Kriza në Kosovë, Atifete Jahjaga nominohet si presidente konsensuale

0
685

PRISHTINE- Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në mbrëmje nga kryeminstri, Hashim Thaçi, ish presidenti Behgjet Pacolli, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe Christofer Dell, është arritur marrëveshja që president i vendit të emërohet Atifete Jahjaga.

Zyrtarja e lartë e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga është nominuar si kandidate për presidente të Kosovës, deri në zgjedhjen e presidentit të vendit me vota direkte nga populli.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, kryeministrit Thaçi, Isa Mustafës, Behgjet Pacollit dhe ambasadorit Christopher Dell, presidenti i deritanishëm i vendit, Pacolli theksoi se nuk do të rikandidojë për këtë post dhe se, sipas tij, nuk ka pasur asnjë presion as nga kryeministri Thaçi e as nga ambasadori Dell për këtë vendim.

“Unë i falënderoj dhe u uroj sukses të gjithëve. E falënderoj Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila kontribuoi në zgjidhjen e kësaj krize. Zgjedhje nuk do të kemi”- theksoi Pacolli.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi, pasi falënderoi Pacollin, theksoi se marrëveshja e arritur ndërmjet Pacollit, Mustafës e Thaçit, është kjo:

“Ne nominojmë Atifete Jahjagën kandidate për presidente të Kosovës. Pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Komisioni duhet ta përfundojë punën nga 6 – 9 muaj. Zgjedhjet do të mbahen jo më vonë se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit nga populli”, tha Thaçi.
Sipas këtij memorandumi do të formohet edhe komisionin përkatës për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe që zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato lokale të mbahen në vitin 2013.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu