Letër e hapur djalit të dëshmorit Shkodranit

0
458

Frasher Oseku

I dashur djalë, gazetat po thonë që qenke mllefosur me Albin Kurtin, e me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e me gjithë ne tjerët –edhe ne që ishim shokë e shoqe armësh të babait tënd – pse nuk festojnë me entuziazëm për pavarësimin e Kosovës. Unë, mor bir, u preka kur lexova këto fjalë. U preka, pse ndoshta qenke rritur fëmijë pa babë, e asnjë fëmijë s’duhej ta kishte atë fat.

Por u preka edhe pse pashë sa larg je ti, e unë, e ne të gjithë; sa larg jemi sot si shoqëri, prej idealeve që frymëzuan babanë tënd, e shokët e shoqet e tij. U preka mor bir, pse ndiva që, në njëfarë mënyrë, kemi mbetur si jetimë të gjithë. Mundet, or bir, që ky lajm nuk është i vërtetë. Mediat qeveritare hanë bukë e rrenë përditë; ato i trilluan radiografi false një deputetes, pale më të trillojnë një citat fals. Nëse është ashtu, të lutem të më ndjesh. Por, nëse gazetat e rrencave këtë radhë s’kanë rrejtë, kam një lutje për ty. Dua të lutem, mor bir, sall të m’i dëgjosh nja dy fjalë, mua që jam shok idealesh i babait tënd. Nuk e di or djalë, ndoshta ke qenë i ri kur luftonte babai yt. Që atëhere ka kaluar ca kohë. Shkollat sot mësojnë për luftën e babait tënd. Ai, e shokët e shoqet e tij, përmenden rregullisht në tv në kohë përkujtimesh. Babain tënd e të rënët tjerë i quajnë dëshmorë, i quajnë heronj. Ndoshta ke qenë edhe ti e familjarët tu të ftuar në akademitë e përvjetshme që bën qeveria, gjoja për t’i kujtuar babain tënd e të rënët tjerë, e në fakt për t’u imponuar vetë. Aty sot të vijnë e të përshëndesin, sa për sy e faqe, të gjithë: edhe ata që luftuan me babain tënd e devijuan pastaj, edhe ata që u fshehën prej pushkës së tij, edhe ata që ia shanë atë. Por mungon një gjë. S’di a ke vënë re, mor bir, që kur të thërrasin në rituale përkujtimesh, s’e zënë kurrë në gojën betimin e babait tënd – atë betim për të cilin ai dha jetën: “Unë, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, syçelë, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhëtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!” Lexo edhe një herë, mor bir, fjalinë e pare në këtë betim. Babai yt ra dëshmor për ato fjalë. Ai, tok me shokët e shoqet e veta, nuk u vranë për gjashtë yjet e Ahtisaarit, po por shkabën dykrenare. E kemi zor, mor bir, ne që luftuam transheve me tët atë, të ndjejmë entuziazëm për të festuar copëtimin tonë; poshtërimin tonë me simbole xhingla-minglash të diktuara nga të huaj. E kemi zor të festojmë ndërtimin e një shoqërie korruptive, ku një grusht njerëz s’ia dijnë pasurisë skajin, ndërsa tjerët s’lidhin dot skajet e muajit. Babai yt nuk vdiq për të krijuar një pabarazi të këtillë, një shfrytëzim të këtillë. Edhe po të dua unë, mor bir, nuk ndihem dot entuziast për të festuar, kur qeveria i jep Malit të Zi toka shqiptare, e brenda në Kosovë krijon një Republika Srpska. E si të festoj unë, mor bir, me një qeveri që pështyn plagët e mia, e shkel mbi varrin e babait tënd ?

Me respekt, Frashër Oseku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu