Kush po e dëmton Ushtrin Çlirimtare të Kosovës?!

0
554

Pse po arrestohen dhe akuzohen ushtarët e UÇK’së

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi, si pasojë e shtypjes së vazhdueshme 100 vjeçare të pushtuesit serb kundër popullit shqiptar në Kosovë. E inicuar nga grupe ilegale në Kosovë dhe e formuar juridikisht nga Lëvizja Popullore e Kosovës  – LPK, në vitin 1994, Ushtria Çlirimtare e Kosovës deri në fund të vitit 1997, organizoi një varg aksionesh guerile kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, por edhe kundër tradhëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesit Serb që ishin në kuadër të policisë lokale serbe, në kuadër të partive serbe dhe si bashkëpunëtor të sigurimit sekret serb.

Me fillimin e luftës së armatosur në Kosovë në mars 1998, dhe rënies së Komandantit Adem Jashari, radhët e UÇK’së filluan të shtohen me të madhe dhe UÇK’ja filloi të shtrihet njëkohësisht në të gjitha  fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Gjatë aktivitetit të shtrirjes dhe zgjerimit të radhëve të UÇK’së bartësit dhe misionarët e propagandimit të luftës shpeshherë kanë hasur në vështirësi veprimi sa nga policia dhe ushtria e okupatorit, po aq edhe nga bashkëpunëtorët e tyre që fatkeqësisht ishte gjak i prishur i popullit shqiptar.Përkundër faktit se ata bashkëpunonin me armikun, një pjesë me të kuptuar realitetin janë larguar nga rruga e dëmshme që kishin hyrë me apo pa dëshirë, ndërsa një pjesë tjetër edhe përkundër vërejtjeve me shkrim dhe me goje, të sqaruara edhe përmes Komunikatave të SH.P të UÇK’së, nuk kishin pranuar të largohen nga rruga e tyre e gabuar dhe e dëmshme për popullin e tyre të pushtuar.

Është rregull ndoshta i pashkruar që secili popull që lufton për çlirim, ti denoj dhe vrasë së pari tradhëtarët e vet, andaj edhe gjatë luftës së popullit shqiptar në krye me UÇK’në, një pjesë e tradhëtarëve u vranë në luftime të armatosura kundër Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, ndërsa një pjesë tjetër u ekzekutuan për.shkak se drejtëpërsëdrejti dëmtonin dhe rrezikonin luftëm çlirimtare të UÇK’së kundër forcave serbe, duke dalur në përkrahje të forcat terroriste armike. Kështu kanë vepruar të gjithë vendet Europiane kur kanë luftuar për çlirim dhe ata nuk duhet të na shesin mend neve tash  kur dihet se kjo është praktikë e të gjithë popujve që luftojnë për çlirim kombëtar.

Gabimi sipas mendimit tim është bërë që pas luftës, SHP i UÇK’së duhet ta ketë pasur regjistrin e saktë se kush ishin bashkëpuntorët e Serbisë, çfarë nivelesh kanë qenë, kush është ekzekutuar, kush është falur dhe arsyetimet pse ka ndodhur kështu. Pse është dashur që UÇK’ja të ketë frikë ta thotë të vërtetën, ndërsa sot po ata bashkëpunëtorë të armikut nuk po kanë frikë ta thonë të pavërtetën dhe pa fije turpi shpifin e gënjejnë me gjuhën e nëperkës siç e kanë pasur zakon gjithëherë.

Çka ndodhi pas përfundimit të luftës së armatosur në Kosovë dhe ardhjes e forcave ndërkombëtare. UNMIK’u dhe OSBE, duke pasur nevojë të bashkëpunojë me shqiptar të Kosovës, të cilët duheshin të jenë përkthyes, shofer etj, punësoi në masë të madhe ata që ose ishin në bashkëpunim me serbët ose ishin anëtar të LDK’së dhe kishin propaganduar kundër UÇK’së. Në anën tjetër, asnjë ushtar i UÇK’së, pavarësisht profesionit dhe njohjeve të gjuhëve të huaja, nuk është pranuar në këto institucione ndërkombëtare. Shumica e të punësuarëve në UNMIK, KFOR dhe OSBE, ishin të përzgjedhur të gatshëm për të bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare dhe për të propaganduar kundër UÇK’së e bartësve të tyre.

Të trimëruar nga propaganda e madhe që bëhej kundër UÇK’së, por edhe të përkrahur nga UNMIKU e KFOR’i, ish bashkëpunëtorët e armikut, filluan denoncimin dhe ndjekjen e luftëtarëve të UÇK’së, në vend se të ndodhte e kundërta. Ata, hartuan lista me emra te ushtarëve dhe komandantëve të UÇK’së, i denoncuan para organeve të UNMIK’ut për gjoja vrasjet dhe torturimet që u kanë bërë atyre luftëtarët dhe komandantët e UÇK’së në kohën  kur një pjesë e tyre ishin burgosur gjatë luftës nga UÇK’ja. Shumë komandant dhe ushtar të UÇK’së u arrestuan në mënyrë spektakolare nga UNMIK’u dhe KFOR’i, nën akuza të rënda për vrasje dhe keqtrajtim gjatë luftës, u mbajtën me vite të tëra në burg dhe shumica nga ta, në mungesë faktesh u liruan të pa fajshëm, por kurrë nuk iu dha kurrëfar dëmshpërblimi, siç është rregull në vendet demokratike Evropiane prej nga vijnë KFOR-i dhe UNMIK’u.

Në anën tjetër LDK e cila në gjirin e saj përfshiu shumicën nga anëtarët e LKJ’së dhe të LKK’së e të strukturave tjera komuniste në Kosovë, duke pretenduar të jetë një Lëvizje paqësore deri në fillim të luftës në vitin 1998,  nuk përkrahu grupet e armatosura të UÇK’së, ndërsa me fillimin e luftës në Kosovë, LDK dhe Qeveria Bukoshi formuan FARK’un, gjoja për të luftuar armikun në mënyrë institucionale dhe profesionale, por në fakt FARK’u ishte formuar nga Qeveria e Kosovës për të sabotuar luftën çlirimtare të UÇK’së.

Më 19 Nëntor 1998, Kryesia e LDK’së formoi një komision për të hetuar krimet e lufës të kryera nga forcat serbe, vrasjeve enigmatike dhe kërcënimeve të aktivistëve të LDK’së, i cili  udhëhiqej nga Eqrem Kryeziu anëtar i Kryesisë së LDK’së. Qëllimi i këtij komisioni ishte që të mbledhin sa më shume fakte dhe argumente kompromituese kundër UÇK’së dhe sipas logjikës së tyre pas luftës edhe të denohen atdhetarët që kanë vrarë spiujt e serbisë dhe sabotatorët e luftës, çka në fakt po ndodh në Kosovë qe 12 vitë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës, LDK dhe mbeturinat e FARK’ut poashtu sikur edhe mebturinat e serbisë dhe UDB’së, hartuan lista e plane për të denoncuar dhe etiketuar ushtarët dhe komandantët e UÇK’së tek UNMIK’u dhe KFOR’i, duke shpresuar kështu që do të arsyetohen para popullit për dështimet e vijës së tyre politike dhe sabotimin e tyre që kishin bërë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas propagandës së LDK’së dhe të sabotatorëve të luftës e bashkëpunëtorëve të serbisë, vetëm dëshmorët e rënë  ishin luftëtarë të mirë, ndërsa të gjithë ata që shpëtun të gjallë janë kriminel dhe duhet të etiketohen, të shahen e injorohen, por edhe duhet të arrestohen për gjoja sipas tyre dëmin që i kanë shkaktuar Kosovës duke djegur dhe vrarë qytetar të pa fajshëm, sepse prap sipas propagandës së tyre Kosova do të çlirohej edhe pa luftë. Kjo politikë pacifiste, etiketonte luftëtarët e UÇK’së, se gjoja ata na qenkan marksist – leninist, Enverist, komunist e çka jo tjetër…ndërsa veten e tyre këta komunist të rryer të TITO’s e quajnë demokrat..!!!

Një segment tjetër me rëndësi që prishi mjaft shumë imazhin e luftës së UÇK’së, është edhe sjellja agresive e vet bartësve të luftës pas përfundimit të saj dhe euforia që kaploi ata pas triumfit të tyre dhe pas krijimit të partive legale dhe institucioneve Vetëqeverisëse të Kosovës. Krijimi i partive politike të dalura nga LPK’ja e paraluftës dhe nga ushtarët e komandantët e UÇK’së, solli në skenën politike edhe një frymë të re të bërjes së politikës tani legale të pas çlirimit. Partitë e ashtuquajtura ,,të luftës” fillimisht në radhët e saja angazhuan shumicën nga veprimtarët e LPK’së, ish të burgosurit politik dhe luftëtarët e UÇK-së, por duke e ndjerë nevojën  dhe interesin e zgjerimit e të masovizimit të partisë në radhët e veta futën intelektual, veprimtar, student e qytetar shtresave të ndryshme.

Më vonë nëpër nëndegët, degët e deri në qendër të këtyre partive ,,të luftës”, depërtuan edhe ish UDB’ash, LDK’istë, Farkist,e deri te biznesmenët dhe kundërshtarët e luftës, të cilët duke qenë të hendikepuar që nuk kishin kontribuar gjatë luftës ose kishin qenë edhe kundër saj, tani e konsideronin veten me fat të jenë në një parti me njerëzit e luftës dhe bëheshin servil të pushtetit dhe të ish komandantëve të luftës.

Një pjesë e tyre kishte bërë shumë mëkate në të kaluarën dhe tani merrnin azil politik duke gjetur forma të ndryshme për tu futur në këto parti, shpeshëherë edhe duke dhënë para të majme tek bartësit kryesor të këtyre partive në Prishtinë ose nëpër komun të ndryshme të Kosovës. Kjo kategori, duke qenë shumica ish anëtar të LKJ’së, LDK’së etj, kishin edhe qëllimet e tyre të rrezikshme dhe djallëzore për të realizuar në të ardhmen siç është tashti rasti me Bexhet Pacollin, një proserb dhe njeri me të kaluar shumë të dyshimt që arriti pa meritë, falë njerzve të luftës të bëhet Kryetar i Kosovës.

Kësaj gjuetie kundër vlerave të UÇK’së, i ndihmoi mjaft shumë edhe një pjesë e qytetarëve të Kosovës, të cilët meqenëse po dilnin  nga robëria 100 vjeçare nën sundimin serb, nuk ishin në nivelin e duhur të vetëdijes për të kuptuar drejtë bartësit e luftës çlirimtare, por si popull që beson lehtë nga propaganda e rrugës dhe kafeneve, një pjesë e madhe e tyre u përfshi në propagandën e fëlliqur që filluan struktura të LDK-së dhe të mbeturinave të UDB’së e frikacakë, të cilët shkruanin në gazetën ,, Bota Sot” dhe bënin propagandë  kundër UÇK’së dhe bartësve të luftës.

Të gjitha këto që thamë lart dhe lakmia për pushtet dhe keqpërdorimet e disa prej pjestarëve të UÇK’së, sollën deri tek demonizimi i luftës së UÇK-së, rrënimi dhe shkatërrimi i vlerave të luftës, shantazhimi dhe izolimi i bartësve të luftës në Kosovë deri në atë masë saqë të identifikohesh si pjestar i UÇK’së, është vështirë të gjesh një vend pune, të inkuadrohesh në jetën institucionale, kulturore dhe politike të Kosovës së pasluftës. Kjo propagandë e pa skrupullt e segmentëve të caktuar anti UÇK’së të LDK’së, UDB’së dhe forcave anti kombëtare dhe anti çlirimtare në Kosovë, sollën Kosovën në një krizë morale dhe politike deri në atë masë saqë në pushtet dhe në Qeveritë e Kosovës erdhën forca të dyshimta politike, pa bagazh atdhetar, jo profesionalist, të cilat Kosovës ia paraqitën një fytyrë dhe imazh të keq para bashkësisë nderkombëtare, ndërsa atdhetarët e vërtetë ose mbetën në rrugë dhe të izoluar, ose u burgosën me shumë vite burg, me të vetmin faj pse morën armët dhe i dolën armikut në ballë. Tash 12 vjet pas luftës, edhe vet bartësit e luftës së UÇK’së, shpeshëherë po e harrojne luftën dhe vetëm kur po arrestohet ndonjë Komandant po na kujtohet të themi Rroftë UÇK. Nëse nuk jemi për çdo ditë ushtar të Atdheut, shqipëtarët dhe Shqipërinë nuk mund të bëjmë kurrë !!!

 

* ) Autori është Magjistër i Historisë dhe Kryetar i Klubit Politik ,,Afrim Zhitia” Prishtinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu