Kurti e Krasniqi takohen “tinëz”

0
792

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar në fillim të kësaj jave me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasnqi. Gjatë ditës së hënë ata janë takuar në njërën nga qendrat tregtare në Veterrnik, por takimi është mbajtur fshehur sikurse nga partia e Kurtit, gjithashtu edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Burime të besueshme të gazetës që kanë treguar për takimin kanë deklaruar se gjatë qëndrimit me njëri-tjetrin, Kurti e Krasniqi kanë biseduar sikurse të ishin dy miq të vjetër.

Takimi i liderit të Vetëvendosjes dhe kryeparlamentarit është mbajtur në kohën kur Krasniqi i ka ftohur jashtëzakonisht shumë marrëdhëniet me bashkëpartiakët e tij, përfshirë edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe gjithashtu nuk ka asnjë pozitë udhëheqëse në parti.
Takimin e ka konfirmuar Krasniqi, i cili nëpërmjet mesazhit telefonik i ka thënë “Zërit” se është punë e tij që të takohet me përfaqësues të partive të ndryshme politike.

“Unë jam në politikë dhe takohem me përfaqësues të të gjitha partive politike. Sigurisht që bisedoj edhe për zhvillimet politike”, ka thënë ai, pa e specifikuar se për çfarë është biseduar gjatë takimit.

Ndërkaq, i pyetur nëse të hënën ka biseduar me Kurtin për mundësinë që pas zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike të Kosovës, ai t’i bashkohet Vetëvendosjes, Krasniqi ka thënë se kaherë është prononcuar për ndërrimin e partisë.

“Sa i përket kalimit në ndonjë parti politike, me kohë e kam dhënë përgjigjen time”, ka thënë ai.

Gazeta të mërkurën është përpjekur të marrë edhe përgjigje nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për temat që janë diskutuar gjatë takimit, por ai nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës.

Ndërkaq, bashkëpartiaku i tij, Erzen Vraniqi, i cili është zëdhënës i Vetëvendosjes, nuk e ka mohuar takimin, por gjithashtu nuk ka qenë në gjendje që të tregojë se çfarë është diskutuar, duke pohuar se nuk ka informata për takimin.

Ndryshe nga kjo, muajt e fundit Krasniqi ka ndërruar tërësisht kursin, duke e kritikuar ashpër qeverinë në fusha të ndryshme.

Kjo lëvizje e tij është parë si përafrim i tij me partinë e Albin Kurtit. Por, vetë Kurti asnjëherë nuk e ka mohuar mundësinë që ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, që në të ardhmen t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje.

Në emisionin e fundit, në Rubikon, ai ka vlerësuar se sjelljet e fundit të kryeparlamentarit kosovar janë dëshmi se ai po i rikthehet vetes së tij, dhe nuk po vazhdon të qëndrojë si “turp i huaj” brenda PDK-së. Kurti gjithashtu ka thënë se dyert e Vetëvendosjes janë të hapura, por ka mohuar se i ka bërë ftesë Krasniqit që të aderojë në partinë e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu