Kurti i shkruan Kuintit: Pavarësia e plotë – gënjeshtër

0
1067

Me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka shkruar letër ambasadorëve të vendeve të Kuintit.

“Do të doja të përfitoja nga ky rast për t’ju shkruar juve, si Ambasador që përfaqësoni vendet e Kuintit, për të shpjeguar me plot respekt pse ne nuk e shohim 10 shtatorin si ditë për t’u festuar, ose si përfundim të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës” thotë Kurti në fillim të letrës.

“Si gjithmonë, më lejoni të filloj duke e rikonfirmuar respektin dhe mirënjohjen tonë për ndihmën jetike që ju dhe populli juaj i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë viteve. Ne shpresojmë që ju do të vazhdoni të na ndihmoni, si mbështetës të fuqishëm të sovranitetit tonë. Duke marrë parasysh këtë, unë shpresoj se do të merrni në konsideratë komentet e mia më poshtë.

Nuk ka dyshim, ju do të prisnit që do të na gjente të kënaqur fakti që një nga katër misionet ndërkombëtare në Kosovë, me fuqi ekzekutive, i cili ishte edhe misioni i vetëm që ka njohur zyrtarisht pavarësinë tonë, është duke u larguar. Megjithatë, largimi i tij zyrtar ka pak rëndësi kur mandati i tij – zbatimi i Planit të Ahtisaarit – ka pasur efekte të përhershme dhe të dëmshme për vendin tonë”, thekson ai.

Kurti thotë se duke na parë vetëm nëpërmjet prizmit etnik, Plani i Ahtisaarit e ka institucionalizuar ndarjen etnike në vend.

“Ai ka krijuar autonomi territoriale për minoritetin serb në Kosovë, që përbën 5% të popullsisë, në 20% të territorit tonë. Ai ka krijuar kufij të tjerë autonomë përreth zonave të shumta ortodokse, të cilat i ka definuar si pronë të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Pra, ai i ka instrumentalizuar këto vende kulturore politikisht, në vend që t’i respektojë ato si trashëgimi të gjithë popullit të Kosovës, dhe duke u dhënë besimtarëve të saj të sotëm lirinë për ta përcaktuar vetveten.

Së treti, ky Plan ka dashur të transformojë identitetin e Kosovës duke e imponuar përkufizimin e tij për ne si ”shoqëri multietnike,” pa pëlqimin tonë, dhe duke e mohuar realitetin se mbi 90 për qind e popullsisë sonë është shqiptare.

Për më tepër, nuk ka shumë arsye për të festuar largimin e ICO-së, kur ndonëse kreu dhe forma e saj s’do të jenë më, tentakulat e saj do të mbeten. Në javët e fundit, siç është bërë, fatkeqësisht, praktikë standarde në Parlamentin tonë, ligje me rëndësi të madhe për vendin na janë imponuar, me udhëzime të lëshuara nga zyrtarë ndërkombëtarë për mënyrën si duhet të votojnë deputetët.

Këto ligje kanë rrënjosur praninë e përhershme të zyrtarëve ndërkombëtarë në institucionet e Kosovës, ashtu siç parashihet me Planin e Ahtisaarit. Është e paqartë se kush do t’i emërojë këta zyrtarë dhe para kujt do të jenë përgjegjës. Prania e tyre e vazhdueshme e dobëson demokracinë tonë tashmë të brishtë”, thekson lideri i Vetëvendosjes.

Ai e konsideron si një mashtrim të paturpshëm deklaratat se pavarësia e mbikëqyrur ka përfunduar. “Përveç rolit ekzekutiv të NATO-s në sigurinë dhe menaxhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe institucioneve të mbetura të UNMIK-ut në Prishtinë dhe Mitrovicë, EULEX-i është ende në Kosovë. Sipas një marrëveshjeje të re ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, misioni i EULEX-it do të jetë këtu së paku deri në vitin 2015, me mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në preambulën dhe klauzolat përkatëse të dokumentit themelues të EULEX-it, Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së 5928/08, i cili e bazon misionin e EULEX-it në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe që përcakton një seri kompetencash ekzekutive mbi institucionet e Kosovës. Për më tepër, BE-ja ende nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e nëntorit 2008 me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së lidhur me ”neutralitetin ndaj statusit” të misionit të saj”, thekson Kurti.

Pas 10 shtatorit 2012, sipas tij, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të varura nga misionet ndërkombëtare me kompetenca ekzekutive, mbi ato që u jepen Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë nëpërmjet procesit demokratik.

“Kosova do të vazhdojë të strehojë brenda kufijve të saj misione ndërkombëtare të bazuara në Rezolutën e OKB-së që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, dhe në rastin më të mirë është e definuar si ”neutrale ndaj statusit”. Përveç kësaj, ne përballemi me kërcënime të vazhdueshme ndaj sovranitetit tonë politik nga Serbia dhe me një kërcënim shumë shqetësues ndaj sovranitetit tonë ekonomik nga një proces i korruptuar i privatizimit”, thotë Kurti në letrën e tij.

Vendi, sipas tij, ndodhet në një pikë kritike në mbijetesën e shtetësisë së tij. “Nuk është koha për festime të rreme, të cilat janë duke u përdorur nga elita jonë politike e korruptuar dhe e diskredituar për të zgjatur jetën e tyre në pushtet dhe për të mashtruar mizorisht popullin tonë.

Ju falënderoj që keni gjetur kohë për ta lexuar këtë letër dhe ju lus që të mendoni shumë seriozisht se si mund të ndihmoni në konsolidimin e sovranitetit dhe integritetit tonë territorial në muajt e ardhshëm, pa kërkuar kompromise të tjera dhe të shtrenjta nga Kosova”, thekson ai.

Kurti në fund lutë ambasadorët që nëse dëshirojnë të diskutojnë më tej në lidhje me këto komente, të mos hezitojnë që ta kontaktojnë. /rtk/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu