Letër Neritan Cekës

0
796

Nuk do t’i kisha shkruar asnjë radhë Neritan Cekës, që rrogën e merr si ambasador e letrat i shkruan si qytetar. Por duhet, pasi jeni shembulli që një brez nuk duhet të ndjekë, sepse çfarë quhet karakter, nuk ka lidhje me ju. Nuk ju ndihmojnë në krijimin e alibisë të njeriut të fisëm as emrat e paraardhësve, burra të nderuar të këtij vendi, që nuk lini rast pa i përmendur. Është dëshmi se shpesh trashëgimia është një dështim kromozomesh, dhe djali ngjan me ju, por jo me ata që përmendni në librin e shtëpisë.
Nuk do të isha marrë me ju nëse do ta kishit personalisht me Edi Ramën. Marrëdhënia mes jush, nuk më intereson fare. Por ndihem keq nga fyerja që u bëni socialistëve duke i quajtur “rreshterë që vetëm marrin”. Janë gjysma e popullsisë e më shumë. Janë njerëz që besojnë se njerëzit janë të mirë. Siç besuan tek ju dhe ca shokë të partiçkës suaj, të quajtur Aleanca Demokratike. Atëherë ishit ministër i tyre dhe quajtët sojsëzë demokratët e Berishës. Sot quani socialistët të tillë. Me sa duket sojsëzë për ju, janë kush është jashtë zyrave të shtetit. Po sojlinjtë, mos janë ca si puna juaj, që i lëpihen pushtetit?
Zoti Ceka, nuk mund të përbuzni socialistët siç bëni në letrën tuaj drejtuar Edi Ramës. Keni ngrënë për tetë vjet bukën e tyre duke ju bërë edhe ministër. Nuk e patët problem t’i shkëmbenit me të sotmin kryeministër të vendit, që në të shkuarën ju kish poshtëruar disa herë, verbalisht dhe fizikisht me dorën e zagarëve të tij. I shkuat pas dhe sot po pranoni të përdoreni prej tij. Puna juaj. Por nuk keni pse ofendoni disa që i rrinë përballë këtij njeriu që është bërë problemi madhor i vendit.
Ca si puna juaj, jeni arroganca e zengjinëve të rinj. Kur u përmbys komunizmi, mendonit si të shalonit shqiptarët rishtazi, dhe inati me Berishën ishte punë pazaresh. E tani bëni moralistin. Për cilin moral flisni?! Se ka tetë vjet që ky vend troshitet në vrasje njerëzish me armë shtetërore, shitje territoresh, pushtim institucionesh, dhe nuk ju është dëgjuar zëri. Sepse pas njëzet e tre vjetësh, ju bashkë me shokë, po dilni më të këqij se komunizmi. Se nëse çlirimi nga komunizmi nuk ishte merita juaj, mungesa e rotacionit dhe ky shtet autoritarist, është vepër pastërtisht e juaja.
Një arsye tjetër që po harxhoj bojë, është që mos ia shisni sapunin për djathë publikut, lidhur me djalin. E lëvdonit pambarimisht. E kuptueshme për një prind. Por meqenëse edhe ju sapo i keni hyrë karrierës diplomatike, duhet të dini se një diplomat, nuk mund të provokojë kryetarin e opozitës, as në privat e as në publik, pasi është aty në shërbim të të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe shefin e socialistëve.
E quani djalin të pranuar sipas rregullave në shërbimin e jashtëm?! Të jesh pjesë e shërbimit diplomatik, duhet të kesh fituar një konkurs të shpallur, e pasi shërben dy vjet në atdhe, vetëm më pas mund të marrësh emërim jashtë. Emërim që afatin maksimal e ka katër vjet. E djali yt asnjë nga këto nuk ka bërë, por për hatër të shërbimeve të babait, e kanë marrë nga emigrant dhe ia kanë bërë peshqesh diplomacisë.
E keni djalin të zotin në zanat? Çudi! Kam punuar njëmbëdhjetë vjet në atë dikaster, dhe nuk e paskësha ditur. Por kur aftësi si të tijat i pretendon edhe Rajmonda Bulku për vajzën, Fatos Beja për djalin, Gerti Bogdani për vëllain, Jozefina Topalli për dhëndrin, Arjan Starova për gruan, e kështu me radhë, atëherë kjo nuk është tjetër vetëm se nepotizëm, e sjellja juaj ndaj shqiptarëve, e krahasueshme me të drejtën e feudalëve në Mesjetë.
Në letër na kërkoni t’i jemi mirënjohës djalit tuaj, pasi megjithëse ka mbaruar shkolla perëndimore, sakrifikon dhe vjen në shërbimin tonë të jashtëm. Me siguri nënkuptoni dhe veten. Vërtet për kaq budallenj na merrni?! Po dihet që nuk hani dot bukë në vend tjetër, përveçse në këtë vend të varfër që po e mbysni me fodullëkun tuaj.
Djali juaj paska pretenduar se në diplomaci paska diplomatë të “shkëlqyer”? Statistikisht, 70% e personelit tonë diplomatik jashtë, janë emigrantë-pinjollë partiakësh si puna e djalit tuaj ose fëmijë të pasurish që blejnë vendet me para, apo me trafiqe influence, të emëruar në kundërshtim me ligjin.
Në fund, bëni thirrje që shqiptarët të votonin sërish për “sojlinjtë” e sojit tënd, Berishës, Koliqëve, Breçanëve, Nokëve, Ponëve, Ristanëve. Ky vend ndoshta do të kishte votuar edhe kundër Ramës. Por kur sheh përpara monstra si puna juaj, atëherë heq çdo mëdyshje se nga duhet të shkojë vota. Se ca si puna juaj, janë pengesa e parë që të fillojmë e jetojmë si njerëz normalë, të shërbyer nga një administratë normale.

 

Nga: Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu