Kurti e quan Thaçin sadist e Isën mazohist

0
926

Albini ne Konferenc

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një tubimi me qytetarë në Viti, ka nxjerrë detaje nga takimet me liderët e LAN-it. Ai ka thënë se, gjatë takimeve të krerëve të LAN-it, Fatmir Limajn u pati treguar se Thaçi është njeri sadist, “pra ai kënaqet duke i parë të tjerët teksa vuajnë”. Por sipas Kurtit, “përderisa Thaçi qenka sadist, i bie që Isa Mustafa me gatishmërinë për nënshtrim është mazohist”.

Kurti, deri dje partner me Isa Mustafën, e akuzon këtë të fundit për tradhëti ndaj Bllokut, për çështje postesh dhe për t’u mbrojtur nga dosjet, të cilat ja ka dërguar në prokurori Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Vetëvendosje.

Në një tubim me qytetarë në Viti, Kurti ka thënë se, koalicioni LAN është prishur për çështje postesh, ndërsa ujdia e Mustafës me Thaçin është ndrequr për çështje dosjesh.

“Për pesë muaj rresht asnjërin prej 63 deputetëve që kishin formuar shumicën parlamentare as nuk i frikësoi e as nuk i bleu dot PDK-ja, por kreu i LDK-së Isa Mustafa u shit te Hashim Thaçi. Të shënojë autogol nga penaltia mund të bëjë vetëm një njeri i talentuar për dobësi si Isa Mustafa”, ka thënë Kurti.

Kurti tha që Mustafa bëri ujdi e jo marrëveshje sepse ai nuk bëri negociata para marrëveshjes, por qeveria u nda përgjysmë si plaçkë pas nënshtrimit ndaj Thaçit.

“Kjo shpejtësi e ujdisë vjen nga ato 70 lëndë në prokurori të krimit ekonomik e urbanistik të komunës së Prishtinës kur atje ishte kryetar Isa Mustafa e të cilat ambasadorja amerikane Jacobson ia futi në frigorifer për ngrirje të cekët. Dy ditë pasi që Ambasadorja amerikane iu tha krerëve të LAN-it që edhe ju jeni të korruptuar andaj s’keni pse të distancoheni nga Thaçi, ajo shkoi te u.d. i kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha, i cili është po ashtu i kapur: në njërën anë e mbajnë peng në pozitën e ushtruesit të detyrës e, në anën tjetër, vëllau i tij, Elez Hoxha, është në burg për korrupsion i dënuar me katër vjet pasi që si gjykatës ka marrë ryshfet”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes.

Kurti tha se tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e dëmtojnë Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë ndihmuar shumë në kohë lufte për çlirim por tash Ambasada Amerikane nuk po e ndihmon Kosovën në kohë paqe për zhvillim dhe demokratizim. Përkundrazi”.

Sipas Kurtit, PDK e ka poshtëruar Haradinajn dhe AAK-në.

“PDK-ja nuk e pranoi ofrimin e Ramush Haradinajt dhe të AAK-së në fillim të kësaj jave dhe kësisoj e refuzoi për së dyti atë duke e pasur për qëllim jo vetëm përdorimin e Haradinajt për shkatërrimin e LAN-it por edhe poshtërimin e Haradinajt e të AAK-së”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu