Kurti: Qeverisë i kanë rënë të gjitha maskat

0
649

Qeveria aktuale po ia kushtëzon vetes rënien shpejtë dhe rapide. Kjo Qeveri nuk dëshiron dhe as që mund të bie ngadalë. Të gjitha maskat i kanë rënë kësaj Qeverie. Ne duhet të bëjmë që të bie edhe perdja e kësaj shfaqje makabër. Pra, maskat kanë rënë. Tash, perdja duhet të bie. Kështu tha sot lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti në mbledhjen e pestë të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Ai tha se “Vetëvendosje” ka dëshmuar se i ka aftësitë politike dhe intelektuale të mëdha dhe vullnetin subjektiv të paepur, edhe atëherë kur mundësitë objektivisht janë të vogla. “Si gjithnjë: nuk kemi devijuar dhe nuk jemi ndalur. Koncepti ynë politik na mban në rrugë të drejtë kurse nismat tona të vazhdueshme na mbajnë aktiv”, tha ai. Sipas tij në ditët e sotme pak politikanë shqiptarë në Kosovë i kthehen të kaluarës dhe të ardhmes, kombit dhe gjenocidit mbi të, bashkimit kombëtar të shqiptarëve, porse e bëjnë këtë vetëm atëherë kur ndonjëri prej fqinjëve tanë kërcënon shqiptarët apo ushtron dhunë ndaj tyre. Sipas kreut të VV-së, këta politikanë iu thonë atyre fqinjëve: ‘rrini rehat e na lini rehat se mirë jemi’, që sipas Kurtit kjo është shumë pak, shumë vonë dhe jo pak e gabueshme!”.
“Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i nevojshëm, i domosdoshëm porse edhe i pashmangshëm. I nevojshëm sepse është çështje interesi, i domosdoshëm sepse është çështje vullneti dhe i pashmangshëm sepse edhe nëse ne heqim dorë nga bashkimi kombëtar, ne kemi fqinjë që nuk do të ndalen me aspiratat e tyre hegjemoniste deri në bashkimin e shqiptarëve. Prandaj, le ta duam shqiptarinë nga vullneti e nga interesi që të mos vie puna ta duam veçse prej zorit”, tha Kurti.

Regjimi në Kosovë po egërsohet

Bashkimi Evropian e mbështeti ish kandidatin për President të Serbisë, Tadiq, teksa ky radikalizohej, tha Kurti, andaj sipas tij rezultati i zgjedhjeve ishte radikali Nikoliq. Kreu i ‘Vetëvendosjes”, tha se në vend se të na propozojnë vazhdim të bisedimeve me Serbinë, për çështje të brendshme të Kosovës e pa kurrfarë parakushtesh për Serbinë, Brukseli do të duhej ta bënte një tërheqje strategjike, të rimendojë e të mendojë për ta ndryshuar edhe qasjen edhe paradigmën për Kosovën dhe Ballkanin perëndimor. “Kosova dhe shqiptarët janë për anëtarësim e integrim në BE, për të qenë të barabartë e të lirë bashkë me kombet tjera, për të pasur drejtësi, por jo kështu të ftohemi kryesisht për bisedime me Serbinë e koncesione ndaj saj”, theksoi Kurti. Ai tha se Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat dhe një regjim nacional-shovinist e radikal në pushtet, ndërkaq, në anën tjetër, Kosova fitoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, duke thënë se qytetarëve të Kosovës nuk iu nevojitet udhëtimi jashtë vendit më aprë se vendi i punës në Kosovë. Prandaj, sipas tij nuk mund të jetë liberalizimi i vizave prioritet as i politikës së brendshme e as i politikës së jashtme. “Udhëtimi i të papunëve është udhëtim për punë (që zakonisht s’do të gjendet). Puna vjen para udhëtimit, sepse asisoj edhe udhëtimi është shumë më i mirë”. “Regjimi në Kosovë po egërsohet. Të palarat e tyre po duken, sepse po dalin, sheshit. Kurrë më parë nuk kemi pasur gënjeshtra të pabesueshme sikurse kohëve të fundit. Prej të ashtuquajturës vetëvrasje të Dino Asanajt e deri te mbrojtja e prodhimit vendor grek (sic.). Është bërë shumë e vështirë ta demaskosh regjimin në Kosovë. Jo pse ka maskë të trashë, por pse i ka rënë ajo. Fytyra e këtij regjimi është ajo që e ka thënë gjithmonë Lëvizja jonë: një pushtet i uzurpuar që uzurpon, një politikë e pazareve ditore që e shet vendin edhe natën. Pushteti në demokraci duhet t’ia vë shtetin në shërbim qytetarëve, e jo sikurse tash, jo sikurse këtu, t’ua kundërvë shtetin atyre”, tha Kurti.Sipas kreut të VV-së, qeveritarët nuk janë në pushtet pse mendojnë apo pse bëjnë, por sipas tij janë në pushtet pse s’mendojnë dhe pse dëgjojnë çfarë duhet të bëjnë, duke thënë se në këtë mënyrë nuk sillen as fëmijët. “Nuk është populli i Kosovës fëmijë, por këta politikanë që më shumë me gojë hapur sesa me veshë hapur e dëgjojnë ambasadorin amerikan, Dell, dhe ndërmjetësin e bisedimeve me Serbinë, Kuper”, deklaroi Kurti.

Kryeministri dhe ‘vëllezërit biologjikë’ mund ta blejnë Distribucionin e Kosovës

Qeveritarët kosovarë tha ai akuzojnë e shpifin për VV-në, por Kurti tha se ata le të flasin sa të duan, por veprimet e tyre i bëjnë ata kriminelë. “Të shitet Distribucioni i KEK-ut për 26,3 milionë euro dhe të bllokohet Shqipëria, të takohesh me Tadiqin me aq lehtësi dhe të thuash që takohem edhe me Nikoliqin, është krim ndaj këtij vendi e ndaj këtij populli. Këto janë struktura kriminale që i ka formuar krimi strukturor i pazareve me Serbinë dhe i privatizimeve të egra. Janë me dhjetëra qeveritarë dhe miq të tyre biznesmenë që vetë i kanë paratë për ta blerë Distribucionin e KEK-ut nëse ai na u dashka shitur për 26 milionë euro! Kryeministri i Kosovës me vëllezërit e tij (vëllezërit biologjikë e kam fjalën) ka mundur ta blejë Distribucionin e Kosovës për 26 milionë euro! Pse këta nuk e blenë vetë se edhe ashtu më shumë janë biznesmenë sesa politikanë?! Apo, ndoshta këta më shumë besojnë te konzorciumi Çalik-Limak sesa te vetja e tyre?! Por, nëse është kështu, atëherë le të japin dorëheqje se nuk e kanë vendin aty. Tashmë është e qartë që këta politikanë kanë borxhe personale që po i lajnë me pasurinë publike”, tha më tej në fjalën e tij Kurti. Ai tha se idealizmi i Lëvizjes është racional, kurse realizmi qeveritar është iracional. “Ne kemi programin tonë politik që do ta thellojmë me programin qeverisës të bazuar në dy shtylla: Shteti Zhvillimor për Mirëqenie dhe Shteti i së Drejtës për Bashkim. Njëkohësisht, le ta kultivojmë angazhimin dhe aktivitetin: jo dinakëri e urtësi konspirative, por vullnet dhe punë. Kjo na duhet neve. Kjo iu duhet të gjithë shqiptarëve”, theksoi lideri i “Vetëvendosjes”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu