Ndërkohë që vazhdon diplomacia ndërkombëtare për krizën në Siri, vazhdon edhe beteja në vend mes fraksioneve kryengritësve dhe qeverisë së Presidentit Assad. Kryengritësit janë një masë heterogjene dhe e ndarë në fraksione të ndryshme me axhenda të ndryshme.
Luftëtarët e Jabhat al-Nusras janë betuar për besnikëri ndaj al-Kaidës. Ata janë ndër më të stërviturit dhe më të armatosurit në Siri. Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si terroristë. Shumë prej tyre kanë luftuar kundër amerikanëve në Irakun fqinj.
Një prej komandantëve përdor pseudonimin Sheikh Abu Ahmed:
“Njerëz si unë dikur luteshin në xhami pesë herë në ditë. Para revolucionit, regjimi sirian e konsideronte këtë si krim. Si rezultat, ne arrestoheshim, ndaloheshim dhe torturoheshim nga agjenci të regjimit. Prandaj e kundërshtojmë me gjithë zemrën këtë regjim”.
Luftëtarët xhihadistë si këta anëtarë të al-Nustras janë ndër arsyet përse ngurojnë Shtetet e Bashkuara të dërgojnë armë në Siri. Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel shprehet:
“Eshtë një situatë jo-perfekte. Nuk ka alternativa të mira. Ky është një realitet i ndërlikuar dhe i paqartë”.
Zyrtarët amerikanë thonë se deri në 100 mijë kryengritës sirianë po luftojnë për të rrëzuar qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad. Nga 15 deri në 25 për qind e tyre kanë lidhje me al-Kaidën.
Por zyrtarët amerikanë thonë se elementi i moderuar përbën numrin më të madh të opozitës siriane. Presidenti Obama shprehet:
“Shumica e popullit sirian dhe opozita me të cilën bashkëpunojmë, duan paqe me dinjitet dhe liri”.
Shumë kryengritës që luftojnë nën flamurin e Ushtrisë Siria e Lirë kanë dezertuar nga ushtria siriane. Një komandant shprehet:
“Para se të dezertoja isha toger-major. Pasi pashë tiranitë e bandave të Asadit, doja të mbroja vendin deri në pikën e fundit të gjakut, me ndihmë të Zotit”.
Përdorimi i armëve kimike në konflikt duket se tejkalon shqetësimin amerikan për ekstremistët. Kjo është arsyeja kryesore që Presidenti Obama propozoi goditjen ushtarake:
“Eshtë e vërtetë se disa kundërshtarë të Assadit janë ekstremistë. Por al-Kaida do të forcohej edhe më shumë në një Siri kaotike nëse populli e sheh që bota nuk po bën asgjë për të parandaluar vrasjen e civilëve me gaz helmues”.
Disa grupe xhihadiste si Ahrar al-Sham kanë kryer sulme spektakolare me makina-bombë.
Por analistët thonë se pjesa më e madhe e sirianëve nuk kanë dëshirë të jetojnë në një vend të sunduar nga ligji islamik. Ish-zyrtari i CIA-s Reuel Marc Gerecht thotë se nuk ka gjasa që kërcënimi xhihadist të bëhet realitet:
“Dyshoj që organizata të vogla xhihadiste me 10-20 mijë anëtarë do të mjaftojnë për të dominuar në Sirinë pas-Assadit”.
Prandaj, ndërkohë që diplomatët diskutojnë si të veprojnë në lidhje me armët kimike siriane, lufta vdekjeprurëse dhe e ndërlikuar në Siri vazhdon.