Kush i ndjen dhimbjet e prindërve të Ilegalve ?

0
757

Shkruan: Avdulla Prapashtica

LETËR FALËNDERIMI

Në krye të javës së pikëllimit, me rastin e rivarrosjes së prindërve, nga Gjermania në Prishtinë, po ju drejtohem me këtë letër falënderimi, miqve nga të gjitha viset e atdheut tonë që morën pjesë në dhimbjen tonë, edhe kur ata vdiqën dhe u varrosën në Gjermani në Maj 1993 e Shtator 1994, kur në varrim dhe në ngushëllime erdhët nga disa shteteve të Evropës edhe kur tani, në shkurt 2011 u rivarrosën në Prishtinë, kur nëpër dëborë e acar erdhët nga të gjitha viset e atdheut tonë.

Me falënderim ju drejtohem gjithë atyre që i ndihmuan prindërit tanë kur ne, djemtë e tyre, gjendeshim në burgje e ne mërgim, dhe ata ishin vetëm në Prishtinë. Falënderim gjithë atyre që na përkrahën e na ndihmuan edhe në varrimin edhe në rivarrimin e tyre si edhe gjithë atyre që në pamundësi të vinë, na telefonuan e na ngushëlluan që nga Adem Shehu nga Tirana e deri te Agron Neza nga Ankara e Elfi Agushi nga Gjeneva

Falënderim për RTK dhe Radio Kosovën që njoftuan opinionin në ditën e rivarrimit si dhe firmën Art Studio në Prishtinë që i shtypi njoftimet mbi rivarrimin e tyre pa pranua kurfarë kompozimi. Falënderim për atë numër aq të madh të pranishmeve gjatë rivarrimit në ato kohë me dëborë e me plot acar dhe ju kërkojmë falje që nuk arritëm të bëjmë pritje si duhet, sepse edhe nuk e pritnim një prani aq të madhe, duke menduar se rivarrimi duhet kaluar në rreth familjar, thjesht e ne modesti sa më të madhe. Prandaj në emër të familjes Prapashtica kërkojmë ndjesë dhe ju lusim që të pranoni mirënjohjen tonë për qëndrimin tuaj bujar e fisnik.

E ndjej për borxh ndaj juve dhe ndaj prindërve që të bëj një udhë përshkrim të shkurtër të prejardhjes dhe jetës së prindërve tanë, që nuk dallon shumë prej fatit të gjithë prindërve të ish-ilegalëve tjerë të Kosovës.

Zeqir Halil Prapashtica
Baba, Zeqir Prapashtica është i lindur në një familje fshatare në Prapashticë me vitin 1916 (KK Prishtinë). Për shkak se Baba i tij ( Gjyshi im i dashur nga i cili e mësova dashurin ndaj kombit dhe atdheut) Halil – Lil Prapashtica ishte njeri nga pjesëtaret kryesor të Lëvizjes Kaçake kundër Serbisë në Malësinë e Gollakut, në moshën 8/9 vjeçare, baba së bashku me 17 anëtar tjerë të familjes burgoset nga regjimi serb si peng dhe kusht për dorëzimin e Gjyshit. Në atë kohë te Gjyshi në mal shkojnë dhe e njoftojnë bashkëfshatarët prapashticas se ju ka burgos familja dhe ai lutet nga fshati që të dorëzohet dhe te e shpëton familjen dhe fshatin nga masakrat e reja. Gjyshi pranon lutjen e fshatit dhe dorëzohet te pushteti serb. Pas 7 viteve në Lëvizjes Kaçake në malet e Gollakut ai dënohet me 14 vjet burg nga Mbretëria Serbe dhe dërgohet në Goli Otok në mbajtjen e burgut. Baba me 9 vjet mbetet djali më i madh në shtëpi dhe rritet me vështirësitë e njohura që i sjell jeta në kufij me Serbinë. Disa herë digjet dhe prehet Prapashtica dhe fshatrat për rreth nga çetnikët serb për ta thyer rezistencën shqiptare dhe për ta detyruar popullsinë që të braktisë këtë fshat malor në zonën kufitare dhe të shpërngulet deri në Turqi. Por shumica e fshatarëve trima kthehen përsëri në Prapashticë dhe i ndërtojnë shtëpitë e djegura serish. Kur Baba ishte i rritur, vetë e ndërtoi një shtëpi guri me qëllim që edhe nëse digjet serish nga Serbia, muret të shpëtojnë dhe që mbi to të ngritët pullazi i ri.

Vitet kaluan dhe kur Mbretëria Serbe u shkatërrua dhe kur pushtetin jugosllav e morri diktatura Titiste, rrëfimi i shtypjes u vazhdua me të njëjtën masë dhe me të njëjtat qëllime. Në përfundim të luftës baba mobilizohet nga njësit partizane dhe caktohet si Roje Partizane në Prishtinë. Kur lufta merr fund Roja Partizane shndërrohet në Polici të rregullt, prandaj baba e braktisi Rojën Partizane sepse nuk dëshironte të punonte në polici. Kjo nuk i erdhi mirë pushtetin partizan, kështu që pas lufte baba arrestohet dhe mbahet disa muaj rresht në burg me akuza te rrejshme. Gjatë kohës sa ishte në burg OZN-a me kërcënime dhe oferta bën përpjekje që të rekruton të punon për ta si njeri që i besojnë të gjithë, duke e pas parasysh autoritetin e babait të tij Lil Prapashticës në Malësinë e Gollakut. Por, baba e refuzon me këmbëngulje çdo bashkëpunim me OZN-ën, prandaj ata më në fund e lirojnë. Baba vazhdon jetën në Prishtinë kur edhe fillon të punon në minierën e thëngjillit në Kastriot. Nga mospajtimi me regjimin dhe nga terrori i vazhdueshëm shtetëror Gjyshi, aso kohe merr vendim ta shpërngul familjen në Turqi. Kjo ndodhi në vitin e tmerrit rankvoqian të 1956, në vitin kur linda, kur ishte aksioni i mbledhjes së armëve nga shqiptarët nga ana e UDB-së. Por, Baba nuk pranoi ta braktis Kosovën dhe kështu ai u bë shkaktar që familja e jonë nuk u shpërngul për në Turqi. Baba pas lufte martohet me nënën time Ajshe Prapashticën e cila ishte e lindur dhe jetonte në Prishtinë dhe me te rritë 8 fëmijë. Gjashtë vajza e dy djem. Si familje punëtore qytetare me shumë fëmijë, jeta e ti dhe e familjes nuk ishte shumë e lehtë. Por, ai ishte punëtor i zellshëm dhe kështu me sukses na rriti dhe na udhëhoqi në jetë.

Kthesa historike e vitit1966
Kur ndodhi konflikti mes Titos dhe Rankoviqit në 1966 dhe kur Tito doli fitues, terrori shtetëror serb ndaj shqiptarëve më nuk bëhej publikisht dhe nuk ishte aq masiv si më par. Kosovës ju njoh autonomia kulturore dhe e drejta në shkollim universitar në gjuhen shqipe, flamuri dhe disa të drejta qytetare. Në ish RSFJ u hapen dyert e të gjitha shkollat shtetërore deri ne akademitë ushtarake e policore edhe për familjet që me par ishin të përndjekura. Deri atëherë ishte e pa mundur që një nip i Aziz Zhilivodës si Kolonel Ahmet Krasniqi apo unë si një nip i Lil Prapashticës të pranohen në akademitë shtetërore ushtarake e policore. Më vonë do ta kuptojmë se Titoja ketë forcim të pozitës të shqiptarëve në dëme te Serbisë e bënte për interesa te Kroacisë.

Në këtë kohë fillon hapja graduale e kufirit me Shqipërinë dhe në kuadër të këmbimeve kulturore në Kosovë shfaqet filmi “SKËNDERBEU – GJERGJ KASTRIOTI” i cili me 300 ushtar shqiptar brenda ushtrisë turke e filloi luftën për çlirimin e Shqipërisë!

Unë si fëmijë këtë film e përjetova me mbresë të madhe dhe rruga e ushtarëve të heroit tonë kombëtar u bë rruga ime e jetës. Kur kërkova nga familja pëlqimin për të shkuar në akademi policore ne Novi Sad, edhe pse tjerët kishin dilema, baba më përkrahu menjëherë. Kjo më dha vullnet dhe forcë që ta realizoi ëndrrën time që unë si ushtar i thjesht i popullit tim të ecë fërkemeve të ushtuarve Skënderbeut, i cili me mësimet që morri ne akademitë turke, luftoi për lirinë e atdheut tonë.

Unë edhe pse kurrë nuk e arrita atë që e realizoi Skënderbeu dhe ushtarët e tij, por megjithatë edhe kurrë nuk u ndala nga rruga që mësova nga ai, natyrisht, për kushtet e rrethanat që mbretërojnë në kohët tona. Gjithmonë duke ju falënderua përkrahjes së pa rezeve të prindërve dhe të gjithë familjes edhe kur ata po vuanin nga terrori shtetëror për shkak të luftës ilegale ku kisha angazhua edhe disa anëtar tjerë të familjes time. Në mesin e tyre ishin edhe vëllai im Adem Prapashtica i cili i dënua me 11 vjet burg si njeri nga organizatoret kryesor të demonstratave të vitit 1981 dhe edhe dhëndëri Tahir Gecaj me 12 vite burg, i cili ishte viktimë e një gjykimi të montuar, sepse burrërisht nuk pranoi që të diferencohet kundër kërkesës për Republikën e Kosovës. Tjetri dhëndër, Ramush Topalli – babai i Faton Topallit po ashtu njeri nga organizatoret kryesor të demonstratave të vitit 1981, u burgos dhe u terrorizua fizikisht deri në thyerjen e eshtrave, por nuk e zbuloi as një shok. Edhe disa njerëz tjerë nga familja e jonë e gjërë u burgosen edhe u terrorizuan nga sigurimi shtetëror jugosllav pas demonstratave të 1981. Por për ata do të flas ndonjëherë tjetër. Prindërit ton u goditen edhe kur ne 4 anëtarë të familjes që ishim pjesë e ilegales para vitit1981, u zbuluam dhe u detyruam të arratisemi jashtë vendit për 18 vite. Por, prindërit e mi heroikisht i përballuan të gjitha vuajtjeve, për çka unë krenohem me ta. Baba im ishte punëtor, dhe edhe pse shkollë nuk kishte dhe shkrim leximin e kishte mësuar në burg nga të burgosurit, ai në kuvende pleqëroi dhe pajtoi shumë ngatërresa me dijen dhe urtësinë që ia kishte fal natyra. Andaj, nga pyetjet tona mbi luftën shpejt kuptoi se ku e kemi mendjen dhe na dha një këshillë. Ai na tha: “djem nëse keni hy në këtë rrugë me dy mendje, atëherë ose e ndërpritni menjëherë ose mos u ndalni kurrë pa e qua deri në fund këtë punë, sepse me bë vaki me e nisë dhe me u ndal në gjysmë të rrugës, do të bëni ligësi”. Ky amanet i tij na përcjelli deri në ditët e sotme.

Ajshe Ismail Knongjeli – Prapashtica
Nëna Ajshe Prapashtica është e lindur në një familje qytetare prishtinase. Babai i saj Ismail Knongjeli ka prejardhje nga fshati Knongjeli, fshat që pas Kongresit të Berlinit të 1878 me dhunë hyri brenda kufijve të Serbisë, gjë që detyron familje e tij të shpërngulet në brendësi të Kosovës dhe të vendosen në Prishtinë. Gjyshi Ismail Knongjeli në ushtrinë turke kishte mësuar zanatin e prodhimit të armëve. Ai pas kthimit nga shërbimi ushtarak turk martohet me Gjyshen Hatigje Prishtinën që ishte motra e Xhemail Beg Prishtinës, i emëruar nga Kuvendi i Junikut për Komandant i Forcave Kryengritëse të Prishtinës me rrethinë kundër sundimit turk në 1919-11. Xhemail Beg Prishtina me Nazmi Gafurrin do ta çlirojnë Prishtinën nga sundimi turk pa gjakderdhje, sepse i hynë Komandantit të Garnizonit turk në Prishtinë në Zyre dhe e detyruan në kapitullim nëse i gjallë dëshiron të del nga Prishtina me taborrert e asqerisë turke. Sot, emrin Xhemail Prishtinës e mban njëra nga rrugët e Prishtinës. Nëna ime edhe pse ishte një amvise e pa shkolluar ajo ishte nga natyra shumë inteligjente andaj edhe e nuhati shumë herët aktivitetin ton ilegal dhe na premtoi se kurrë nuk do t’ia sheh armiku lotin, pa marr parasysh se çka do të ndodh me ne. Ajo nga torturat psikike vërtet u lodh shumë, por premtimin e dhen e mbajti deri në fund. Se sa i egër ishte regjimi jugosllav shihet edhe nga fakti se(Gjyshja ime) nëna e nënës time ishte lindur dhe e varrosur në Prishtinë. Ndërsa Gjyshi i im Isamaili ishte i varrosur në Adapazar, kurse daja im Durmishi ishte i varrosur në Ankara e nëna ime deri me tani ishte e varrosur në Gjermani. Të 4 anëtarët të familjes të nënës ishin të varrosur në 4 vende të ndryshme të botës. Për 130 vite rresht Serbia as varrezat nuk na i la me një vend! Këso historish tronditëse ka gati çdo familje patriotike shqiptare në Kosovë e në gjitha trevat etnike shqiptare në Ballkan.

Pak para se të ju vinte vdekja, pas 12 viteve që nuk ishim parë, regjimi ua dha dokumentet e udhëtimit për të na vizituar në Gjermani. Nëna vdiq në muajt e par të vizitës, ndërsa babën nuk e lamë të kthehet i vetmuar në Kosovë dhe edhe ai vdiq në krye të vitit. Kur ata vdiqën i varrosëm në Gjermani në 1993/94 sepse në Kosove ishte kulmi i terrorit millosheviqian. Andaj nuk pranuam qe ata në atë kohë ti dërgojmë në Kosove dhe qe edhe njëherë policia serbe të merret me kufomat e tyre. Baba na e la amanet që të varroset në tokën e Kosovë dhe ne besën që ia dhamë se do ta plotësojmë amanetin e tij. Por vetëm tani patëm mundësi ta realizojmë këtë premtim, sepse derisa disa të tjerë lufta i pasuroi, neve na ndodhi e kundërta, sepse ne kurrë nuk morëm, por vetëm i dhamë asaj! Prindërit tanë sa ishin gjallë kishin vuajtur shumë prej armiqve edhe ashtu tepër duke bër rruge për të vizituar vëllanë në burgjet serbe duke udhëtuar çdo muaj për gati një dekadë nga 1200 km dhe herë herë duke mos e parë fare. Sa herë kishin pritur me ortë të tëra para portave të burgjeve dhe ishin kthyer pa e pa vëllanë në burgjet jugosllave etj. me mendim se ndoshta e kanë vrarë. Sa herë iu kishte shkuar lajmi se edhe mua në mërgim më ka vra UDB-a, sa për t’i shkatërruar e dërmuar psihikisht. Sa herë ju kishin shkua lajmet për intrigat e thashë të thënat e njerëzve të poshtër e tradhtar të ligj që na përgojonin anë mban botës me etiketat e tyre të ndyra si ata vet, se përmes neve “demonstratat e vitit 1981 i organizoi UDB-a”! Sikur UDB-a e dëshironte shkatërrimin e ish RSFJ e të vetvetes. Por, ata merrnin edhe lajme të mira se kudo ku shkonin ata, shokët tan i takonin me plot vullnet për luftë për liri dhe kudo ku shkonim ne na pranonin e na ndihmoni bashkatdhetarët tone që u bën pjese e luftës për liri që nga Ankara, Adapazari, Stambolli, Tirana e deri në Stuttgart, Gjenevë e Skandinavi. Shumë nga ata u bënë edhe pjese e UÇK-së duke ardhur edhe nga mërgimi në Kosovë, si dikur ushtarët e Skënderbeut që erdhën bashkë me Gjergjin nga ushtria turke për ta luftuar ushtrinë pushtuese turke që ishte pushtuese në vendin tonë.

Ky rrëfim për prindërit e mi ngjan shumë me rrëfimet e prindërve të gjithë aktivistëve të ilegales të Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës. Kjo histori e dhimbshme dhe krenare nuk duhet harruar! Por, edhe nuk duhet lejuar që të përsëritet edhe për prindërit e gjeneratave të reja!

Në fund edhe njëherë në emër të Familjes Prapashtica në Prishtinë dhe Mërgim, ju falënderoi të gjithëve, që nga fshatarët e punëtorët e zellshëm e deri te profesorët e Universitetit që morën pjesë në rivarrimin e prindërve tanë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu