Kurti: Ka marrëveshje të gatshme mes Thaçit e Vuçiqit

0
224
Kurti: Ka marrëveshje të gatshme mes Thaçit e Vuçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse ka kohë që s’ka pasur dialog mes Kosovës dhe Serbisë, negociatat sekrete mes dy presidentëve, Thaçit dhe Vuçiqit, nuk janë ndalur. Kësisoj, Kurti pretendon se në mes tyre ka një marrëveshje të gatshme, të cilën për ta jetësuar duan ta përjashtojnë kryeministrin nga dialogu. Mirëpo për presidentin Thaçi këto janë gënjeshtra, të cilat vijnë nga një njeri që s’ka dinjitet dhe synon prishjen e aleancës Kosovë – SHBA, shkruan sot gazeta Zëri.

Dje Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me paralajmërimet e disa senatorëve amerikanë për tërheqje të trupave amerikane nga Kosova nëse shteti nuk e heq tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe. Kjo seancë është mbajtur me inicimin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila në kërkesën e saj ka theksuar se marrëdhëniet diplomatike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në rrezik, për shkak të qasjes shpërfillëse e joserioze të kryeministrit të Kosovës. Kësisoj në seancë, ndonëse jo krejt unanimisht nga opozita, kryeministrit Albin Kurti i është kërkuar ta heqë tarifën 100 për qind plotësisht dhe menjëherë, ashtu siç po kërkon SHBA-ja. Kërkesë të njëjtë ka pasur edhe partneri i koalicionit qeverisës, LDK-ja. Mirëpo kryeministri tha se heqja e taksës plotësisht e pa reciprocitet do të kishte indikacione të tjera. Ai deklaroi se edhe me heqje të taksës nuk do të ketë fillim të dialogut, por përmbyllje të tij, meqë pretendon se deri më tash presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq e kanë përgatitur marrëveshjen përfundimtare në negociatat sekrete, që kanë pasur gjatë kohës sa në publik dihej që nuk kishte dialog mes palëve. “Midis dy presidentëve, unë jam i bindur se ka marrëveshje të gatshme dhe ajo që po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë si kryeministër, në mënyrë që të marrë fuqi ai që në emër të Kosovës, në negociata sekrete ka bërë marrëveshje, që tash të gatshme do ta servojë, jo për të filluar dialog, por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog. Nga shoqërimi për dy vjet e gjysmë në sofrën e shkëmbimit territorial ka dalë një ujdi aty”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Serbia po kërkon që në dialog të ketë një përfaqësues e që ai të jetë Thaçi, Kurti thekson se po bëhen përpjekje kundër tij që ta përjashtojnë nga dialogu dhe përgjegjësia e përmbylljes së këtij procesi t’i lihet në dorë presidentit. “E keni vërejtur se çfarë po thotë presidenti i Serbisë: Me kë të negocioj unë, me Kurtin në Bruksel apo me Thaçin në Uashington? Me fjalë të tjera, ai po u thotë edhe faktorëve ndërkombëtarë, por edhe Kosovës: përcaktojeni cili. E për t’u përcaktuar ky i dyti në Uashington kërkohet që paraprakisht të thyhet ky i pari në Prishtinë. Kjo është e thjeshtë, nuk është e komplikuar. Pra, duhet të thyhet kurrizi i kësaj Qeverie, unë si kryeministër i ri, dhe më pastaj të thuhet në rregull, presidenti fitoi, marrëveshja në tavolinë dhe shampanja prapa”, ka deklaruar kryeministri.

Mirëpo ai ka theksuar se u ka thënë jo këtyre strategjive. Ai potencoi se është pro Amerikës e pro Evropës dhe se do ta ruajë partneritetin me to, porse taksën do ta heqë gradualisht e në po të njëjtën mënyrë do ta vendosë edhe reciprocitetin. “Mbajtja e tarifës 100 për qind siç është tash pa reciprocitet është pozicion ekstrem. Edhe heqja e plotë dhe e menjëhershme pa e vendosur reciprocitetin është pozicion ekstrem. Këto të dyja janë ekstreme e ne nuk e duam ekstremizmin. Unë jam i bindur se ka një qëndrim normal e ky është zëvendësimi i tarifës 100% me reciprocitetin”, ka thënë Kurti.

Kuvendi me debat 8 orësh diskuton marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në

Në seancën për raportet SHBA – Kosovë opozita e akuzoi kryeministrin Kurti se e ka vënë në rrezik partneritetin me Amerikën. Madje lideri i PDK-së, Kadri Veseli, tha se qeveria aktuale e Kosovës është bërë kundërshtarja më e madhe e Amerikës. Ai ka thënë se për një kohë të shkurtër qeveria “Kurti” ka sjellë frikë, paqartësi e dilema shtetërore. “Rruga që keni zgjedhur, duke e ndarë popullin në dysh – në amerikan dhe antiamerikan, po rrezikon vërtet ta bëjë çarjen e kohezionit tonë shoqëror në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A mund të na tregoni – çfarë po synoni të arrini me këtë qasje?”, ka pyetur Veseli.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë se qeveria aktuale nuk ka unitet në çështjet e rëndësishme të vendit. “Kosova po rrezikon partneritetin me SHBA-në dhe kjo s’është vetëm perceptim, por është situatë e prekshme. Partnerët e koalicionit LVV – LDK s’kanë qëndrime të njëjta për taksën, as për dialogun e as për reciprocitetin shumë të përfolur të Albin Kurtit”, tha Selmanaj.

Ndërkaq kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga Qeveria që sa më parë të marrë një qëndrim për tarifën 100 për qind.

Në këtë seancë kërkesë ndaj kryeministrit për heqje të taksës pati edhe partneri i koalicionit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kërkoi nga Kurti që menjëherë ta heqë taksën dhe atë plotësisht. “Kërkoj nga kryeministri ta heqë sa më parë tarifën plotësisht. Kryeministër, ne këtu presim veprime dhe e ke mbështetjen e plotë të LDK-së. Askush s’mund të të etiketojë si frikacak, se je dorëzuar për shkak të presionit amerikan. Këtë gur në qafë e ke trashëguar dhe nuk ke pse ta mbash”, ka thënë Gashi.

Në fillim të seancës shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në emër të partisë së tij dhe në emër të LDK-së u ka propozuar deputetëve për votim një rezolutë, e cila do ta autorizonte Qeverinë të bëjë përgatitje për negociata me Serbinë. Në rezolutën e propozuar shkruhet se Kosova është e përkushtuar për bisedime politike mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rezultojë me njohje reciproke. Në pikën e dytë shkruhet askush nuk ka të drejtë të bisedojë, të dialogojë ose të negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës. Dhe në pikën e tretë të rezolutës theksohet se në përputhje me Kushtetutën e Republikës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Qeveria është ajo, e cila duhet t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë.

Seanca ka zgjatur për më shumë se 7 orë. Draftrezoluta e LVV-së dhe e LDK-së nuk ka arritur të miratohet. /ZERI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu