Kur shqiptarët luftonin krah bullgarëve

0
694

Në një ligjëratë të përmbledhur në tematikën “Bashkëpunimi shqiptaro-bullgar në kryengritjen e vitit 1913 në Maqedoni, sipas burimeve bullgare”, pedagogu i gjuhës shqipe në Degën e Ballkanologjisë në “Sofia University St. Kliment Ohridski” në Bullgari, Anton Panchev ka dhënë argumente të rëndësishme për bashkëpunimin politik dhe ushtarak midis bullgarëve dhe shqiptarëve në kohën e së ashtuquajturës “Kryengritja e Ohrit”, e cila kishte shpërthyer në shtator të viti 1913

Kur është fjala për një kauzë që u konvenon dy popujve, atëherë dallimet në etni dhe komb nuk janë të rëndësishme.

Një dëshmi për këtë e ka dhënë edhe pedagogu i gjuhës shqipe në Degën e Ballkanologjisë në “Sofia University St. Kliment Ohridski” në Bullgari, Anton Panchev. Në një ligjëratë të përmbledhur në tematikën “Bashkëpunimi shqiptaro-bullgar në kryengritjen e vitit 1913 në Maqedoni, sipas burimeve bullgare”, ai ka dhënë argumente të rëndësishme për bashkëpunimin politik dhe ushtarak midis bullgarëve dhe shqiptarëve në kohën e së ashtuquajturës “Kryengritja e Ohrit”, e cila kishte shpërthyer në shtator të vitit 1913. Krejt kjo po bëhej kundër okupatorëve serbë në Maqedoni. Edhe pse  kjo kryengritje nuk kishte pasur sukses si pasojë e mospërkrahjes së mjaftueshme nga një forcë e jashtme, mosmarrëveshjet midis liderëve, sipas Panchevit, mungesa e një plani të përbashkët, kishte rëndësinë e saj kryesore. “Kryengritja shqiptaro-bullgare e vitit 1913 tregon se është e mundshme të arrihet një shkallë shumë e lartë e bashkëpunimit midis popujve të ndryshëm për mbrojtjen e kauzave të drejta me interes të përbashkët”, – ka thënë Panchev-i. Sipas tij, për kryengritjen dhe për bashkëpunimin shqiptaro-bullgar dëshmojnë qindra dhe madje mijëra burime dhe dokumente në arkivat bullgare, si raporte diplomatike, kujtime nga pjesëmarrës dhe drejtues të kryengritjes, letra e njoftime etj. Megjithatë Panchev-i  ka shqyrtuar vetëm momentet më kryesore të përgatitjes së përbashkët dhe të veprimeve të përbashkëta të bullgarëve dhe shqiptarëve nga Maqedonia për luftë kundër okupatorit serb.
“Më 26 janar të vitit 1913 protestanti nga Korça, Grigor Cilka, shoqja e së cilit është bullgare, i dërgon një letër revolucionarit dhe poetit bullgar Pejo Javorov, në të cilën përshkruan reprezaljet serbe dhe greke kundër popullatës shqiptare dhe bullgare nga ana e serbëve dhe e grekëve dhe apelon ndaj qeverisë bullgare dhe VMORO-së që të ndërhyjë”, – ka thënë Panchev-i. Tutje sipas tij, në prill të po atij viti kishte autorizuar Petër Çaulevin dhe Todor Pavlovin të bisedonin me anën shqiptare, por marrëveshja konkrete nuk ishte arritur. Kësisoj, Bullgaria kishte humbur luftën me Serbinë, Greqinë, Rumaninë dhe Turqinë dhe kryengritja nuk kishte mundur të shpërthente në masën e duhur. Sikur kjo të ndodhte, Panchev-i  ka thënë se plani i kryengritjes parashikonte pushtimin e Dibrës, Ohrit, Resenit, Gostivarit dhe Manastirit, ku forcat shqiptaro-bullgare duhej të bashkoheshin.
Edhe pse i paraparë të ligjëronte Matvey Lomonsov, ligjërata e tij për çështjen ilire në sfondin e etimologjisë do të zhvillohet gjatë këtyre ditëve. Organizatorët e seminarit kanë lajmëruar se Lomonsovi do të arrijë në Prishtinë pas dy ditësh. Megjithatë pjesë e referimeve të së martës kanë qenë edhe Sabile Basha, që ka folur për gratë shqiptare në rezistencën kombëtare, për t’i lënë radhë Nuredin Ahmetit dhe Esilida Lukut, që kanë folur për lëvizjen e qershorit të 1924-s në Shqipëri në kuadër të gjeopolitikës evropiane dhe ballkanike, si dhe Xheladin Shala me referimin “Projekthartat për kufirin shqiptar në Konferencën e Londrës”. Referim interesant ka qenë edhe ai i Lush Culajt, që ka folur për trajtimin e çështjes kombëtare në parlamentin e parë shqiptar. Culaj ka thënë se mbledhja e Këshillit Kombëtar, si organ legjislativ, shënonte plotësimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjës, si organ i përfaqësimit të popullit. “Ai gëzonte të drejtën e mbrojtjes së sovranitetit dhe kishte detyrimin e shprehjes së vullnetit politik të zgjedhësve dhe të shtetit”, – ka thënë Culaj.

Marrë nga “Koha Ditore”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu