Kushtetuesja s’e njeh luftën e UÇK-së!

0
649

I plagosur në betejën e Koshares gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish- ushtari A. A. është ndjerë i fyer nga Gjykata Kushtetuese e cila, në një aktvendim të saj, luftën e UÇK-së të vitit 1999 e quan trazirë, ndërkaq betejën e Koshares e quan konflikt. A. A. këtë “fyerje” nga gjykata e ka marrë përmes një aktvendimi të shpallur në nëntor të vitit të kaluar, i cili kishte të bënte me një ankesë që i plagosuri i luftës e kishte bërë për shkak se i ishte mohuar pensioni i invalidit nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

I pakënaqur me vendimin e kësaj ministrie, A.A. i ishte drejtuar gjykatës më të lartë në vend në majin e vitit të kaluar, duke pretenduar se kjo gjykatë “do t’ia gjejë çaren”. Lëre më që aktvendimi e ka shpallur si të papranueshme kërkesën, por i njëjti organ e ka rënduar edhe më shumë ish-ushtarin e UÇK-së, i cili preferon të mos i përmendet emri në gazetë.

“Parashtruesi ishte pjesëtar i UÇK-së gjatë trazirave në Kosovë në vitet e 90-ta dhe ishte i plagosur gjatë konfliktit”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Kushtetueses, tek pjesa ku bëhet fjalë për përmbledhjen e fakteve rreth rastit në fjalë.

Ky vendim, një kopje të të cilit e posedon gazeta, e ka rënduar fort A.A., por edhe pjesëtarët e tjerë të shoqatave të dala nga lufta e fundit në Kosovë.
“Nuk më dhemb ajo që nuk më njihet invaliditeti nga ministria sa po më dhemb që gjykata kryesore në vend luftën e quan trazirë, ndërkaq betejën- konflikt”, thotë A.A.

Jo më pak të fyer tashmë ndjehen edhe ish-ushtarët e tjerë të cilët tashmë përfaqësojnë organizata të dala nga lufta. Kreu i veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli nuk çuditet edhe aq nga aktvendimi i Kushtetueses.

Ai ka thënë se fatkeqësia qëndron se ne nuk kemi mundur të çlirohemi vetë. “Institucionet tona janë institucione të brishta. Edhe vetë Kushtetuta e Kosovës nuk është e kombit të Kosovës dhe nuk e parasheh Kosovën si komb, por si shtet multietnik, si shtet eksperimental më mirë me thënë”, shprehet Xhemjali, sipas të cilit fatkeqësia më e madhe është që lufta po mohohet prej vetë institucioneve të vendit tonë.

“Edhe pse në si organizatë e dalë nga lufta jemi të anëtarësuar në Federatën Botërore të Veteranëve me të drejta të plota, shpeshherë ne shqiptarët dimë të jemi armiq të vetvetes”, ka thënë Xhemjali. Ai ka thënë se lufta e UÇK-së nuk ka qenë për këtë Kosovë që e kemi e as për këtë Kushtetutë. “Ka qene një luftë për një qëllim tjetër, por fatkeqësisht ne nuk kemi mundur ta realizojmë qëllimin për çka edhe e kemi nisur”, ka thënë Xhemajli.

“Kjo është turpi i Zotit kur një institucion më i lartë i shtetit luftën e quan trazirë, kurse betejën e bënë konflikt”, thotë në anën tjetër, drejtuesi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të ish-Ushtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.

Ai ka thënë se më këtë po dëshmohet se sa respektohen vlerat e luftës ngase “edhe në 15- vjetorin e Epopesë së Jasharëve nuk është festë zyrtare”. “Jemi të tronditur se në çfarë situate jemi tash”, ka thënë shkurt Qeriqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu