Kush e vrau, kush e vrau?…

0
876

Sa e vogël është Kosova që të kujtojë 1001 të zezat e saj! T’i kujtojë po kaq ngjarje të mëdha e të vogla. Të sajuara e të shpifura, por edhe të tjera që kanë mundur të kenë qenë krejt reale. Nuk e përbin Kosova këtë mal të temave që po ia zënë frymën. Është shumë që njëkohësisht të hapen vrasjet e mistershme të 30 vjetëve të fundit, duke përfshirë këtu edhe vrasjen e Jusuf Gërvallës e të Kadri Zekës, dhe përtej kësaj gërmimin në historinë e tyre, nëse ata ishin burrat që i kishim njohur dikur.

Është shumë që populli i shkretë të përballet me rastin e Azem Sylës, që nuk po zbret nga faqet e gazetave as në vend e as jashtë tij, me SHIK-un, me fondet e vjedhura të luftës, me historinë e Dick Martyt dhe me personazhet e tij… Janë neveritëse storiet e zhvarrosjes së martirëve që shndërrohen në dëshmorë nga vëllezërit e tyre të kamur, apo bizneset e pista të jo pak parlamentarëve të Kosovës, që herë janë në opozitë e herë në qeveri, apo proceset e hapura ndaj zyrtarëve pa portofol të qeverisë. Është tepër, kur çunat e drejtojnë politikën e baballarëve të tyre, bash si Marko i Millosheviqit, apo kur “klerikët pisa” flasin në emër të xhematit… Një miku im nga Tirana thoshte: “Të gjithë ata dhjejnë me i poç“, e mua më vinte turp të pyesja çka është poçi.

Adem Demaçi, i cili bile për një kohë ishte cilësuar si simbol i rezistencës, thoshte se “në këtë vend të vogël, nuk do me mbetet kush pa u korit”, e unë nuk e kisha të qartë, nëse ai mund të fliste edhe për veten.

Tash, pas shumë vjetësh, po del të jetë zbehur shumë kufiri ndërmjet luftëtarëve dhe profiterëve të luftës, ndërmjet heronjve dhe tradhtarëve, ndërmjet trimave e zuzarëve, të burgosurve politikë dhe spiunëve të UDB-së, kurse populli i paepur shqiptar vazhdon të shtiret si i pafajshëm, ndërkohë që është mëkatar po kaq shumë sa të gjithë ata që tashmë janë koritur. A ka kush që mund t’i vërë pikë historisë së keqe të paraluftës të paktën. Hapni dhe mbyllni dosjet aman, sepse na doli shpirti.

E kam parë me sytë e mi se si po rritet populli opozitar, por që shpesh duke sulmuar e duke vrarë edhe pa karar. E pashë që dhjetëra kundërshtarë, ndoshta edhe më shumë, ta fishkëllenin liderin e LDK-së, jo pse ai mund të kishte qeverisur keq me Prishtinën ose me LDK-në, por sepse ata e donin një tjetër në krye. Popull opozitar dhe intersxhi. Ose javën që shkoi, një rrjet i grave e kishte kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, për vetëm 50 mijë euro që i paska shpenzuar pjesa e bukur e Qeverisë së Kosovës, në “ tripin” e festës së grave.

Kjo do të kuptohej si një e drejtë legjitime e një rrjeti, vetëm sikur ky rrjet të kishte kërkuar edhe një grumbull dorëheqjesh të tjera që lidhen me shuma, disa herë më të mëdha sesa ato 50 mijë, dhe që të gjitha kishin ndodhur shumë përpara këtij 8 marsi. Por, shumë nga OJQ-të, nga mediet, opozitarët apo edhe analistët madje, tashmë janë shndërruar në pjesë të pazareve dhe në klientë të rregullt të “parelive” dhe “ne me lazëm” me u kru me të fortit. Godasin aty ku munden, ndërkaq me arrat e forta le t’i thyejnë dhëmbët të tjerët, mundësisht ndërkombëtarët ose të paguarit e tyre në Kosovë.

Disa nga kolegët e mi, me të cilët e pi kafen e fundjavës së bajatshme në Prishtinë, po më thoshin se Luli virtuoz, u paskësh thënë se “po ta dinte se sa shumë do të fitonin “luftëtarët e lirisë” ai i pari do ta kishte kallur para Grandit. Por, kohët shkuan e vanë dhe fitoi kush fitoi, ndërkaq sot para e përreth Grandit, zhvillohet një tjetër histori, ku protagonistë janë edhe ata që dikur e paskëshin parë “Titon cullak”.

Fundjava në Prishtinë, solli një tjetër film për luftën që e kemi parë dhe prandaj nuk na u duk më shumë sesa pjesa e dytë e filmit të Halil Budakovës. Por, edhe njëri edhe tjetri kishin një gjë të përbashkët. I pari ishte ndihmuar financiarisht nga, deri dje drejtori i Postë-Telekomit, ndërkaq ky i fundit, më tha një mik, edhe nga RTK-ja e me ndërhyrjen e kreut të Parlamentit. RTK-ja sot është në borxhe deri në fyt, ndërkaq Postë-Telekomi po e pret t’i bjerë vlera edhe pak e pastaj të shititet. Juve po t’ju pëlqej, këtë fjalën e fundit, lexojeni edhe në anglishte, ndërkaq unë jam kureshtar të dij se kush do të jetë tradhtari i radhës.

 

Nga, Muharrem Nitaj

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu