra pa pronarë kapitalistë dhe pa institucione kapitaliste, në atë masë sa ta justifikonin revolucionin socialist. Veç kësaj, popullsisa shqiptare ishte në masën dërrmuese ende analfabete. Kishte vetëm pak bërthama apo grupe komuniste të izoluara dhe me pak anëtarë të përbërë kryesisht nga zejtarë dhe nga studentë, të cilët për më tepër karakterizoheshin nga çoroditja ideologjike dhe më keq akoma nga rivalitete politike midis tyre.
Pyetja që shtrohet para historianëve është kjo: Si shpjegohet që me gjithë këto minuse Partia Komuniste Shqiptare, e cila u themelua dy vjet e gjysmë pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, pra më 8 Nëntor 1941 arriti brenda tre viteve të përballonte luftën kundër okupatorëve të huaj nazifashistë dhe kundër faktorëve të brendshëm nacionalistë, të merrte në fund të Luftës së Dytë Botërore pushtetin politik në Shqipëri? Veç kësaj, si shpjegohet që Partia Komuniste Shqiptare ndryshe nga simotrat e saj të Evropës lindore e akaparoi pushtetin politik me forcat e veta, pa praninë e ushtrive sovjetike, të cilat dihet se nuk e pushtuan Shqipërinë? Shpjegimet që kundërshtarët e saj kanë dhënë deri sot se në luftën për pushtet ajo pati ndihmën e dy emisarëve jugosllavë, M. Popoviçit dhe D. Mugoshës, nuk qëndrojnë. Kjo për arsye se ndihmat që i dha PKSh-së Britania e Madhe me misionin e saj ushtarak prej 25-30 oficerësh britanikë, me furnizime të bollshme në armatime, veshmbathje, në të holla dhe në këshillime, ishin shumë më të rëndësishme se ndihma që dhanë dy emisarët jugosllavë, të cilët u kufizuan vetëm me këshillime. Dy qenë faktorët që i dhanë mundësi PKSh-së ta realizonte këtë hap paradoksal: njëri kishte theks të jashtëm, tjetri karakter të brendshëm.
Faktori i jashtëm duhet kërkuar te qëndrimi mospërfillës që mbajtën pa përjashtim Fuqitë e Mëdha ndaj dramës që pësoi Shqipëria më 7 prill 1939. Të gjitha Fuqitë e Mëdha duke filluar nga Gjermania hitleriane, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik, Republika Frënge, të pasuara nga shtetet e dorës së dytë dhe të tretë, përfshirë edhe shtetet fqinje të Ballkanit, e njohën dikush de jure, dikush de facto, me përjashtim të Turqisë dhe Egjiptit, pushtimin ushtarak dhe politik që pësoi Shqipëria nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Rrjedhimisht, ato e fshinë nga harta politike botërore ekzistencën e një shteti shqiptar të pavarur. Shqiptarët e ndjenë veten të braktisur kur panë se Fuqitë e Mëdha të Kampit Antifashist nuk i trajtuan njësoj dy viktimat e para të agresionit nazifashist të Evropës – Çekosllovakinë më 15 mars 1939 dhe tre javë më vonë Shqipërinë më 7 prill 1939. Ndonëse çekosllovakët nuk zhvilluan rezistencë të armatosur kundër okupatorit hitlerian, Fuqitë e Mëdha antifashiste vazhduan ta njihnin Çekosllovakinë si shtet sovran, si rrjedhim ato i vazhduan marrëdhëniet diplomatike me qeverinë çekosllovake në mërgim. Përkundrazi, megjithëse shqiptarët zhvilluan një rezistencë edhe pse të vogël ndaj agresorëve fashistë italianë, ato nuk pranuan të njihnin asnjë institucion që ta përfaqësonte Shqipërinë në mërgim si shtet të pavarur dhe sovran. Në sytë e shqiptarëve kjo do të thoshte se për Fuqitë e Mëdha Shqipëria nuk ekzistonte më si subjekt i të drejtave kombëtare dhe se fati i saj qe lënë në duart e Italisë fashiste.
Ky qëndrim e tronditi shumë opinionin publik shqiptar. Kjo u kujtoi shqiptarëve qëndrimin e dikurshëm të Fuqive të Mëdha, të cilat më 1913 vendosën përgjysmimin territorial të Shqipërisë, kurse tani po sakrifikonin edhe gjysmën tjetër.
Për të zbutur këtë shqetësim në interes të politikës së saj imperialiste, Roma shpalli se ajo këtë radhë kishte vendosur ta korrigjonte gabimin që kishin kryer Fuqitë e Mëdha në të kaluarën – t’i bashkonte trojet etnike shqiptare të shkëputura më 1913 në një shtet të vetëm shqiptar. Prapa kësaj demagogjie natyrisht fshiheshin lakmitë e Italisë fashiste për t’u shtrirë në Gadishullin Ballkanik. Megjithatë, me këtë demagogji ajo bëri për vete përkohësisht një pjesë të klasës politike shqiptare. Kapitulluan jo vetëm militantët e administratës zogiste, por edhe faktorët antizogistë, të cilët e shpërndanë organizatën “Bashkimi Kombëtar” që kishin krijuar më 1925 në mërgim dhe u solidarizuan me okupatorin fashist italian, duke u shndërruar në kolaboracionistë. Bashkë me ta kapitulluan dhe shtresat borgjeze kur panë se me okupacionin fashist italian u rrit edhe tregu i brendshëm, si rrjedhim u rritën edhe fitimet e jashtëzakonshme që solli në tregun shqiptar prania e ushtrive italiane në Shqipëri.
Në fakt, vendosja në Shqipëri e dhjetëra mijë ushtarëve italianë dhe objektet ndërtimore me karakter ushtarak që ndërmori pas pushtimit shteti fashist rritën fuqinë blerëse dhe tregun e punës në ekonominë shqiptare. Këto nga ana e tyre, ndikuan në kapërcimin e amullisë të tejzgjatur që kishte pushtuar mjaft degë të prodhimit të vogël zejtar dhe të rrjetit tregtar. Si rrjedhim, mospërfillja e Shqipërisë si shtet i pavarur nga Fuqitë e Mëdha dhe kapërcimi deri diku i amullisë së brendshme ekonomike ndikuan në rënien në vitet e para të rezistencës popullore kundër okupatorit fashist italian.
Në amullinë e rezistencës antifashiste ndikuan edhe sukseset e rrufeshme që korri Gjermania hitleriane në Evropë në vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, të cilat krijuan përshtypjen sikur e ardhmja e kontinentit i takonte Trekëndëshit të agresorëve – Gjermanisë hitleriane, Italisë fashiste dhe Japonisë militariste. Si rrjedhim, përderisa ndër Fuqitë e Mëdha rezistencën kundër Gjermanisë hitleriane e zhvillonte vetëm Britania e Madhe – në Shqipëri ashtu si kudo në Evropë rezistenca antifashiste ishte sporadike. Madje, në Shqipëri qarqet e vetëquajtura nacionaliste ose qëndruan në pritmëri ose mbetën të lidhura me administratën kolaboracioniste fashiste. Në pranverën e vitit 1941 kur pas shembjes së Jugosllavisë mbretërore, Berlini dhe Roma vendosën më 26 prill 1941 bashkimin e krahinës së Kosovës (pa rrethin e Mitrovicës dhe pa rrethin e Kaçanikut) me Shqipërinë, simpatitë e borgjezisë shqiptare dhe të një pjese të nacionalistëve shqiptarë ndaj bllokut nazifashist u rritën më tepër. Por dy muaj më vonë, lufta që Gjermania hitleriane i shpalli Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941 shërbeu si sinjal për të gjithë komunistët e Evropës së pushtuar që të organizonin rezistencën e armatosur dhe të paarmatosur kundër okupatorëve nazifashistë. Së bashku me nxitjen për të filluar rezistencën e armatosur, Moska u dërgoi Partive Komuniste të Evropës nëpërmjet Kominternit, edhe platformën që ato duhej të shpalosnin në luftë kundër agresorëve nazifashistë.
Platforma e re, të cilën e miratoi PKSh-ja që në themelimin e saj më 8 Nëntor 1941, përbëhej nga dy komponentë: a) Organizimi i luftës së armatosur dhe jo të armatosur kundër okupatorit fashist për të rifituar pavarësinë kombëtare të shkelur më 7 prill 1939; b) Vendosja në Shqipëri pas çlirimit të vendit jo të një regjimi komunist, por të një demokracie popullore. Në lidhje me komponentin e parë – luftën e armatosur – shqiptarët kishin tradita historike të afërta dhe të hershme. Sigurisht traditave historike PKSh-ja do t’u shtonte forma të reja të luftës së armatosur dhe jo të armatosur të huazuara nga lëvizjet çlirimtare të Evropës moderne, siç ishin mitingjet, demonstratat, konferencat, sabotimet, shtypi klandestin, njësitet guerrile dhe repartet e armatosura.
Ajo që kishte nevojë për sqarime ishte komponenti i dytë: Çfarë kuptohej me regjim të demokracisë popullore? Udhëheqësit e Partisë Komuniste e anashkaluan jo rastësisht zbërthimin politik, social, ekonomik dhe juridik të doktrinës demokraci popullore. Si rrjedhim, ajo mbeti vazhdimisht e pasqaruar. Paqartësia e saj ka një arsye. Historia e saj na detyron të kthehemi disa vite mbrapa.
Kur në vitin 1932 Sekretari i Përgjithshëm i Kominternit, N. Buharini kërkoi nga Partitë Komuniste që bënin pjesë në të, të sugjeronin programet politike më të përshtatshme për vendet e tyre, Shqipëria, nuk kishte, siç u tha, Parti Komuniste. Në atë kohë shqiptarët kishin vetëm dy grupe komuniste: njëri brenda në Shqipëri – grupi komunist i Korçës; tjetri jashtë Shqipërisë – grupi komunist shqiptar i BS. Anëtarët e grupit të Korçës ishin kryesisht zejtarë apo punëtorë, pothuajse pa përjashtim me nivel tepër të ulët doktrinor. Përkundrazi, grupi komunist i Bashkimit Sovjetik, me celulë një në Moskë, tjetri në Leningrad, ishin kuadro me arsim të lartë. Në mungesë të Partisë Komuniste Shqiptare për të kryer studimin e kërkuar nga Kominterni, N. Buharini ngarkoi grupin komunist të Moskës. Grupi nga ana e vet ngarkoi me këtë punë anëtarin e vet Lazar Fundon (Zai Fundo), një intelektual i pajisur me kulturë të gjerë marksiste dhe jomarksiste, i cili kishte bërë pjesë për disa kohë në sekretarinë e Kominternit, nën drejtimin e vetë Buharinit. Zai Fundo, i cili për nevojat e studimit të programit punoi për disa kohë në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Francë, nxorri nga pena e tij dy punime në shqip – njërin me titull “Nga triumfi i Legalitetit në revolucionin popullor”, tjetrin “Shpëtimi i fshatarëve”. Të dyja punimet u botuan nga “Komiteti i Çlirimit Nacional” në Gjenevë (Zvicër), i pari më 1934, i dyti më 1935.
Pa u zgjatur thelbi i doktrinës së tij ishte ky: Shqipëria, një vend i varfër, pa industri, pa klasë punëtore, me mbeturina feudale, nuk i plotësonte kushtet për një revolucion proletar socialist. Problemet e ndërlikuara në të cilat ishte zhytur Shqipëria – varfëria, pabarazia, brutaliteti, padituria, shkelja e ligjeve, shkurt gjendja e mjeruar e popullsisë në të gjitha drejtimet – mund të zgjidhej jo me një revolucion socialist, por me një “revolucion popullor”, pra jo duke vendosur diktaturën e proletariatit, por duke mëkëmbur një demokraci popullore. Për Zai Fundon, revolucioni popullor nuk kishte për synim të vendoste detyrimisht pronën socialiste në industri apo sistemin kooperativist në bujqësi. Sipas tij, pronësia private mbi mjetet e prodhimit duhej respektuar, veçse shteti duhej ta kishte atë nën kontroll për të mos lejuar abuzimet. Gjithnjë sipas tij, Shqipëria kishte nevojë për një reformë agrare në fshat. Çifligjet e mëdha të bejlerëve duhej të shtetëzoheshin pa shpërblim, mbasi ato kishin qenë më parë prona të fshatarëve të grabitura me dhunë nga bejlerët. Për këtë arsye, pronat e bejlerëve dhe ato të shtetit duhej t’u jepeshin bujqve pa shpërblim. Programi i Zai Fundos përfshinte edhe reforma të tjera në fushën ekonomike, shoqërore, juridike, arsimore, të cilat, sipas tij, do ta bënin Shqipërinë një vend modern.
Programin e Zai Fundos fillimisht e miratoi grupi komunist shqiptar i Bashkimit Sovjetik, më pas edhe Kominterni. Shkurt, për Zai Fundon, revolucioni popullor në Shqipëri nuk synonte ta shndërronte pronën private mbi mjetet e prodhimit në pronë shtetërore, siç zbatohej në Bashkimin Sovjetik. Ai kërkonte që pronësia mbi mjetet e prodhimit ta ruante karakterin privat, por me kusht që të vihej, siç u tha, nën kontrollin e shtetit, mbasi shtetin ai e konceptonte si rregullator mes kapitalit dhe punës. Me këtë interpretim ai i afrohej pak a shumë platformës që kishin adoptuar për socializmin partitë socialdemokrate të Evropës. Më 1936 kur N. Buharini u dënua me vdekje nga gjyqet e jashtëzakonshme staliniste si “tradhëtar” i marksizmit, në të njëjtën kohë u dënua si ndjekës i Buharinit edhe Zai Fundo, i cili i shpëtoi dënimit, mbasi ndodhej jashtë Bashkimit Sovjetik. Sipas zakonit stalinist, me dënimin e autorit dënoheshin edhe veprat e tij, pa vënë re nëse ishin pozitive apo negative. Kështu, vepra e tij mbi revolucionin popullor në atë kohë u la në harresë.
Me platformën e re të Kominternit, Partitë Komuniste porositeshin të bashkëpunonin me të gjitha rrymat që ishin në favor të pavarësisë, pavarësisht nëse ishin të djathtë apo të majtë, republikanë apo monarkistë, laikë apo fetarë, për të realizuar bashkërisht dy detyra: a) çlirimin e vendit me luftë të armatosur dhe jo të armatosur kundër okupatorit antifashist me synim rimëkëmbjen e pavarësisë së atdheut; b) vendosjen në Shqipëri pas çlirimit të regjimit të demokracisë popullore për të përcaktuar me votë të përgjithshme formën e regjimit.
Platformën e re të Kominternit, Partia Komuniste Shqiptare e miratoi që në ditën e themelimit të saj, më 8 Nëntor 1941. Në fakt, programi i ri u erdhi për shtat udhëheqësve të PKSh-së, pasi ajo në kushtet kur klasa punëtore ishte e dobët, u krijonte një bazë më të gjerë në fushën e bashkëpunimit me kategoritë e ndryshme politike të shoqërisë shqiptare. Madje, programi i ri i përshtatej më mirë edhe nivelit ideologjik të anëtarëve të saj, shumica dërrmuese e të cilëve nuk njihte as abetaren e marksizmit. Në këto rrethana, PKSh-së i shërbenin më mirë ata militantë, të cilët: pranonin se ishin komunistë dhe bënin pjesë në një nga organizatat e saj ilegale, pavarësisht se nuk e njihnin doktrinën marksiste; dëshmonin se ishin të gatshëm të luftonin kundër okupatorit fashist; pranonin të angazhoheshin në luftë për çlirimin e atdheut dhe për vendosjen e demokracisë popullore; më në fund, ishin të gatshëm t’u bindeshin verbërisht urdhërave të partisë. Pra, PKSh-ja lindi si një parti e stilit bolshevik, e pajisur me një program jobolshevik, por social demokrat, siç ishte demokracia popullore.

(Vijon nesër)

Nga Kristo Frasheri


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu