Kurti kërkon ndërprerjen e bisedimeve

0
615

Kryetari i “Lëvizjes Vetëvendosje”, Albin Kurti ka kërkuar ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti ka folur për zhvillimet në Veri të vendit përderisa për bisedimet me Serbinë ai ka thënë se ato janë bisedime të padrejta dhe joparimore, nga të cilët fiton Serbia.

“Politikës qeveritare iu deshën më shumë se 12 vjet që ta urdhërojë policinë të shkojë në veri, dhe më pak se 12 orë që ta urdhërojë kthimin e saj prej andej. Mendoj se kryeministri Thaçi nuk ishte as serioz, e as i sinqertë për ndërmarrjen në veri. Nuk ishte serioz sepse ai nuk pati një plan me shumë hapa, por vetëm një hap pa plan”, tha Kurti në këtë intervistë.

Sipas tij, veprimet në veri nuk kanë pasur strategji. Ai thotë se në vend që të kishte një plan strategji shtetëror, Thaçi bëri vetëm një hap taktik. “Me këtë mënyrën e tij, kryeministri Thaçi po fiton kohë për pushtetin e tij dhe ne po humbim hapësirë për shtetin tonë”, thotë ai.

Për Kurtin, faktori ndërkombëtarë e mbështet Kosovën vetëm kur Kosova lëviz dhe ecë përpara. “Nëse ne ecim dhe lëvizim, atëherë ata na vinë nga pas dhe na mbështesin, kush më shumë, e kush më pak. Mirëpo, nëse ne ngecim, atëherë faktorët ndërkombëtarë na shtypin nga lart”.

Në fund, ai mendon se zgjidhja më e mirë dhe më e shpejt për veriun është ndërprerja e bisedimeve. “Mendoj që menjëherë duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet me Serbinë, sepse bisedimet pa kushte me Serbinë janë bisedime të padrejta dhe joparimore, nga të cilat fiton Serbia, dhe në vend të kësaj, duhet që Qeveria e Kosovës t’i aktivizojë të gjitha resurset, instrumentet, mekanizmat shtetërorë, që ta shtrijë sovranitetin, integritetin e kufijve dhe integritetin territorial në veri të Kosovës”.

Ai beson se për këtë do të ndihmojnë edhe shtetet mike, që e kanë njohur Kosovën, sidomos Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së.

“Për këtë arsye do të duhej të kombinohen metodat, në njërën anë ato të shtetit të Kosovës, në kuptimin e policisë, gjyqësisë, të Doganave të Republikës së Kosovës, mbi të gjitha të njësive speciale dhe të FSK-së, dhe në anën tjetër, nëpërmjet metodave socio-ekonomike, të cilat do të shpalosnin edhe një program zhvillimor për veriun nga Qeveria në Prishtinë”.

Kurti mendon se Qeveria dhe institucionet shtetërore të Kosovës duhet të kuptojnë se ka rreth katër mijë shqiptarë të jetojnë të rrezikuar në Veri. Pozita e tyre do të duhej të forcohej nëpërmjet lehtësimeve dhe përparësive në shëndetësi, në arsim, në punësim dhe po ashtu edhe nëpërmjet rivitalizimit të kompleksit “Trepça”, thotë tutje Kurti.

Për fillimin e bisedimeve me dy shtator Kurti mendon se veriu është një çështje e brendshme e Kosovës. “Mendoj se duke i bërë çështjet e brendshme të Kosovës tema të negociatave me Serbinë, rezultati do të jetë afrimi i Serbisë me Bashkimin Evropian dhe afrimi i veriut të Kosovës me Serbinë. Këto bisedime menjëherë duhet të ndërpriten dhe duhet që Kosova t’i kthehet vetes si shtet, si shoqëri, në mënyrë që të bëhemi ashtu siç jemi shpallur – pra, të pavarur dhe sovranë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu