Kuvendi miraton ligje pa mbështetje financiare

0
593

Është miratuar në mandatin e kaluar në lexim të parë dhe të dytë, dhe është nënshkruar nga presidenti, por ende nuk zbatohet. Mungesa e buxhetit ka qenë shkaku kryesor për afatizimin e implementimit të Ligjit për të drejtat e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Kosovës. Ky është fati i këtij ligji, i cili parasheh rregullimin e statusit të këtyre kategorive, por nuk është ligji i vetëm që miratohet në Kuvend pa mbështetje financiare.

Një prej ish-të burgosurve politikë është edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani, i cili thekson se këtë vit Qeveria është e obliguar që të krijojë buxhetin, në mënyrë që prej vitit të ardhshëm kjo kategori e shoqërisë të përfitojë nga ky ligj.

“Ligji për të burgosurit politikë është miratuar edhe në lexim të parë edhe në të dytë dhe ai është miratuar në afat kohor kur duhet të hyjë në fuqi. Andaj është kërkuar krijimi i një komisioni, i cili do të hartojë listën e ish të burgosurve politikë dhe në bazë të asaj liste do të përfitojnë të gjithë të burgosurit që kanë qenë nëpër burgjet e Serbisë. Kështu që është shtyrë kjo çështje, përkatësisht hyrja në fuqi për shkak të mungesës së buxhetit. Këtë vit Qeveria është e obliguar që të krijojë buxhetin që prej vitit të ardhshëm të fillojë të bëjë pagesën ose ndihmën për ish-të burgosurit politikë”, ka thënë Hasani.

Kryetari i Komisionit parlamentar për legjislacion, Arben Gashi bën vërejtje sa i përket procedimit të ligjeve nga ana e Qeverisë, pa pasur mbulesë financiare për zbatimin e tyre.

Një tjetër ligj që është në procedurë të miratimit në Kuvendin e Kosovës, por që nuk pritet të nisë së implementuari është Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili është miratuar në parim.

“Ne kemi në procedurë momentalisht, mund të përmend ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve që parashihet që ky ligj të hyjë në fuqi në vitin 2014, kurse tash do të miratohet, sepse Qeveria nuk ka treguar gatishmëri që të gjejë burime financiare për zbatimin e këtij ligji, kjo është një praktikë e keqe”, është shprehur Gashi.

Gashi ka thënë se një mënyrë e tillë e funksionimit, po bën që ligjet në vend që të fillojnë së zbatuari sa më parë, po vazhdojnë të mbesin në sirtar për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

“Sipas praktikave legjislative në Kosovë, secili ligj që kalon në Kuvend, duhet ta ketë pas vetes edhe deklaratën financiare, në të cilën garantohet se buxheti i Kosovës mund ta përballojë një ngarkesë të tillë ligjore. Mirëpo, realisht po ndodh që Qeveria e Kosovës po procedon në Kuvendin e Kosovës ligje që nuk kanë mbështetje financiare dhe si rezultat të mekanizmit të votave po i miraton, por po mbesin ligje në sirtarët, të pazbatueshëm, sepse barra financiare është më e madhe sesa mundësia e mbështetjes nga buxheti i konsoliduar i Kosovës”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për buxhet dhe financa, Safete Hadërgjonaj, mohon të ketë projektligje që vijnë në Kuvend pa deklaratë financiare, përderisa në raste të caktuara ajo thotë se duhet pasur parasysh rrethanat dhe mundësitë buxhetore të Kosovës, dhe sipas saj, më mirë është të miratohet ligji dhe pastaj në të ardhmen të plotësohen çështjet që përfshijnë implikime buxhetore.

“Unë mendoj që në disa çështje duke i kuptuar rrethanat në të cilat jemi dhe mundësitë tona buxhetore, nuk është ndoshta dëm i madh nëse parashihet që në një periudhë të ardhshme të plotësohet, sepse ne i dimë rrethanat në të cilat jemi, i dimë mundësitë dhe kapacitetet tona financiare, por me një analizë mund të parashihet në një të ardhme që të plotësohet ajo çështje që ka të bëjë me implikimet buxhetore, prandaj edhe kur caktohet një afat i caktuar, caktohet me arsyeshmëri”, ka thënë Hadërgjonaj.

Kategoria e ish të burgosurve politikë do të presë deri në vitin e ardhshëm për plotësimin e këtyre implikimeve buxhetore, në mënyrë që të fillojë të përfitojë nga ligji i miratuar në vitin 2010.

Kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, njëherësh deputet i Kuvendit, flet për kategori të moshuar të ish të burgosurve, të cilët jetojnë në kushte jo të mira, vitet e fundit të jetës.

“Jo vetëm kaq, por është një kategori e të burgosurve politikë të moshuar, të cilët jetojnë në ditët, muajt a po vitet e fundit të jetës dhe është e dhimbshme që ata të pengohen edhe në këtë mënyrë në realizimin e kërkesave të tyre”, ka thënë Hyseni.

Disa prej vonesave të këtij ligji, ai i quan objektive, ndërkohë thekson se do të ketë një angazhim të shtuar që të mos ketë vonesë të mëtutjeshme në drejtim të fillimit të zbatimit të këtij ligji.

Pavarësisht se nuk ka mundësi të implementohet menjëherë, ligjvënësit vlerësojnë se është bërë mirë që është miratuar ky ligj gjatë mandatit të kaluar, ndërkohë që për implikimet tjera buxhetore Qeveria e Kosovës është e obliguar që të angazhohet dhe t’i plotësojë aktet nënligjore që mundësojnë implementimin e ligjit, kurse po ashtu komisioni ndërqeveritar do të bëjë përpilimin e listave të ish-të burgosurve dhe persekutuarve politikë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu