Kushtuar dëshmorit Naxhi Egriu

0
561
Naxhi Egriu Deshmori i UÇK-së

Patjetër të kish marrë malli për sokaket e Dibrës,

Për nanë-mirat flokbardha që presin në derë,

U nise i vetmuar shtigjeve të epikës,

U ktheve me ushtri n’Koshare një pranverë.

Është pranverë, stinë lulesh liria,

E mësuam këtë nga ëndërra jote e verës,

S’doje të të kishte veç Dibra e mençur djalë,

Krejt trojet shqiptare rrjedhin ujin e jetës.

U vra kështu përjetë djali i Veriut për Jugun,

E djali i Jugut shtigje malesh kaptoi në Veri,

Të betohemi tek Shkaba e flamurit të Skëndërbeut,

Kush vdiq për atdheun vdiq për shqiptari.

Karakollet Dibrane prej 100 vjetësh morën frymë,

Kah 1000 vjet luftë me shkjaun ka provue,

Djalë i Dibrës rrënjë besë e trimnie mbetë,

Zakonin e burrnisë dibrane mos me harrue.

Shtjellë e liris shqiptare të mori të përfshiu,

Ditëve të bardha të fëmijëve shqiptar, me ju ba kurban,

S’ka pat luftë shqiptare kah mijra vjet në trojet tona,

Ku s’e dha gjakun trim burrë e djalë dibran.

Na kujtove Prizrenin dhe Kuvendin e burrave,

Za shumtët me besë burrash e kushtrim për liri,

S’mund ta harroj Shkodra pushkën e Dibranit,

As Vlora në 1920 përballë pushtuesit të zi.

Djalë dibre na i mbushe konaket me kujtime trimash,

Këngë trimash në buzët e kënga na vure pastaj,

Do të këndojmë trimërinë, zakoni jonë kushtrim,

Për ty, jo s’mundemi të kemi lot e vaj…

Nënë mirës dibrane ia shtove një thinjë mbi flokë,

Por me nderin e burrit si ti, i ndrisin sytë,

Je bërë kuvend burrash në konakun e besës,

Me urim nënash me ç’farë i lindin fëmitë.

Mëngjeset shqiptare kanë më shumë dritë,

Gjuha shqipe ma shumë za paska sot,

Në krye vendin e Koshares rrin i heshtur,

Me gjuhë dielli na flet dhe pse s’lëviz dot.

Po, ani, s’ka gja more burri i dheut,

Pusho në Koshare, në atë fis lirie,

Dielli i ushqen dëshirat me pathos drite,

Dhe pema e pavdeksisë mbi krye të bën hije.

Nga Rajmonda Meleçka

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu