Letër BE-së, për kundërshtitë që ka pakoja ligjore për Gjykatën Speciale –

0
644
Gjykata Speciale
Ekipi teknik kosovar ka finalizuar një raport përkitazi me legjislacionin e propozuar nga BE-ja për funksionalizimin e Gjykatës Speciale. Ai ka gjetur se cenohet sistemi kushtetues i Kosovës nëse mbetet dhe implementohet ky legjislacion. ku nëpërmjet një norme, mandati i EULEX-it do të jetë po aq jetëgjatë sa edhe ai i Gjykatës Speciale. Janë shprehur kundërshti dhe janë dhënë një varg propozimesh për ndryshim.
 

Brukselit zyrtar i është vënë në letër kundërshtimi i përmbajtjes së pakos ligjore për Gjykatën Speciale. Të enjten do t’i prezantohet zyrtarisht.

Ekipi teknik i krijuar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe i drejtuar nga ministri Hajredin Kuçi ka shqyrtuar të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të propozuara nga Bashkimi Evropian, dhe ka listuar një numër mospajtimesh.

Raportin 18-faqesh të këtij ekipi e ka siguruar “Koha Ditore” të hënën. Në të jepet qëndrimi që të gjitha ndryshimet duhet të bëhen pa e dëmtuar sovranitetin e Kosovës dhe strukturat tanimë ekzistuese institucionale dhe ligjore.

Ekipi kosovarë ka gjetur se me implementimin e gjithë pakos ligjore për Gjykatën Speciale, të sponsorizuar nga BE-ja, cenohet sistemi kushtetues i Kosovës. Përveç kësaj, cenohet edhe funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe sistemi vendës i drejtësisë.

Gjithashtu është gjetur një “hile”, ku nëpërmjet një norme, mandati i EULEX-it do të jetë po aq jetëgjatë sa edhe ai i Gjykatës Speciale. Ndërkaq, është kërkuar që mandati i gjykatës të jetë 4 vjeçar ndërkaq vuajtjet e dënimit të bëhen në Kosovë.

Gjithashtu, është këmbngulur që edhe dy terme të mos figurojnë në këtë pako ligjore-“Gjenocid” dhe “Dick Marty”. Kjo është kërkesë për të “ruajtur imazhin e Kosovës, jo vetëm jashtë, por dhe kundrejt qytetarëve të Kosovës, duke shmangur dispozita të ndjeshme që mund të mos jenë të domosdoshme”.

Siç shkruan KD, janë identifikuar 18 “çështje me rëndësi esenciale” në kuadër të ndryshimeve të legjislativit, për të cilat janë propozuar ndryshime.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu