Kryetar me mandat të plotë

0
847

Afrim Morina:

Në një shkrim të mëhershëm, kur propozova që bacë Adem Demaçi të jetë Kryetar i Kosovës, dhashë edhe arsyetimet pse duhet të jetë. Mendojë se është momenti i duhur që Ai të jetë në krye të shtetit, në një moment bukur të vështirë, nga të gjitha këndet që shikohet sot, por të ketë mandatin e plotë, e jo sa për të shuar krizën përmes ndryshimit të një neni Kushtetues.

Kohëve të fundit bëhet fjalë edhe për ndryshime kushtetuese, por vetëm në segmentin e zgjedhjes së Kryetarit dhe për çështje tjerë as që çajnë kokën liderët e mjerë, që edhe ashtu nuk e kanë mandatin e qytetarëve, sepse duhet të kenë të paktën shumicën e thjeshtë në votime, nga ku lind sovranitetit për të vepruar dhe ndërmarrë veprime me peshë kombëtare e shtetërore. Ky është një absurd i llojit të vet, sepse tash pas tri vjetësh kemi të drejtë të rishqyrtojmë Kushtetutën dhe duhet menduar mirë për këtë, e jo të arsyetohen para historisë e gjeneratave, se kemi bërë ndryshime kushtetuese aty ku, në fund të fundit, të gjithë deputetët janë të obliguar t’i përmbahen Kushtetutës, sepse ajo shumë qartë e thotë, duhet të jenë dy të tretat e deputetëve në sallën e Kuvendit.

Ndryshimi i Kushtetutës duhet bërë në thelb dhe atë përmes referendumit gjithë qytetarë, sepse kemi parë mangësi të shumta, duke u nisur nga Preambula, kilometrat katror, simbolet, shtetëformuesi dhe së fundi u pa se edhe mandatit i Gjykatës Kushtetuese nuk është i precizuar në interpretim dhe parashtrohet dilema, të jetë interpretim logjikë apo të shkohet me avazin e vjetër, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryetarit të shtetit. Sepse do të kemi shumë probleme në të ardhmen, sikurse ishte edhe me nxjerrjen e Rezolutës për bisedime me Serbin dhe këtu duhet thënë, në mënyrë të prerë, se kur bëhet fjalë për probleme të karakterit kombëtar e shtetëror, pa tjetër duhet të jenë dy të tretat e deputeteve, e jo kjo të jetë vetëm kur bëhet fjalë për serbët, që duhet të jenë dy të tretat e deputeteve të këtij minoriteti.

Mu për këtë, na duhet të jetë një Kryetar pa anime politike, për mos  t’ua bërë qejfin subjekteve politike, se edhe ashtu, me këtë lojë kanë humbur edhe atë pak simpati që kanë pasur, madje edhe te militantët e tyre. Duhet njëherë e mirë ta bindim vetën, se për pozita të larta shtetërore duhet të jenë njerëz që kanë autoritetin e vet, e jo partiak. Kjo u pa, se asnjëri nga deputetet nuk e meriton të jetë Kryetar, sepse nëse Kosova ka afro shtatëqind mijë votues, e, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të kapërcej pragun e dyqindepesëdhjetë mijave, e mos të flasim për një shifër mbi tri herë më të vogël, si pretendent këmbëngulës të Kryetarit, pa kurrfarë merite, dje dhe sot, në politik.. Kjo jep për të kuptuar seriozitetin e bërësve të politikës te ne, të cilët ruajnë vetëm interesin personal.

Ky interes personal shihet edhe të LDK- ja, e cila kërkon Kryetar konsensual (lexo: derisa të përfitojnë në kohë për konsolidim të radhëve për mbajtjen e zgjedhjeve të reja). Në këtë lojë nuk duhet të hyj askush, të paktën ata që mund të llogaritin në vete ndershmëri politike, që në Kosovë kanë mbetur të pakt.

Deviza e Z. Thaçi, se për Kryetar ka mandat vetëm ai i cili e ka sprovuar veten në proces zgjedhor, aludohej në z. Suroi, edhe pse ky e ka sprovuar veten dhe tregoi mençuri politike me tërheqje, sepse e pa që nuk kishte mbështetje te qytetarët, prandaj as që ka qenë dashtë faktori ndërkombëtar ta sugjerojë, e as Ai vet nuk ka qenë dashtë të lëpihet për kolltuk të Kryetarit. Po e njëjta gjë vlen edhe për z. Çeku, kur dihet për të satën herë që e sprovon veten dhe për herë të parë morri mandatin e deputetit në një koalicion, që nuk ka përkuar me programin e Tij politik.

Baca Adem i ka të gjitha parakushtet për ta udhëhequr Kosovën, sepse dihet mirëfilli, se në luftën çlirimtare që pati ideuar Ai, u radhit një kolonë e gjatë veprimtarësh dhe fal një syqeltësie e qëndrese të Tij, sot jemi ku jemi, por sikur ky të ishte në ballë të proceseve deri sot do të ishim kanë edhe më afër jetësimit të programit të Tij dhe atij kombëtar, për të cilën ranë dëshmorët e kombit.

Nëse Ai ka meritën për të mbajtur epitetin e dëshmorit të kombit për të gjallë, pse të mos ketë edhe këtë meritë për të udhëhequr Kosovën në këtë rrugëkryq me qorrsokakë, për të na nxjerr të pa dëmtuar, lodhur e përgjakur, sepse vetëm dëshmorët dinë të bëjë veprime të ndershme për kombin e qytetarët.

U bëjë thirrje të gjithë deputetëve që të përcaktohen për këtë figurë emblematike kombëtare, për këtë figurë bashkuese e spektrave të ndryshme politike, për këtë figurë bashkuese edhe të atyre që nuk deshën, që me votën e tyre, të manipulohej dhe të marrin mandat honxhot për të vendosur mbi gjithçka në dëm të shqiptarëve, siç kanë vendosur deri sot.

Nuk është vonë për këndellje dhe kjo lyp vetëm një minutë për t’i thirrur ndërgjegjes. Bëjeni këtë!!!

 

Prishtinë, 06.04.2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu