Liburn Aliu: Nuk do të zgjedhim mjete, “Zajednica” nuk kalon

0
660

Liburn Aliu

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, aktualisht drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të zgjedh mjete për të parandaluar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Marrëveshja e nënshkruar mbrëmë nga qeveritarët e Kosovës për ‘Zajednicën’, është pasuese e decentralizimit etnik që ndodhi në Kosovë, dhe hap i madh drejt bosnjëzimit të Kosovës. Duke e nënshkruar atë, qeveritarët e Kosovës pranuan shtet brenda shtetit të Kosovës. Ne, qytetarët e Republikës, nëse duam të kemi vërtetë shtet e Republikë, duhet të organizohemi me të gjitha kapacitetet që ta pamundësojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka shkruar Aliu, përcjell koha.net.

“Kosova me “Zajednicë”, nuk është Kosovë. Nuk do të zgjedhim mjete. Zajednica nuk kalon!”, ka shtuar ai.

Më parë, ishte sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, që kishte deklaruar në “Interaktiv” të KTV-së se gjithçka pos luftës do të bëjë kjo parti për të parandaluar themelimin e këtij Asociacioni.

Marrëveshja për Asociacionin është nënshkruar në pako, bashkë me atë për Energjinë, Kodin telefonik e barrikadën mbi lumin Ibër, në bisedimet mes delegacionit kosovar të prirë nga kryeministri Isa Mustafa dhe atij të Serbisë të prirë nga Aleksandër Vuçiq. Të dy palët janë deklaruar se marrëveshja është në favor të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu