“LDK-ja i ofroi Elbert Krasniqit një post ministri për një votë”

0
231
“LDK-ja i ofroi Elbert Krasniqit një post ministri për një votë”

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në “Raport” të KTV-së ka thënë se LDK-ja në të gjitha nivelet e saj, madje edhe Hoti, kanë tentuar ta bindin deputetin Elbert Krasniqi që t’iu bashkohet në tentimin e tyre për të krijuar qeverinë e re.

E sipas tij LDK-ja i ka ofruar Krasniqit madje edhe një post ministri për vetëm një votë, porse edhe një ofertë të tillë Krasniqi sot e ka refuzuar.

Krasniqi është pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, porse përfaqëson komunitetin egjiptian në Kosovë. Ai sot ka konfirmuar se ka refuzuar të gjitha ofertat nga partitë që duan të krijojnë një qeveri të re.

“Elbert Krasniqi është kryetar i një subjekti politik që përfaqëson komunitetin egjiptian, dhe qysh në fillim i është bashkuar Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Ka pasur thirrje të mëdha dhe të shpeshta për ta braktisur Vetëvendosjen dhe për t’iu bashkuar atyre në themelimin e Qeverisë së re. Por, ata s’mund ta marrin atë e edhe sot ai ka deklaruar publikisht se s’do të bashkohet me askënd. Ai më ka bërë të ditur se ka pasur oferta nga të gjitha nivelet e LDK-së e edhe nga Hoti, madje i është ofruar edhe një post ministri për një votë. Ai ka refuzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Selimi.

Tutje Selimi ka folur edhe për mos publikimin e letrës nga presidenti Thaçi për t’ia kërkuar mandatarin LDK-së.

“Deri më tani nuk janë bërë publike letrat apo dekreti. Dhe sikur t’i dërgohet letra atëherë nisin afatet. Dhe kjo ndoshta është njëra ndër arsyet. Sido që të jetë ne nuk do të heshtim. Njëra ndër gjërat që do të bëjmë është që ta dërgojmë në Kushtetuese, por po presim që të kemi edhe të shkruar diçka. Nuk do të jetë veprimi i vetëm sigurisht, por do të presim për të ardhmen”, ka thënë ai.

Sipas tij Kosovës ia ka shtuar LDK-ja edhe problemin politik, dhe “jemi i vetmi vend në botë që ka rrëzuar qeverinë”.

Ai ka shtuar se, “nuk kemi nevojë të jemi bashkë me askënd për të qenë ndryshe. Qytetarët e kanë mbështetur Vetëvendosjen për të quar PDK-në dhe aleatët e saj në opozitë. Nuk mendoj se është interesi i qytetarëve që ta mbështesim e bashkëpunojmë me PDK-në”, ka thënë Selimi.

Sipas tij kushdo që dëshiron ta udhëheqë Qeverinë duhet t’i kthehet sovranit, derisa thekson se Vetëvendosje ka përballë një ekip të humbësve.

“Dikush mendon se i takon të jetë në krye të qeverisë atëherë le ta kërkojë te sovrani. Cilado qeveri pa fituesin do të jetë një qeveri humbëse. Pra, Vetëvendosje ka përballë ekipin e humbësve. Ata po duan që të formojnë një qeveri të atyre që i kanë humbur zgjedhjet. Pra, LDK-ja i ka humbur zgjedhjet, ajo e ka pasur rastin të jetë fituese, porse ka zgjedhur të vazhdojë me humbësit. Ata po tentojnë të grabisin pushtetin. E di se në rrethanat që po flasim nuk ka kushte për zgjedhje”, ka thënë Selimi. “Askush nuk guxon t’i përjashtojë zgjedhjet. Janë bërë ata që nuk e kanë marrë mbështetjen e qytetarëve dhe e dimë se kë e kemi përballë, por e dimë edhe kë e kemi mbështetje”.

Tutje ai nuk ka dhënë përgjigje se si do të veprojë në raport me Vjosa Osmanin, të cilën e kishe propozuar Vetëvensoje për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

“Osmani ka qenë e propozuar nga Vetëvendosje, ne s’kemi biseduar për këtë me Osmanin dhe nuk është çështja kryesore dhe nuk është në fokus ajo çështje”, ka thënë Selimi.

Kurse në një lidhje direkte në “Raport” ishte edhe Albert Krasniqi nga KDI, i cili foli rreth situatës politike aktuale.

Ai thotë se presidenti duhet ta bëjë publike letrën përmes së cilës ia kërkon mandatarin LDK-së.

“Konsideroj se do të ishte e udhës që Presidenti të publikonte letrën për të kërkuar emrin nga LDK-ja”, ka thënë Selimi.

Sipas tij kjo do të duhej të kryej edhe më herët në mënyrë që t’i hapej rrugë edhe Vetëvendosjes që ta dërgojë në Kushtetuese këtë çështje, ashtu siç kanë paralajmëruar.

Ai thotë se tashmë ka nisur afati, pasi presidenti ka konsideruar se Vetëvendosje ka refuzuar që ta dërgojë emrin e mandatarit, e afati më i largët për krijimin e qeverisë së re do ishte 17 maji.

“Pra, më së largu deri më 2 duhet të kemi një përgjigje nga LDK-ja që të dërgojë emrin e kandidatit nëse ka një mandatar. Afatet më të largëta deri më 17 kur do të duhej të kishim një Qeveri të re, ose nëse kjo kontestohet në Kushtetuesja, përgjigja e saj mund të marrë kohë deri në një muaj. Por, kjo mund të bëhet edhe shumë më shpejtë në LDK-ja ka numrat”, ka thënë Krasniqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu