Kur Ahmet Zogu kërkonte ndihmën e BRSS së Stalinit

0
994

Misioni rus vërtetë u largua në mesvitet ’20, por marrëdhëniet me Rusinë do të rivendoseshin plotësisht në mesin e viteve ’30. E ndërsa qeveria e Nolit dështoi plotësisht në marrëdhëniet me rusët për shkak të situatës politike dhe pozicionit ende të pakonsoliduar të shtetit të Sovjetëve, kujtojmë se historia shqiptare do rezervojë një qëndrim tjetër të liderëve pak vjet më vonë. Paradoksi është se Zogu, që e ka përmbysur qeverinë e Nolit me armiqtë e Sovjetëve, fuqinë e Vrangelit, që tash është në emigrim, do të vendosë marrëdhëniet me ta, por më shumë se kaq do t’i kërkojë ndihmë duke e mikluar me atë pozicion dashamir që ka vetëmarrë pushteti i ri i Sovjetëve me shtetet e vegjël nëpër Evropë. Në letrat që këmben Kobeckij, përfaqësuesi rus në Shqipëri (ai mbulon njëkohësisht edhe përfaqësinë në Greqi) me eprorin e tij, ministrin e jashtëm Maksim Litvinov, është i saktë: Ata na drejtohen për ndihmë. Qeveria shqiptare ka kuptuar se megjithë marrëdhëniet e mira me Italinë dhe ish-Jugosllavinë, diçka mban erë prej tyre. Zogu, një politikan i zgjuar kupton se në politikë nuk mund të jesh gjithmonë në një drejtim. Dhe, ka të drejtë. Të kujtojmë se konti Çiano arkitekti i vërtetë i pushtimit shqiptar, ndërsa luan rolin e mikut më të madh të shqiptarëve, nga ana tjetër ka filluar preventivin e gjithçkaje në vend. Nga viti 1937, ai do t’i dojë t’i tërheqë veçanërisht vëmendjen vjehrrit të tij Benito Musolinin me raporte dhe statistika, tepër entuziaste për vendin e varfër. Mes tyre dhe faktin se agjentët Italianë llogaritnin një ngritje të prodhimit bujqësor shqiptar deri më 200.000 tone drithëra në vit, sasi e cila shërbente më së miri për ushqimin e italianëve. Shtuar këto edhe me pasuritë e nëntokës, vajgurit etj, e gjitha e bën një vend të lakmueshëm dhe një hambar për Italinë, që po përgatitet për luftë.
Ndërkohë qeveria e Sovjetëve është forcuar shumë Ajo ka një imazh tjetër në botë dhe mbi të gjitha është faktor i rëndësishëm politik. Dhe, këtë e kupton më së miri Ahmet Zogu. Edhe pse vite më parë kjo do të ishte një blasfemi e vërtetë, më 1935, kur vendosen marrëdhëniet, kjo quhet zgjuarsi. Ministri shqiptar i punëve të Jashtme, Xhafer Vila që viziton Kobeckin, ardhur për të përgatitur ceremonialin e letër kredencialeve, ankohet hapur për situatën e vështirë të Shqipërisë krijuar prej presionit të Italisë dhe Jugosllavisë dhe i shprehet se:”Shqipëria të gjitha shpresat e saj i var te BRSS, si mbrojtësi i kombeve të vegjël. Ai do të përshëndeste ngritjen e misionit sovjetik në Tiranë. Mbreti e ka porositur atë që të na kërkojë ne të ndihmojmë Shqipërinë në krijimin e industrisë së vet, në veçanti uzinën e sheqerit”. Por, kujdes, përballë është një fuqi e re. Nga Moska, ajo që i vjen entuziazmit të ambasadorit është e prerë. Ministri i jashtëm i kujton vartësit të tij se rusët nuk e harrojnë sesi qeveria shqiptare e viteve ’20 e ka përcjellë misionin rus.
Dy partnerë për Shqipërinë në atë kohë veç Italisë, që ka peshën më të madhe specifike është Japonia e cila futi në Shqipëri më 1934 mallra me vlerë 1315 mijë franga ar dhe nuk importoi asgjë, dhe importi çekosllovak me 672 mijë franga ar, ndërsa eksporti vetëm 6.5 mijë franga ar, sipas dokumenteve që po botojmë. Deri në kohën që vendosen marrëdhëniet diplomatike, importi shqiptar në vitin 1934 barazohej me 11.924 550 franga ari, kurse eksporti – 4 112 108 franga ar. Valuta e kohës në Shqipëri është franga ar (e barabartë me zviceranin, domethënë 1 fr. ar = 37, 39 kopek ar), e garantuar nga banka italiane “Banko d’Italia”. Por, rusët kuptojnë nga ankesat e shqiptarëve se Italia po e shfrytëzon për keq gjithçka. Edhe pse deri më atëherë importi i Italisë në vitin 1934 ishte 3.998 mijë fr. ar, eksporti mbetet 2.639 mijë fr ar. Kobickij i prezanton ministrit të jashtëm rus Litvinov ndoshta mundësinë e eksportit në Shqipëri për qereste, manifaktura, makina bujqësore dhe vegla (plugje, kosa, drapinj), enë teneqeje, alumini dhe xhami, makina qepëse dhe me radhë të tjerat .
Por amullia shqiptare nuk i përgjigjet realiteti. Sepse përballë ka një nga shtetet me diplomacinë më aktive dhe më të konsoliduar të kohës. Më 17 qershor 1935, Maksim M. Litvinov në letrën drejtuar M. V. Kobeckit, e njofton: “Sipas informacioneve të marra në Komisariatin e Popullit të Tregtisë së Jashtme, ne na intereson vetëm realizimi i eksportit teknologjik në këtë vend”, dhe se për shkak të përmasave të kufizuara të planit tonë të importit, nuk kemi ndërmend importimin e mallrave nga Shqipëria. “Tregtia e eksportit në Shqipëri do të realizohet nëpërmjet degës së Gjenovës, të përfaqësisë tregtare të BRSS në Itali”.
Mbreti Zogu nuk tërhiqet. Nuk del në skenë, përveç momentit të letërkredencialeve, por vazhdon sërish inkursionet dhe madje fjalët e tij të duken njëlloj si ato që Enver Hoxhës, që vite më vonë do t’ia thotë gati po njësoj Stalinit se “Shqipëria të gjitha shpresat e saj i var te BRSS, si mbrojtësi i kombeve të vegjël…”.
Kuptohet se këto nuk ndryshojnë gjë. Ndërmjet dy vendeve nuk bëhet ndonjë gjë e madhe dhe i dërguari rus ushtarak do të jetë deri në momentet kur Italia pushton Shqipërinë, në shpurën e ushtarakëve të huaj që asistojnë si dëshmitarë pushtimin. Më pas historia hyn në hulli të tjera. Do jetë koha e komunistëve, atyre që përzënë mbretin, të kërkojnë ndihmën ruse, por këtë herë edhe këshillën bashkë me modelin e drejtimit. Me këtë model, Zogu do të vdesë në emigrim, e për gjithë kohën në përpjekje për të bashkëpunuar me armiqtë e komunizmit, por pa dobi. I harruar dhe i lënë në vetmi do të mbyllë jetën në Francë, pa mundur, t’i kthehet më vendit të tij. Rusët do jenë gati perëndi në Shqipëri deri në fund të viteve ’50, kur gjithçka prishet mes dy vendeve…

Dokumenti Nr 211

Shënim i bisedës së Përfaqësuesit Fuqiplotë të BRSS në Shqipëri me ministrin e punëve të Jashtme të Shqipërisë, Vila.1

6 maj i vitit 1935

Sot isha në MPJ te drejtori i sektorit të protokollit, i cili më priti në Durrës, dhe te ministri i punëve të Jashtme.
Vila mbajti një fjalim të shkurtër, duke shprehur gëzimin e tij me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me BRSS, i cili gjithmonë ka qenë mbrojtës i lirisë dhe i pavarësisë së popujve të vegjël. Në përgjigjen time unë theksova politikën tonë të paqes, që krijon bashkësinë e interesave të Shqipërisë me BRSS. Vila më pyeti për situatën në Greqi. Pyetjes time se kur mund të presim ne të dërguarin shqiptar në Moskë, Vila u përgjigj se pengesa në emërim shpjegohet me arsyet buxhetore. Tani po hartohet buxheti i ri, në të cilin do të parashikohen shpenzimet për mbajtjen e misionit në BRSS. Vila më ftoi, mua me gruan, nesër për të ngrënë mëngjes së bashku dhe tha se audienca te mbreti do të bëhet, me gjasa, në një nga ditët e ardhshme;2 unë i dhashë atij përkthimin e letrave kredenciale.

M. Kobeckij

Shtypur sipas arkivit.
1- Përfaqësuesi fuqiplotë i BRSS në Greqi, M. V. Kobeckij më 23 janar 1935 u emërua njëkohësisht përfaqësues fuqiplotë i BRSS në Shqipëri; shih gazetën “Izvestija” 24 janar 1935.

Dokumenti Nr 234

Letër e Përfaqësuesit Fuqiplotë të BRSS në Shqipëri, në Komisariatin e Popullit të Tregtisë së Jashtme të BRSS.

24 maj 1935

Sapo u ktheva nga Shqipëria, ku shkova për të dorëzuar letrat kredenciale dhe më lejoni tiu njoftoj në formë koncize gjithçka që pashë dhe dëgjova atje lidhur me mundësitë e tregtisë sonë në Shqipëri.
Mbreti më deklaroi se ai personalisht e konsideron mjaft të dëshirueshme vendosjen e marrëdhënieve tregtare me BRSS dhe premton ndihmën e tij.
Ministri i ekonomisë kombëtare, me porosi të mbretit, mu drejtua me kërkesën që qeveria jonë ti kushtonte vëmendje problemit të tregtisë me Shqipërinë, duke na premtuar nga ana e tij që ta studiojë me hollësi këtë çështje. Paraprakisht ai shprehu arsyet e mëposhtme: 1. Shqipëria çdo vit importon 1 milion franka ar sheqer dhe do donte shumë të çlirohej nga ky import, duke organizuar industrinë e vet të sheqerit. A mund ta ndihmojmë ne Shqipërinë me furnizimin e pajisjeve përkatëse dhe ndihmën teknike. 2. Japonia dhe Çekosllovakia futin në Shqipëri shumë mallra industriale: tekstile, produkte metalike, xhama dhe të tjera, duke mos blerë pothuajse asgjë në Shqipëri. Kështu në vitin 1934, Japonia futi në Shqipëri mallra me vlerë 1315 mijë franka ar dhe nuk importoi asgjë nga Shqipëria, importi çekosllovak është 672 mijë franka ar, ndërsa eksporti vetëm 6,5 mijë franka ar.
I gjithë importi shqiptar në vitin 1934 barazohej me 11 924 550 franka ar, eksporti 4 112 108 franka ar. Valuta në Shqipëri është franka ar (e barabartë me zviceranin, domethënë 1 fr ar = 37, 39 kopek ar), e garantuar nga banka italiane “Banko dItalia”.
Tani për tani në Shqipëri ende nuk ka asnjë kufizim për importet dhe valutat, por tani po hartohet ligji i cili i jep qeverisë kompetenca për rregullimin e tregtisë së jashtme.
Rolin kryesor në tregtinë e jashtme të Shqipërisë e luan Italia: importi i saj në vitin 1934 ishte 3998 mijë fr ar, ndërsa eksporti 2639 mijë fr ar. Ky raport nuk është shumë i keq për shqiptarët, por problemi është se Italia ndikimin e saj tregtar e shfrytëzon politikisht dhe prandaj qeveritarët shqiptarë dëshirojnë shumë çlirimin nga influenca e madhe italiane. Duke gjykuar nga vëzhgimet e mia personale, ne ndoshta mund të eksportojmë në Shqipëri qereste, manifaktura, makina bujqësore dhe vegla (plugje, kosa, drapinj), enë teneqeje, alumini dhe xhami, makina qepëse.
Objekte të importit tonë nga Shqipëria mund të jenë: bagëti, lesh, lëkura të papërpunuara, pambuk, vaj ulliri.
Sqaroj se e gjithë kjo është bazuar vetëm në vëzhgimet e mia sipërfaqësore dhe bisedat private.
Sidoqoftë, në Tiranë unë u njoha me tregtarin e madh, drejtorin e shoqërisë së import eksportit gjysmë shtetërore SEI, Mehmed Konica, nëpërmjet të cilit mund të marrim informacione shtesë. Konica vjen herë pas herë për punë në Athinë.
Përveç kësaj, unë mora me vete nga Shqipëria disa materiale statistikore, me të cilat ende nuk kam arritur të njihem.
Në fund, i ngarkuari i përkohshëm i përfaqësisë tregtare shoku Adamson prej kohësh interesohet për Shqipërinë dhe mbledh të dhëna për tregtinë e saj të jashtme.
Kështu që, përgjithësisht nëse këtë problem ju e konsiderni se meriton interes, atëherë ne këtu kemi mundësi për një përgatitje paraprake mjaft të hollësishme të saj.
Ju lutem mos refuzoni të më njoftoni mendimin tuaj për këtë problem.31-
Përfaqësuesi fuqiplotë i BRSS në Greqi, M. V. Kobeckij më 23 janar 1935 u emërua njëkohësisht përfaqësues fuqiplotë i BRSS në
Shqipëri; shih gazetën “Izvestija” 24 janar 1935.

Me përshëndetje

Përfaqësuesi fuqiplotë i BRSS në Greqi dhe Shqipëri
M. Kobeckij

Shtypur sipas arkivit

Dokumenti Nr 366

Telegram i Komisarit të Popullit të Punëve të Jashtme të BRSS nga Gjeneva
Ministri shqiptar i punëve të Jashtme, që më vizitoi mbrëmë, mu ankua për situatën e vështirë të Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë dhe tha se Shqipëria të gjitha shpresat e saj i var te BRSS, si mbrojtësi i kombeve të vegjël. Ai do të përshëndeste ngritjen e misionit sovjetik në Tiranë. Mbreti e ka porositur atë që të na kërkojë ne të ndihmojmë Shqipërinë në krijimin e industrisë së vet, në veçanti uzinën e sheqerit. Shqipëria ka panxhar dhe pra mund ta prodhojë atë, ndërsa sheqerin ajo është e detyruar ta importojë. Unë i thashë se ne ende e kujtojmë sjelljen me misionin tonë të parë në Shqipëri, ndërsa sa i përket propozimeve të tjera, ato do tia jap instancave tona ekonomike.
Litvinov
Shtypur sipas arkivit

*Materialet janë nxjerrë nga volumi 18 i Dokumente të politikës së jashtme të BRSS.

 

Nga Ben Andoni

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu