Kurti do ose protesta ose që VLAN-i të bëjë institucionet pa marrë parasysh reagimin e PDK’së

0
655

Albini

Tri ngjarje i ka veçuar kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, që nga koha kur ka mbajtur mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton. Në fjalimin e tij në mbledhjen e XVII-të të këtij organi, Kurti ka folur për ngjarjet mes shumicës parlamentare dhe qeverisë në ikje, si dhe ato përbrenda shumicës parlamentare, korrupsionin në strukturat e larta të EULEX-it, si dhe për ngjarjet rajonale, që pasuan ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri.

Kurti ka thënë se shumica parlamentare vazhdon të jetë e vendosur në kundërshtimin e çfarëdo bashkëpunimi me qeverinë.

“Lajmet e ndryshme me të cilat bombardojnë mediet e regjimit kanë për qëllim që të përhapin konfuzion te qytetarët dhe ta zbusin pozitën e pavolitshme të PDK-së dhe satelitëve të saj. Edhe Thaçi gjithashtu duket i vendosur për të mos e lëshuar qeverisjen. Ai ka keqpërdorur tashmë çdo institucion shtetëror të pavarur. Njëherë përdori kushtetuesen, pastaj kryesuesen dhe tani po përdor presidenten”, ka thënë Kurti.

Ai ka shprehur bindjen se Qeveria në ikje përherë e ka luftuar republikën parlamentare në Kosovë.

Kurti ka thënë gjithashtu se Vetëvendosjes i intereson që ndërhyrjen jashtë-parlamentare ta bëjnë qytetarët, ose ta bëjë kjo parti.

“Sepse, neve na intereson demokracia, dhe na intereson sovraniteti. Mënyrat për të ndërhyrë qytetarët, janë ato që dihen: protestat dhe demonstratat. Mënyrat për të ndërhyrë ne, si Lëvizje Vetëvendosje, janë duke e bindur koalicionin LAN që të konstituojë Kuvendin dhe institucionet, pa marrë parasysh reagimin e PDK-së apo të Gjykatës Kushtetuese. Tash për tash, krerët e tjerë të shumicës parlamentare nuk besojnë që duhet bërë një zgjidhje siç propozojmë ne. Nëse ata vazhdojnë të hezitojnë, ka gjasë që të fitojë mbështetje interesi i Thaçit, pra që situata të zgjidhet me ndërhyrje prej ndërkombëtarëve. Edhe për një situatë të tillë, vlen fjalia ime e fundit në seancën e fundit të Kuvendit: Nëse qëndrojmë, fitojmë!”, ka thënë Kurti. “Nuk e di nëse të tjerët do të qëndrojnë, besoj se edhe të tjerët do të qëndrojnë, dhe, është për t’u vlerësuar fakti se kanë qëndruar tash e gati pesë muaj”, ka thënë Kurti, teksa është shprehur i bindur se VLAN-in nuk do ta prishin as ndarja e pozitave institucionale.

Kurti është ndalur gjatë edhe në serinë e shkrimeve që po boton “Koha Ditore”, e që flain për dëshmi të forta të korrupsionit në EULEX.

“Ditët e fundit ju e keni lexuar nëpër gazeta dëshminë e një prokuroreje të EULEX-it. Denoncimet e saj na tregojnë edhe një herë atë që ne e kemi ditur përherë. Drejtësia nuk mund të importohet. Demokracia nuk mund të importohet. Ato duhet të ndërtohen nga vetë shoqëria, pasi vetëm shoqëria mund ta ndërtojë shtetin e saj”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se për lirinë e Kosovës, së pari, gjakun e kanë derdhur shqiptarët, për dekada me radhë, e pastaj e morëm edhe ndihmën ndërkombëtare.

Kurti ka thënë gjithashtu se Vetëvendosjes i intereson që ndërhyrjen jashtë-parlamentare ta bëjnë qytetarët, ose ta bëjë kjo parti. “Sepse, neve na intereson demokracia, dhe na intereson sovraniteti. Mënyrat për të ndërhyrë qytetarët, janë ato që dihen: protestat dhe demonstratat. Mënyrat për të ndërhyrë ne, si Lëvizje Vetëvendosje, janë duke e bindur koalicionin LAN që të konstituojë Kuvendin dhe institucionet, pa marrë parasysh reagimin e PDK-së apo të Gjykatës Kushtetuese”

“Edhe luftën kundër korrupsionit vendor, sikurse edhe zhvillimin ekonomik, së pari duhet ta bëjmë ne, shqiptarët, pastaj të kërkojmë ndihmë nga të huajt. Janë përpjekur ta bindin popullin tonë se korrupsionin mund ta luftojnë vetëm të huajt, pasi ata na paskan vlera dhe etikë më të lartë se ne”, ka thënë Kurti. “Por edhe të huajt që erdhën këtu për të na sjellë drejtësinë, janë korruptuar. Sepse ata nuk i lidh me këtë vend atdhedashuria. Ne, që e duam këtë vend, ne do ta sjellim shtetin, drejtësinë, demokracinë, zhvillimin e mirëqenien për këtë vend. Sepse kështu ka bërë çdo vend i botës, dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Më këtë Qeveri dhe me këtë EULEX, shteti i Kosovës po digjet pa eksplodim. Për djegien kujdeset qeveria, kurse për mungesën e ekplodimit EULEX-i. Veçse tash vetë EULEX-i po digjet e kjo qeveri po shkon”, ka shtuar më tej ai.

Në fjalën e tij ai ka kujtuar edhe ndeshjen e 14 tetorit në futboll, ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

“Në mesin e muajit që lamë pas, në Beograd u shfaq edhe një herë ideologjia dhe struktura që sundon në Serbi. Ajo e racizmit, fashizmit dhe shovinizmit kundër shqiptarëve. Por, për të njohur këtë ideologji nuk na duhej loja e futbollit. Ne këtë e dinim si prej historisë po ashtu edhe prej luftës së fundit. Serbia vazhdon të refuzojë të kthejë të pagjeturit, të dënojë kriminelët, të kërkojë falje, të dëmshpërblejë. Në anën tjetër, është hipokrizi kur ata që kanë bërë çmos që të harrohet padrejtësia gjenocidale e luftës, tash bëhen patriotë për një ndeshje futbolli”, ka thënë Kurti, teksa ka shprehur bindjen se në këtë rast, është e domosdoshme të pohojmë karakterin emancipues të nacionalizmit tonë çlirimtar.

“Ne nuk i urrejmë serbët. Ne nuk jemi kundër asnjërit komb a etni. Ne jemi për çlirimin tonë, për drejtësi ndaj nesh, dhe për barazi me të tjerët. Kërkesa jonë has në qëndrimin kundërshtues dhe shkatërrues të Serbisë. Por, Serbia ka gjetur shpesh aleatë te disa politikanë shqiptarë të korruptuar, dhe te disa biznesmenë tregtarë, që udhëhiqen vetëm nga paraja. Politikanët tregtarë si Hashim Thaçi dhe tregtarët politikanë si Ramiz Kelmendi i kanë normalizuar personalisht marrëdhëniet me Daçiqa e Mishkoviqa, por kurrsesi Kosova dhe populli shqiptar me ta”, ka thënë Kurti.

Pas ngjarjes në Beograd, lindi edhe një ndjenjë e përbashkët, komunitare, e cila ishte shumë e dobishme, ka thënë Kurti, që ka bindjen se Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, reaguan si një komb, dhe kjo është gjë e mirë.

“Njëkohësisht, shumë njerëz të medias e kuptuan ç’është nacionalizmi serb. Shumë njerëz nëpër media filluan të përsërisin mesazhin tonë të kahershëm të fushatës nga viti 2006: “Bojkotoni produktet e Serbisë!”. Sepse Serbia na e ka pushtuar ekonominë, po na lë të varfër, po i merr fitimet nga ne për të prodhuar agresion”, ka thënë Kurt.

Sipas tij, ky mesazh nuk bën të jetë veç fjalë.

“Populli është i varfër, ai në shitore shpesh gjen vetëm produkte të Serbisë. Ne nuk mund të vëmë asnjë grimë faji tek të varfrit tanë. Fajin e kanë ata tregtarë që importojnë apo kontrabandojnë me Serbinë. Fajin e kanë ata pushtetarë që financohen prej atyre tregtarëve, e që sot janë në pushtet. Që të shpëtojmë prej agresionit ekonomik dhe shtetëror të Serbisë, ne duhet të ndërtojmë ekonominë tonë, prodhimin tonë, klasën tonë punëtore”, ka përfunduar ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu