“Lëvizja : Lindje e përgjakur”, autor Bedri Islami

0
962

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i autorit Bedri Islami, me titull dramatik”Lëvizja : Lindje e përgjakur”, pikërisht siç u zhvilluan ngjarjet dramatike në Kosovë dhe diasporë.

Në fakt, në këtë vepër defilojnë figurat më të ndritshme të kombit, duke filluar nga Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, e deri te Adem Jashari, siç do të paraqiten edhe figura të tjera të errëta, të cilat ishin pengesë e zhvillimit dhe avancimit të luftës çlirimtare.

Vepra ka dy protagonistë: Ibrahim Kelmendin dhe vetë autorin, Bedri Islamin. Si i pari, po ashtu edhe I dyti, janë nyjat kryesore nëpërmjet të cilave zbërthehen hapat e parë të themelimit të Lëvizjes dhe të UÇKsë.

Dalja e UÇK-së nuk ishte prodhim i punës njëvjeçare siç pretendojnë disa, as nuk ishte fabrikim dhe dorë e zgjatur siç deklarohej, por prodhim i punës sistematike dhe sakrificave të njëpasnjëshme të djemve dhe bijave më të mira të Kosovës. Ibrahim Kelmendi është boshti i themelimit të kësaj Lëvizje që shumë vjet më vonë rezulton me krijimin e UÇKsë, si një strukturë e përgatitur pas shumë punëve, vuajtjeve dhe sakrificave shumëvjeçare.

Duhet sqaruar lexuesve se Bedri Islami është njeriu më i spikatur, i cili vullnetarisht i është bashkuar grupimit të Lëvizjes, nëpërmjet së cilit janë mbledhur, shpërndarë dhe organizuar të gjithë figurat më të shquara të luftës sonë çlirimtare.

Autori veprën e zhvillon në formë të bashkëbisedimit dhe të intervistimit, formë kjo që na shpie në krijimin e një zhanri dokumentarobiografik.

Ana dokumentare e veprës vihet në dukje me përdorimin e letrave nga arkivi, ndërsa ana autobiografike me rrëfimin e ngjarjeve të përjetuara nga dy kryeprotagonistët.

I nxitur nga titulli dhe dy emrat, Ibrahimit dhe Bedriut, e kam lexuar dhe analizuar librin, jo nga kureshtja se Ibrahimi mund të kishte shkruar diçka kundër meje, siç kishte shkruar në “Atentatet” por, thjesht, për të parë, është apo nuk është objektiv në rrëfimin e tij më të ri.

Mbase më nxiste kureshtja që ta lexoj librin duke qenë edhe vetë pjesë aktive për dekada me radhë me shumicën e personazheve duke filluar nga Jusuf Gërvalla e deri te Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, edhe pse kurrë nuk jam takuar me autorin Bedri Islami, kam një respekt të veçantë për aktivitetin organizativ dhe shkrimet e tij.

“Lëvizja : Lindje e përgjakur”, I autorit Bedri Islami, nuk është libër që mund të lexohet me një frymë siç janë mësuar kritikët tanë të shkruajnë për çdo libër që bëjnë recensione për të cilat paguhen. Jo.

Ky libër nuk mund të lexohet me një frymë sepse shpesh na bie që gjatë leximit të ndalemi dhe t’i fshijmë lotët.

Paraqitjet e figurave si: Zija Shemsiut, Nuhi Berisha e Rexhep Malës, e Femi Lladrovcit, e Adem Jasharit… Pas një pushimi të shkurtër e vazhdojmë leximin për të parë ç’po ndodh me ata djem që po përballen me jetën dhe vdekjen që ne sot ta gëzojmë lirinë.

Rrëfimi spontan i një “të padisiplinuari” Libri hapet me aktivitetin stoik të Ibrahim Kelmendit që nga mosha e re e tij. Ata që ende nuk e kanë lexuar librin për përcaktimin tim të karakterit stoik të kryeprotagonistit nuk do ta marrin shumë objektiv mendimin tim. Mirëpo, unë jam në mesin e shumë të tjerëve që ende janë gjallë, që me Ibrahim Kelmendin që nga viti 1981 e deri sot kemi pasur herë bashkëpunim e herë konflikte, herë mirëkuptim e herë keqkuptime, por asnjëherë nuk kam dyshuar se ishte në rrugë të gabuar.

Në librin “Lëvizja : Lindje e përgjakur”, të autorit Bedri Islami, këtë herë Ibrahim Kelmendi e zbraz mllefin dhe zhgënjimin e tij në mënyrën më njerëzore siç do të vepronte çdo luftëtar I lirisë.

Në rrëfimin e tij, Ibrahim Kelmendi përpiqet të jetë sa më objektiv, pavarësisht se ka raste ku tregon subjektivizëm, por që në këto raste i vjen në ndihmë autori i librit, duke e kundërshtuar me një mature nëpërmjet dokumenteve arkivore dhe nga kujtesa e tij. Ka ngjarje që Ibrahim Kelmendi përpiqet t’I përvetësojë si pjesë e aktiviteteve të Lëvizjes siç janë disa raste në Parlamentin Evropian. Pavarësisht nga ai subjektivizëm i vogël, tërësisht librin e përshkon fryma objektive e rrjedhës së ngjarjeve.

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe e Kadri Zekës Vrasja e tre dëshmorëve të kombit ishte enigmatike. Kësaj enigme, me kalimin e kohës po i shtohej një tis mjegullnaje që po shkonte gjithnjë e më tepër duke u errësuar në dëm të Ibrahim Kelmendit. Si mund ta zhdaraviste këtë errësirë që shërbimi sekret i Serbisë e kishte planifikuar para se ta kryente vrasjen?

Si mund ta zbardhte ngjarjen një individ, kur për këtë ekspertët e luftës psikologjike në Serbi e kishin plasuar?

Ibrahim Kelmendi tregon se si ishte takuar me Jusuf Gërvallën dhe si i ishte gëzuar ardhjes së tij, në të cilin kishte shpresa të mëdha se do të kontribuonte. Në kohën kur u arrit bashkimi i organizatave te majta, ku i pranishëm ishte edhe Kadri Zeka, pikërisht në banesën e Jusuf Gërvallës.

Në atë banesë lindi Lëvizja, por që në lindje ajo u vulos me gjakun e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit. Koincidencë?! Jo.

Vrasje e planifikuar? Po. Serbia vrasjen e kishte planifikuar shumë më herët, sepse bashkimi i forcave shqiptare Serbisë ia dridhte themelet e pushtimit.

Pas çdo vrasje politike të mëhershme e të mëvonshme, Serbia e kishte përgatitur terrenin e luftës psikologjike, që të dyshohej në bashkëveprimtarin më të ngushtë të viktimës. Vetëm pas disa orëve dyshimi kishte rënë në Ibrahim Kelmendin, edhe pse ai ndodhje qindra kilometra larg vendit të ngjarjes.

Çuditërisht askush nuk dyshonte në mysafirin e paftuar nga Bllaca (fjalën autori e ka për

Shefqet Kronin nga Bllaca, shënimi im). Ibrahimin e akuzonin “shokët” nga xhelozia, e akuzonin “shokët” të stërvitur nga UDB-a, indirekt e akuzonte gruaja e Jusufit, ndoshta në mungesë të informacionit, e në heshtje filluan ta akuzonte pjesa dërrmuese e shqiptarëve.

Si të tregonte se ai nuk ishte vrasësi e as ndihmës i vrasësit ose vrasësve? Nga depresioni kishte menduar të bënte vetëvrasje.

Po kush do i besonte nëse Ibrahimi do të vetëvritej?! Askush! I kishte shkuar ndërmend të vriste atë që dyshonte se ishte ndihmës i vrasjes së asaj nate të kobshme.

Po kush do t’i besonte se ai ndoshta e kishte vrarë të dyshuarin pikërisht se fajin e tij po ia hidhte tjetrit?! Ibrahim Kelmendi gjendej në mesin e shumë dilemave e më në fund kishte zgjedhur rrugën më të vështirë: t’iu përballonte akuzave, thashethemeve të kafeneve, klubeve dhe individëve të porositur nga UDB-a, për të mbjellë huti dhe përçarje që Lëvizja, të shuhej e kurrë mos të ngrihej.

Cili ishte boshti i Lëvizjes së përgjakur që në lindje?

Vendimi për ta vazhduar aktivitetin ishte shumë i guximshëm, sepse çdo ditë e çdo natë, çdo qytet e çdo shtet fjalët ishin përhapur e Ibrahimi i kishte dhënë detyrë vetes që Lëvizja të ringjallej e të rritej deri në çlirimin përfundimtar. Kjo ishte rruga më e vështirë që Ibrahimi do ta përballonte në kurrizin e tij gjatë tërë veprimtarisë patriotike për 30 vjet me radhë.

Pa asnjë dyshim e hezitim mund të konkludohet se Ibrahim Kelmendi ishte themeluesi i Lëvizjes dhe boshti kryesor që kjo Lëvizje të mos shuhej deri në çlirimin e Kosovës.

Në Lëvizje disa hynin dhe dilnin për t’u mos u kthyer kurrë më. Në lëvizje disa vinin të ushtruar nga UDB-a e shkonin për t’iu tretur emri përgjithmonë. Në Lëvizje, disa vinin dhe shkonin për t’u kthyer, pasi nuk gjenin strehë tjetër.

Në Lëvizje disa vinin dhe shkonin për të rënë në altarin e lirisë. Lëvizja ishte fëmija i Ibrahim Kelmendit, që e kishte krijuar!

Lëvizje isha unë. Lëvizje ishte ti. Lëvizje ishin ata, masa e gjerë popullore që e përqafoi thirrjen për luftë çlirimtare. Andaj, si mund të braktiste fëmijë e vet Ibrahim Kelmendi, aq më tepër kur këtë fëmijë të tij po e nëpërkëmbnin dhe përvetësonin njerëzit e UDB-së?

Është për t’u habitur, njëherësh për t’u mrekulluar nga thjeshtësia e Ibrahimit, i cili kurrë nuk deshi të bëhej kryetar i Lëvizjes të cilën e kishte themeluar bashkë me Jusufin dhe Kadriun.

Se Ibrahim Kelmendi ishte i sinqertë, i thjeshtë, dëshmon fjala e tij në Mbledhjen e Prizrenit 1999, kur deklaron: “Falënderoj UÇK-në që ma mundësoi të kthehem në Kosovën e çliruar pas 23 vjetëve në ekzil! Nëse angazhimi dhe kontributi im patriotik e çlirimtar kanë qenë të vyeshëm, vlerësoj se kanë qenë të bollshëm; nëse kanë qenë të dëmshëm, kanë qenë të tepërt.

Në parti politike nuk do të angazhohem…” (faqe 482). Një deklaratë e tillë mund të vijë vetëm nga figura të sinqerta që luftën e tyre nuk e kanë bërë për interesa personale, por për çështjen madhore kombëtare.

Këto janë fjalë të arta që duhen ndjekur nga secili luftëtar i lirisë.

Dualizmi i personazheve

Në librin “Lëvizja : Lindje e përgjakur”, autori Bedri Islami ngjarjet I thur me një mjeshtri artistike të rrallë.

Bedri Islami nëpërmjet pyetjeve që ia bën bashkëbiseduesit hyn thellë në shpirtin e Ibrahim

Kelmendit, për t’ia lakuriqësuar edhe mendimet e ndërdijes, të cilat ndoshta bashkëbiseduesi kurrë nuk do t’i kishte zbuluar dhe zbrazur nga thellësia shpirtërore ku Ibrahim Kelmendi i kishte stivuar dekada me radhë. Askush tjetër, përpos Bedri Islamit, nuk do të kishte arritur që me Ibrahim Kelmendin të shkruante një vepër stabile, që do t’i qëndrojë kohës.

Çdo autor tjetër do të kishte shkruar një libër duke i marrë kallëp rrëfimet e Ibrahim Kelmendit, gjë që kjo mënyrë do të ndikonte në zbehjen e figurës së Ibrahimit. Mirëpo, Bedri Islami është njohësi më i mirë i zhvillimit të ngjarjeve që kanë ndodhur brenda Lëvizjes, si dhe njohës i karakterit të secilit anëtar eminent të Lëvizjes, e kjo ka ndikuar që rrëfimet të jenë transparente.

Kur Ibrahimi ka bindjen se po tregon të vërtetën, Bedriu e kundërshton duke ia shpreh mendimin e tij me dokumente arkivore, që në disa raste Ibrahimi nuk kishte informacione.

Gjatë këtij bashkëbisedimi njëri e plotëson tjetrin; tjetri e kundërshton, ku bashkëbisedimi ndërpritet duke krijuar situata të tendosura ndërshoqërore, por jo konfliktuoze.

Paraqiten situata dramatike në mes tyre, por destruktive, sepse autori e ka një qëllim: objektivizimin e përshkrimit të situatave.

Në këtë mënyrë na paraqitet një tablo realiste e ngjarjeve sa tronditëse, po aq edhe të mrekullueshme. Në tërë veprën dualizmi i jep ngjyrën dhe bukurinë e rrëfimit për ngjarjet herë të kobshme e herë madhështore.

Libri “Lëvizja : Lindje e përgjakur” i autorit Bedri Islami është një vepër që i ka munguar Kosovës. Është një vepër, që për herë të parë i ka vënë bazat e çimentuara të Lëvizjes, për të cilën kanë dëgjuar tërë populli ynë, por asnjëherë nuk është thënë realiteti siç është thënë kësaj here, edhe pse Ibrahimi gjatë rrëfimit të tij, ndoshta për shkak të mosinformimit, ka mendime të ndryshme për ndonjë individ a po ndonjë ngjarjeje.

“Lëvizja : Lindje e përgjakur” është një vepër e cila lë hapësirë të kundërshtohet, por do të mbetet kodi dhe pikë reference për secilin autor i cili do të merret më studimin e UÇK-së.

Kushdo që do ta lexojë këtë vepër nuk do t’i duhet shumë kohë për t’u bindur se Ibrahim Kelmendi me sakrificën dhe vuajtjet e tij shpirtërore, me veprimtarinë e tij patriotike të papërulur ndaj stuhive të shumta, në këtë jetë dhe në jetën tjetër i takon atdheut.

 

Nga, Reshat SAHITAJ

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu