Ligji që “thyen” veteranët

0
868

Miratimi në parim i Projektligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka nxitur reagime dhe shqetësime nga ana e ish-luftëtarëve të UÇK-së. Beneficionet e këtij ligji, ata që u radhitën në UÇK në moshën 16-18 vjeçare, duhet të presin 37, përkatësisht 39 vjet, që t’i gëzojnë, ndërsa ata veteranë që janë në vende pune pas moshës 55 vjeç, do të mundë ta marrin vetëm 50 për qind të hises që i takon si veteran.

Kjo ndarje, sipas ish-guerilëve është e padrejtë e madje cilësohet edhe si turp qeveritar. Ish-luftëtari i UÇK-së, Arif Gashi nga Nekovci i Drenasit, iu kishte bashkuar UÇK-së në moshën 16 vjeçare, ndërsa sikur shumë bashkëluftëtarët e tij ai pret benefitet që ia sjell Ligji për Veteranët e UÇK-së i miratuar në Kuvendin e Kosovës një javë më parë.

“Nëse ligji i njeh meritat e luftës atëherë domosdo që kjo duhet të vlejë për të gjithë. Kur i kam pas 16 vjet, kam gënjyer për moshën dhe kam shkuar në Shqipëri për t’u armatosur dhe për t’i dalë zot vendit. Por siç duket unë duhet të pres 37 vite që t’i gëzoj të mirat e këtij ligji”, thotë Gashi. Sipas tij, nëse ligji nuk i parasheh benefitet njësoj për të gjithë atëherë më mirë të mos miratohet.

“Me gjasë qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që t’i fitoj edhe këto zgjedhje, por jo edhe t’i zgjidh çështjet e të gjithë veteranëve”, ka thënë Gashi i mllefosur.

E ndërkaq, njeri nga themeluesit e UÇK-së, Rexhep Selimi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka disponim që t’i japë beneficionet e veteranëve, prandaj çdo pengesë është e mirëseardhur për qeveritarët.

“Kjo pasi që kur gjen qeveria një pengesë të tillë ata mezi nuk presin që ta vejnë. Do të duhej që të gjithë veteranët ta kishin beneficionin pavarësisht shkallës, por para se t’i kenë beneficionet ata duhet ta kenë statusin e veteranit”, ka thënë Selimi. Sipas tij, problemi nuk qëndron te beneficionet porse siç shprehet ai, statusi i tyre, pastaj problemet me beneficionet.

“Qeveria e Kosovës këtë projektligj është duke e proceduar në një moment elektoral por ta shohim se si do të dalë”, ka thënë Selimi

Kurse, Xhevdet Qeriqi, kryetar i këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se ka padrejtësi dhe pakënaqësi të mëdha në këtë projektligj, sepse sipas tij, janë bërë ndarje të padrejta.

“Në këtë projektligj ndahen veteranët të cilët janë në punë dhe ata në moshën e re. Ata të cilët janë në punë pas moshës 55 vjeç do t’i marrin benefitet vetëm 50 për qind të vlerës, ndërsa ata që kishin 16 ose 18 vjet kur u radhiten në UÇK do t’u duhet 37 përkatësisht 39 vjet që t’i marrin këto benefite”, ka thënë Qeriqi.

Pos kësaj ky projektligj, sipas Qeriqit ka paqartësi të shumta në nenet dhe paragrafët e tjera.

“Ky është një projektligj i cili është bërë mbi bazën e presionit të vazhdueshëm, por jo edhe mbi bazën e detyrës. Po të ishte bërë mbi bazën e detyrës, këta politikan do ta bënin menjëherë pas luftës së UÇK-së”, ka thënë Qeriqi. Ai ka thënë se krejt ky projektligj, ka ardhur mbi bazën e presionit por jo edhe të vullnetit të qeverisë.

“Ne kishim edhe një vetëvrasje të një veterani të UÇK-së,  këto ditë. Për këto raste disa herë e kam njoftuar qeverinë, por as që më kanë dëgjuar”, ka thënë Qeriqi duke shtuar se jeta e një njeriu e në këtë raste e një veterani të UÇK-së është shumë e çmueshme. Sipas tij, edhe ky projektligj po bëhet me hile nga ana e qeverisë.

“Shumica e ish-luftëtarëve të UÇK-së kanë qenë djem të rinj. Dhe me këtë ndarje po u bëhet padrejtësi e madhe. Qeveria është duke u munduar që ta shfrytëzoj këtë moment për këtë projektligj të përfitoj në fushatën zgjedhore. Turpi më i madh është i këtyre politikanëve nëse ata e kërkojnë votën e veteranëve, sepse veteranët janë në gjendjen më të keqe të mundshme apo të mjerueshme”, ka thënë Qeriqi.

Nga ana tjetër, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një kumtese  konsideron se ky ligj i shumëpritur, edhe pse nuk plotëson të gjitha nevojat dhe kërkesat e veteranëve, “është një ligj i domosdoshëm për këtë kategori meritore për lirinë e vendit”.

 

Nga: Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu