Letër publike Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçit

0
803

Shkruan: Afrim Morina:

Të gjitha këto do të shënohen në biografi

Shumë herë jam hamendur për të shkruar një letër publike për disa fenomene që po ndodhin në Qeveri, si klasë politike e dal me një bagazh të mirë nga lufta e shenjët për çlirim kombëtar, mirëpo një mendim i urtë thotë “më lehtë është ta fitosh se sa ta ruash”. Këtë bagazh keni filluar të përdhosni, për të cilat kam shkruar që nga mbarimi i luftës, duke bërë analiza e komente kritike për punën e kësaj klase politike. Mirëpo, ajo që më shtyri të Ju drejtohem publikisht është, se si duket nuk po këndelleni nga nostalgjia për pushtet, prandaj vendosa që kësaj here ta lë politikën me një anë dhe të Ju drejtohem për gjëra të kapshme ditore, që po i sheh çdo qytetar i ndershëm. Për këtë shkrim kam shkëputur disa gjëra që rëndojnë qeverisjen e “mirë, të ndershme dhe me zero tolerancë, pa anime politike, por të gjitha në të mirë të qytetarit”!

 

Greva e urisë

 

Ka mbi njëzet ditë që veteranët “jo zyrtar” të luftës së UÇK- së kanë hyrë në grevë urie dhe Qeveria e merr si punë të kryer me ta, nga vizita që i ka bërë Kryetari i Parlamentit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi grevistëve. Z. Haredin Kuçi, mbajtës i dy posteve bukur me peshë, e ligjërues në disa universitet, deklaron se grevistët po i japin imazh të keq Kosovës! Z. Kuçi dhe kuçet e tjerë harrojnë kërkesat e tyre thelbësore për të cilat ata kanë filluar grevën, e të cilat nuk janë të përfshira në Ligjin për të cilin po diskutohet. Këta veteranë dikur i dhanë imazh të mirë dhe meritor shqiptarëve, ngritën opinionin gjithëkombëtare e ndërkombëtar në këmbë dhe ishin të respektuar. Sot po të njëjtit i japin imazh të keq Kosovës, sepse ish eprorët e tyre janë larguar nga realiteti që nga falsifikimi i datës së krijimit të UÇK- së! Kjo po del nga kabineti i Juaj z. Thaçi dhe duhet menduar se pa këta veteranë Ju nuk do të ishit Drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK- së, nuk do të ishit udhëheqës i delegacionit në Rambuiles dhe nuk do të ishit as Kryeministër, prandaj merri parasysh kërkesat e grevistëve dhe mos i mbaj nën sqetulla ata që ta bëjnë ison për “mençurinë” tënde. Një kërkesë që Ju dhe Qeveria e Juaj nuk po e merrni parasysh, ka të bëjë me ndalimin e përndjekjeve nga inukzicioni ndërkombëtar kundërt veteranëve të luftës, e që mbi treqind veta deri sot janë ulur në bankën e të akuzuarve, brenda e jashtë Kosovës për krim dhe gjenocid!!! Ndoshta kjo e brengos z. Kuçi dhe i duket se po humb imazhin Kosova me kërkesat e tyre, sepse ky nuk e dinë peshën e të përndjekurit për gjenocid, të atyre që kanë rrokur armët për liri kombatare! Kërkesa e dytë dhe shumë domethënës është sepse kjo klasë politike- pushtetarësh dhe bashkëveprimtarët e tyre që kanë emra në partitë tjera, kanë shumëfishojnë numrin e veteranëve të luftës, sa po të kishim pasur një numër kaq të madh, pak na është dashtë ndihma e NATO-s dhe luftën do ta kishim përfunduar me çlirim, me një qeveri të përkohshme funksionale dhe të pranuar nga të gjithë dhe me një pavarësi të plotë dhe të menjëhershme. Sikur të herrej numri i veteranëve, atëherë do të na dilnim më së shumti dymbëdhjetëmijë, nga këta një pjesë bukur e mirë janë të akomoduar nëpër institucione, FSK, polici dhe për këtë kategori do të ishin gjetur mjete për të ju siguruar jetë të dinjitetshme, ashtu siç e meritojnë veteranët e luftërave në çdo vend të botës. Ndoshta edhe kjo kërkesë z. Kuçi për Ty dhe bashkëmendimtarët e Juaj prish imazhin e Kosovës para faktorit ndërkombëtar, mirëpo mos harro dhe mirë është të lexosh, se shumë shtete i trajtojnë mercenarët e paraushtarakët më mirë se ne veteranët çlirimtar. Prandaj z. Thaçi, nëse këta burizanë çjerrën me bekimin e Juaj, diçka nuk është në rregull, sepse të përbuzësh bashkëluftëtarët dhe mbështet hoshtaplerët do të mallkoj historia.

Më poshtë do të mundohem të jap edhe burim e këtyre mjeteve me të cilët do të mbulonit kërkesat e grevistëve:

 

Veturat në pushim lehonie!!!

 

Ju z. Thaçi, publikisht patët deklaruar, se do të ndaloni keqpërdorimin e veturave zyrtare, për këtë edhe keni nxjerr një Vendim, por ky fenomen, jo vetëm se nuk u ndërpre, por morri hov më të madh. Jemi dëshmitar se në një relacion, cilin do ta marrësh, që lidh Prishtinën me një qendër tjetër, më së paku qarkullojnë njëzetë vetura zyrtare për çdo ditë, me të cilat udhëtojnë zyrtarët qeveritar, madje ato vetura i përdorin edhe për ditët e pushimit javor. Zyrtarët e privilegjuar për këtë të drejtë nuk hamendën për të marr edhe ndonjë punëtor me vete, për t’ia hequr shpenzimet e rrugës, të paktën t’ia kursej ndonjë cent punëtorit të vet. Karburantet që harxhohen dhe defektet për ripararim janë para të tatimpaguesve. Këta zyrtar veturat i përdorin për nevoja personale, për të kryer edhe punët familjare: për vizita, për dasma, për piknikë etj. Viteve të kaluara veturat zyrtare kanë shkuar në “pushim” në bregdetin shqiptar dhe edhe atje i kanë bartur zyrtarët bashkë me familjarët, ndërsa defektet që shkaktohen riparohen nga para e buxhetit të Kosovës dhe karburantet që harxhohen mbulohen po nga ky buxhet. Duke i parë këto, disa femra më të guximshme, kanë filluar t’i marrin veturat edhe për pushim të lindjes! Në fund të fundit më të nevojshme janë për lehonat se sa për ata të cilët i marrin për pushime verore! Asnjë konkurs publik nuk parasheh, se ata që krijojnë marrëdhënie pune nga qendrat tjera, në Prishtinë, ministrit kanë për obligim t’ua heqin shpenzimet e udhëtimit, prandaj edhe nuk është vështirë, po qe se keni qëndrim për ta ndal këtë fenomen, sepse, po të ndërpritej ky fenomen, me siguri përmes autobusëve do të ju mundësohej të gjithë punëtorëve të udhëtojnë falas dhe do të tepronin para.

 

Bordet

 

Bordet si mekanizma udhëheqës, e të tillë janë shumë në Kosovë, janë të përbërë nga të “përzgjedhurit” e Juaj dhe vartësve të Juaj. Sikur të ishte vetëm kjo do të kapërdihej, mirëpo këta kanë edhe një punë parësore për të cilën janë “përzgjedhur” me konkurs apo votën e qytetarit dhe si punë e dytë është ajo e udhëheqësit apo anëtarit të bordit. Paga që merr nga bordi, herë –  herë edhe e tejkalon pagën e vendit të punës dhe nuk tatimoret fare. Nëse ka ndodhur të jetë tatimuar të ardhurat që i merr nga bordi, ato i kthehen. Edhe kjo kategori i ka privilegjet për shfrytëzim të veturave.

 

Truri i Kosovës

 

Kam dëgjuar se çdo komb apo shtet ka trurin e vet dhe këta janë akademikët dhe strumbullari i tyre është Akademia e Shkencave dhe Arteve. Ky institucion kudo në botë trajtohet në nivel të merituar dhe ata pagën e tyre e arsyetojnë përmes punës së vet shkencore në të mirë të kombit, shtetit dhe njerëzimit. Sikur ky të ishte truri i Kosovës gjithçka do të ishte në rregull. Ndoshta Ju z. Thaçi e keni parë se kjo nuk funksionon si duhet dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë është tejet e politizuar dhe Ju nuk keni ndikim në të, keni krijuar një mekanizëm të ri- Truri i Kosovës. ky “Truri i Kosovës” është i përbërë nga drejtor departamentesh, udhëheqës divizionesh dhe nën këtë kupolë nuk janë të përfshirë asnjë punëtor, sado të jetë i vyeshëm e profesional. Kjo është bërë gjoja për të ruajtur kuadrot. Nga frika e ikjes së tyre! Sikur të logjikonit drejtë e mirë, kuadrot që do të iknin në radhë të parë janë punëtorët profesional dhe kurrsesi drejtorët, sepse ata nuk do të gjenin askund më mirë, se të gjitha beneficionet, duke u nisur nga veturat, mbushjet telefonike, reprezentacionet etj. i ka mu kjo kategori. Të tillë në Kosovë janë njëmijepesëqind! (1500) Të gjithë këta i kanë si shtesë në pagë edhe nga treqind euro më së paku dhe këto nuk tatimoren. Ky fenomen e bart edhe një të keqe shumë të madhe. Me këtë keni dhënë për të kuptuar se këta njerëz janë të pa zëvendësueshëm dhe u keni lënë duart e lira për të vepruar me punëtorët si t’ua dojë qejfi. Largohen punëtorët nga marrëdhënia e punës për teke të akëcilit dhe ndodh, jo rrallë, që Komisioni i Pavarur Mbikëqyrës t’i kthej punëtorët në punë, por nëse kjo nuk e bënë, atëherë e bënë Gjykata Supreme e Kosovës, mirëpo edhe këtu të privilegjuarit nuk i zbatojnë vendimet e këtyre dy institucioneve! Punëtori pas shumë përpjekjesh kthehet në marrëdhënie pune sa për t’i marra parat që i ka mbetur borxh institucioni dhe menjëherë kërkon vend tjetër të punës, se është i vetëdijshëm për pasojat që mund t’i ketë. Parat që i merr i tatimoren si tërësi, pra në kuotën më të lartë të tatimit, e jo t’i tatimoret çdo pagë veç- e veç.

 

Banesat për të pushtetarët

 

Qeveria e Kosovës, jo vetëm kjo, përkujdeset për rahatin e stafit të vet. Të gjithë kuadrot, që nga sekretarët e përgjithshëm e më lart, kanë privilegj, jo vetëm pagën e majme, veturat, mbushjet telefonike, reprezentacionin etj.   por edhe sigurimin e banesës. Atyre nuk jua paguajnë, por i japin para në dorë, e arsyetimi mund të bëhet edhe me akraballëk, se ka “lëshuar” banesën në qira dhe çmimi është në vullnetin e të dy palëve! Këtë benificion e gëzojnë ata që parat i kanë mbi shtatëqind euro, sepse atyre nuk u mjaftojë këto të ardhura, prandaj edhe duhet ndihmuar! Veturat e tyre mund të shihen gjithkund dhe në orët e vona i parkojnë nëpër shtëpi të tyre nga e kanë prejardhjen.

 

Për fund

 

Merrni dhe krijoni një ekip profesional z. Thaçi, le t’ia qesin lapsin për përllogaritje, do të shihni se ku ju shkojnë parat e buxhetit dhe ndryshe do të silleshit me kërkesat e grevistëve veteranë të luftës çlirimtare. Po t’i eliminoni këto fenomenet e cekura më lartë, por edhe shumë të tjera për të cilat në këtë shkrim nuk i kam marr për trajtim, Ju z. Thaçi do të siguronit mjete për përkujdesjen e veteranëve të UÇK- së dhe familjeve të tyre, e jo t’i përbuzni ata të cilët nuk “dinë të sigurojnë treqind euro në muaj”, siç do t’i përbuz një emisar Yti në takim me ta. Mos harro, se përbuzja e faktorit të brendshëm nuk të jep rezultate në shtrirjen e pushtetit në çdo cep të Kosovës. Këtë dikur e ke pranuar nga analistë e çështjes kombëtare dhe mu kjo ishte humbja e z. Rugova, i cili gjithë filozofinë politike të vetën e kishte mbështetur te faktori i jashtëm, duke pritur në pjatë lirinë. jeni në po të njëjtat valë veprimi, por Ju po bëni edhe më keq, sepse përbuzni ata që e kuptuan drejtë kauzën kombëtare, rrokën armët dhe u rreshtuan në kolonë të një ushtrie të lavdishme, e cila e ngriti nderin e nëpërkëmbur të kombit  dhe ia ktheu dinjitetin atij me këtë gjysmë lirie që gëzojmë.

 

Prishtinë, 14.06.2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu