Kurti:”VV”, do të ofroj shërbim shëndetësor më ndryshe

0
947
Albin Kurti
Albin Kurti

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka premtuar se me qeverisjen e “VV-së”, shërbimi shëndetësor do të jetë më ndryshe. Këto komente Kurti i bëri sot në një konferencë për medie.

Sipas tij deri më tani ky shërbim ka qenë në gjendje të mjerueshme, mirëpo, ai premton se qeverisja e tij e ardhshme do të angazhohet për një sektor të fortë publik që u përgjigjet nevojave të qytetarëve të Kosovës pa dallim. Sipas tij problematika e këtij sektori për ekipin qeverisës të “VV-së”, është financimi joadekuat i këtij sektori, menaxhimi i dobët i sistemit shëndetësor dhe zhvillimi joadekuat i burimeve njerëzore.

Kurti ka thënë se, pacientët janë të pakënaqur me shërbimet shëndetësore në sektorin publik dhe shumë prej tyre orientohen në sektorin privat ose detyrohen të shkojnë për shërim jashtë vendit si pasojë e humbjes së besimit në institucionet vendore.

“Do të bëjmë dyfishimin e numrit të inspektorëve shëndetësorë, duke garantuar edhe rritjen e buxhetit të brendshëm të Inspektoriatit Shëndetësor të Kosovës”, ka thënë Kurti, duke shtuar se do të themelohet edhe Agjencia Shtetërore e Shëndetësisë.

Në konferencë u fol edhe për funksionalizimin e 7 spitaleve rajonale, si dhe zbatimin e strategjisë legjislative për rimëkëmbjen e shëndetësisë me zbatimin e përpiktë Ligjit për Sistemin Shëndetësor, Ligjit për Sigurime Shëndetësore, Ligjit për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Profesionistëve Shëndetësorë, Ligjit për Sistemin Informativ Shëndetësor, Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore Kombëtare dhe Ligjit për Qarkullimin e Produkteve Medicinale.

Ndërkaq, në kuadër të farmacisë qytetarëve do t’u ofrohet qasje e lehtë, zgjerim i listës së barnave esenciale, çmim i arsyeshëm dhe cilësi e garantuar.

Po ashtu, në këtë konferencë u tha se do të shmangen konfliktet aktuale të interesit do të punohet për një ndarje më të qartë të sektorit publik dhe atij privat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu