Kundër ndërrimit të territoreve

0
669

Këshillat e lagjeve të banuara me shqiptarë të veriut të Mitrovicës: “Lumbardhi”, “Kroi i Vitakut”, “Kodra e Minatorëve”, “7 Shtatori”, “Lagjja e Doktorëve”, kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave propaganduese të kreut të LB-së, Avni Klinaku, për ndërrim territoresh. Në një takim, të hënën, ata kanë akuzuar Klinakun se po tenton të zhbëjë territorin shqiptaro-shqiptar.

“Kush u jep të drejtën të jepni propozime antikombëtare. Ne banorët e veriut, që tash e 14 vjet vuajmë nën thundrën e bandave çetnike, ndonëse në kushte të vështira, vazhdojmë të mbrojmë qenësinë shqiptare dhe nuk kemi pritur propozime të këtilla për falje të territoreve. Ti, Avni Klinaku, mund të bësh tregti dhe pazare me pronat tuaja, por jo me tokën dhe pronat tona shqiptare të veriut të Kosovës, ku ne, ndonëse në gjendje të rëndë sociale, vazhdojmë ta bëjmë qendresën dhe rezistencën për çdo ditë, para forcave paramilitare e të sigurimt serb, që kanë okupuar një pjesë të tokës sonë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e këshillave të lagjeve veriore të Mitrovicës.

Në reagim shtohet se LB-ja, në vend që të vijë e të bisedojë dhe të njihet me hallet dhe vështirësitë me të cilat përballen banorët e kësaj pjese, del me propozime për falje të territoreve, thuajse kemi humbur pak territore deri më tani.

“Shumica e banorëve të këtyre lagjeve bëjnë jetën në gjysmëliri, pa lëvizje të lirë, pa siguri, të papunë, për çdo ditë cak i sulmeve dhe presionit të makinerisë serbe, që me çdo kusht dëshiron largimin tonë dhe ndërrimin e strukturës enike, ndonëse në këtë gjendje ne kurrë nuk pranuam as nuk pranojmë ndërrim të teritoreve në dëm të Kosovës dhe të shqiptarëve, ndërsa dikush që thotë se angazhohet për bashkim propozon ndarje, duke luajtur me ndjenjën e popullatës, e cila edhe pas 14 vjetëve, ende nuk e ka shijuar lirinë. Lëvizja për Bashkim duhet t’u kërkojë falje banorëve të pjesës së veriut të Mitrovicës dhe Kosovës për një lëshim dhe deklaratë të tillë që ka indinjuar ata që po mbrojnë Kosovën dhe shqiptarizmin në këtë pjesë të vendit. Shpresojmë se kjo do jetë hera e fundit që dëgjojmë një propozim të këtillë ogurzi për vendin tonë”, thuhet në vijim të reagimit.

Ata kanë kundështuar edhe zëra për bisedime politike me Serbinë. “Institucionet tona qendrore duhet t’i kushtëzojnë bisedimet me zhbërjen e strukturave ilegale në veriun e vendit tonë, zhbërjen e strukturave të sigurisë dhe MUP-it dhe realizimin e marrëveshjeve të arritura, e kurrsesi të hyjnë në bisedime pa plan dhe program, duke rrezikuar përfundimisht veriun e vendit tonë. Nëse veç detyrohemi në bisedime, atëherë të hapen dosjet dhe çështjet prej pastrimit etnik nga serbët në vitet 1877 – 78, kur u dëbuam mijëra shqiptarë që nga “Molla e Kuqe”. Një gjë e tillë po na përseritët edhe tani, kur banorët këtej po shantazhohen e kërcënohen, ofrohen çmime në mënyrë që të bëhet spastrim etnik dhe të ndryshohet struktura e banorëve. E kundërshtojmë fuqishëm idenë për ndërrim të teritoreve dhe tendencën e vendosjes së kufirit me rrjedhën e lumit Ibër. Popullata e Mitrovicës nuk do të lejojë dhe nuk do të pajtohet kurrë me një zgjidhje të tillë. Për këtë tokë dhe këto prona janë flijuar me dhjetëra qytetarë, ndërsa janë plagosur me qindra të tjerë. Ne jemi të gatshëm që t’i mbrojmë ato”, thuhet në reagim.

Duke përfunduar, këshillat e lagjeve veriore të Mitrovicës kanë thënë se ata nuk janë kundër asnjë komuniteti, por zotohen se siç kanë thënë: “pronat tona nuk i lëshojmë për jetë të jetëve.

 

Nga Kajtaz Gecaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu