Kush do ta presë në Prishtinë Edi Ramën (ose një portret i paautorizuar i kryeministrit të ri të Kosovës)

0
796

Isa ne Gazeten Dita

Më në fund në Kosovë kemi një qeveri të re e cila, si një tortë pushteti, është e ndarë në dy pjesë të mëdha; njëra i përket Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa tjetra shemrës së saj politike, Lidhjes Demokratike. Pjesëza të saj, sipas përcaktimit kushtetues të ndërtimit të qeverisë, u janë dhënë minoriteteve, nga të cilat oreksin më të madh e ka minoriteti serb.

Është një qeveri krejt tjetër nga të mëparshmet, të paktën në dukjen e parë në lidhje me shtetin shqiptar. Gjysma e kësaj qeverie janë kundërshtarë të forcës qeverisëse në Shqipëri, dhe mëria e tyre ka shkuar aq larg, sa që në herën e parë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në foltoren e parlamentit të Kosovës, thuajse të gjithë këta, duke u paraprirë Isa Mustafa, dolën jashtë dhe nuk denjuan as të dëgjonin. Kjo mëri është e hershme, ajo nuk ka lindur sot dhe po ashtu, nuk ka asnjë shkak të dukshëm. Lidhja Demokratike, që në fillim bëri zgjedhjen e saj politike drejt PD-së, dhe sado që më vonë shefi i saj, Rugova, ishte i mëritur me Berishën dhe ndërprenë çdo urë lidhjeje mes tyre, mëria me socialistët mbeti njëlloj si më parë. A do të jetë ajo ende e pranishme në ndërlidhjet mes dy shteteve, të cilët, edhe pse të ndarë, kanë aspirata të përbashkëta? Në fund të fundit, cili do të jetë njeriu që do të mund të presë në një të ardhme, ndoshta të largët, shefin e qeverisë shqiptare Edi Rama?

Edi Rama është një njeri i politikës që e kërkon me ngulm Kosovën në mendimin e tij politik. Ai ka shkuar atje pa asnjë lloj paragjykimi dhe duke mos mbartur asgjë nga mëria e dikurshme. Sidomos pas vizitës së tij në Beograd, rejtingu i tij politik në Kosovë është rritur ndjeshëm, por jam i bindur se ai nuk e ka bërë për këtë. Ai, edhe sikur ta dijë se nuk do të jetë kurrë i mirëpritur nga qeveria e sotme, do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim. Dhe, duke pasur këtë mendësi, do të thoja krejtësisht moderne, ai ende pa u bërë betimi i qeverisë së re të Kosovës, i drejtoi urimet shefit analog në Prishtinë dhe i dërgoi ftesën e dyerve të hapura për të. Megjithëse ftesës ende nuk i është përgjigjur askush. Në të vërtetë, kush janë ata që do mund ta presin në Prishtinë Edi Ramën, apo cilët do të mund të jenë në pranishëm në Tiranë?

 

Është një koinçidencë e pazakontë në historinë e ndërtimit të një qeverie, qoftë edhe të një vendi të porsadalë nga lufta. Kryeministri i ri i Kosovës quhet Isa Mustafa, dhe data 8 dhjetor është dy herë data e betimit të tij qeveritar.

Më datën 8 dhjetor të vitit 1989, ai ka bërë betimin e parë, pranë ish shefit të UDB-së në Kosovë, Rrahman Morina, atëherë në cilësinë e shefit të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një filial i Lidhjes Komuniste të Serbisë.

Për ata që nuk janë të njohur sadopak me ngjarjet në Kosovë, nëntori i vitit 1989 është një nga muajt më përvëlues të regjimit serb në Kosovë. Në të vërtetë, i gjithë ky vit do të jetë i tillë. Lëvizja çlirimtare kishte bërë të mundur shpërthimin e demonstratave masive, të lëvizjeve të mëdha popullore, të cilat do të mbanin zgjuar motivin e qëndresës. Në përleshjet me policinë serbe ishin vrarë 37 demonstrues, mes tyre edhe liderët e lëvizjes çlirimtare, Afrim Zhitia dhe Fahri Fasliu, dhe qeverisë serbe, si kurrë më parë, i duhej një ndryshim i pazakontë i kuadrove drejtues dhe ndërtimit të një qeverie sa më besnike ndaj saj. Dhe ndërtoi një qeveri të re për Kosovën, anëtar i së cilës do të jetë edhe Isa Mustafa.

Betimi i qeverisë së re të Kosovës, në të cilën është ministër edhe Isa Mustafa, do të bëhet më 8 dhjetor para kryetarit të Kuvendit të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, serbit Gjorgje Bozhoviq, dhe kryetarit të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, Rrahman Morina. Isa Mustafa është njëri nga ministrat që do të betohen se do të angazhohen fuqimisht në “luftimin e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar dhe kthimin e serbo-malazezëve të shpërngulur nga Kosova” (Rilindja, 9 dhjetor 1989).

 

Përsëri më 8 dhjetor, por tani 25 vite më pas, Isa Mustafa do të betohet si shefi i ri i qeverisë së Kosovës. Ka shkuar një periudhë e gjatë kohe, në të cilën, herë pas here, pa qenë protagonist, është shfaqur edhe portreti politik e financiar i Isa Mustafës, njeriu që një ditë të nesërme do të mund të presë në Prishtinë shefin e qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama.

Rruga politike e Isa Mustafës nuk ka qenë ndryshe nga ajo që kanë pasur besnikët e tjerë të regjimit të Beogradit. Zemërimi i tij ndaj profesor Qosjes, sidomos budallallëku politik se “ti qëndrove nëntë vite në Prishtinë” më shumë se sa profesorin e nderuar, mund të determinojë mbi jetën politike të ish kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, që po ashtu, qëndroi në Kosovë, duke mbajtur çdo të premte konferenca shtypi, e jo vetëm i paprekur nga shërbimi sekret serb, por rreptësisht nën mbrojtjen e tij.

Rruga politike e Isa Mustafës merr një formëzim më të dukshëm në majin e vitit 1980, kur, në sajë të përkushtimit të tij politik në forumet rinore, ai zgjidhet si i pari kryetar me mandat njëvjeçar i Kryesisë së Konferencës Krahinore të Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës, një lloj Komiteti Qendror i Rinisë që ishte tek ne. Me këtë cilësim, në 4 maj 1980, pak ditë pas vdekjes së Titos, në një intervistë në “Zëri i Rinisë” ai do të nënvizonte se “Tito nuk do të jetë fizikisht para nesh, por ai mbeti në tërë qenien tonë”. Ndërsa më 7 mars 1981, pak ditë para fillimit të ngjarjeve të marsit 1981, ai pa mëdyshje thekson se “Mendoj se me sukses po përmbushen nga rinia detyrat nga Konferenca e Tretë e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë”. Ky ishte besimi i tij, pasi si komunist, ai kishte përcaktuar rrugën e tij.

Pas ngjarjeve të vitit 1981, pushteti serb, i instaluar me dhunën e tankeve në Kosovë, do të ndërtojë në majin e këtij viti, një organ të dhunshëm 5 anëtarësh, i quajtur “Organi i përkohshëm i studentëve të Kosovës”, dhe mes kësaj “pesësheje”, do të jetë edhe Isa Mustafa, tashmë si një nga njerëzit e besuar të regjimit serb. Kishte filluar koha e diferencimit, dhe në këtë fazë të parë, regjimi serb do të vendosë në pikat kyçe të debatit dhe të vendimmarrjes njerëzit më besnikë, njëkohësisht më kurrizdalë.

 

Që nga ky moment ka filluar edhe rrugëtimi politik i sferave të larta për Isa Mustafën. Tashmë ai nuk është një figurë e zakonshme, por njëri ndër ata që do të jenë të pranishëm në jetën politike të çdo çasti në Kosovë, që nga gjërat e vogla dhe deri tek vendimet e mëdha. Jo rastësisht, në vitin 1984 ai do të zgjidhet për herë të parë kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës, ku përfshiheshin edhe komunat e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Novobërdës, dhe si i tillë ai bëhet menjëherë njëri ndër njerëzit më të fuqishëm të Kosovës. Do të ishte naive deri në thellësi të mendohej se pushteti serb, tashmë i instaluar fuqishëm në Kosovë, do të kishte lejuar që një njeri si Mustafa, të jetë në qendrën e pushtetit kryeqytetas dhe të ketë ide irredentiste apo nacionaliste, të aspironte për republikën e Kosovës dhe për mëvetësinë e saj. Ai do të japë herë pas here shenjat e besnikërisë së tij. Në të përditshmen “Rilindja”, 6 shtator 1986, ai do të nënvizojë se “Prishtina mobilizohet për vënien në jetë të konkluzave të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë”,

Vendosja e tij në drejtimin e Prishtinës dhe përfshirja e Fushë Kosovës, qendra e nacionalizmit të egër serb, nën këtë administrim, është më tepër për t’u krijuar hapësirë atyre. Dhe në fakt, nën drejtimin pushtetor të Mustafës, në Fushë Kosovë krijohet një bastion i egër nacionalist serb, i drejtuar nga Kosta Bullatoviq, Mirosllav Sholeviq, Zoran Grujiq, Boshko Budimiroviq, bastion i cili, më pas do të jetë edhe qendra e revanshizmit ndaj shqiptarëve në ato rrethina.

Në fillimin e vitit 1986, Sllobodan Millosheviq, nga kryetar i Komitetit të Lidhjes Komuniste të Beogradit bëhet kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë. Është njëra ndër lëvizjet më dramatike në Ballkan, pasojë e së cilës do të jenë tri luftëra të përgjakshme, Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe një luftë e porsafilluar në Slloveni.

Pikërisht në këtë kohë, përmes miratimit të strukturave partiake, Isa Mustafës i besohet mandati i dytë i kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës.

 

Janë të njohura ngjarjet dramatike të ndodhura në Kosovë, sidomos forca e vendosur në heqjen e autonomisë dhe në vendosjen e Kosovës nën kufizimet juridike, politike e policore të Serbisë. Por jo çdo gjë, për fat të keq, është bërë vetëm nga jashtë. Shteti serb ka gjetur në Kosovë, në jo pak raste, edhe njerëzit e tij të devotshëm për të shërbyer, dhe përmes tyre ka bërë të mundur që dhuna të paraqitet si dëshirë, që forca të duket si dëshirë. Edhe për heqjen e autonomisë së Kosovës duhej një gjetur një Komision Kushtetues, i cili pasi të “punonte”, të arrinte në përfundimin se heqja e autonomisë nuk i prekte të drejtat e Kosovës. Në vitin 1989, Isa Mustafa, njëri ndër “ekspertët” komunistë, si drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror, do të jetë anëtar i Komisionit për ndryshimet kushtetuese dhe në njërën nga shfaqjet e tij mediatike, ai do të afishohet pro Amendamentit 33, pika 12, me nënpikat 1 dhe 2, “për mbrojtjen e hapësirës me interes të përbashkët për Republikën e Serbisë në tërësi”. (Rilindja, 22 mars 1989)

Kur Mustafa bënte këtë deklarim, gjëma ishte bërë, ajo do të donte një det gjaku që të zhbëhej. Por nuk do të ishte asnjë pikë gjak nga ai i llojit të Mustafës. Ishte bërë gjëma, sepse:

Sipas propozimit të Komisionit Kushtetues të Kosovës, anëtar i së cilës, njëkohësisht “ekspert”, ishte edhe Isa Mustafa, më 14 mars 1989, dy kryesitë e Kosovës, Komiteti Krahinor dhe Kryesia e Kosovës, bëjnë publik vendimin e tyre se “përkrahin plotësisht amendamentet për Kushtetutën e Republikës Socialiste të Serbisë, në të cilat mundësohet që republika Socialiste e Serbisë të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e veta të domosdoshme në tërë territorin e Kosovës”. (Rilindja, 15 mars 1989).

Çdo gjë shkon sipas programit thellësisht ultra-nacionalist serb. me 23 mars 1989, në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, “delegatët” miratuan ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe bërjen e Serbisë unike. Isa Mustafa ishte në këtë kohë njëri ndër funksionarët më të lartë të Lidhjes Komuniste të Kosovës.

Më 1 prill 1989 Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës mori vendimin për “qëndrime substanciale në diferencimin ideo-politik në të gjithë segmentet e jetës në Kosovë”. Pjesë e ndërmarrjes së këtij vendimi është edhe Isa Mustafa, njëri ndër më të besuarit e strukturave të larta partiake dhe dorë e tyre në luftimin e irrendentizmit dhe nacionalizmit shqiptar.

Me një vendim të posaçëm të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, komunistët më besnikë duhej të avancoheshin në pozita më të larta të pushtetit. Mes tyre do të jetë edhe Isa Mustafa, që emërohet sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor, në qeverinë e drejtuar nga Jusuf Zejnullahu dhe e miratuar nga Rrahman Morina.

Është 4 dhjetor 1989 kur bëhet emërimi i tij. Më 8 dhjetor do të bëjë betimin. Pushteti serb në Kosovë po përgatitet për të sunduar me dorë të hekurt. Janë një pafundësi vendimesh të marra me vrull për shuarjen e çdo rezistence. Në Kosovë ka filluar edhe një herë ringritja e lëvizjes çlirimtare. Ballafaqimi mes tyre do të jetë i pashmangshëm. Ku do të jetë vendi i Isa Mustafës: Me regjimin apo me irredentistët? Do të jetë ai i ndjekur nga pushteti serb? Nëntë vitet e tij të mërgimit, a ishin vitet e dëbimit, të vuajtjeve dhe të halleve, si çdo i dëbuar, apo një periudhë tjetër që i bashkëngjitet asaj së parës? Cili është roli i tij në Fondin e qeverisë së Bukoshit, i cili lindi si fondi i Achenit, u shndërrua në fondin e Trepërqindëshit, e më pas në fondin e qeverisë Bukoshi? Përse akuzon ish numri dy i qeverisë Bukoshi? Këto janë në numrin e ardhshëm.

 

Shkruan: Bedri Islami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu