Leku shqiptar vijon të përballet me zeron abuzive

0
131

A ka ardhur koha për fshirjen e zeros abuzive që shoqëron lekun prej 57 vjetësh?

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë para dy javësh foli hapur për zeron që shoqëron në mënyrë të paligjshme lekun që nga viti 1964.

Por veç denoncimit të vonuar nuk u deklarua asnjë masë për ndryshimin e situatës.

Kanë kaluar 57 vjet që nga futja në qarkullim e kartmonedhave dhe monedhave të lekut aktual, por një pjesë e mirë e shqiptarëve vazhdojnë të lexojnë një zero më shumë në shifrat e shkruara mbi to.

“Gabimi” prej gati 6 dekadash injektohet, fatmirësisht gjithnjë e më pak, edhe në çmimet e afishuara të mallrave të konsumit apo të fruta-zarzavateve.

Nuk janë të pakta rastet kur edhe prezantuesit televizivë, gazetat apo opinionistët shprehen për shifrat, sipas kutit të vjetër, i cili për të rinjtë e sotëm është “i lashtë” … thuajse 60 vjet.

Por edhe një 50-vjeçar nuk ka patur mundësi ti shohë monedhat  apo kartmonedhat e vjetra, veçse në koleksionin e ndonjë pasionanti.

Më së shumti kanë qenë politikanët dhe qeveritarët ata që kanë abuzuar me zeron pas shifrës zyrtare. Për ta, sukseset kanë një zero më shumë, atë abuziven.

Në familjet shqiptare prindët vazhdojnë të flasin me fëmijët sipas lekut të vjetër dhe konfuzioni vazhdon të jetë i madh.

Në vitin 1964 qeveria komuniste, në tentativë për të fuqizuar lekun, vendosi të nxjerrë në qarkullim kartmonedha dhe monedha të reja.

Ishte përvjetori i 40-të i përdorimit të parë të lekut shqiptar, që emrin e morri nga Leka (Aleksandri) i Madh.

Rroga mesatare e shqiptarëve në vitet 1970 ishte 500-600 lek, por ne, njëlloj si shteti, na pëlqente të mburreshim, dhe sipas metodës së vjetër, na dukej se paguheshim 10 herë më shumë.

Në fakt, mund të blinim 10 herë më pak.

Marrëdhënia jonë “servile” ndaj lekut filloi të ndryshojë në vitin 1991, kur largimi masiv i shqiptarëve jashtë vendit dhe mbërritja e qindra të huajve, mes të cilëve shumë investitorë, kërkoi korigjimin e këtij raporti fals.

Kishte ardhur epoka e re e këmbimit valutor dhe këtu nuk bëhej shaka.

Nuk ishte thjesht çështje imazhi.

Ishte çështje ekonomike dhe në tregti një zero më shumë në fund të marrëveshjes, i ndryshon katërcipërisht raportet midis palëve.

57 vjet pas prezantimit me monedhat dhe kartmonedhat e reja shqiptare ka ardhur koha të hedhim pas përfundimisht  zeron e tepërt, që shpesh na bën lëmsh.

Guvernatori duhet të hedhë edhe hapin zyrtar ligjor për ta “nxjerrë nga ligji” zeron abuzive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu