Libri i ri i Rexhep Qoses: “Të fshehtat e treguara”

0
86
Libri i ri i Rexhep Qoses: “Të fshehtat e treguara”

Pak ditë më parë, në përvjetorin e 84-t të ditëlindjes së akademikut të njohur Rexhep Qosja, doli nga shtypi romani i tij më i ri nën titullin intrigues “Të fshehtat e treguara”.

E përditshmja “Dita” dhe faqja në Facebook “Enveristët e Bashkuar” kanë bërë publike fragmente nga autorë që përmenden në librin e Qosjes, për Enver Hoxhën.

“I pashmangshëm emri i tij në historinë e Shqipërisë!… Ose do e lënë Shqipërinë pa histori… ose emri i tij do jetë shkruar kudo?! E pamundur shmangia!”, ka qenë përfundimi që ka nxjerrë Rexhep Qosja, duke i dhënë kësisoj vlerë figurës së tij historike.

Në këtë libër, akademiku i ka kushtuar disa pjesë figurës së Enver Hoxhës, duke sjellë edhe biseda me intelektualë shqiptarë. Mes tyre ai  përmend bisedën që kishte me një profesor të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në njërën prej dhomave për të izoluarit, gjatë regjimit serb, Nimet Kalludra, tani banor i kryeqytetit të Kosovës, por i lindur në Zadrimë të Shqipërisë e i dërguar në Kosovë e Metohi në kohën e Shqipërisë së Madhe, me 28 nëntor të vitit 1941.

Sipas tij, Kalludra është bërë shumë i popullarizuar e i dashur në popull, me një broshurë në të cilën janë paraqitur, me gjuhë të kuptueshme edhe prej analfabetëve, të ashtuquajturat meritat politike, shtetërore e kombëtare, të tashme e historike, të Enver Hoxhës.

“Enver Hoxha dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu janë dy politikanët, shtetarët dhe atdhetarët më të mëdhenj në historinë e popullit shqiptar”.

“Enver Hoxha, thotë ai, është politikan e shtetar pamatshëm i dashur dhe i adhuruar prej popullit shqiptar jo vetëm në Shqipëri. Ai, thotë profesor Kalludra, në broshurën e tij, e bëri Shqipërinë shtet të fortë, të cilin kurrë me asgjë s’do të mund ta rrezikojnë as imperialistët kapitalistë që i shfrytëzojnë popujt e kolonizuar në botë e as imperialistët bolshevikë revizionistë në krye me tradhtarin Nikita Krushçov”.

“Enver Hoxha e bëri Kombin shqiptar Komb të fortë, të liruar njëherë e përgjithmonë prej pushtimit ideologjik të qendrave fetare – Vatikanit, Athinës dhe Stambollit”.

“Enver Hoxha e bëri Shqipërinë shtet të demokracisë popullore me të arritura të larta në të gjithë fushat e jetës”.

“Shqipëria e Enver Hoxhës është sot shtet me të gjitha institucionet më të larta e më të zhvilluara që njohin vendet më të zhvilluara në Botë”.

“Shqipëria e Enver Hoxhës është sot shtet me arsimin e nivelit më të lartë”.

“Shqipëria është i vetmi shtet në botë në të cilin nuk ka analfabetë”.

“Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria ka Akademinë e Shkencave, ka Institutin e Gjuhës, Letërsisë dhe Historisë kombëtare shqiptare, ka një numër të dukshëm të instituteve shkencore që merren me dije të tjera”.

“Shqipëria e Enver Hoxhës ka Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore që shkëlqen duke zënë shpesh vendet e para në festivalet e ansambleve të tilla europiane e botërore”.

“Shqipëria, në të cilën para Çlirimit një pjesë e madhe e popullit vuante nga uria, sot ka një bujqësi shumë të zhvilluar, së cilës si tokë e pëlleshme i janë shtuar edhe moçalet e sipërfaqet që dikur vërshoheshin prej lumenjve”.

“Në Shqipërinë e Enver Hoxhës janë zhdukur përgjithmonë malaria dhe sëmundjet e tjera ngjitëse prej të cilave vuanin shumë shqiptarë në kohën e feudalizmit të Ahmet Zogut”.

“Shqipëria e Enver Hoxhës është shtet i industrializuar me shumë fabrika, në të cilat prodhohen artikuj të ndryshëm për jetën e qytetarëve, duke filluar prej artikujve ushqimorë e deri tek ata teknikë e teknologjikë”.

“Megjithëse kaq e zhvilluar dhe e përparuar, Shqipëria e Enver Hoxhës nuk është pa armiq, jo vetëm të jashtëm po edhe të brendshëm. Të jashtmit janë të gjithë ata që s’e duan komunizmin si ideologji dhe rend politik e shtetëror, kurse të brendshmit janë armiqtë e Luftës Kombëtare Antifashiste, të cilët njëkohësisht ishin bashkëpunëtorë të regjimit fashist e mandej edhe të regjimit nazist, numri më i madh i të cilëve ka gjetur strehim jashtë Shqipërisë”.

Pas vdekjes së tij Enver Hoxha ka parashikuar që në një kohë të shkurtër do të jetë i mallkuar, mandej një kohë pak më të gjatë do të jetë i ankuar, kurse përgjithmonë do të jetë i kërkuar prej popullit shqiptar.

Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, thotë Nimet Kalludra me ithtarët e tij sot dëshirojnë ringjalljen politike e shtetërore të Enver Hoxhës.

Mendja dhe etika e tij, thotë Kalludra, do të shpëtojnë Shqipërinë e Kosovën prej hajnave, plaçkitësve, zhvatësve, shfrytëzuesve të rinj, që edhe Shqipërinë edhe Kosovën po i lënë me gjithnjë e më pak shqiptarë, gjithnjë e më shumë të dëshpëruar në Atdheun e vet, që kërkojnë shpëtim në botë!

Xhevat Zekaj është gjithashtu një i përzgjedhur në fjalët e personazheve të Prof. Rexhep Qosja, në romanet e tij, për Enver Hoxhën.

“Enveri e pastroi shqiptarin prej morrave, pleshtave, tartabiqeve, dregëzave, zgjebës; Enveri e shpëtoi Shqipërinë prej malaries, kurse këta të sotmit po e ndotin Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve me hedhurinat e llojllojshme dhe radioaktive, prej centraleve evropiane! Për euro! Enveri i bëri kënetat fusha pjellore, kurse këta të sotmit fushat po i bëjnë këneta dhe liqene!… Enveri ishte shumë, shumë më largpamës se këta hyzmeqarët e tij. Enveri donte të bënte një komb. Një komb me një identitet. Një komb me emra kombëtarë, me mbiemra, me gjuhë, me histori, me kulturë, me bindje, me shpirt, me vetëdije, me shtet. Po, me shtet të fortë kombëtar… (Një personazh nga romani “Bijtë e askujt”)

“Përpara as kam folur e as kam shkruar për Enver Hoxhën sado kam shkruar e folur shumë kritikisht për socrealizmin në letërsi, në arte e në shkencë si prodhim i diktaturës komuniste. Por, tani për Enver Hoxhën kam shumë gjykime të mira. Pse jo? Sa më shumë po i njoh këta sundimtarët e sotëm aq më i virtytshëm po më del Enver Hoxha. Ai vërtet ishte diktator, diktator i arsimuar iluminist, por u bë diktator, sepse i njohu dhe i kuptoi të këtillët – disa nga këta dhe disa si këta të sotmit”.

/a.r

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu