Kusari-Lila: “Luftë speciale” e Lekajt

0
738

Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se një nëndegë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjakovë, do t’i bashkëngjitet partisë së saj, por ka shtuar se detajet se cila është kjo nëndegë do të jepen gjatë ditës së hënë, kur edhe do të bëhet zyrtarizimi i këtij kalimit.

“Një nëndegë e AAK-së është duke e bërë shkëputjen përfundimtare nga ajo parti për t’iu bashkuar AKR-së, si një subjekt ku ata e shohin potencialin për një qeverisje më të mirë”, ka thënë ajo.

Këtë deklaratë, Kusari-Lila e ka bërë të dielën gjatë një konference për gazetarë, qëllimi i së cilës në fakt ka qenë një temë krejtësisht tjetër. Ajo ka drejtuar akuza drejt kundërkandidatit të saj Pal Lekaj dhe bashkëpunëtorëve të tij, për, siç ka thënë ajo, gjuhën fyese, denigruese e mbi të gjitha përçarëse që Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë filluar ta përdorin këtyre ditëve.

“Gjuha ofenduese dhe propaganda që është duke dominuar këto ditë në komunën e Gjakovës, konsideroj që së pari nuk i bën nder kryetarit në largim. Qasja që është duke e shfrytëzuar ky kryetar në ushqimin e frymës ndarëse, në shpërndarjen e propagandës se kinse nëse zgjidhem unë si kryetare e komunës nuk do të lejoj përfaqësuesit e fshatrave të hyjnë në qytet, me të vërtetë është për keqardhje dhe u bën dëm gjithë banorëve të Komunës së Gjakovës. Programi ynë ka një qasje të përgjithshme zhvillimore dhe kjo qasje pas 1 dhjetorit do të përkthehet me punë në të gjitha anët e komunës së Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo është shprehur e bindur se kjo “luftë speciale” e drejtuar kundër saj është luftë e pavlerë dhe kjo do të dëshmohet edhe më 1 dhjetor, kur në garën e balotazhit do të ketë mbështetje të fuqishme dhe pa dallime regjionale.

“Po shihet se kemi një mbështetje të elektoralit nga të gjitha viset dhe jam e kënaqur që elektorati nuk po bije pre e këtyre dezinformatave dhe kësaj propaganda shumë të ulët për interesa shumë të ngushta të një qeverisje të dështuar. Ne fokusohemi në qeverisje dhe rezultatet e qeverisjes dhe jo në sulme individuale e karakterizime e ofendime personale, siç po bën tabori i kryetarit në largim”, ka vazhduar ajo.

Ndryshe, Kusari-Lila ka shtuar se në Gjakovë është ngritur një frymë e mirë e bashkëpunimit ndërpartiak, bashkëpunim i cili e ka për synim vetëm një gjë – ndryshimin për të mirën e qytetarëve të komunës së Gjakovës.

“AKR-ja do të jetë bashkë me të gjitha subjektet politike që duan ndryshime dhe që nuk janë pjesë e qeverisjes së tashmë lokale. Ne jemi në bisedime me PDK-në, LDK-në dhe PDKI-në dhe sipas të gjitha gjasave kjo do të jetë formula e qeverisjes së ardhshme. Por, ajo që ka rëndësi është se ne nuk dëshirojmë që ta bëjmë këtë punë çështje pazaresh, por dëshirojmë marrëveshje të sinqertë programore. Nuk ka të bëj vetëm me ndërrime të njerëzve nëpër poste, nuk ka të bëjë me pozicione por ka të bëj me formën komplet të qeverisjes dhe vlerat të cilat i kanë munguar qeverisjes së deritashme”, ka përfunduar ajo.

 

Nga: Artan Z. Haraqia

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu