Kuqezinjtë prekin “ëndrrën”, mposhtin në Oslo Norvegjinë 1-0 (Video)

0
673

Shqipëria më në fund shënoi një fitore të madhe në transfertë, duke mposhtur 1-0 Norvegjinë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit Brazil 2014. Me këtë triumf ekipi kuqezi ka shtuar gjasat për kualifikim.

Në pjesën e parë ekipi kuqezi pati një iniciativë të lehtë në fushë,duke shënuar edhe disa raste të mira shënimi në portën kundërshtare nëpërmjet Edgar Çanit, Hamdi Salihit e Migjen Bashës.

Në pjesën e dytë ekipi i Gianni De Biasit, e nisi mirë duke kërkuar golin e avantazhit. Dhe këtë e arritën në minutën e 67-të nëpërmjet Hamdi Salihit, i cili u shërbye mirë nga Ervin Bulku pas një goditje dënimi, e cila ishte një skemë e ndërtuar mjaft mirë.

Pas këtij goli ekipi kuqezi mund të ndëshkohej nga norvegjezët në minutën e 74-të, por portieri Etrit Berisha evitoi golin e sigurt me një superpritje.

Në minutën e 88-të Shqipëria mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Andi Lila u ndëshkua me karton të kuq.

Vetëm dy minuta më vonë norvegjezët patën rast të barazonin rezultatin, por portieri Berisha nuk e lejoi topin të përfundonte në rrejtë, duke treguar kështu një formë mjaft të mirë.

Për norvegjezët në këtë takim luajti edhe mesfushori kosovar, Valon Berisha, i cili u aktivizua në lojë në minutën e 77-të në vend të Soderlundit.

Me këtë fitore ekipi kuqezi  shkon në kuotën e 9 pikëve dhe ndan vendin e dytë në Grupin E me Islandën që ka po aq pikë. Me këtë fitore Shqipëria ka shtuar gjasat për kualifikim në botërorin ‘Brazili 2014’.

http://www.youtube.com/watch?v=3ihM3zQKP8o

/Shekulli Online/Përgatiti: E.D/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu