Kufijtë e kontestuar

0
730

Kufijt me malin e zi

“Duhet të mësoheni si duket harta e re e Evropës”, u pati thënë filloristëve francezë ish-presidenti, Nicolas Sarkozy, teksa fliste për Kosovën dy ditë para shpalljes së Pavarësisë. “Duhet ta ndryshoni hartën e Evropës, ku duhet të jetë dhe Kosova”, kishte deklaruar ai.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u bë pjesë e atlasit të Evropës. Por, fqinjët ia kontestojnë Kosovës kufijtë edhe shtatë vjet pas Pavarësisë.

Mësimdhënësi i gjeografisë, Lulzim Idrizi, mund të detyrohet t’ua shpjegojë nxënësve edhe një herë hartën e Kosovës, pasi shteti më i ri i Evropës nuk i ka definuar kufijtë, të cilët vazhdojnë të kontestohen nga Serbia dhe Mali i Zi.

“Jemi mësuar me shifrat e deritashme dhe nëse ka ndonjë ndryshim do të jetë pak problem për nxënësit që t’i mbajnë mend të rejat”.

Demarkacioni që nënkupton vijën kufitare ndërmjet dy shteteve fqinje, ka dalë të jetë problematik me Serbinë dhe Malin e Zi, ku mijëra hektarë vazhdojnë të jenë çështje e hapur mes vendeve që i pretendojnë ato. Ndërkaq vijëzimi ndërkombëtar me Maqedoninë ka përfunduar, edhe pse ishte përcjellë me shumë pakënaqësi.

Hartat e deformuara

Kosova dhe Mali i Zi nuk po arrijnë të merren vesh për demarkacionin kufitar. Ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, dhe ai i Malit të Zi, Ivan Brajoviq, patën rënë dakord që çështja e demarkacionit të përfundojë brenda vitit 2010. Autoritetet nga të dyja anët e kufirit patën shprehur zotimet se çështja e demarkacionit midis dy shteteve do të kalojë pa probleme dhe se nuk do të politizohet.

Ky premtim kishte ardhur vetëm dy javë pasi autoritetet malaziase vendosën një tabelë me mbishkrimin “Crna Gora, Welcome”, në zonën neutrale pesëkilometërshe, midis pikave doganore të Kullës dhe Rozhajës. Që nga ajo kohë, vija kufitare vazhdon të jetë kontestuese. Janë 80 kilometra gjatësi që nisin prej kufirit Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi deri te pika kufitare Kosovë Serbi-Mal i Zi. Për të definuar pronarin e këtyre tokave janë krijuar komisionet përkatëse.

Plani i Komisionit të Malit të Zi për demarkacion është ndërtuar mbi kufijtë e hartës së vitit 1974, që në fakt nuk ekziston, por është e kopje e hartës së vitit 1932, nga koha e mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene. Me hartën e malazezëve kufiri lëvizet mbi shtatë kilometra, nga maja e Çakorrit e bie deri te fshati Kuqishtë e Rugovës. Këtë ndryshim të kufirit autoritetet malazeze e kanë përpunuar edhe në librat e tyre kadastralë. Për malazezët demarkacioni i kufirit duket se ka marrë fund dhe si i tillë merr një pjesë të mirë të territorit të Komunës së Pejës.

Ali Lajçi: Kosova ka injoruar hartat e vitit 1974

Injorimi i kërkesave të banorëve në zonën kufitare me Malin e Zi do të sjellë pasoja të mëdha. Ky është paralajmërimi që ka dhënë anëtari vëzhgues i Komisionit për caktimin e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Ali Lajçi. Ai ka akuzuar komisionin se është vënë në shërbim të interesave politike, “të cilat do të dalin në shesh më vonë”.

Sipas Lajçit, malazezët po vazhdojnë të vizatojnë vija kufitare të papranueshme për popullatën e atjeshme. Ai ka shtuar se në rajonin e Rugovës janë 7 mijë hektarë, kurse në pjesën kah Kulla janë 5.5 kilometra, për të cilët ka shprehur pretendime Mali i Zi.

“Mund të nxjerrin telashe dhe të shkaktojnë edhe konflikte ndërmjet njerëzve, prandaj Qeveria nuk duhet lejuar një gjë të tillë”, ka theksuar Lajçi në intervistën dhënë “Kohës Ditore”. Ai ka ftuar Kuvendin e Kosovës që në asnjë mënyrë të mos e ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Ish- kryetari i Komunës së Pejës pretendon se kanë në dispozicion fakte me harta, kadastrat e të gjitha vijave kufitare historike, me të cilat do ta fitonin rastin, nëse ai përfundon pranë Gjykatës së Arbitrazhit.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/lajci-kosova-ka-injoruar-hartat-e-vitit-1974-99835/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu