Kush i kerkon para Pacollit ?

0
923

Pacovi

A mund ta gjesh dot një njeri në Kosovë, të cilit Behxhet Pacolli nuk i ka dhënë para ose të mos e ketë mbajtur me bukë???

Përgjigja është e kuptueshme për secilin përveç Pacollit- sepse janë 1.6 milion kosovarë të cilëve ai nuk arriti të ja u përmirësonte jetën sa ishte në Qeveri me PDK dhe ushtronte detyrën e zv.Kryeministrit!

Behxhet Pacolli, një biznesmen i suksesshëm dhe një politikan i dështuar, doli nga hija dy ditëve të fundit duke akuzuar dhe fyer pjesëtarë të rëndësishëm dhe me peshë të shoqërisë kosovare- gazetarë dhe analistë prominent-se “i kërkuan para” ose “i mbajti me bukë”.

Një seri akuzash e fyerjesh ka lëshuar ky politikan në dorëheqje gjatë dy ditëve të fundit- qoftë vet qoftë përmes këshilltarëve të tij. Pacolli, që para do ditësh deklaroi se nuk do të jetë më në krye të partisë jashtë parlamentare AKR, për t’ia lënë këtë vend në trashëgimi Mimoza Kusari-Lilës, u morr personalisht me gazetarin e mirënjohur Enver Robelli. Pacolli, e akuzoj atë se dikur shumë moti i kishte kërkuar 60 mijë euro për ta shkruar një libër për të. Një ditë më vonë, një këshilltar i tij akuzoi tjetrin gazetarë dhe opinionist prominent, Halil Matoshin se ishe Pacolli që e kishte mbajtur atë me bukë goje derisa ky po punonte në gazetën në pronësi të milionerit- që quhej “Lajm”.

Të dy akuzat u mohuan pa asnjë dilemë dhe u cilësuan si shpifje nga Robelli dhe Matoshi- bashkë edhe me porosinë që po qëse Pacolli ka diçka personale me ta—atëherë këto çështje ti zgjedhë personalisht.

Hidhërimi dhe sulmet “Ad-Hominem” ndaj dy gazetarëve e opinionistëve prominent erdhën pasi që këta të dytë, Robelli dhe Matoshi, u shprehen kundër mirënjohjes “Nderi i Kombit” të cilin Pacollit ja dha Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Akuzat e Pacollit, që sigurisht se do duhej të paraqisnin shqetësim, do të ishin të tilla vetëm nëse ky i fundit, të mos kishte përfolur situata e akuza të ngjashme për thuaja secilin që e ka kritikuar rreptë e ashpër. Prandaj ato thënë nga goja e Pacollit dhe këshilltarëve të tij, sot ngjajnë shumë më tepër si një ndotje e opinionit publik dhe farsë- se diçka qoftë edhe afër të vërtetës.

Në fakt sot gati se është e pamundshme të gjesh një personalitet publik qe kritikoi Pacollin dhe të cilin ai të mos ketë akuzuar se i ka dhënë para, e ka mbajtë më bukë ose që ti ketë kërkuar para atij.

Gazetarët e opinionistët janë vetëm rendi i fundit!

Të mos harrojmë, Pacolli kishte vepruar thuaja se njësoj edhe me kolegë të tij nga politika. Kur Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, dolën kundër zgjedhjes së tij President i Kosovës, ai ju tha edhe atyre se u kishte ndihmuar me para por këta tash po ja kthenin me të keq.

Njëjtë do ta akuzoj edhe Ramush Haradinajn, të cilit i tha se kishte dhënë para për mbrojtjen e tij në Tribunalin e Hagës ndërsa ky tani po ja kthen me të keq.

Ta zëmë për një moment që të gjitha këto akuza janë të vërteta— atëherë si është e mundshme pra që një biznesmen kaq i fuqishëm të ketë bërë po kaq investimet të gabuara- kësaj radhe një njerëz. Meqenëse i akuzon dhe ua përmend duket qartë se Pacolli ata i shikon si një investim, i cili kur del kundër tij nuk ka si cilësohet ndryshe veçse i gabuar. Prandaj, shtrohet pyetja si i bëri Pacolli tërë këto para, me këtë shkallë të lartë gabimesh në investime? Meqenëse nuk do hyjmë as në paragjykime dhe as në spekulime, këtë gjë Pacolli bënë mirë ta thotë e shpjegojë vet.

Apo ndoshta kjo shkallë e gabimeve na del, sepse Pacolli në fakt nuk po i zbulon ata të vërtetit: gazetarë, opinionist, biznesmen dhe politikanë të cilëve vërtetë u ka dhënë para dhe të cilët me të vërtetë i ka mbajtur me bukë! Sikur ti zbulonte këta edhe rrëfimi por edhe akuza do të bëheshin më të besueshme.

Prandaj reagimi ndaj kësaj ndotje që Pacolli me miq bënë sot është më i miri kur shtrohet me pyetje: A mund ta gjesh dot një njeri në Kosovë, të cilit Pacolli nuk i ka dhënë para ose të mos e ketë mbajtur me bukë??? Përgjigja është e kuptueshme për secilin përveç Pacollit- sepse janë 1.6 milion kosovarë të cilëve ai nuk arriti të ja u përmirësonte jetën sa ishte në Qeveri me PDK dhe ushtronte detyrën e zv.Kryeministrit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu