Kurti KGJK-së e KPK-së për rastin e dhunimit të 11-vjeçares: Ku është morali juaj ?

0
62

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka kritikuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe heshtjen e tyre karshi rastit të dyshuar të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se edhe pse në ditën e tretë pas protestave u kërkua shkarkimi i gjykatësve që kanë dhënë dënime të ulëta për raste të ngjashme dhe të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve, megjithatë këto dy institucione nuk e kanë thënë as edhe një fjalë, raporton Zeri.info.

Ai ka përmendur edhe disa largime që kanë ndodhur brenda Policisë së Kosovës menjëherë pas rastit të dhunimit të së miturës nga pesë persona, megjithatë pyet gjykatësit dhe prokurorët se ku është “morali” i tyre.

Postimi i plotë:

Nuk mjaftojnë dy dorëheqje

Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare.

Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.

Policia e Kosovës është duke operacionalizuar Policimin në Bashkësi. Do të fillojnë shumë shpejt në lagjet e kryeqytetit, për t’u shtrirë më pas në komunat tjera të Republikës. Kontaktet e afërta të Policisë me qytetarin shtojnë parandalimin e krimeve si dhe ngrenë cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?

Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.

Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve.

Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor.

Sot është dita e tretë, ndërsa KGJK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin.

Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.

Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu