Leonard Demi: Të hapen “dyert” e SHISH për Kuvendin

0
907

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, ka depozituar në Kuvend projektligjin për mbikëqyrjen parlamentare. Pas bllokimit prej dy vitesh nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, duket se projektligji ka gjetur rrugën diskutimit në komisionet parlamentare duke iu shpërndarë deputetëve. Të enjten pritet që Konferenca e Kryetarëve ta fusë në axhendën e diskutimeve. Në draftin e përgatitur me asistencën e OSBE-së, përcaktohen qartë se si ushtrohet një mbikëqyrje efektive parlamentare mbi Shërbimet e Inteligjencës dhe Sigurisë në veçanti gjatë aktivitetit të tyre të përgjithshëm, mbi buxhetin e tyre dhe shpenzimet financiare dhe mbi nivelin e mbikëqyrjes që do t’i lejohet qeverisë.

Mbikëqyrja përfshin Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimin Informativ Ushtarak, Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, elementëte Policisë së Shtetit, Gardës Kombëtare dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Shërbimit Policor të Burgut dhe Financave si dhe shërbimeve të tjera që mund të krijohen në të ardhmen. Mbikëqyrja, sipas këtij projektligji, realizohet nëpërmjet një nënkomisioni parlamentar që quhet Komisioni i Sigurisë Kombëtare në emër të Kuvendit. Por, nëpërmjet këtij projektligji garantohet edhe siguria e informacioneve të klasifikuara që të mos rrjedhin prej anëtarëve të Komisionit të Sigurisë pasi në rast të kundërt ndaj tyre ndërmerren masa të rënda.

Çdo anëtar nënkomisioni nënshkruan një marrëveshje konfidencialiteti sekret shtetëror me anë të cilit vihet në dijeni se dalja e paautorizuar e sekreteve shtetërore do të pasohet me ndjekjen penale. Çdo anëtar i stafit është e nevojshme për të marrë leje përkatëse për siguri dhe do të duhet të pajiset me certifikatë para se të punojë për Komisionin. Ndërsa në rastin e dokumenteve të tjera të nënkomisionit të cilat janëklasifikuar si “sekret shtetëror” ruajtja e tyre do të garantohet sipas ligjit për materialet e klasifikuara dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Për shkak të rëndësisë së informacioneve të cilat do të diskutohen, mbledhjet në pjesën dërrmuese të tyre do të jenë të mbyllura, gjithsesi mund të ketë edhe përjashtime për raste të veçanta. “Kur nënkomisioni do të zhvillojë punime me dyer të mbyllura, anëtarët e tjerë të kuvendit dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk lejohen të marrin pjesë në takim me përjashtim të rasteve kur janë të ftuar posaçërisht”, citohet në draft.

Nënkomisioni nuk mund të marrë vendime në mbledhje me korrespondencë, që do të thotë se anëtarët nuk mund të shprehin dëshirën për miratimin e një vendimi nëse nuk janë fizikisht të pranishëm. Gjithashtu anëtarët e nënkomisionit nuk mund të delegojnë votën e tyre, ose të drejtat dhe detyrimet e tyre për shkak të sigurisë. Drafti i OSBE-së parashikon edhe grupet të cilat kanë detyrimin për të bashkëpunuar dhe për të dhënë informacione. “Qeveria, ministritë përkatëse, autoritetet shtetërore, Prokuroria e Përgjithshme, si dhe organet administrative, njësitë e pushtetit lokal, personat juridikë subjekt i të drejtës publike dhe mbajtësit e autoritetit publik, me përjashtim të gjykatave, janë të detyruar t’i sigurojnë Nënkomisionit të dhëna”, theksohet në projektligjin që pritet që të rikthehet në axhendën e Kuvendit.

 

Opinion

Leonard Demi

Kryetar i Komisionit të Sigurisë

“Mbikëqyrja parlamentare është shumë e rëndësishme, por ajo nuk duhet ekzagjeruar sepse edhe ajo ka kufizimet e veta, të cilat rrjedhin nga fakti se një pjesë e deputetëve nuk kanë njohuri të mjaftueshme për institucionin dhe veprimtarinë e shërbimit të fshehtë, që ata duhet të kontrollojnë. Arsyet mund të jenë të shumta: mundet për shkak të detyrave të shumta që deputetët kanë pasur, për arsyet pse janë zgjedhur të bëjnë pjesë në nënkomisionin përkatës. Mbikëqyrja e shërbimit informativ ngërthen, gjithashtu, një dilemë, e cila është: drejtpeshimi midis mbikëqyrjes demokratike që i bëhet shërbimit informativ dhe efektiviteti i këtij institucioni në detyrën e vet kritike dhe të rëndësishme në mbrojtje të kombit. Kjo dilemë mund të reduktohet tek tensioni, që krijohet midis përgjegjshmërisë, e cila kërkon transparencë dhe shërbimit informativ, i cili kërkon fshehtësi. Në këtë drejtim, ata që do të marrin autoritetin të mbikëqyrin shërbimet informative duhet të ruajnë sekretin dhe mbajnë përgjegjësi ligjore për këtë veprimtari. Këto janë probleme që lindin në vendet demokratike dhe nuk janë çështje të thjeshta për t’u zgjidhur dhe as nuk ka zgjidhje të sigurta”, shkruan Leonard Demi në relacionin mbi ligjin dërguar Kryetares së Kuvendit, Topalli.

 

Nga Luis Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu