Kufiri detar, si u ndanë ujërat mes Shqipërisë e Greqisë

0
779

Nuk ka qenë nevoja të vinte viti 2009 e as 2012 që midis Shqipërisë dhe Greqisë të hapeshin negociatat apo të bëhej rregullimi me ligj i territorit të ujërave detarë. Sanksionimi i territoreve detare ka nisur të paktën që nga janari i vitit 1958, kohë kur ministri i Jashtëm Behar Shtylla, autorizonte Shefin e Shtabit të flotës Detare, Kapitenin e Rangut të Parë, Abdi Matin, që të zhvillonte bisedime dhe të nënshkruante marrëveshje se bashku me përfaqësuesit e Mbretërisë së Greqisë, lidhur me masat praktike për spastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat që mund të kishin mbetur nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe pas kësaj vjen marrëveshja, ku janë shënuar dhe koordinatat që ndanin ujërat mes dy shteteve.

Kufiri Detar

Ajo çka të bie në sy nga marrëveshja mes dy palëve, Shqipërisë dhe Greqisë, është se përmes neneve të ndryshme të saj Shqipëria dhe Greqia ja kanë njohur njëra-tjetrës ujërat përkatëse territoriale me koordinata të përcaktuara qartë edhe pse bëhej fjalë për dy vende pa marrëdhënie diplomatike dhe praktikisht në gjendje lufte që nga viti 1941, një ligj të pashfuqizuar dhe sot. Gjithsesi do të duheshin konventat e mëvonshme ndërkombëtare mbi kufijtë detarë, detin territorial, zonën speciale, rrafshnaltën kontinentale etj, që kjo njohje të ishte e vlefshme dhe e sanksionuar në aspekt global.

Marrëveshja

Çështja e hapur për kufirin detar, me pretendimin si e pastudiuar dhe e papërcaktuar më parë midis Greqisë dhe Shqipërisë në kanalin e Korfuzit, jo vetëm që nuk ka qenë e panjohur por madje ka qenë edhe e sanksionuar nga ana ligjore në disa marrëveshje kombëtare e ndërkombëtare deri në vitin 1958. Pikërisht në vitin 1958 është bërë marrëveshja shqiptaro-greke për pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat, ku theksohet që çdo palë e kishte të qartë kufirin e zonave të veta me koordinata dhe me nene të caktuara të ligjshmërisë përkatëse detare.

Konventat

Në fakt janë një sërë konventash kombëtare dhe ndërkombëtare duke filluar që nga konventa e Hagës e vitit 1907, vitit 1914 dhe e fundit për ne e vitit 1958, të cilat janë bazuar në koordinata të sakta e të miratuara nga të gjitha palët. Për shembull: marrëveshja e vitit 1958 midis Shqipërisë dhe Greqisë u bazua në: Konventën mbi detin territorial dhe zonën speciale; konventa mbi detin e hapur; konventa mbi peshkimin dhe rruajtjen e burimeve biologjike të detit të hapur dhe konventa mbi rrafshnaltën kontinentale.

Protokolli

Në protokollin e përfunduar midis përfaqësuesve të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Greqisë mbi tralimin e Kanalit të Korfuzit, neni 2 thuhet: “Tralimi do të kryhet nga pala shqiptare në rajonin që kufizon ujërat territoriale të Republikës Popullore të Shqipërisë prej Kepit Stilo deri në Kepin Qefali dhe pikërisht në rajonin që kufizohet me koordinatat si vijon:

1. F 39043’, 6VL 19058’, 2L

2. F 39039’, 1VL 19058’, 6L

3. F 39044’, 5VL 19058’, 6L

4. F 39048’, 9VL 20000’, 3L

Ky protokoll në përbërje të të cilit janë 10 nene është firmosur nga përfaqësuesit e sy shteteve: për Shqipërinë nga Kapiteni i Rangut të Parë Abdi Mati dhe për palën greke nga Kapiteni i Marinës mbretërore Emanuel Dhimotaqi

Dokumenti Origjinal

Katër konventa për të përcaktuar kufijtë ujorë

Në një dokument me numër protokolli 026-1928 lëshuar nga Ministria e Jashtme datë 30 tetor 1958 vihen në dijeni katër ministri për një protokoll mbi të drejtën e detit Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Komunikacionit dhe Ministrisë së Drejtësisë

Tiranë

Bashkangjitur Ju dërgojmë konventat e poshtë shënuara:

1) Konventa mbi detin territorial dhe zonën speciale.

2) Konventa mbi detin e hapur

3) Konventa mbi peshkimin dhe ruajtjen e burimeve biologjike të detit te hapur

4) Konventa mbi rrafshnaltën kontinentale

Protokollin e nënshkrimit fakultativ lidhur me rregullimin e detyrueshëm të konflikteve. Aktin përfundimtar të Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e detit si dhe një sërë rezolutash të adoptuara nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e detit e cila zhvilloi punimet e saj në Gjenevë prej 24 shkurtit deri 27 prill 1958. Në mbarim të konferencës asnjëra prej konventave nuk u nënshkrua dhe këto mbetën te hapura për nënshkrim deri me 31 tetor 1958 në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Deri tani nuk kemi dijeni që këto konventa të jenë nënshkruar nga ndonjë shtet. Në fund konferenca adoptoi një rezolute me anën e së cilës i bën thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara të organizojë një konferencë të dytë mbi të drejtën e detit. Lutemi që pasi të studiohen konventat në fjala nga ana e Juaj, ta na njoftoni mendimin tuaj, vërejtjet eventuale që mund të keni si dhe ne qoftë se e shihni të mundshëm pranimin e tyre nga ana e vendit tonë.

Zv/Ministri Vasil Nathanaili

 

Përgaditi Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu