Kush është Nikollaq Nushi

0
1166

niko nushi549616_389819474417798_1603035691_nKa lindur në qytetin e Fierit më 1956, në një familje të mesme punëtorësh, por me tradita muzikore. Sot nga ky fis janë shumë muzikantë profesionistë e amatorë në të gjithë botën.

-Që në klasën e dytë të shkollës fillore në Fier, kam filluar karrierën e këngëtarit, fillimisht në koncertet e shkollës, dhe brënda vitit edhe nëpër koncertet që organizonte ish Shtëpia e Pionerëve të rrethit Fier, nën drejtimin e mësuesit tim të parë të muzikës , këngëtarit të shquar Fierak, zotit Timo Lule. Për këto arsye do të rritej akoma më shumë pasioni dhe dëshirat e mija muzikore, duke qënë pjesë tashmë e koncerteve apo edhe festivaleve kombëtarë për fëmijë . Po kështu, në moshë të vogël, fillova të aktivizohem edhe me trupën e teatrit të fëmijëve, apo edhe me teatrin e kukullave si aktor.
-Mosha 15-16 vjeçare, përballë talentit dhe dëshirës time për këngën, më vuri përballë një ”fatkeqsie,, të transformimeve të adoleshencës. Zëri im, nuk mundi të ruajë timbrin, ngjyrën, ngrohtësinë, tesiturën dhe gjithë elementët që kisha fituar ne ato 7-8 vjet. Më vinte të plasja nga mërzitja, dhe nuk dija kujt t’ja shprehja…por mësuesit e mi si T.Lule, V.Zahariu, e të tjerë më ngushëllonin e me hapën nje tjetër horizont, atë të shkollimit profesional muzikor.
-Fitova të drejtën me konkurs për në shkollën e mesme të muzikës, ”Mujo Ulqinaku,, (sot Jan Kukuzeli), në Durrës. Kontaktet me pedagogët dhe muzikantët e shquar të rrethit të Durrrësit, më rritën dëshirën dhe dashurinë e pasionin për muzikën. Fillova të studjoja dhe lexoja mbi 15-16 orë në ditë, si në klasën e klarinetës ku isha, ashtu edhe në piano, teoritë e muzikës etj.
-Me mbarimin e shkollës së mesme, u riktheva në qytetin e lindjes si mësues muzike në një fshat. Tashmë 18-19 vjeçar, fillova të studjoj fizarmonikën rreth 3-4 orë përditë mbas mësimit. Gjatë kësaj kohe përveç mësimeve, rashë në kontaktet e para me fshatin dhe muzikën popullore burimore të Myzeqesë. Fillova të ndërtoj e drejtoj edhe disa ansamble të parë si ato të fshatit ashtu edhe më vonë në shkolla të mesme, në ndërmarje e reparte ushtarake etj.
-Me mbarimin e shërbimit ushtarak, më tërhoqën në Trupën e Estradës Profesioniste të Qytetit të Fierit. Nuk di në se ky emërim ishte dhuratë e zotit, apo vërtet talenti dhe aftësitë e mija kishin rënë në sy të autoriteteve qendrore të kulturës në Fier…. Kontakti me këtë Trupë artistike nga emrat më të dëgjuar në Republikë, ishte një shkollë tjetër e madhe për mua, që do të përcaktonte përgjithmonë rrugën time në muzikën profesioniste. Edhe pse detyra ime ishte si klarinetist, fillova të studjoj më shumë piano, saksofon, kitarë, e sidomos shkrimit muzikor, që nga kopjimet e lodhëshme të partiturave të estradës, të Ansamblit ”Myzeqeja,, e Bandës Muzikore të qytetit. Po kështu mësova më shumë artin teknik të vokalit, orkestracionet e formacioneve të ndryshme muzikore, si dhe drejtimin e orkestrës…..
-Edhe pse fillova studimet me korespondencë për Gjuhë-letërsi në Universitetin e Elbasanit, në 1982, pasioni për muzikën ishte shumë më i fortë nga një rrogë e mirë që do të më siguronte diplloma e gjuhë-letërsisë….
-Vitet ’90, do të më gjejnë tashmë në studime profesionale në Katedrën e Dirizhimit të Akademisë së Arteve të Bukura,Tiranë. Këto katër vite studimesh do të ishin edhe vula e fundit për drejtimin tim drejt muzikantit profesionist. Kontaktet me pedagogët e mi dhe Artistët e Mëdhenj të muzikës shqiptare si Ç.Zadeja, M.Krantja, R.Teqja, Th.Gaqi e të tjerë, do të më hapnin horizonte të reja studimesh e realizimesh profesioniste muzikore. Këtë e tregoi edhe vlerësimi përfundimtar me notën maksimale 10, nga Komisioni i Pedagogjik i Akademisë së Arteve Tiranë. Mbas Akademisë do të rifilloja punë në Fierin tim të vendlindjes, por tashmë si drejtues i muzikës në Qendrën Kulturore në këtë rreth.
Për sa vite jetoni e veproni në Greqi?

Në 1997, me dëshirën time largohem për në shtetin grek. Kam 17 vjet që banoj me familjen në Athinë.
-Këtu asgjë nuk është e sigurtë e krahasuar me ish eksperiencën shqiptare të asaj kohe, por fitimi i shte i mirë, dhe detyra jonë ishte imediate-ekonomia, për vete, për fëmijët tanë, dhe sigurisht edhe për prindërit e të afërmit e tjerë.

E kishit menduar se do të qëndronit gjatë?

Jo, askush nuk ikën përgjithmonë. Ditët e para në Athinë mora kontakt me shumë miq të mi artistë ose jo emigrantë. Dëgjoja histori nga më të çuditëshmet e më të pabesueshmet të karakterit ekonomik. Vendosa ta provoj. Më rregulloi takimin e parë një miku im me një muzikant shumë të mirë grek. Në takimin me të u ndodha në mes dy zjarresh. Greku që priste të vërtetonte fjalët kaq të mira që i ishin thënë për mua, dhe përballë shokut tim, që me sy më thoshte…. Tregoje veten sa muzikant i mirë je….. E mblodha veten, dhe e vetmja gjuhë që duhet të flisja ishte muzika ime. Dhe nuk u turpërova, as veten dhe as shokun tim. Nga ajo ditë fillova punën në një pianobar, dhe ky ishte fillimi i stabilizimit në Greqi.

Diçka që ju ka hidhëruar dhe gëzuar gjatë qëndrimit në Greqi?

Në kohët e sotme gëzimi dhe hidhërimi janë të pandarë, të pranishën në çdo situatë, dhe sigurisht vijnë pa trokitur e pa na pyetur….
-Hidhërimi i parë, ishte mungesa e hapësirave ligjore në Greqi, për të hapur një shkollë muzike private. Kisha mbledhur rreth 45 nxënës deri në vitet 2000, dhe kjo do të ishte favorizuese për mua dhe familjen time… Por nuk munda ta realizoja edhe pse ishte dëshira dhe ndihma e shumë miqve të mi grekë dhe me poste të mira shtetërore. Më pas do të argasesha me këto hidhërime, sepse jeta nuk vinte siç e doja unë….. Sot në këto kushte që është shteti grek, kemi vetëm hidhërime shumë më të mëdha si ne që jemi emigrat]ntë, ashtu edhe populli i thjeshtë grek.
-Gëzimi i parë-Në 1998, kisha një vit që isha në Greqi. Lexova që, Akademia Mbretërore e Londrës për Balet, që është në Athinë, Marusi, kishte shpallur një konkurs për një (mësues) pianist që donte. Bleva një piano shpejt e shpejt dhe fillova të studjoj për të riardhur në formë sa më të mirë teknike. Donte zoti që e fitova këtë konkurs, dhe fillova punë të përditëshme normalisht, dhe me siguracionet e nevojëshme.
-Por puna kryesore do të ishte pianobari, dhe mësimdhënia nëpër shkollat private të Athinës. Po kështu do të aktivizohesha edhe në disa nga orkestrat filarmonike të bashkive të ndryshme të Athinës.
-Në vitin 2008, do të filloja studimet në Institutin Grek të Studimeve për Sigurimet, por që nuk u paraqita për të marrë dipllomën akoma.

Si ishte në vitet e para të emigrimit dhe tani si e shihni situatën e emigrantve shqiptarë në Greqi?

Asnjëherë situata e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk ka qënë e mirë, apo e pëlqyeshme, dhe kjo për disa arsye :
1-Shteti grek, as në vitet ’90, dhe as sot nuk ka qënë i përgatitur juridikisht për të pritur emigrantë. Thjesht Rënia e Murit të Berlinit, e vuri Greqinë para provave të tjera të pa para e të paparashikuara deri atëher, nga Kushtetuta Greke.
2-E ndodhur para dyndjeve shqiptare dhe arabo-aziatke, qeveritë greke, kanë parë vetëm interesat e tyre e të popullit grek, dhe shumë pak aspektin europian të Konventave Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në kushtet e reja, Parlamenti dhe legjislacioni grek, ndërtonin nga nevoja imediate ”Ligje,, të reja, por që teknikisht ”binin,, në kundërshtim dhe atakoheshin me shumë segmente të tjerë të juridiksionit egzistues. Edhe sot,faktet e vërtetojnë, se shteti grek nuk po arrin dot të dalë nga kolapsi politiko-ekonomik, pikërisht nga arnimet juridike, dhe jo nga ndërtimet e reja ligjore, me kriteret apo normat e sotme europiane.
3-Organizmat e parë emigrantë, si shoqata, lidhje, grupime e të tjera forma, fillimisht u ndërtuan nga njerës të dyshimtë, dhe idealet që ato trumbetonin, s’kishin asgjë të përbashkët me interesat e emigrantëve. Gjithë ky rrjet organizativ kishte një qëllim, shfrytëzimin dhe vjedhjen e organizuar të emigrantëve shqiptarë. Edhe sot po të shohim, pjesa më e madhe e këtyre organizmave janë defiçitare karshi ligjit grek, nuk paguajnë asnjë lloj kuote antarësimi, sepse nuk ka antarë konkretisht, nuk janë të afta të ngrenë zërin e emigrantëve në instancat qoftë edhe më të ulta të administratës vendore, e aq më keq të mund të pretendojnë propozime për ndryshime në Juridiksionin grek. Shpesh këto shoqata kryesohen nga njerës me nivele shumë të ulta arsimore e kulturore, mashtuesa ekonomik sa edhe të varfër në ide dhe rolin drejtues të emigrantëve shqiptarë. Kjo pamje fatkeqsisht është akoma edhe sot.
4-Dikur në Shqipëri, kishim nje marrëdhënie shumë të mirë me minoritarët grekë në Jug, apo kudo ku ata jetonin. Së bashku shkonim edhe në punë, edhe në aksione për të hapur hekurudhat e për të mbjellë misër e pambuk, bashkë i kishim edhe gëzimet, festat, fejesat e martesat, por këta ish minoritarë në Shqipëri, tani dolën ” zotër,, në shtetin e tyre. Por edhe ata do ta kuptonin shumë më vonë lojën strategjike që qeveria greke ndiqte . Nga këta minoritarë filloi marrja dhe tregëtimi i vizave në Ambasadën greke.
5-Administrata greke, për ti pasur në zotërim sa më mirë emigrantët tanë, ndërtoi një strategji konkrete duke i ndarë emigrantët në ” vorioepirotë,, dhe në shqiptarë, ku të parët kishin preçedencat dhe favoret e nje qytetari grek, kurse të dytët, ngelën thjesht pjesa e abandonuar nga shteti dhe legjislacioni grek dhe shqiptar.
6-Fatkeqsia më e madhe me emigrantët, është që ndjehemi jetim nga shteti ynë shqiptar. Askush nga partitë politike të djathta apo të majta, nuk ka bërë as përçapjen më të vogël për gjendjen e mjerueshme të emigrantëve shqiptarë. Heshtja e tyre në 23 vjet, tregon se ne jemi ” pengjet,, e marrëdhënieve greko-shqiptare, dhe kjo e nënshkruar me heshtjen e tyre të plotë. Askush nga këto parti politike, apo qeveritarë nuk e ka pasur dëshirën të japë një kontribut sado të vogël për emigrantët shqiptarë. Askush në këto 23 vjet, nuk e kishte kurajon dhe guximin qytetar të shtronte apo të ndihmonte emigrantët duke bërë prezente problemet e llahtarëshme që bartin familjet emigrante.
7-Emigrantët deri tani janë parë thjesht si ”lopa,, ekonomike që duhej ta milnin qeveritë shqiptare e të mburreshin në arenën ndërkombëtare, me shifrat e realizimet e qeverive e partive familiare që ata drejtojnë.
8-Është qesharake për ne emigrantët, kur shikojmë që postet drejtuese administrative për emigracionin, të drejtohen nga njerës apo partizanë mediokër të partive politike, njerës që s’kanë asgjë të përbashkët me emigrantët dhe emigracionin. Kjo tregon se sa e kanë vlerësuar e vlerësojnë partitë shqiptare emigrantin tonë.
9-Ka dy pamje të vajtueshme të emigrantit shqiptar sot :
A-Kthimi i një pjese emigrantesh në Atdhe, në dukje për të tjerët llogjikohet normal. Pas këtij gëzimi të natyrshëm për ne emigrantët, qëndron një administratë negative në mungesën juridike e kompetente, si dhe nivelin e ulët arsimor, teknologjik e qesharak të nënpunësve ”partizanë,, të partive polititke. Po ti shtosh edhe sistemin e padrejtë taksativ shqiptar, shikon, krahason, dhe indinjohesh…….
-Çdo kthim emigrant, është ndërtuar mbi ëndërrën e bukurisë së Atdheut, mbi ngritjen e një bisnesi privat, mbi dëshirën për të sjellë risi të reja tregëtare, industriale apo thjesht kulturore. Patjetër çdo emigrant, ka marrë një eksperiencë nga takimi 15-20 me kapitilizmin dhe marrëdhëniet në prodhimin kapitalist. Emigrantët investojnë në një bisnes ato euro që i kanë mbledhur me mund e me djersën e ballit. Por pas 6 muaj të këtij bisnesi, eurot janë mbaruar, dhe shumë nga këto bisnese fillojnë të futen pa kuptuar në borxhe e kredi joshëse bankare…..
-Joshjet politike si dhe ëndëra e rikthimit apo riatdhesimit, kanë në vet vehte edhe një fenomen social e psikollogjik. Shumë nga këta emigrantë, tashmë të riatdhesuar, shikohen me ”armiqesi,, nga vëllezërit e tyre vendas, sepse fillon frika e konkurences, përballja administrative, radhë e bakshishe në të holla (euro) për të blerë një vend të domosdoshëm pune, etj etj….
B-Në këto kushte emigrantët janë përsëri në një udhëkryq edhe më të madh se sa ai i viteve ’90……. Shumë prej tyre, në vështirësitë shqiptare, marrin përsëri rrugën për në emigracion, jo sepse atje është më mirë, por sepse ndjehen tashmë ”jetimë,, në shtetin e vet………………..

Veprimtaria kulturore e shqiptarve në Greqi? Mundësitë dhe pengesat?

Personalisht kam idenë dhe bindjen që- kohët asnjeherë nuk janë të lehta- gjitthmonë njerëzit kanë vrapuar e vrapojnë sipas mënyrës dhe mundësive të tyre. Kjo veprimtari kulturore në Greqi, përgjithsisht është organizimi i festave, apo nga disa shoqata të tjera artistike, promovime librash në prozë e poezi, festime ditlindjesh apo edhe ndonje tjeter me konkrete si manifestime traditash krahinore….
-Kohët e fundit, ka një rendje pozitive nga disa shoqata shqiptare për hapjen e kurseve plotësuese për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Kjo ka marrë një shtrirje në të gjithë Greqinë, dhe duhen lavdëruar këta aktivistë emigrantë.
-Se sa janë mundësitë pozitive për një aktivitet më të zgjeruar në Greqi, do të thosha se duhet filluar gjithmonë nga vetja. Unë kam vetëm një vit që aktivizohem me shoqatat, dhe zgjedhja si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës ”Shqipëria,, më ka bërë që të ndjej më shumë hallet dhe problematikat e panumurta të emigranteve shqiptarë. Por duke qënë një shtet i ”madh,, në krahasim me Shqipërinë, në Greqi,ka rrugë e mundësira të shumta administrative, shtetërore, private etj etj.

Dhe tani vie Festivali i Parë i Këngës Popullore Shqiptare në Greqi, si rrodhi ideja?

Eksperienca e madhe që kam grumbulluar nga jeta ime artistike, më jepte bindjen dhe sigurinë e suksesit të një aktiviteti të tillë voluminos. Mbase tani u poqën kushtet edhe për aksesorët e tjerë një Festivali të tillë folklorik, aq më shumë në një shtet të huaj, dhe në krizën që na ka mbërthyer këtu në Greqi. Idea për një aktivitet si Festivali, nuk ishte i lehtë. Për mbi një muaj u mora me përpunimin dhe mbarimin e projektit të tij, por në vazhdimësi më dilnin probleme nga më të ndryshmet, dhe duhej përmirësimi i tij në zbatimin praktik.
-Ka edhe një pamje tjetër që më shqetësontë, dhe që pa dyshim duhej të reflektoja mbi abuzimet e deri tanishme me aktivitetet kulturore të emigrantëve. Për arsye ekonomike, shumë shpesh aktivitetet emigrantëve bëheshin mjet fitimi për individët organizatorë, dhe fatkeqsisht artistët emigrantë nuk merrnin, ose merrnin pagesa qesharake.

Kush janë mbështetësit e këtij projekti kaq me vlerë?

Sapo mbarova projektin, ngritëm Stafin Drejtues të Festivalit, dhe e parashtruam këkesën tonë në shumë instanca zyrtare. Epara ishte Ambasada Shqiptare në Athinë, e cila u njojt me projektin dhe u bë menjëherë pjesë e tij, por pa asnjë lloj sponsorizimi ekonomik, apo diçka tç tillë. Po kështu, e parashtruam edhe në Presidencën e Unesco-s në Greqi. Pëlqimi dhe aprovimi i këtij projekti nga Unesco, na shtoi besimin se jemi në rrugë të mbarë. Ne falenderojmë Presidentin e Unesco-s zotin Maronitis Joannis, për gadishmërinë dhe ndihmën që na u dha si për reklamimet, ftesat, çmimet, Jurinë etj.. Për nevojat e ndryshme, pjesë e këtij projekti u bë edhe Kryetari i Bashkisë së Athinës, zoti Kaminis Jorgos, duke na vënë në dispozicion nëpërmjet Qendrës Kulturore të Athinës, sallën kryesore të saj, si dhe ambientet e provave për 20 ditë rresht. Nëpërmjet Ambasadorit tonë në Greqi zotit Dashnor Dervishi, na janë konfirmuar mundësitë e një ndihme nga ana Ministrisë së Kulturës Shqiptare. Deri tani nuk shikojmë diçka konkrete apo ekonomike… Po kështu i jemi drejtuar tre partive më të mëdha politike, për ndihmë, por askush deri tani nuk ka premtuar diçka në aspektin ekonomik.

Kush janë pjesëmarrësit? A ndjehet mbështetja e autoriteteve vendëse për këtë projekt?

Pjesëmarrësit janë kryesisht emigrantë të Greqisë. Me Stafin Drejtues, i kemi bërë ftesa të gjitha shoqatave shqiptare, por një pjesë e vogël e tyre, e vlerësoi këtë aktivitet apo eveniment artistik të emigrantëve shqiptarë në Greqi. E njëjta përgjigje negative apo pasive për pjesëmarrje në këtë aktivitet, na erdhi edhe nga partitë politike që janë të pranishme në Greqi, por që interesi i tyre janë vetëm për të na vjedhur votat e jo për një ndihmesë aktive për Festivalin.
-Edhe pse konfirmuan ardhjen dhe dëshirën e tyre për pjesëmarrje mbi 124 këngëtarë popullorë, 7 grupe të polifonisë labe, etj. Kemi dy orkestrinat popullore të Jugut me drejtues muzikantin e talentuar, Armand Dhimitri, dhe me instrumentistët më të dëgjuar të emigracionit në Greqi. Orkestrina e çiftelive apo e Veriut, me 12 instrumenta popullore si çifteli, sharki, bilbila, lauri, tupana etj. Kemi mundur të sigurojmë paraqitjen e të gjithave trevave shqiptare të muzikës e kostumografisë tonë kombëtare. Këtij manifestimi do ti shërbejë edhe botimi i një libri nga Unesco, nga Libretisti i Festivalit dhe shkrimtar i njohur zoti Nase Jani, mbi paraqitjen e traditave popullore të këngëtarëve dhe krahinave nga ata vijnë. E shoqëruar kjo jo vetëm me inçizimet e festivalit, por edhe paradën e kostumografisë shqiptare.
-Në këtë Festë të emigrantëve shqiptarë në Greqi, s’ka si të mungojnë përshendetjet nga shumë ansamble apo artistë të tjerë emigrantë në Greqi. Do të përmendnim këtu përveç Gupit të valleve të Dropullit, disa trupa të tjera që nga Ekuadori, Bullgaria, Pakistan, India, etjetj.
-Po mbështetja kryesore është dhënë nga Kryetari i Bashkisë së Athinës, dhe Unesco për Greqinë. Edhe pse ju kemi bërë ftesa të gjitha shoqatave shqiptare në Greqi, disa nga këto shoqata u përgjigjën pozitivisht, me pjesëmarrjen e tyre. Pjesa më e madhe e tyre, vazhdojnë qëndrimet negative e mohuese, për interesa të ngushta e personale.
Pyetje-Dhe pse ju futët një veprimtarie të këtillë?

Deri një vit më parë, nuk jam aktivizuar me aktivitete të komunitetit shqiptar në Greqi, sepse kam qënë i ngarkuar plotësisht me punë. Kriza, na nxori edhe me kohë të lirë, dhe nga testimet endryshme që bëra në artistët dhe në spektatorët, më dolën rezultate pozitive për suksesin e Festivalit.

Pason një Festival i ngjashëm por për fëmijë? Pse dhe si do ta organizoni?

Realizimi me sukses i etapave kohore të Festivalit për të rritur, na dha sigurinë tek Unesco, Bashkia e Athinës, Ambasada si dhe tek Ministria e Kulturës Greke, të cilëve u a propozuam, dhe që u pranua e aprovua nga drejtuesit e këtyre institucioneve në Greqi, dhe që une e pranova me shumë dëshirë. Në ndryshim nga Festivali për të rritur, Festivali i Fëmijëve, bart edhe dukuri të tjera bashkëkohore.
-Edhe pse ne prindërit e tyre, edhe pas 23 viteve të emigrimit, jemi dhe ndjehemi shqiptarë, fatkeqsisht për fëmijët tanë që po rriten nëpër shkollat greke, po jetojnë në ambientet greke, kontaktet me shqiptarizmin janë më të pakta e më të rezervuara. Këta fëmijë, jetojnë më shumë me arsimimin grek, me historinë greke, me shokët e shoqet e tyre të moshës, të klasës, e në komshinjtë e tyre grekë. Ne si emigrantë, vazhdojmë të ngulim këmbë në përdorimin e gjuhës shqipe, në traditat tona me njeri tjetrin, në mënyrën shqiptare të jetesëss, por të gjitha këto nuk mjaftojnë që këta fëmijë të ngelen shqiptarë. Greqizimi i tyre, bëhet më duke marrë shkas edhe nga mungesa apo prezenca minimale e shtetit tonë shqiptar, edhe nga puna pothuajse zero, e partive politike shqiptare, apo puna e pa mjaftueshme e shoqatave apo organizmave të tjera shqiptare në Greqi. E gjithë kjo mungesë apo boshllëk shqiptarizmi, na detyron ne që të mundësojmë sadopak praninë e patriotizmit e Atdhedashurisë tek fëmijët tanë emigrantë.
-Edhe pse janë të ngjashëm si emërtime, këto dy Festivale kanë shumë të veçanta e karakteristike.
-Ky Festival i Fëmijëve, do të jetë i pari jo vetëm për komunitetin shqiptar në Greqi, por do të jetë i pari edhe në organizimet që ka bërë Qendra Kulturore e Bashkisë së Athinës, në bashkëpunim kjo edhe me Ministrite e Kulturës e të Arsimit të Greqisë. Kemi shumë dëshirë që ky Festival të jetë Live, por kjo do të jetë shumë më e shtrenjtë ekonomikisht, dhe e dyshimtë derisa të mund të gjendeshin bashkëpunëtorët apo sponsorët e tij.
-Një pjesë e rëndësishme e këtij organizimi, sigurisht dë të jenë tashmë jo vetëm shoqatat shqiptare, por edhe shkollat e gjuhës shqipe që janë ngritur tashmë në të gjithë Greqinë, dhe pa dyshim do te jenë të parat, që do të bëjnë thithjen dhe interpretimin e këtyre këngëve popullore shqiptare.

Jemi mësuar të dëgjojmë në vazhdimësi lajme jo aq të mira nga Greqia në lidhje me emigracionin shqiptar sigurisht edhe si pasojë e paragjykimeve dhe mungesës së hapsirës për këta emigrant që të shfaqin vlerat kulturore që janë në dobi edhe të vendësve ( kam parasysh faktorin jep e merr). Mund të kuptojmë tani që gjërat po marrin rrjedhën e dëshiruar?

Është e vertetë mënyra se si ngrini problemet e emigrantëve shqiptarë në shtetin grek, ose këndvështrimi Juaj….
-Të etur për pak ” Liri e Demokraci,, ne shqiptarët nuk erdhëm në Greqi në mënyrë të organizuar, sepse vetë shteti grek, nuk kishte asnjë premisë apo suportet europiane për pritjen e emigrantëve. Çdo gjë filloi embirike ” eksperimentale,, si nga vetë emigrantët (e çorganizuar )për të fituar monedhën ekonomike, ashtu edhe nga shteti grek në atë kohë pa organizmat shtetërore për thithjen e emigrantëve nëpër vendet e mundëshme të punës. Por në se emigrantët tanë, vazhdonin përçarjet ndërmjet tyre, shteti grek filloi të ndërtojë një strategji kombëtare (kupto fitim prurëse ) në kurriz të emigrantëve e sidomos atyre shqiptarë. Shoqatat apo organizimet e herëshme shqiptare në Greqi, nuk kishin asgjë të përbashkët me interesat e emigrantëve. Këto organizma, ishin mbi bazë fisesh e njohjesh miqësore, ku kishin një emërues të përbashkët, shitjen e vizave, trafikun e paligjshëm, dhe rrugët e tjera drejt krimit ordiner. Këta ”udhëheqësa,, të emigrantëve, ju rropën emigranteve bashkë me ”lëkurën ,, e tyre, jo vetem djersën e ballit, por mbi të gjitha ju vodhën dhe e poshtëruan besimin e masave emigrante tek këta drejtues shoqatash apo lidhjesh emigrante. Edhe sot e kësaj ditë, këtu në Greqi, kemi mashtruesa të tillë, injorantë të pa shkollë, me diplloma fallco, mbajnë në mënyrë të jashtëligjshme zyra e rrjete të tëra njerëzish e matrapazësh, për të nxjerrë libra shëneti që emigrabtët nuk i kanë nga kriza, për tju zhvatur emsima,(siguracione) për të organizuar koncerte private etj. Po kështu do të gjejmë edhe të tjerë drejtuesash shoqatash, që nuk kanë as edhe nje dokument ligjor për ekzistencën e tyre e t j e t j Të gjitha këto dhe shumë të tjera, janë pengesa kryesore që nuk mblidhen emigrantët shqiptarë.
-Emigrantët shqiptarë janë të vetmit që nuk marrin pjesë masive në organizime apo sindikata. Vetëm komuniteti shqiptar, nuk duket masiv, edhe këto ditë në organizimet e demonstaratave të fuqishme që bëhen në Greqi.
-Në se organizimet e ekstremistëve grekë, kanë marrë një rritje, kjo nuk duhet lidhur në asnjë mënyrë me segmentet shtetërore që kanë të bëjnë me organizimet e aktiviteteve kulturore të emigrantëve shqiptar.
-Shpresojmë se ka filluar një ndryshim…. por ky ndryshim nuk vjen nga mos organizimi. Nuk vjen as nga qielli, dhe as nga ekstremistët grekë. Çdo ndryshim do të vijë vetën nga bashkimi jonë, vetëm nga puna jonë patriotike apo kulturore, dhe duke e bërë së bashku, me kaq sa mundemi e me kaq sa dijmë…..
-Nuk po zgjatem në shembuj konkretë pozitivë në këtë drejtim, se sa aktivitete kulturore bëhen si promovime librash proze e poezie, sa festime u bënë për 100-Vjetorin, se janë kaq e kaq gazeta shqiptare, ka disa emisione radiofonike edhe shtetërore që drejtohen nga shqiptarë, janë hapur shumë shkolla të gjuhës shqipe në të katër anët e Greqisë etj etj.

Organizimi i vperimtarive kaq të mëdha siç janë festivalet kërkon energji, kohë dhe shumë gjëra tjera. Si ecën në rastin tënd?

Po dhe kjo është më e vështirë në një shtet në mes të krizës siç aktualisht është Greqia. Janë të shumta orët e punës. Ka disa muaj që ja kam privilegjuar personit tim edhe orët e lira me familjen, edhe kafenete me shokët, edhe mundësitë më të vogla argëtuese si njeri apo artist.
-Ditët po afrohen, dhe ankthi e përgjegjësia shtohen. Por siguria ime është, puna sistematike që po bëjmë prej pesë muaj, artistët emigrantë që më mbushin me guxim nga përgatitja e tyre e lartë profesionale, dhe kryesorja nga dhjetra mesazhe që marr ditë për ditë në internet e telefon nga emigrantët e thjeshtë qe vazhdojnë ti ndjekin përgatitjet e Festivali t nga dita në ditë. Do të ishte një fakt real, po tu deklaroja që 15 ditë përpara Festivalit, lista e kërkesave dhe prenotimeve të biletave, e ka kaluar gjysmën e shitjeve, edhe pse biletat akoma si kemi marrë në dorë.

Nikollaq Nushi:mosha………. ? 56 vjeç
profesioni….?Dirigjent i Orkestres Simfonike dhe Korit
i martuar…….?i martuar dhe me dy femijë studentë.
familja………. ?,Gruaja ime është me profesion ekonomiste.
aktualisht banon në Athinë? Po, prej 17 vitesh banor në qendër të Athinës
Me respekt Nikollaq Nushi
Ideatori dhe Udhëheqësi Artistik i Festivali.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu