Limaj: Do t’i ftojë Thaçin, Feith dhe Van Vreeswijk të dëshmojnë

0
650

(E plotësuar)- Para pak minutash ka përfunduar seanca e dytë për Limajt dhe të tjerët në rastin e MTPT’së.

Mbrojtja e të pandehurve ka kërkuar nga trupi gjykues që të hedhë poshtë aktakuzën e ngritur nga Prokurori i EULEX’it, me arsyetimin se ajo është e pabazë dhe nuk ka argumente të bollshme.

Gjyqtarja ka vendosur që seanca e radhës të mbahet me 10 qershor, ku rastin për t’iu përgjigjur kundërshtimeve të palës mbrojtëse ndaj aktakuzës do ta ketë Prokurori i rastit.

Në përmbyllje të paraqitjes së tij, para trupit gjykues, Fatmir Limaj paralajmëroi se për të dëshmuar pafajësinë e tij, do të ftojë si dëshmitarë Kryeministrin Hashim Thaçi, ish- shefin e Zyrës Civile në Kosovë Piter Feith si dhe ish- Kryeprokurorin e EULEX’it, Johannes Van Vreeswijk si dhe disa zyrtarë të tjerë të misionit europian për sundim të ligjit në Kosovë.

“Dëshmitar do të ftoj edhe Peter Feith dhe kryeministrin Thaçi. Kërkoj nga ju drejtësi dhe asgjë tjetër. Asgjë tjetër. Kështu mbrohet puna e mijëra njerëzve në EULEX dhe kështu ndihmohet ndërtimi i shtetit ligjor. Dhe shpresoj që ta ndërtojmë shtetin ligjor. Shpresoj që të fillohet seriozisht që të ndiqen kriminelet dhe të ndëshkohen ata që po e shkatërrojnë shtetin. Kërkoj nga ju që ta hidhni poshtë aktakuzën. E t’i jepni fund kësaj drame të panevojshme, të pambështetur në asnjë provë dhe në asnjë fakt”, tha Limaj.

“Jam i vetmi ministër në këtë vend që nuk e kam larguar askënd nga puna, por kam punuar me atë staf dhe kemi pasur rezultate. Nëse nuk punon askush nuk të kritikon, por po punove, atëherë aty gjuhet. Ne kemi dashur që ta ndërrojmë këtë, pra të ndihmohen ata që punojnë, kurse ata që nuk punojnë të kritikohen”, ka vazhduar fjalimin e tij ish-ministri i MTPT’së.

Seanca është duke vazhduar me parashtresat verbale të mbrojtësit të Endrit Shales, avokatit Arianit Koci. Pas tij pritet të paraqesin edhe verbalisht argumentet kundërshtuese ndaj aktakuzës edhe avokatët e të pandehurve të tjerë.

Limaj pak më parë tha se në aktakuzën për të cilën po akuzohet nuk mund të gjendet asnjë dëshmitar, i cili mund t’i pohoj ato për të cilat prokurori i EULEX’it është duke e akuzuar atë.

“Këtu jemi duke diskutuar për një çështje për të ardhur deri të e vërteta, prandaj gabimet dhe lëshimet me apo pa qëllim kanë të bëjnë me rastin konkret”, ka thënë ai.

“Tani është vendi që të flas para jush dhe t’i paraqes shqetësimet dhe kundërshtimet e mia. Ju falënderoj që po ma mundësoni këtë. Në krejt aktakuzën nuk do të gjeni asnjë dëshmitar që dëshmon atë për çfarë po me akuzon prokurori. Katër vite, zyra e prokurorit ka shfrytëzuar gjithë logjistikën dhe s’ka mundur të gjejë asnjë provë të vetme për akuzat që i ka ngritur”, ka shtuar ish- Ministri.

Sipas Limaj, Prokurori i EULX’it nuk ka gjasë të gjejë asnjë provë kundër tij.

“S’mund të gjejë asnjë llogari, s’mund të gjejë, në asnjë vend në botë, as për mua, as për vëllezërit dhe familjen time, për ato që po akuzohemi. Edhe katër mijë vjet nuk mund t’i gjejë sepse nuk ekzistojnë”, tha Limaj.

Kërkesën për t’a dhënë fjalën e tij, Limaj e ka bërë para trupit gjykues në pjesën e parë të seancës, gjë të cilën e aprovoi gjyqtarja.

Limaj: Prita katër vite, më lini të flas

Limaj ka kërkuar sot nga trupi gjykues që t’i ipet sa më parë mundësia të flas për akuzat që po i vihen përsipër nga Prokuroria e EULEX’it për krim të organizuar dhe korrupsion.

“E nderuara gjyqtare kur iu kam thënë se më duhen vetëm dy ditë që të përgjgijem për krejt keni premtuar se do ta kem rastin. Katër vite nuk më është dhënë rasti të flas, tani dua të flas”, i është drejturar ai gjyqatres së rastit gjatë seancës së sotme.

“Pse ishte në interes të opinionit të dëgjohet zëri i Prokurorit e i yni jo?! Jemi palë të barabarta. Pres prej juve që të respketoni barazinë”, tha Limaj.

Në ndërkohe seanca është ndërprerë për të vazhduar pas pauzës së drekës, respektivisht pas një orë e gjysmë sa ka urdhëruar gjyqtarja.

Në pjesën e parë të seancës, e cila po mbahet në sallën e imporvizuar gjyqësore në Kinemanë ABC-1, një nga mbrojtësit e Limajt, avokati Kharim Khan ka paraqitur argumentet kundërshtuese të tij ndaj pretendimeve të Prokurorisë për rastin e MTPT’së.

Po ashtu, mbrojtja e Limaj ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtares që po udhëheq me rastin për transmetim të seancës vetëm 10 minuta e para të fillimit të saj.

Avokati Khan tha se procedura e tërë deri në aktgjykim ka të drejtë të transmetohet, duke u thirrë në Kodin e ri të Procedurës Penale.

“Publiku i gjerë duhet të dijë se çka po ndodh brenda”, ka thënë Khan.

Sipas tij, rasti i MTPT’së nuk ka të bëjë me viktima që nuk duhet të ekspozohen por me një rast të korrupsionit dhe pastrimit të parasë.

Prokurori reagoi ndaj kësaj kërkese duke thënë se kjo lënde veç është publike sepse është lexuar edhe tërë aktakuza.

Gjyqtarja në anën tjetër tha se nuk ka ndërmend ta ndryshoje vendimin. Seanca ka vazhduar pa transmetim.

Ndërkaq, Kharim Khan ka thënë se gjykimi i Limajt është duke u bërë si garë në mënyrë që ai të fajësohet në fund, duke e quajtur këtë një metodë politike.

“Ky gjykim ndaj Limaj është veç se një metodë politike për ta kapur mat atë. Këtu s’ka drejtësi, por garë për të fajësuar atë”, ka thënë Khan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu