Kryetari legjendar dhe shërbëtorët

0
723

Dita e fundit e fushatës zgjedhore ishte një muaj shumë i zhurmshëm dhe premtime skajshmërisht të paarritshme dhe gjithnjë duke bërë garë se cili është më dorëlirë në mandatin qeverisës katërvjeçar në nivelin lokal, plus edhe në mandatin katërvjeçar në nivelin Republikan. Edhe fushatat paraprake kanë nxjerr në pah shumë gjëra që tregojnë modelin e lypsarëve dhe ndasive, nën moton se ne jemi për ju dhe ju duhet të na shpërbleni me votën e juaj. Kam menduar, të paktën, se disa gjëra do të shmangën në këtë garim për marrjen e kalasë – komunë, por mjerisht, jo vetëm se nuk iu shmangën, por morën përmasa edhe më të mëdha se herëve tjera. Për disa fenomene kamë bërë fjalë në shkrimin e kaluar, por këtë muaj kemi dëgjuar për shifra marramendës buxhetore, për punësime të vrullshme, për investitor të jashtëm e të brendshëm, për joshje të mërgatës si investitor, për punësim jashtë vendit, e për bashkimin e Mitrovicës.

Gjatë kësaj fushate elektorale kemi pasur edhe rrahagjoksë në emër të vëllait, dajës, kushëririt, e fqinjit të vet, që kanë kontribuar për çështje kombëtare, prandaj edhe në emër të tyre është kërkuar vota, sepse janë të dëshmuar se e donë dhe nga kjo dashuri që kanë për të ndjerët do të punojnë për çështje kombëtare. Kemi pasur edhe përgatitje mjeshtërore të biografive, si kuadro që kanë kontribuar në çështje kombëtare, por për modesti deri tash nuk kanë bërë fjalë për këtë, duke aluduar se ju më njihni dhe nuk ka nevojë për krekosje.

Në këtë fushatë, si edhe në të kaluarat, jehonë të madhe i kanë dhënë kuadrove që kanë mbaruar shkollat jashtë vendit, jashtë universiteteve shqiptare, sepse ata po e bien frymën e jashtme të demokracisë, frymën e jashtme të punës, frymën e jashtme, frymën e jashtme të tolerancës, frymën e jashtme të kosmopolizmit, frymën e jashtme të… E, ata të cilët kryejnë studimet në universitetet shqiptare përçmohen, për paaftësi, për mos seriozitet, për mos përgatitje në jetë për tu përballur me problemet. Te kjo kategori nuk shikohet e kaluara e tij, nuk shikohen aftësitë e dëshmuara nëpër kohë dhe shikuar nga ky këndvështrim, liderët i përcjellin mesazhin rinisë, mos studioni në universitetet shqiptare, se nuk do të jeni të aftë për jetë dhe o burra, t’i mbylli universitetet shqipe, se ato nuk përgatitin kuadro, por janë humbje kohe dhe në këtë jetë dinamike nuk kemi kohë për të humbur! Prandaj ne shërbëtorët do të përkujdesemi për këtë, ne do t’i dërgojmë fëmijët tanë të shkollohen në universitetet e perëndimit, të cilët do të kthehen për të vazhduar punën tonë që do të jua lëmë në trashëgimi, sepse ju nuk i keni  mundësit për këtë dhe  mos u lodhni!

Veçori tjetër shumë interesante është fushata e “Partisë së fortë” me Kryetarin legjendar të saj. Kjo parti na kujton Çajupin dhe komedinë e Tij “Pas vdekjes” ku i vë në lojë përmes Zenelit tipat e doktor Adhamudhit. E para, Kryetar legjendar, në kënd aludohet, tashmë e kanë të qartë të gjithë, se Kosova kishte një “Kryetar legjendar”, i cili shkonte ndesh me kohën dhe nuk ishte në nivel të përgjegjësisë as morale, ndërsa isombajtësit e Tij i veshin edhe pozitën e Komandantit të UÇK – së, pa e parë kurrë të arsyeshme, që në kontestin pozitiv, të flas, të paktën një herë, për këtë ushtri të lavdishme. Kryetari legjendar në këtë muaj ua ka shkruar nekrologjitë për të kaluarën secilit lider, por edhe për katër vitet e ardhshme nëse do të vijnë në pushtet, pa marrë parasysh nivelin e pushtetit, e jo sikur Zeneli që ua përgatiste nekrokologjitë pas vdekjes, për mes së cilave u çjerrë maskën politike, për premtime e punë që janë kryer në mandatin e kaluar dhe jep zgjidhje për punët që do të kryhen në mandatin vijues. Një sarkazëm e fuqishme, që për herë të parë del në skenën politike. Shumë bukur e luan rolin, sa vështirë të gjen një ekip aktorësh, me një skenar të thukët, e regjisor të zhdërvjelltë, të mbaj publikun për një muaj me seriozitetin e paraqitur.

Kjo fushatë elektorale lindi edhe emërtimin shërbëtor politik! Kandidati për kryetar komune, me plotë gojë thotë se unë do të bëhem shërbëtor i juaj, do të shpërndaj buxhetin, do të bëjë të mundur punësimin e shumë punëtorëve, do të përkujdesem në përmirësimin e gjendjes sociale, do të përkujdesem në rritjen e pensioneve, në… dhe mu për këtë duhet të keni besim në mua! Punëkërkuesi Shërbëtori, kur kërkon punë thotë, keni besim në mua, se unë do të ruaj shtëpinë e juaj me përkushtim, sikur të ishit ju vet, unë do të mundohem pasurin e juaj ta ruaj, unë do të pastrojë ambientin e juaj, unë do të kujdesem në mënyrë profesionale për stallat e juaja, unë do të përkujdesem profesionalisht për kopshtet tuaja, unë…

Dhe këta dy lloj shërbëtorësh a kanë diçka të përbashkët?!

Të dytë përulën derisa sigurojnë punën e vet. Të dytë janë lëmoshar derisa të bindin punëdhënësin i pari elektoratin, e, i dyti padronët, për kapacitetet e tyre, për njohurit e tyre, për përkushtimin e tyre, për syqeltësinë e tyre, derisa të sigurojnë këtë. Këtu tash fillon dallimi, madje një dallim për njëqind e tetëdhjetë shkallësh. I pari bëhet punëdhënës, i dyti punëkryes, i pari nuk i jep llogari askujt, i dyti për çdo mbrëmje duhet parë me përulësi punëdhënësin se si do t’ia vlerësojë punën në mbrëmje, i para do të lodrojë nëpër dreka e darka, i dyti do të përpiqet të hulumtojë tregun për të gjetur gjërat ushqimore sipas takatit, i para do të lëviz me veturë, i dyti do të mendohet a do të  mundët të blejë një ombrellë, të paktën të mos e lag shiu gjatë shkuarjes dhe kthimit nga puna, i pari do të ndërroj rrobat sipas dashjes, i dyti do t’i rrijë gati të mos i diktohen harnicat, i pari… i dyti…

Në fund, shërbëtorët politik edhe duhet treguar se janë bujar, janë për barabarësi dhe harrojnë, që vetën e cilësojnë si shërbëtor, i thirrin në takime të veçanta gratë, për të treguar se janë kavalier e zemërgjerë, se ne shërbëtorët do të përkujdesemi për ju! Ne shërbëtoret ju çmojmë juve. Ne shërbëtoret do të ju barazojmë me ne (burrat)! Se ne shërbëtoret do të ju…

Shërbëtori nuk mund të jep premtime, shërbëtori nuk  mundët askënd ta barabarzojë në shoqëri, sepse ai në radhë të parë, nuk është i barabartë me terët, shërbëtori nuk mund të rrit paga, sepse pagën e tij dikush tjetër e ka në dorë, shërbëtori nuk mundët për të rregulluar mirëqenien e dikujt, se të vetën e ka të mjerë, shërbëtori nuk mundët të kujdeset për fëmijët shkollor, se ka problem me fëmijët e vet në mundet apo jo të shkojnë në shkollë, shërbëtori nuk ka mundësi të rrit standardin e jetës, se jetën e vet e ka të mjerë, shërbëtori nuk ka mundësi të siguroj vende pune, sepse vet mëzi ka gjetur një të tillë çfarë e kanë.

O bashkëkombës të mi, kujdesuni për këta shërbëtor politik dhe tregojuani vendin dhe punën që duhet kryer!

 

Prishtinë, 01.11.2013

 

Nga: Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu