Kush po armatos kryengritësit sirianë

0
454

Kryengritësit sirianë po fusin armë të vogla kontrabandë në Siri nëpërmjet një rrjeti të rrugëve tokësore dhe detare, me ndihmën e anijeve dhe kamionëve transportues që kalojnë nëpër Turqi, Liban dhe Irak, tregojnë disa zyrtarë të inteligjencës detare dhe pjesëtarë të Armatës së Lirë Siriane.

Fuqitë perëndimore dhe rajonale mohojnë çfarëdo sugjerimi se janë të përfshirë në rrjedhën e armëve. Interesi i tyre në të vërtetë qëndron në vëzhgimin e rajonit të ndjeshëm kufitar për t’u siguruar që armët e fuqishme, siç janë raketat tokë-ajër, të mos përfundojnë në duart e militantëve islamikë apo të tjerë.

Luftëtarët e ALS-së thonë se zinxhirët e furnizimit me municione mbeten të dobëta. Gjatë një përleshjeje, javën e kaluar, kryengritësit thonë se u është harxhuar municioni, duke u detyruar që të zmbrapsen nga një prej bastioneve të tyre në provincën veriore të Idlibit.

Financues: Arabia Saudite dhe Katari

Rrjedha e vazhdueshme e armëve relativisht të pasofistikuara që gjejnë udhë drejt forcave që e kundërshtojnë presidentin Bashar Al-Assad po financohet kryesisht nga individët e pasur në Arabinë Saudite dhe në Katar, sipas burimeve me njohuri. Ato i shtohen sasisë së armëve dhe municioneve të marra nga ushtria e regjimit apo të sjella nga dezertuesit.

“Janë tri rrugë nga të cilat ne i marrim armët dhe ato nuk janë sekrete – Libani, Turqia dhe Iraku”, tregon një oficer i ALS-së në Siri. Por, Turqia, e cila strehon ALS-në në zonën kufitare dhe e cila është në ballë të përpjekjeve diplomatike për të larguar Assadin nga pushteti, thotë se nuk bën furnizimin e kryengritësve me armë, e as nuk lejon kalimin e armëve nëpërmjet porteve të saj apo nëpër territorin e saj. Megjithatë, zyrtarët pranojnë se një sasi e vogël e armëve kalon nëpër një kufi të gjatë pothuajse 900 kilometra, i cili është i vështirë për t’u patrulluar, dhe i cili gjithmonë lë hapësira për kontrabandistët. ALS dëshiron më shumë armë të fuqishme për të sulmuar blindat qeveritare dhe për të mbrojtur apo zgjeruar territorin që ka nisur ta marrë në javët e fundit me një taktikë të re.

“Sigurisht se armët që kemi dhe që po i marrim nuk mund ta vendosin luftën me Assadin dhe as ta sjellin fundin e tij. Na duhen shumë më shumë”, shprehet pjesëtari i ALS-së.

Disa burime të sigurisë dhe të inteligjencës detare thonë se armët e lehta po sigurohen veçanërisht nga rajoni i Detit të Zi. “Ato pa dyshim po sigurohen nga zona e Detit të Zi dhe po vijnë me anije”, tregon një burim i inteligjencës detare. “Po flasim vetëm për armë gjysmëautomatike, që sigurohen lehtë dhe lirë. Secila kushton vetëm disa qindra dollarë”.

Armët e njëjta me ushtrinë e regjimit

Të paktën një ngarkesë me rreth 2.000 armë të modelit të kallashnikovit rus dhe snajperë u janë çuar kryengritësve sirianë nëpërmjet Turqisë në javët e fundit, sipas një burimi brenda industrisë ndërkombëtare të armëve.

“Unë pres që së shpejti atyre do t’u vijnë më shumë nga të njëjtat vende nga kanë ardhur këto armë, ka shumë fabrika armësh përreth Detit të Zi”, thotë burimi. “Janë armë të vogla dhe të lehta tani për tani”, nënvizon ai.

Njohësit e armëve thonë se Bullgaria, Rumania dhe Ukraina të gjitha kanë rezerva të armëve të lehta të stilit rus që janë prodhuar në këto vende gjatë kohës sovjetike, kur fabrikat ndërtoheshin me ndihmën e Moskës. “Ushtria siriane përdor kryesisht kalibra të Bashkimit Sovjetik apo të Paktit të Varshavës”, tregon James Bevan, eksperti i armëve.

“Dhe, nëse i shikoni forcat kryengritëse, ato përdorin saktësisht të njëjtat armë si rivalët e tyre, sepse kur ua marrin armët atyre ata mund ta përdorin të njëjtin municion”, thotë ai.

Një ish-zyrtar në sektorin e sigurisë së Bullgarisë gjithashtu beson se Deti i Zi është rruga më e mundshme e armëve.

“Për shkak të reduktimit gradual të forcave të armatosura të Bullgarisë, shitjes me lirim të armatimit dhe të municioneve, furnizimet mund të sigurohen me jo shumë mund”, thotë ish-zyrtari. Por, Ministria e Jashtme e Bullgarisë thotë se kontrolli i marrëveshjeve për armë është i rreptë dhe ngarkesat e tilla nuk janë të mundshme. Sofja, sipas Ministrisë së Jashtme, nuk eksporton armë në Siri.

“Përpjekjet tona janë të përqendruara në bashkëpunimin me partnerët tanë arabë, me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë për mbështetjen e opozitës në përpjekjet e saj për një Siri të lirë dhe demokratike”, thotë zëdhënësja e Ministrisë, Vesela Cherneva.

Shërbimi i sigurisë i Ukrainës pohon se Kievi ka një sistem të fortë të kontrollit të shitjes së armëve, ndërsa Ministria e Jashtme e Rumanisë thotë se Bukureshti pamundëson dërgesat në Siri. Por, analistët thonë se përkundër kontrolleve, vendet e Detit të Zi mbeten rrugë të mundshme, kur kihet parasysh përfitimi nga shitjet e tilla të armëve. (Reuters)

13.000 luftëtarë të vrarë

Kryengritësit tregojnë se më pak se 13.000 kundërshtarë të armatosur dhe të paarmatosur të Assadit, dhe rreth 4.300 anëtarë të forcave të sigurisë së regjimit të Damaskut janë vrarë që kur ai ka nisur të shtypë kryengritjen, duke përdorur tanke dhe helikopterë luftarakë për të sulmuar bastionet e kryengritësve brenda qyteteve më të mëdha të Sirisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu