Kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

0
908

Më 21 shtator apo në qershor këtij viti? Datën e parë e theksoi ambasadorja e SHBA-ve, znj. Jacobson, pas takimit me disa kryetarë të partive në Kosovë para gjashtë javëve, ndërkaq data e dytë doli jozyrtarisht nga takimi i tyre me ambasadorin e Gjermanisë, z.Blomeyer, para një jave. Cili prej këtyre takimeve ishte më vendimtar dhe cilit mund t’i besojmë më shumë? Ose, për ta zgjeruar më tutje: nga takimet me cilin ambasador do të vendoset data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?

Sigurisht se të gjithë ata që e duan republikën dhe republikanizmin, demokracinë dhe parlamentarizmin, kanë problem edhe konceptual edhe normativ me këtë mënyrë të marrjes së vendimeve kaq të rëndësishme.

Data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është çështje e institucioneve dhe çështje e brendshme, jo çështje jashtinstitucionale dhe as çështje diplomatike apo e politikës së jashtme. Natyrisht, nëse e marrim veten tonë seriozisht si shtet të pavarur e si republikë parlamentare.

Mirëpo, është edhe ca më keq se kaq. Vendimmarrja në Kosovë gjithnjë e më shpesh nuk po bëhet as tek ambasadat në Prishtinë, por krejtësisht jashtë Kosovës. Zyra e Baroneshës Ashton, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe Nën-Kryetares së Komisionit Evropian, është vendi ku vendoset data e zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen sivjet në Kosovë.

E, megjithatë, është edhe shumë më keq se kaq. Në zyrën e Baroneshës Ashton në Bruksel, atëherë kur do te merret vendimi për datën kur qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit, aty do të jetë edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Pra, mbi atë se kur do organizohen zgjedhjet në Kosovë, gjersa në Kosovë bëhen përgatitje për ta shënuar 15 vjetorin e çlirimit nga Serbia, do të pyetet pikërisht kryeministri i Serbisë, Daçiq.

Në këtë kontekst, nga të dy funksionet e mësipërme të Baroneshës Ashton, ai i treti është më i rëndësishmi: ndërmjetësuese në dialogun politik Beograd-Prishtinë (siç e quan ajo). Të gjithë e dimë, se 3 nëntori i viti 2013, si datë e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, ishte ideja dhe kërkesa e Daçiqit me të cilën u pajtua kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. As për zgjedhjet parlamentare nuk do të jetë ndryshe sepse nuk mund të jetë ndryshe.

Nëpërmjet bisedimeve me Daçiqin në Bruksel, Thaçi nuk po i integron serbët në Kosovë por Serbinë në Kosovë. Dhe, ai nuk mund ta integrojë Serbinë në Kosovë pa e integruar edhe Kosovën në Serbi.

Teksa për Kosovën pyetet Serbia, planet e vendimet në Kosovë bëhen e merren duke parashikuar e konsideruar interesat dhe qëndrimet e Serbisë. Daçiqit i duhej ca kohë për ta konsoliduar Nismën Qytetare Serbe në Kosovë andaj zgjedhjet lokale të vitit të kaluar nuk u mbajtën as në shtator e as në tetor por me 3 nëntor.

Rezultati dihet: edhe para se të themelohet Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, ato komuna tashmë u bashkuan në një parti që i fitoi zgjedhjet në to, parti kjo e themeluar dhe e përkrahur nga Beogradi – Nisma Qytetare Serbe apo Lista Srpska, siç po quhet. Kjo parti, në fakt, paraqet shndërrimin e strukturave ilegale, kriminale e armiqësore të Serbisë që i la regjimi i Milosheviqit pas lufte, në formacion politik me vizion e mision të pandryshuar.

Pra, jo thjesht zyra e Baroneshës Ashton, por edhe me Daçiqin (a Vuçiqin) ulur aty brenda, do ta bëjnë caktimin e (ndoshta jo vetëm të) datës së saktë të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Me Daçiqin atje po vendoset gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më shpesh për çështjet e Kosovës, rregullimin e saj të brendshëm dhe oraret e zhvillimeve politike.

Me fjalë të tjera, duke e bërë Serbinë çështje të brendshme të Kosovës, edhe Kosovën po e bëjnë ngadalë por sigurt çështje të brendshme të Serbisë. Dinamika e skenës politike në Serbi është bërë faktori kryesor i dinamikës së skenës politike në Kosovë.

Kësisoj, edhe data e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kushtëzohet aq shumë nga beteja e brendshme në Serbi ndërmjet Vuçiqit e Daçiqit. Zëvendës-kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, me datën 25 janar, në Kuvendin e Partisë së tij Progresive Serbe, do të vendos nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në Serbi, e të cilat do të mbaheshin në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale në Beograd më 16 mars 2014.

Motivi i Vuçiqit është i qartë: ta marrë pozitën e kryeministrit në vend të Daçiqit dhe t’i vazhdojë ai pazaret me Thaçin gjithmonë të gatshëm për koncesione. Vuçiqit nuk ia ka marrë mendja që Daçiq do të jetë kaq i suksesshëm me Thaçin dhe sigurisht që ai mendon që do të mund të jetë edhe më i suksesshëm se kaq.

Në anën tjetër, për zgjerimin e temave të dialogut me Serbinë, Thaçi do sa më shumë legjitimitet në dukje, qoftë përmes zgjedhjeve paraprake apo edhe duke i futur nën sqetull Isa Mustafën e Ramush Haradinajn nëpër takime prej një ambasade te tjetra. Thaçi varet përbrenda katrorit në kulmet e të cilit janë Daçiqi e Vuçiqi, Baronesha Ashton dhe EULEX-i, andaj ai nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të varet me sa më shumë shokë ‘opozitarë’ në gjithë këtë ndërmarrje makabër.

Rrjedhimisht e përfundimisht, nuk ka fort rëndësi se në cilën ambasadë në Prishtinë vuloset ajo që shkruhet nga Beogradi në Bruksel, apo jo?

 

Nga: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu