Kush është Rrahman Jasharaj – Pazarxhiu që deshiron të gjunjëzoi arsimin, politikën dhe Kosovën?

0
184

Personazhi kryesor i muajve të fundit në vendin tonë është padyshim, Rrahman Jasharaj – kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit [SBASHK-ut]. Prania e ditëpërditshme, e madje edhe orëpërorëshme në media, duket se i kanë forcuar atij ndjesinë e protagonizmit, shkruan Periskopi.

Jasharaj në fillim kërkoi rritje të koeficientit në ligjin për pagat duke e futur në grevë çdo mësimdhënës të vendit. U humbën shumë orë mësimore ndërsa planprogrami shkoi për lesh. Por, atij s’i bënte. Ia doli pas tri javësh.

Tash, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë [MASHT] kërkon nga mësimdhënësit që t’i kompensojnë orët e humbura, duke qenë se do t’i marrin pagat me rritje prej fillimit të implementimit të ligjit të ri. Por, kryepersonazhi me emrin Rrahman dhe mbiemrin Jasharaj, doli sërish kundër.

“Jo, ky është kundër ligjit për greva!” – tha ai. Por, duket se Jasharajn nuk e shqetëson shumë ligji për greva, apo ndonjë parim i thyer, apo edhe precedent i krijuar. Jasharaj kërkon të bëj ‘pazar’ duke qenë se kërkon plotësimin e ligjit të pagave edhe me diçka tjetër.

Por, kush është ky sindikalist i përçudshëm?

Nga llogaria e tij në Facebook nuk mund të mësojmë shumë. Ndoshta, veç që është nacionalist i rryer dhe shumë i dhënë pas aktiviteteve kulturore me valle e këngë. Por ndoshta, edhe se iu turret kafeneve pas çdo takimi dhe kënaqet duke pozuar në to.

Përtej kësaj, asgjë. Nga kolegu i tij në SBAShK, Ymer Ymeri, shohim gabimet e tmerrshme drejtshkrimore dhe nivelin e dobët prej mësimdhënësi. Kjo na kujton ngulmimin e sindikatës që të mos lejonte testimin e mësimdhënësve pas rezultatit katastrofal të testit ndërkombëtar PISA.

Rrahman Jasharaj është mësimdhënës pesëdhjetë e tetë vjeçar nga Staradrani i Istogut. Nga faqja zyrtare e SBAShK-ut në Internet, mësohet se ai jeton në qytetin e Pejës dhe në shkollë jep lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Nuk thuhet se në cilin cikël, por mund të hamendësohet që në atë fillor duke qenë se ishte kryetar i Arsimit Fillor të Pejës e më vonë edhe të Kosovës për dy mandate.

Me vullnetin e tij ai e kishte kryer edhe funksionin e zëdhënësit të SBAShK-ut nga e cila pozitë u përvodh në atë të kryetarit. Për të thuhet të ketë punuar edhe në gazeta e media të shkruara dhe në radio. Si dhe, se është autor i dy veprave letrare monografike.

Jasharaj dhe sindikata që udhëheq asnjëherë nuk ka ngritur zërin kundër punësimeve partiake në shkolla dhe kundër cilësisë së dobët në të gjitha ciklet e arsimit. I vetmi shqetësim i shprehur i tij dhe i sindikatës ka qenë rroga e mësimdhënësve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu